Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Po degradon Shna Ndou! Kumbaro hesht

$
0
0

kisha1Kisha e Shnandout në Rodon dhe afresket e saj drejt degradimit; alarmi vjen nga Frederik Stamati, restaurator, vëzhgues i hollë i problemeve e patologjive të artefakteve artistike, i cili ka publikuar fotot dhe procesin e degradimit të fotos, nga kisha për të cilën dokumentet flasin që e kanë ndërtuar Gjon Kastrioti ose i biri, heroi ynë i njohur Skënderbeu

 

Nuk është hera e parë që një nga specialistët e restaurimit në Shqipëri, vëzhgues i hollë i problemeve e patologjive të artefakteve artistike ngre zërin për të denoncuar jo vetëm shkeljet restauruese por dhe degradimin e monumenteve. Frederik Stamati së fundi ka shkruar një elozh fatkeq, alarmues për një nga monumentet më simbolike, atë të kishës së Shna Ndout në Kepin e Rodonit. Në rrjetin e tij social Stamati ka përshkruar procesin degradues që po rëndon mbi afresket dhe muret e kësaj kishe.

Ai ka kujtuar se gjatë viteve ’90-të të shekullit XX, Instituti i Monumenteve realizoi një ndërhyrje rrënjësore në kishën e Shna Ndout, në kepin e Rodonit, në Ishëm, ku restauruesi u mor me stratigrafinë e pikturës së afreskeve. Ajo u “nxor” nga varrosja shekullore e dherave, u restaurua në shumë drejtime, u studiua etj, – ka shpjeguar. Ndërsa sot, mbas njëzet vjetëve situata në të është e rëndë dhe jo pa pasoja, shkruan Stamati. Në disa vende ka rënë suvaja e afreskut së bashku me pikturën dhe në shumë vende të tjera ajo është shkëputur frikshëm nga muri dhe rrezikon të bjerë, duke humbur kështu vlera të tjera, që mezi kanë ardhur deri sot nga e kaluara. Muret në shumë vende janë bërë të gjelbra nga zhvillimi i likeneve, në saje të lagështisë shumë të madhe që vjen nga dyshemeja, thotë restauruesi (shih fotot).

Pas këtij alarmi të Stamati ka reaguar edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, duke u shprehur se “një nga kishat më të rëndësishme të Shqipërisë për vjetërsinë dhe historinë e saj, kisha e Shnandojt në Kepin e Rodonit po degradon përditë.

Do të ishte një nga humbjet më fatale rënia e suvasë ose degradimi i mëtejshëm i saj, pasi aty ndodhet gjurma e vetme e shqipes arbërore të kuqe në sfond të verdhë, e gjetur brenda kufijve të Shqipërisë së sotme. Lagështira po e bren përditë me shpejtësi që është rritur pa masë vitet e fundit. Zotërinjtë që kujdesen për monumentet, fatkeqësisht nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij monumenti, kështu që duhet ngritur një organizëm qytetar, për marrjen nën mbrojtje të monumentit-dëshmitar. Puna nuk pret pasi kjo gjurmë e drejtpërdrejtë e Gjergj Kastriotit duhet shpëtuar”

Ndërsa Stamati ka shpjeguar si po ndodh ky proces degradimi: “Nuk është çështje bukurie, por likenet lëshojnë nga rrënjët acid oksalik, i cili bashkëvepron gradualisht me llaçin, pikturën dhe gurët, duke i dëmtuar në mënyrë të parikthyeshme. Dyshemeja e kishës është thuajse ujë. Me sa duket, drenazhimet nuk punojnë, ose nuk janë bërë fare. Afërsia me detin i zmadhon problemet. Hekurat e dritareve, ndonëse të rinj dhe pa vlera historike, janë treguesit më domethënës të situatës”. Edhe pse në “pension” Stamati është unik në punët e tij, njëkohësisht i angazhuar jo vetëm në raste të tilla denoncuese por duke trokitur jo pak herë për çështje të monumenteve në dyert e Ministrisë së Kulturës, por propozime të reja, por dhe për rastet mediokre të punëve nga pseudospecialistë. Si duket, tashme rrjetet sociale janë kthyer në një “qendër alarmi” për të shpëtuar thesaret, duke na kujtuar se Ministria e Kulturës ka rënë në gjumin e dimrit, edhe pse dikur pati bërë spektakël me hapjen e një portali online: “shpëto thesaret”. Si duket kjo pamjaftueshmëri e formimit të ministrisë për të qenë koherente në punët e saj me problematikat shkatërruese që dalin në trashëgimi nuk lë indiferentë njerëz si Stamati, edhe pse ndonjëherë lënë jashtë zërin e tyre. Për këtë Stamati ka të drejtë të dëgjohet kur shkruan se “Duhet ndërhyrë urgjentisht për rregullimin e situatës, ose nga françeskanët që e kanë në përdorim, ose nga shteti”.

V.M

 

 

Kisha e Shna Ndout

Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qenë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout / Antonit. Ky i fundit ishte i vetmi objekt që ekzistonte deri përpara disa vjetësh në gjendje rrënoje. Kisha e Shën Ndout kishte një planimetri 13,6 m x 6,2 m. Ajo përbëhej nga Naosi, narteksi dhe kthina e altarit. Objekti ishte ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike, e cila shihet tek harqet e mprehta. Sipas specialistëve, kisha e Shën Ndout është ndërtuar në shekujt 14-15. Në vitin 2000 Ministria Shqiptare e Kulturës dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve iu drejtuan ambasadës gjermane me një kërkesë për mbështetje në mirëmbajtjen e këtyre vendeve me rëndësi historike dhe kulturore, e cila më pas në kuadër të programit për ruajtjen e vlerave kulturore, miratoi ndihmën financiare. Si fillim u sigurua shuma prej 100.000 DM për zbulimin dhe restaurimin e kishës së Shën Antonit. Kisha ekzistuese që prej epokës paleokristiane, e kthyer më vonë në një kishë të stilit romak-gotik, do të rindërtohej edhe një herë sipas stilit të fazës përfundimtare të ndërtimeve të shekullit të 15-të. Punimet voluminoze u mbyllën në vitin 2001. Që prej atij viti, kisha u ofron pelegrinëve të shumtë, të cilët e vizitojnë sidomos në ditën e Shën Antonit më 13 qershor, përsëri një strehë të sigurtë.

kisha 4 kisha2 kisha3


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708