Në edicionin e 45-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Giffoni në Itali, vendi ynë u rikthye me dy filma. ‘Skuadra’ me regji të Artan Minarollit dhe ‘Amaneti’ të Namik Ajazit. Fituesit u zgjodhën nga 3600 anëtarë jurie, fëmijë dhe të rinj me moshë nga 3 deri në 18 vjeç, me prejardhje nga rreth 50 vende të botës
Këtë vit, në edicionin e 45 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë e të Rinj “Giffoni”, kinemaja u prezantua me dy filma; në kategorinë e metrazhit të shkurtër me filmin
‘Skuadra’ të regjisorit Artan Minarolli, dhe filmi artistik me metrazh të gjatë ‘Amaneti’ të Namik Ajazit, filma të cilët u shfaqën me një fokus të veçantë kushtuar kinematografisë shqiptare.
Filmi “Skuadra” me protagonist të riun Samuel Vargu, rrëfen historinë e një grupi fëmijësh që enden nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar, në kërkim të një sheshi për të luajtur. Kërkim jo i lehtë në një qytet ku parkimet e automjeteve dhe ndërtimet pa kriter kanë uzurpuar të gjitha hapësirat publike.
170 fëmijët këmbëngulës e gjejnë më në fund një parkim të shkretuar dhe fillojnë aty lojën me top. Kur roja i parkingut, i pavëmendshëm për praninë e tyre, i mbyll ata brenda me ndryn, fëmijët arrijnë të dalin vetëm në sajë të zgjuarsisë…
Drejtori i këtij festivali, Claudio Gubitosi, është shprehur optimist në fjalën e tij ditën e fundit të këtij festivali. “Kemi thyer të gjitha rekordet e viti të shkuar, falë së gjithash entuziazmit të ekipit dhe pavarësisht situatës së rrezikshme që jeton në mënyrë të vazhduar Festivali”, – ka deklaruar ClaudioGubitosi, drejtori i Giffoni Film Festival.
Nga data 17 e deri më 26 korrik, në luginën Piana të Giffonit, mijëra të rinj nga çdo pjesë e botës u takuan në kornizën e turmës plot ngjyra “Cittadella del Cinema”, për të shijuar bashkë premiera, filma të pavarur dhe morën pjesë në takime të rëndësishme me personalitete kulturore e yje të ekranit të vogël. Një përvojë që lejon të rriten e lidhen me njëri-tjetrin, për të realizuar një ëndërr e për të gjetur një shtysë për të vizatuar të ardhmen në botën e artit dhe krijimtarisë.
“2016 do të përfaqësojë për ne një portë yjësish, një epokë të re që inaugurohet me Luginën Multimediale Giffoni. Duam të marrim 25 të rinj të tjerë nga 20-30 vjeç, por nuk mund ta bëjmë nëse përpara nuk ndryshojmë gjërat. Dua të shkund ndërgjegjen, por duket të jemi në gjendje për ta bërë, pa u shqetësuar në të ardhmen”, – ka shtuar Gubitosi duke nënvizuar vështirësitë që ky manifestim ka ndeshur vitet e fundit, duke u përballur me institucione dhe financues publikë e privatë.
Në edicionin e 45-të të Festivalit Giffoni, i titulluar “Carpe Diem”, fituesit u zgjodhën nga 3600 anëtarë jurie, fëmijë dhe të rinj me moshë nga 3 deri në 18 vjeç, me prejardhje nga rreth 50 vende të botës.
Çmimet zyrtare “Gryphon Award” u dorëzuan në disa kategori të ndara sipas moshës. Vendin e parë në kategorinë “Element +6”, filmi italian me regji nga Micol Pallucca, rrëfen historinë e tre fëmijëve që detyrojnë një shok shkollë me një provë guximi pak të veçantë. Në vend të dytë, holandezi “The Amazing Wiplala” nga Tim Ollehoek, një krijesë e vogël magjike e gjatë 10 centimetra që gjen familjen Blom duke e ftuar për një aventurë të rrallë dhe të paparashikueshme.
Për kategorinë “ Elements +10” fiton “Labyrinthus” i belgut Douglas Boswell dhe “The Shamer’s Daughter” nga Kenneth Kains, ndërsa për “Generator +13” gjermani “Sanctuary” nga Marc Brummund fiton vendin e parë me atmosferën e viteve ’68, duke rrëfyer historinë e të riut Wolfgang që rebelohet kundër sistemit dhe metodave të familjes strehuese ku jeton. Në vend të dytë “Beatles” nga Peter Flinth, ku një grup të djemsh ëndërrojnë të ndërtojnë një bandë djemsh dhe janë admirues të pashërueshëm të bandës së famshme e të paharrueshme angleze.
Michael Johnson dallohet për kryeveprën “All the Wilderness”, duke fituar Gryphon Award për kategorinë Generator +16. Pjesë e kastës edhe aktori i njohur Danny De Vito dhe Kodi Smit-McPhee për të rrëfyer historinë e një adoleshenti që jeton në një botë imagjinare dhe ndihmohet nga një psikiatër në përpjekje për të përballuar mungesën e të atit. Vendi i dytë i kësaj kategorie është e francezit “Standing Tall” nga Emmanuelle Bercot.
Kinefilët më të vëmendshëm mund ta kenë vëne re aktorin RoryCulkin, vëllai i të famshmit Macaulay Culkin. Pas pjesëmarrjes së fundit në “Scream 4” aktori është sprovuar në filmin me shije të pavarur “Gabriel” të Lou Howe, në rolin e një djaloshi të brishtë dhe të turbulluar pas vetëvrasjes së të atit, që jeton një histori fiksimi dhe dëshpërimi në gjurmët e një vajze, dashuria e tij e parë. Ky film ka fituar vendin e dytë në kategorinë “Generator +18”, ndërsa vendi i parë i shkoi “Coin Locker Girl”, kryevepër e koreanit Han Jun-hee.
Për sektorin “Gex Doc” u vlerësuan “Forever Stars” nga Mimmo Verdesca dhe “All the Time in the World” e Suzanne Crocker, ndërsa për seksionin e dedikuar metrazhit të shkurtër fituan “Captain Fish” nga John Banana, “The Wish Fish” nga Karel Janak, “The Present” e Jacob Frey, “The Red Hunter” e Alvaro Ron, “Two Left Feet” nga Isabella Salvetti, “About a Mother” nga Dina Velikovskaya, “Mygrandfatherwas a cherrytie” nga Olga e Tatiana Polietkova, “Point of View” nga Matteo Petrelli si edhe “Lukas& theAspies” e Andreas Gustafsson. Aventura u përmbyll edhe këtë vit me shumë duartrokitje dhe me fjalët e aktores RocioMunoz Morales: “Kinemaja është një dritare mbi botën, të rrit e të bën të zbulosh vetëdije gjithnjë të reja.
Festivali Giffoni është një prej tempujve ndërkombëtarë të kinemasë për fëmijë dhe të rinj. I themeluar në vitin 1971 nga një ide e Claudio Gubitosit, festivali ka synuar që herët të promovojë dhe të bëjë të njohur kinemanë për fëmijë dhe adoleshentë, duke e ngritur atë në rangun e një zhanri të mirëfilltë cilësor, të aftë të përballet me kërkesat e tregut.
Robert De Niro, Roman Polanski, Meryl Streep, John Travolta, Meg Ryan, Danny de Vito, Naomi Watts, Christina Ricci, Winona Ryder, Susan Sarandon, Samuel L. Jackson janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj të artit kinematografik botëror që kanë marrë pjesë si të ftuar në Festivalin Giffoni, gjatë këtyre mbi dyzet viteve veprimtarie.
Ndër ta edhe regjisorja e madhe shqiptare Xhanfise Keko, që ka çuar në Festival dy kryevepra të kinemasë për fëmijë dhe adoleshentë si ‘Beni ecën vetë’ dhe ‘Tomka dhe shokët e tij’, pjesëmarrje të nderuara me çmime nga juria e festivalit.
Edicioni i 45-të i Festivalit Giffoni i titulluar “Carpe Diem” karakterizohet nga pjesëmarrja e plot 3600 anëtarëve të jurisë, fëmijë dhe të rinj me moshë nga 3 deri në 18 vjeç, me prejardhje nga rreth 50 vende të botës.