Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Elina Duni, rikthimi i Dallëndyshes në shtëpi

$
0
0

elina duni]Pas koncertit të shtatorit dhe turit ballkanik,  në  Kosovë, Maqedoni e Serbi , Elina  u kthye sërish në vendin e saj. Ishin dy ngjarjet në fund të dhjetorit  që e bënë të ishte këtu.  Promovimi i romanit të Besa Myftiut dhe koncerti  i 29 dhjetorit me grupin Gjurmët… Një rikthim që zgjati deri në janar me dy mbrëmje muzikore në  “Tulla  Center” . Një dallëndyshe që rikthehet në vendin e saj edhe pa ardhur pranvera… 

“Unë iki gjithmonë prej Shqipërisë por gjithmonë rikthehem…”  Kështu do të shprehej këngëtarja e xhazit, Elina Duni  ndërsa promovonte  në Tiranë albumin e saj të nëntë  “Dallëndyshe” me një koncert  në sallën e  madhe të  Katedrales Ortodokse, “Ngjallja e Krishtit” , shoqëruar nga kuarteti i saj.

Me këtë shpend shtegtar që nuk harron pranvera të rikthehet në folenë e vjetër , e identifikon këngëtarja veten. “Dhe është njëkohësisht historia ime, sepse kjo është gjithmonë ikja, mërgimi dhe foleja. Kjo është historia ime, nuk mund të jetoj pa Shqipërinë. Unë e di shumë mirë që çfarëdo të bëj, ngado që shkoj, kërkoj gjithmonë Tiranën e fëmijërisë sime ose atë ndjesi”, – do të shprehej ajo.

Pas koncertit të shtatorit dhe turit ballkanik,  në  Kosovë, Maqedoni e Serbi , Elina u kthye sërish në vendin e saj. Ishin dy ngjarjet në fund të dhjetorit  që e bënë të ishte këtu.  E para ishte  promovimi i romanit të mamasë së saj, shkrimtares Besa Myftiu “Dashuri në kohën e komunizmit”  në një mbrëmje artistike në qendrën kulturore “Tulla” , gërshetuar me lexime nga libri i Myftiut dhe këngë nga Elina Duni. Për publikun dashamirës, ajo interpretoi edhe një këngë të re që nuk gjendet në albumin e saj të fundit, si një dhuratë për fundvit.

Një natë më pas, më 29 dhjetor ajo ishte në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, së bashku me grupin e famshëm të rrokut të viteve ’80 , “Gjurmët’, të cilët zgjodhën si vend të parë për të kremtuar Tiranën në koncertin e  pagëzuar si “Rrezet thehen në sytë e tu të zi”, shoqëruar nga shumë miq artistë nga Shqipëria e Kosova.

Janari e gjeti edhe njëherë në Tiranën e saj, të përjetësuar  me një këngë dhe video në albumin e saj “Muza e zezë”.

Kërkesat e mëdha të admiruesve të muzikës së saj që nuk patën mundësi të  ishin të pranishëm në  mjediset e qendrës “Tulla”- pasi biletat për “Swing Party & Gent Rushi”, ishin shitur – bënë që mbrëmja e 9 janarit të përsëritej edhe dje, në një atmosferë të ngrohtë, shoqëruar sërish nga Gent Rushi, një prej muzikantëve me të cilin Elina preferon të bashkëpunojë shpesh. Kur nuk është  me kuartetin, nuk ka dyshim që do të jetë duke performuar me Gent Rushin.

E kishte të ftuar të veçantë gjatë koncertit shtatorin e shkuar e një vit më parë më  janar të 2015-ës  , po në të njëjtin vend  në qendrën kulturore “Tulla”  ishte e shoqëruar nga fizarmonika e Gent Rushit, ndërsa ajo performonte këngët e saj në kitarë akustike dhe me sfondin e leximeve të Besa Myftiut.

Duket se mbrëmjet e janarit – të ëmbël siç e quan ajo – në  Tiranën që e pret gjithnjë ngrohtë, po kthehen në një traditë të mirë për  këngëtaren, e cila pas këtij koncerti e pret një tur muzikor në Zvicër dhe Francë.

Albumi i saj “Dallëndyshe” është  renditur mes 10 albumeve  të domosdoshme për të bërë një  Europë më të mirë, sipas revistës franceze “Les Inrocks”.

Ky album, ashtu si edhe të tjerët e realizuar nga këngëtarja solo dhe shoqëruar me kuartetin, ka në thelb këngët e vjetra shqiptare të cilat nën vokalin e spikatur dhe instrumentet e kuartetit  tingëllojnë sa moderne nën improvizimin e xhazit, aq edhe  evokojnë fort rrënjët e lashta të  Shqipërisë.

Edhe kritiku i Jazz-it Ivan Hewett,  redaktor i kulturës në gazetën prestigjioze “The Telegraph”,  e ka  zgjedhur ndër 45 albumet më të mira të xhazit  për vitin 2015, i mbresëlënë nga mënyra e saj e të kënduarit, edhe pse asnjë prej teksteve nuk ka qenë në gjuhën angleze.

“Unë i këndoj dallëndyshes. Ajo është një zog i jashtëzakonshëm. Kam dëgjuar se  në Livadh, dallëndyshet vijnë dhe ikin në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë çdo vit. Ikin në 10 Shtator dhe kthehen në 25 Mars në orën 1 e një çerek…”.

Me këtë përpikëri duket se kthehet edhe Elina Duni, si një dallëndyshe që nuk trembet të rikthehet edhe në dimër…

Suadela Balliu


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708