Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Në skenë, artistë shqiptarë dhe spanjollë

$
0
0

bienalja 3 gusht“Netët e Muzikës Klasike” në Durrës, udhëtim me Servantesin

 

 

Mbrëmja e 1 gushtit shënoi natën e parë të Bienales së Muzikës Klasike në Durrës. “Netët e Muzikës Klasike” organizohet një herë në dy vjet nga muzikanti dhe violinisti Florian Vlashi. Këtë vit në qendër është Servantesi dhe donkishotizmi, muzika mesjetare.  Hapja e aktivitetit u bë në Muzeumin Arkeologjik të Durrësit nga djaloshi 11-vjeçar i Florian Vlashit, Martin Vlashi dhe Përparim Kabo, i cili lexoi para një audience të kualifikuar kumtesën: “Servantes-Hygo-Dali vijnë në Durrës. Tri rrëfenja për Martinin”. Martini, që ka lindur në Spanjë, luajti për herë të parë në Durrës, prej ku ka dhe origjinën e tij. Mbrëmja u pasua nga një koncert në piano dhe në violinë, për t’u mbyllur me balete nga Don Kishoti.

Shtegtim me “Espana”

Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” shënon edicionin e vet të shtatë. Ajo është zhvilluar për herë të parë në vitin 2003, nën ideimin e violinistit me karrierë ndërkombëtare, Florian Vlashi.

Edhe këtë vit në këtë projekt ai është së bashku me muzikantin dhe kompozitorin e mirënjohur Haig Zacharian. Edicioni i shtatë i Bienales do të shtegtojë në viset e Servantesit me temën “ESPANA”. Këto koncerte, që do të vijojnë deri më 7 gusht, janë një udhëtim muzikor në vendin e Servantesit, që nga muzika e vjetër e deri në ditët tona. Sipas organizatorëve, “Spanja është një ‘perandori’ jo vetëm në zbulimin e kontinenteve, por edhe në art, letërsi e muzikë. Një ‘perandori e kulturës’, që tek ne nuk njihet aq sa duhet. Muzika në kohën e Don Kishotit, Goya-s Lorca apo Dali-s ishte po aq e vlerë sa dhe arti i tyre.”

Muzikë dhe histori

Në këtë edicion do të prezantohet muzika klasike spanjolle interpretuar nga muzikantë shqiptarë e spanjollë, ndërsa veprat premierë janë pjesë e Bienales.

Për Bienalen është dhënë një mbështetje financiare prej 300.000 lekësh të reja nga Ministria e Kulturës, që sipas një prej organizatorëve, kompozitorit Haig Zacharian, janë pak për zhvillimin e një projekti të tillë.

Për artistin Florian Vlashi, Durrësi është qyteti shqiptar ku më shumë është luajtur muzika spanjolle dhe nga ana tjetër, nga ku më shumë instrumentistë, kompozitorë e artistë, janë përfaqësuar në Spanjë. “Nëse dikush do më pyesë: “Pse Durrësi?”, unë do përgjigjesha se ishin “Netët e Muzikës Klasike” ato që krijuan këtë urë tingujsh me Spanjën. Por, diku brenda meje, ndiej se kjo ka qenë ndoshta edhe një lidhje tjetër, shumë më e vjetër, si “e shkruar” në amanetet e marinarëve të anijes së mbytur 1700 vjet më parë në bregun e Durrësit…”, shprehet violinistin Vlashi.

Të gjitha netët do të zhvillohen në vende historike të qytetit si amfiteatri roman, Torra Veneciane, Muret e Kalasë, po ashtu edhe te Katedralja “Shën Luçia”, Teatri “A. Moisiu”, shkolla e muzikës “Jan Kukuzeli”, etj.

Bienalja “Netët e Muzikës Klasike”, në natën e parë të saj pati grupin e njohur “Flamenco” nga Spanja. Kori Kamertal i Filarmonisë së Kosovës me dirigjentin Rafet Rudi është pjesë e Natës Baroke. “Don Kishoti në muzikë” vjen nën interpretimin e Orkestrës së Harqeve “Aleksandër Moisiu”, të shoqëruar edhe me fragmente nga libri “Don Kishoti” i Migel Servantes, etj. Vepra e parë në historinë e muzikës mbi figurën e Don Kishotit e shkruar nga Teleman (sh. XVII) apo Purcell është gjithashtu në listën e premierave.  Violinisti Florian Vlashi është themelues dhe drejtues i grupit instrumental “Shekulli XX”, me të cilin së bashku me instrumentistë nga 16 vende të botës interpreton vetëm muzikë të autorëve bashkëkohorë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708