Me rastin e 80-vjetorit të shkrimtarit të madh, Universiteti Europian i Tiranës organizon “Ditën e Kadaresë në UET”, ku do të prezantohet dhe Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare”. Qendra e Studimeve do të funksionojë pranë Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun-Komunikim UET dhe do të drejtohet nga pedagogu Gilman Bakalli. Aktiviteti me pjesëmarrje të hapur do të zhvillohet të enjten, 28 janar 2016, ora 12:00, në auditorin Aula Magna UET dhe është emërtuar “Dita e Kadaresë në UET”, ku do prezantohet dhe studimi i parë i mbështetur nga kjo qendër, që është në fakt një studim mbi pasqyrimin e veprës së Kadaresë në letrat franceze. Bëhet fjalë për librin e studiueses Viola Isufaj, “Kadare në letrat e sotme franceze”, botim i UET-Press, që sjell një pasqyrë të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar në studimet franceze. Libri nis me dy intervista të autores me shkrimtarin mbi dy tregime: “Përpara banjës” dhe “Kush e Solli Doruntinën”. “Ky libër përbëhet nga dy pjesë, që, në pamje të parë, duket sikur nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në një pikëvështrim më të gjerë, të dy pjesët kanë të bëjnë me rrezatimin e veprës së shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare në botimet bashkëkohore në Francë, qoftë si rimarrje e një vepre të tij në vepra të tre autorëve të sotëm francezë, qoftë si shtjellim i romanit Kush e solli Doruntinën për nxënësit e kolegjeve të Francës”, shprehet autorja.
Me anonçimin e Qendrës, universiteti shkon më tej me ambicien për të hapur një departament të Letërsisë, që siç shprehet drejtues i qendrës, Gilman Bakalli, përbën lajm. “Po të thoshim që kemi vendosur të hapim një qendër interneti, sigurisht që nuk do të pretendonim aspak t’i jepnim statusin e lajmit këtij informacioni. Po ndërtojmë dy entitete letrare, në një kohë kur si universitet privat akuzohemi vazhdimisht se jemi orientuar kryesisht nga një logjikë ekonomike e tregut. Po hapim dy fronte studimi të librit, në një kohë që ky i fundit rrezikon të transformohet nga diktati i realitetit virtual”, – shprehet Bakalli. Të merresh me letërsinë në një kohë kur botën e informacionit po e sundon interneti dhe shpejtësia, duket si një mision i vështirë, por jo i pamundur. Bakalli pranon se “diçka është e sigurt. Letërsia, fjala e shkruar dhe libri, e kanë humbur pozicionin e tyre si medium dominant në shoqëri. Ndryshimet e reja e kanë ndryshuar rolin dhe funksionin e letërsisë. Nuk bëhet fjalë për zhdukje të saj, por për transformim. Mediat e reja duket se po u japin të rinjve diçka, që letërsia nuk ka qenë në gjendje t’ua japë: eksperiencën direkte, shumëshqisore dhe kënaqësinë e shpërqendrimit”. Por për ekspertin e Letërsisë “ka mundësi që libri ta fitojë sërish joshjen, për shkak të universalitetit mediatik. Ashtu si në të kaluarën, kur njerëzit tërhiqeshin përkohësisht nga qytetet e zhurmshme në fshat për të shijuar thjeshtësinë, qetësinë dhe një rutinë të natyrshme, ashtu edhe letërsia, në kontrast me realitetin omniprezent dixhital, mund të krijojë pika referimi, ishuj, brenda të cilëve njeriu mund të rigjenerohet nga dallgët e informacionit dhe zbavitjes që përplasen çdo ditë në brigjet e përditshmërisë sonë”.