Pas tre vitesh, kur u rrafshua për gjithë natën shtëpia muze, ku Themistokli Gërmenji ngriti flamurin e shpalli Korçën Republikë, duke e shpëtuar nga aneksimi grek, asgjë nuk ka ndryshuar. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nuk mban premtimin për ta rindërtuar. Sivjet shënohet 100-vjetori i këtij akti historik, dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë dje ka sensibilizuar për të ngritur një fushatë për mbledhje fondesh në rindërtimin e muzeut
Kur sivjet mbushen 100 vjet nga dita kur Themistokli Gërmenji ngriti Flamurin e Republikës së Korçës, shtëpia që kreu këtë akt duke shpëtuar tokat shqiptare nga pretendimet greke, sot nuk ekziston. Po mbushen tre vjet nga shembja për gjithë natën të shtëpisë, kthyer në muze e shpallur monument kulture. Këtë kujtesë sa historike aq dhe fatale, e sjell në vëmendje dhe kërkon përgjegjësit Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë. Megjithëse është folur për hetime, çfarë ishte më e rëndësishme lidhej me rindërtimin e saj. “Sivjet këtë shtëpi e kemi ende inekzistente si pasojë e indiferencës shtetërore. Megjithëse Ministrja aktuale e Kulturës i premtoi Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, që në dhjetor 2013, që kjo shtëpi do të rindërtohej, organizmat shtetërore ende nuk kanë bërë asnjë hap”, ky është reagimi.
Ky forum, prej kohësh bën një jetë aktive por edhe sensibilizuese mbi rrënimet e trashëgimisë e monumenteve. Jo pak herë është përballur me përgjegjësitë që i takojnë ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, kjo e fundit krejt e pavullnetshme për ta konsideruar shqetësimin përtej tavolinës së saj. Duke parë këtë mungesë përgjegjshmërie për trashëgiminë, kur rastet pothuaj denoncohen çdo ditë, Forumi ka vendosur të ndërtojë një strategji, jo vetëm për ta denoncuar, por dhe sensibilizuar popullatën për një fushatë të mbledhjes së fondeve.
“Forumi tenton të sensibilizojë popullatën për një fushatë mbledhje Fondesh, për të bërë atë që shteti ynë i kalbur nuk do në asnjë mënyrë ta bëjë”.
Dje, Forumi ka ripublikuar pamjet e shtëpisë përpara shkatërrimit “‘me dashje’ nga njerëz të panjohur”! Rrënojat e prishjes së shtëpisë së flamurit, janë pamje që për korçarët ka një tjetër kujtesë, edhe atë të protestës së të rinjve por që sot ndodhen në të njëjtën pikë, asgjë nuk ka ndodhur. Edhe pse janë bërë hetimet e shembjes së shtëpisë, asgjë nuk ka dalë në dritë, motivet ndonëse është folur se ka ndodhur për qëllime biznesi. Ajo që ishte e qartë lidhej me degradimin dhe amortizimin e thellë të shtëpisë. Prej ’90-ës, shtëpia ishte lënë në harresë totale duke bërë përgjegjëse drejtorinë rajonale, që lidhet drejtpërdrejt për mbrojtjen e monumenteve të kulturës. Por, edhe pse ishte lënë në mjerim, korçarët nuk e besonin se një ditë do të shembej krejtësisht, për të mos pasur më gjurmë.
Krahina autonome e Korçës, u shpall me 10 dhjetor 1916. Pikërisht në këtë kohë në krahinën e Korçës, vepronin çetat e Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës, të cilët duke përfituar nga rasti i shtrirjes së ushtrisë franceze në Korçë dhe në qarkun e saj, ngritën një komision, dhe në emër të popullsisë së krahinës, u kërkuan forcave franceze largimin e grekëve nga Korça dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Në këto kushte, komandanti francez i zonës së Korçës, koloneli Dekoen, sipas udhëzimeve të komandës së Armatës së Lindjes, vendosi të largonte nga Korça venizelistët grekë dhe hyri në bisedime me udhëheqësit e lëvizjes shqiptare. Komisioni përbëhej prej katërmbëdhjetë vetash, shtatë të krishterë dhe shtatë myslimanë. Në këtë komision, që mori përsipër barrën e kujdesjes për vendin dhe u paraqit përpara kolonelit, bënin pjesë: Rafail Adhami, Kostandin Nocka, Nikolla Vangjeli, Vasil Singjeli, Vasil Kondi, Llambro Mborja, Thimi Cale, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Qani Dishnica, Sali Babani dhe Haki Shemshedini. Sipas protokollit të 10 dhjetorit, qyteti i Korçës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, formonin një krahinë “autonome”, që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin. Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata do të ishte shqipja dhe flamuri i krahinës “autonome”, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez. Kjo ngjarje që kishte dëshminë 100-vjeçare brenda ndërtesës, u shemb brenda një nate, dhe vazhdon të mos ekzistojë.