Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Kakofonia në treg: Copy-right, Këshill për tarifat dhe gjobat

$
0
0

autori te drejtatA do të ketë rregulla të reja loje për krijuesit? Pirateria ende nuk i ka ndërgjegjësuar institucionet përgjegjëse dhe autorët. Ditëve të fundit në komisionin e Medias, Ministria e Kulturës ka relatuar mbi projektligjin për të drejtat e autorit; tregu në kakofoni të të drejtave, autorët kanë humbur besimin tek agjencitë, ndërsa pritet krijimi i një Këshilli Kombëtar me ekspertë që do të kenë për detyrë mbledhjen e gjobave nga shkeljet

A do të ketë rregulla të reja loje për krijuesit? Ndonëse pirateria ende nuk i ka ndërgjegjësuar institucionet përgjegjëse dhe autorët për masat mbrojtëse. Vetëm ditëve të fundit në komisionin e Medias, Ministria e Kulturës ka relatuar mbi projektligjin për të drejtat e autorit, ndërsa tregu vazhdon të jetë në kakofoninë e të drejtave, duke humbur besimin e autorëve edhe tek agjencitë ose përfaqësuesit e mbajtjes së të drejtës. Nga kjo arsye e fundit, vakuumi ligjor ka thelluar problematikat që lidhen me administrimin kolektiv dhe mungesën e qartësisë mbi të drejtat për komunitetin e krijuesve. Në këtë nxitim, pritet të kalojë së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë projektligji i ri për të drejtat e autorit, ku tarifat dhe metodologjia do të vendosen nga një organin i ri, i përbërë nga pesë anëtarë të parashikuar me ligj. Pra flitet për krijimin e Këshillit Kombëtar të të drejtave të autorit, një organ i cili ka për detyrë mbledhjen e gjobave nga subjektet, të cilat shkelin të drejtën e autorit. Në këto diskutime në komisionet parlamentare, me pretendimet për të pasur një ligj me standardet që kërkon tregu, vjen kjo përgjigje për statusin diskriminues që kanë artistët.

Për këtë, Kumbaro është shprehur se ligji: “Fuqizon, intensifikon dhe diversifikon masat shtrënguese kontrolluese dhe monitoruese, si dhe vendos filtra për masa më efektive për importuesit, eksportuesit, prodhuesit, përdoruesit apo shfrytëzuesit e veprave kulturore artistike dhe shkencore duke qenë se asnjë ligj, i cili vepron në një fushë jo thjesht brenda kufijve administrative të territorit të Republikës, por në një mënyrë ose në një tjetër afekton përhapjen e veprave në fjalë edhe jashtë, ose importimin e tyre jashtë kufijve”.

Kështu, duket se është duke përfunduar një proces i nisur vite më parë, duke u rrëzuar ligji i vitit 2015 ku problemi qëndronte në administrimin kolektiv të krijimtarisë, si dhe rolin institucional të aktorëve për të marrë secili përgjegjësinë e vet. E drejta e autorit lind automatikisht që nga konventat e hershme të Bernës dhe Romës. Ndërsa sipas ligjit, institucionet kanë për detyrë t’i mbrojnë të drejtat në treg. Po cila është ndëshkueshmëria, sanksionet për këtë rast?

Deri tani, ka pasur një konfuzion të madh për të drejtat e autorit, ndërsa këshilli kombëtar parashikon të ketë pesë anëtarë, me ekspertë. Qëllimi kryesor i ngritjes së këtij organi, do të jetë vendosja e dhe metodologjia e tarifave, kjo për t’i dhënë fund konfliktualitetit midis agjencivë të mbajtjes së të drejtës në një anë, dhe nga ana tjetër subjekteve përdoruese, për ta certifikuar këtë marrëdhënie që sipas specialistëve deri tani, ka çaluar pasi subjektet përdoruese kanë refuzuar të paguajnë tarifat, duke i quajtur shuma të paarsyeshme.

Për këtë është thënë se do të ketë një sportel unik, ku do të shpjegohet se në derë të subjektit do të jetë vetëm një faturë. Ky variant pretendon të mbyllë kakofoninë për të drejtat e autorit.

Ndërsa metodologjia se si do të bëhen pagesat pritet të bëhet siç thuhet shumë shpejt publike. Në Shqipëri ekzistojnë katër agjenci të licencuara për administrimin kolektiv, ku në fakt nuk janë këto “institucione” që vendosin gjoba, por zyra e të drejtave të autorit.

Sa i takon mbledhjes së të ardhurave nga agjencitë, sigurisht që autorët shqiptarë gjithnjë kanë qenë skeptikë në këtë histori. Nuk kanë kaluar pa akuza për agjencitë, kush i kontrollon, apo abuzimet me punët e autorit.

Aktualisht, përdoruesit gjenden të çoroditur duke qenë të detyruar të paguajnë vlera të ndryshme agjencive të ndryshme, pa arritur asnjëherë të jenë të sigurt nëse kanë respektuar detyrimet ligjore. Amullia e krijuar në këtë aspekt, ka çuar si pasojë në moszbatimin e ligjit aktual, siç demonstrohet nga numri i konsiderueshëm i gjobave të vëna nga Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit, por edhe nga ankesat e përdoruesve të mëdhenj apo të vegjël qofshin.

Ndërsa për të luftuar piraterinë, thuhet se do të ketë një risi në shpërndarje, ku fitimet nuk do jenë më 70% e shumës së mbledhur, por është vendosur një tavan prej 30% të shumës së shpërndarë tani. Me këtë duket se ligji i ri për të drejtat e autorit, sipas përfaqësuesve të Ministrisë, synon vendosjen e filtrave dhe masave shtrënguese për abuzuesit me të drejtat dhe pronësinë intelektuale. Kur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, paraqiti draftin në komisionin e ligjeve, paralajmëroi edhe ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, për ashpërsimin e kundravajtjeve penale për të drejtën e autorit. Por, nga ana tjetër vazhdon të jetë shqetësues dhe sensibilizimi dhe informimi i autorëve në mbrojtje të veprës, një shqetësim që po shoqëron projektligjin e ri. V.M


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708