Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Roma e Klement Zoraqit, vjen në Tiranë

$
0
0

klement zoraqiNjë vizion personal të një qyteti antik, është ajo çka piktorit Klement Zoraqi, ka sjellë në ekspozitën e tij personale “Roma Archi –Natura”, e cila do të qëndrojë e hapur në Galerinë “Fab”, deri më 17 shkurt . 

Në Romë, vendin ku gjurmët e qytetërimeve qysh prej së lavdishmes Perandori Romake janë fort të gjalla edhe sot e kësaj dite, piktori ka hyrë në shpirtin e qytetit, nëpërmjet së dukshmes – tipar që ka ngacmuar penelin e tij për këtë ekspozitë vetjake, duke sjellë në 20 tablotë e ekspozuara, një vizion personal të një qyteti ku simbioza natyrë-arkitekturë, qëndron në harmoni  të plotë. “Edhe natyra këtu, ka një karakter monumental. Siluetat e gjelbërimit dhe monumenteve, gërshetohen në një unitet peizazhi, tipik për këtë qytet antik. Protagonistët e vërtetë të tablove janë padyshim pisha detare, përkrah së cilës qëndrojnë kolona antike dhe statuja baroke, në një qiell të shqetësuar nga retë, sikur natyra të lidhte epokat” – mendon Klement Zoraqi, i cili e ka quajtur marrëdhënien e tij me këtë qytet, krejt artistik. Thotë se e ka njohur pak e nga pak, në vizitat e tij, një njohje graduale në zemrën e qytetit antik, me të cilin është prezantuar 20 vite më parë. Roma përmes syrit dhe ngjyrave të piktorit shqiptar, ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar për të qëndruar disa ditë në mjediset e Galerisë “Fab”. Ekspozita e çelur më 12 shkurt, do të jetë e hapur për publikun deri më 19 shkurt. Kjo ekspozitë është çelur nën patronazhin e Presidentit të Fondacionit “Occhio Blu Anna Cenerini Bova”, Mario Bova.

Përballjen e parë me artin e kulturën italiane, Klement Zoraqi e pati më 1992–shin , ku mori pjesë në ekspozitën e 100 piktorëve të Via Margutta. Nga kjo periudhë, Zoraqi ka qenë i përfshirë në jetën artistike italiane, megjithëse jetonte në Tiranë.

“Jam dashuruar me Romën, si një pikë referimi e qytetërimit. Çdo gjë në Romë ka shërbyer që unë të kem këtë afeksion” – ka rrëfyer Zoraqi, piktori i cili prej 31 vitesh përgatit brezat e rinj në Liceun Artistik “Jordan Misja” . Më 1994–ën prezanton në Romë dhe Firence, dy ekspozita personale, ndërsa më 1994–ën në Londër, ku e prezanton veten si një piktor i peizazhit tashmë të pjekur. Veprimtaria e ekspozitave të Zoraqit në Itali dhe në botë, zhvillohet edhe në saje të pjesëmarrjes në shoqata dhe iniciativa të piktorëve italianë. Në këtë periudhë, veprimtaria e tij artistike është prezantuar në “Annuario d’Arte” 1996 dhe 1997 dhe ka pasur vlerësime e çmime në konkurse të ndryshme lokale e kombëtare në Itali. Piktori i është rikthyer ekspozitave pas një mungese afro katër vjeçare, duke e quajtur kohë të përshtatshme për t’u rikthyer me punimet e tij, të cilat janë rezultat i një pune shumëvjeçare, që vijnë në teknika dhe forma të ndryshme.

“Pra vjen në mënyrë të natyrshme si nevojë e shprehjes së krijimtarisë, krahas punëve të tjera që unë bëj dhe për Tiranën apo dhe subjekte të tjera. Por kjo shënon një piketë në krijimtarinë time, jo vetëm formale, por dhe ideore”.  Piktori Klement Zoraqi, edukimin artistik e ka marrë në atelienë e artistit Aristotel Papa, i formuar në Akademinë e Zagrebit. U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë, më 1984-ën, ku u specializua në fushën e pikturës monumentale. Ai u përfshi në jetën artistike shqiptare qysh prej vitit 1986, në një ekspozitë kombëtare, e më tej në Bienalen e Rinisë më 1987–ën e 1989–ën, duke debutuar me gjininë e “tablo figurale”. Ekspozitën e parë personale, do ta realizonte më 1991-shin, duke shfaqur një largim të hapur nga skemat e duke shprehur pasionin e tij për natyrën dhe peizazhin.

Prej vitit 1992, ka ekspozuar në disa vende të botës, si: Romë, Firence, Paris, Londër, Barcelonë e Nju Jork. Nga viti 1998, veprimtaria artistike e kulturore e Zoraqit është përqendruar në Shqipëri, duke themeluar shoqatën “Busulla”, me të cilën ka organizuar ekspozita të piktorëve shqiptarë në Barcelonë , Paris, Londër etj. Në 2006, 2007 dhe 2010, i prezanton publikut në Tiranë veprat e tij në tre ekspozita personale. Tendenca aktuale e veprës krijuese të Zoraqit, drejtohet kah një reflektimi historik të realitetit, ku gërshetohen vizione, peizazhe e portrete, në një interpretim personal të fakteve historike.

S.B


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708