Dorëzohen edhe vetë monumentet. Pak ditë më parë, DRKK Gjirokastër, që kujdeset për to, ka deklaruar se 20 banesa rezultojnë në fillim të vitit 2016, në rrezik shembjeje, përveç atyre që janë shembur ndërkohë. Duket se rrënimet në këtë qytet, nuk do mbarojnë derisa muzeu të mbetet veçse një “kufomë” e lagjes së dikurshme. Mediat po japin raportime të shpeshta të dëmeve, ndërsa sensibilizon mbi këtë situatë, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, shprehet se Gjirokastra është në limitet e emergjencës
Dorëzohen edhe vetë monumentet. Pak ditë më parë, DRKK Gjirokastër, që kujdeset për to, ka deklaruar se 20 banesa rezultojnë në fillim të vitit 2016, në rrezik shembjeje, përveç atyre që janë shembur ndërkohë. Duket se rrënimet në këtë qytet nuk do mbarojnë, derisa muzeu të mbetet veçse një “kufomë” e lagjes së dikurshme. Mediat po japin raportime të shpeshta të dëmeve, ndërsa sensibilizon mbi këtë situatë, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, shprehet se Gjirokastra është në limitet e emergjencës.
Çfarë po ndodh në Gjirokastër? Është hera e parë që për qytetin e mbrojtur nga UNESCO, thuhet se “asnjëherë si tani rreziku i shembjeve nuk ka qenë më i madh. Kronika që vijnë përditë nga të tëra televizionet, janë të tmerrshme”. Njoftimi i fundit lidhet me rrëzimin fatal të një shtëpie 200-vjeçare. Shtëpitë që shemben, mbajnë vlera unikale, me tavane të rralla dhe afreske. Pamjet tmerruese të shembjeve janë dhënë vazhdimisht, gjendja e të cilave rrezikon edhe banesat pranë. Specialistët e DRKK për Gjirokastrën, paralajmërojnë një gjendje kolapsi për 20 monumentet që rrezikojnë, për të cilat kërkohet ndërhyrje emergjente. Së paku, një fond prej 80 mijë euro, kërkon një banesë për t’i zgjatur jetën, është një mendim, që si duket vjen nga përvojat e mëparshme të restaurimit nga ky qytet. Megjithatë, pas kësaj shume të konsiderueshme, jo pak herë është vërejtur abuzimi financiar.
Por askush deri tani nuk është denoncuar ose shkuar para ligjit, për shkatërrimin e shtëpive pas restaurimit.
Por një nga arkitektët e njohur, Arben Biçoku, në Forumin e Mbrojtjes së Trashëgimisë, është shprehur se, së pari Gjirokastra duhet parë me vizion tjetër: “Këto banesa, që ndoshta dikur mund të klasifikoheshin si krenari arkitektonike, sot kanë humbur jetën. Ato janë braktisur nga pronarët e tyre të ligjshëm. Dhe braktisja, largimi i jetës nga to, dora-dorës, patjetër që sjell rrënimin. Këto banesa, nuk mund të konservohen dhe ruhen të boshatisura, nuk do t’i vlenin të tilla, si muze, askujt. Nëse ato nuk jetohen, fati i tyre është rrënimi.
Ndaj ndërhyrja në to duhet të jetë komplekse, jo thjesht një ndërhyrje fizike restauruese. Pamjet që paraqesin kronikat, janë vërtet të tmerrshme. Por ky nuk është një shkatërrim i ndodhur në një ditë, apo në një mandat. Kjo është mënyra se si po rrënojmë vlerat, përditë, të gjithë së bashku”.
Ndonëse janë me statusin e mbrojtur nga shteti, ato kanë nevojë për restaurime emergjente, të menjëhershme. Por deri tani, si në shumë raste të tjera denoncuese, Ministria ende nuk e ka thënë fjalën e saj, çfarë strategjie do të ndjekë për rijetëzimin e Gjirokastrës, si e vetmja premisë që mund ta shpëtojë qytetin muze.
Në fakt, kjo është një ide e hedhur prej kohësh, por nga asnjë qeverisje nuk ka ndërmarrë hapa drejt “banorëzimit” të lagjes muze. Kjo mbetet një nga çështjet më të mprehta pas ndërhyrjes emergjente, fizike, në banesa. Shtëpitë e boshatisura, shpesh janë zëra për t’i lënë ato të bien më tej, të shemben.