Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Evoked, arkitektët dhe rikonceptimi i kaosit urban

$
0
0

evokedEvoked- Architectural Diptychs sjell së bashku 16 arkitektë shqiptarë dhe 16 arkitektë italianë, të cilëve u është kërkuar të punojnë mbi të njëjtin material fotografik, të realizuar nga fotografi Albes Fusha, për të përpunuar dhe për të manipuluar një shtëpi të papërfunduar, nëpërmjet mediumeve të ndryshme artistike.

Një ekspozitë që synon të nxitë debat publik mbi ndërtimet informale, që tashmë, pas 25 vitesh pluralizëm politik e ekonomik, për fat të keq bëjnë pjesën më të madhe të mjedisit të ndërtuar në Shqipëri. Kështu është menduar ekspozita “Evoked- Architectual Diptychs”, e cila u çel dje në mjediset e Galerisë “Fab” .

Ekspozita sjell një vështrim ndryshe mbi dukurinë e ndërtimtarisë informale, që ‘vërshoi’ në mënyrë të pakontrolluar në territorin shqiptar që prej vitit 1991.

Ndërtimi i papërfunduar dhe mënyra e pazakontë e përdorimit të strukturave ende ‘në ndërtim’ ka prodhuar një imazh tashmë karakteristik, që ka ndryshuar peizazhin, sidomos në bregdet.

Duket se është koha për të kthyer vëmendjen drejt këtyre strukturave, të cilat sot zënë një pjesë të konsiderueshme të peizazhit të ndërtuar. Kërkohet reflektim mbi mënyrën e përdorimit të tyre dhe marrëdhënien që mund të rivendosin këto ndërtime me peizazhin.

Nisur nga 16 fotografi të fotografit Albes Fusha dhe këndvështrimet e 32 arkitektëve shqiptarë dhe italianë, të pasqyruar brenda kornizave të kufizuara, kjo ekspozitë synon të çelë një diskutim të hapur mbi temën e peizazhit të ndërtuar informalisht dhe të banuar ndërkohë që është ende ‘në ndërtim’, për të zbuluar potencialin e këtyre strukturave.

Arkitektët shqiptarë pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: A. Baboçi, A. Biçoku, studio B&L, T. Dano, E. Fagu, E. Godo, A. Golemi, A. Koçollari, A. Lufi, K. Merxhani, M. Mitrojorgji, A. Raça, D. Tytymçe, P. Vaso, M. Velo, A. Vokshi. Arkitektët italianë janë: Studio ma0, L. Galofaro, C. Baglivo, Studio BOMA, Ch. Gambardella, C. Moçia, B. Servino, D. Vargas, Studio 2A+P/A, F. A. Fusco, L. Netti, Studio Spacelab, M. Beçu, L. Ruali, M. Ghidoni, Studio OfCA. Kuratorë të kësaj ekspozitë janë: A. Greca, A. Koçollari, A. B. Menghini, D. Pastore, F. Pashako, G. Resta.

Qëllimi i kësaj ekspozite është nxitja e një debati publik mbi strukturat, ndërtimet informale që përbëjnë tashmë shumicën e mjedisit të ndërtuar në Shqipëri. Ky realitet që as mund të prishet e as injorohet e çon arkitekturën të reflektojë e të gjejë një vizion të ri për të përtërirë marrëdhëniet e saj me kontekstin, ambientin përreth, peizazhin dhe mënyrën se si mund të vendoset, përdoret, ripërdoret dhe madje edhe përfundohen punime të papërfunduara të ndërtimit. Puna e plotë hulumtuese do të publikohet në librin: “EVOKED. Architectural Diptychs”, po këtë muaj. Arsyet pse territori shqiptar është ndërtuar masivisht, dhe pa një plan të përcaktuar, që nga fillimi i viteve 1990 e tutje, janë të shumta. Rezultati i ndërtimeve informale në Shqipëri vështirë se ngjason me ndonjë formë tjetër të ndërtimit informal në të gjithë botën. Këtu, ndërtimet informale janë ngritur me materiale të qëndrueshme dhe të kushtueshme; disa janë të papërfunduara, të larta ose me një perspektivë të qartë t’u bërë edhe më të larta; me funksione të ndryshme, dhe në vende te pamenduara, të cilat nuk marrin në konsideratë peizazhin urban apo atë natyror, si në aspektin e rreziqeve natyrore apo nga aktivitetet industriale.

Vendndodhja e pahijshme e ndërtimeve të paqeverisura, u ka shkaktuar shpesh dëme e banorëve, pra përdoruesve. Por ka edhe një tjetër të vërtetë: Këto ndërtime kanë qenë shkak për ngjarje të rënda. Në shumë raste, përmbytjet e tokave bujqësore, ka qenë rezultat i ndërtimit informal; erozioni bregdetar është nxitur dhe përshpejtuar nga këto ndërtime, shkaktuar kryesisht nga iniciativa individuale, shumë aksidente rrugore kanë ndodhur për shkak të mungesës së hapësirës në rrugë si pasojë e ndërtimeve të paligjshme. Këto janë vetëm disa nga pasojat më të dukshme e të matshme të ndërtimit informal. Kjo ka sjellë mjaft dëme në ekonomi, si në nivelin e individit ashtu edhe në ekonominë kombëtare në tërësi, pasi ka dëmtuar rëndë peizazhin urban dhe rural, dhe ka sjellë edhe ndryshime të rëndësishme dhe shpesh negative mbi stilin e jetës familjare.

Duke hulumtuar degradimin dhe shkallën e rrënimit të peizazhit, kjo ekspozitë synon t’i japë peizazhit një dinjitet të ri mjedisor dhe legal. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 6 mars.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708