E bukura si kategori estetike, të prek në emocion dhe krijon ndjeshmëri, sensibilitet, e ndodhur në çdo cep të sferës materiale dhe asaj jomateriale, në botën universale të artit. Me të bukurën në art, kuptojmë një vendosje të pakontestueshme të harmonisë, të pjesëve përbërëse të saj dhe të masës
Arti muzikor, historikisht është ndër predispozitat primare të arritjeve intelektuale të njeriut – pjesë e rëndësishme e ndryshimeve dhe orientimit spiritual-estetik. Gjendja e përgjithshme artistike evoluoi ndër shekuj duke u bërë pjesë e rëndësishme e artit. Muzika është art kompleks (gjuha muzikore është abstrakte për t’u konkretizuar) e përbërë prej komponentëve dhe pjesë përbërëse e kategorive estetike. Muzika paraqet modelimin intelektual, me bazë të shprehurit spiritual – produkt i imagjinatës dhe mjeshtërisë. Bota e artit është e kategorizuar përmes dukurive dhe fenomeneve përcjellëse. Prof. dr. Fatmir Hysi thekson: Kategoritë estetike janë bashkësi dukurish të ngjashme, të cilat u përkasin sferave materiale, por edhe atyre jomateriale e që krijojnë për rrjedhojë, një pamje unike të botës estetike. Në aspektin estetik, dukuritë estetike janë të renditura dhe të klasifikuara sipas estetëve – mendimtarëve – filozofëve në pikëpamje të ndryshme. Njëri ndër estetët, i cili dha një ndër kategorizimin më të saktë, është esteti francez Sharl Lalo, në librin e tij “Nocione të Estetikës“, i cili thekson: Janë tri grupime të mëdha, të cilat karakterizohen sipas cilësisë dhe shkallës së harmonisë që zotërojnë përbërësit e tyre. Në rend të parë janë dukuritë e një harmonie të poseduar, dhe këtu nënkupton: “të bukurën”, “të madhërishmen”, dhe “graciozen”. E bukura si kategori estetike, të prek në emocion dhe krijon ndjeshmëri, sensibilitet, e ndodhur në çdo cep të sferës materiale dhe asaj jomateriale, në botën universale të artit. Forma në të cilën paraqitet ‘e bukura’ në art, mund të jetë e ndryshme për nga karakteri dhe reflektimi në të cilën gjendet në mënyrë statike apo edhe vepruese. Por, megjithatë me të bukurën kuptojmë plotësimin e të gjitha segmenteve pa defekte të mundshme (krijim artistik që bëhet me një zhvillim të masës e formës dhe e cila si rrjedhojë ka perceptimin tonë) që ndodhin në një trajtë të shtruar apo edhe të hijezuar. Niveli i saj është evident vetëm atëherë kur bëhet krahasimi me të shëmtuarën, e cila vjen si pasojë e deformimeve të vazhdueshme në art dhe në krijimtarinë estetike. E bukura shërben për të ngrohur mendjen (krijimin e një atmosfere spirituale) që megjithatë do t’i shërbejë gjendjes tonë emocionale dhe butësisë që krijon me paraqitjen e saj në mendjen e njeriut. Me të bukurën në art, kuptojmë një vendosje të pakontestueshme të harmonisë, të pjesëve përbërëse të saj dhe të masës. E bukura është në gjendje të shfaqet përditë dhe në çdo kohë, në forma të ndryshme: Vepruese dhe statike. E bukura si kategori estetike, është e varur nga një sërë faktorësh: Simetrisë, emocionit, masës, ndjeshmërisë, ekuilibrit, harmonisë etj. Harmonia e së bukurës është në gjendje të sjellë kënaqësi të rendit kryesisht intelektual dhe bëhet e pranishme në jetën e njeriut në mënyrë të natyrshme. Sipas prof. dr. Fatmir Hysi: Çfarë është e bukur në një gjini të caktuar, mund të mos jetë e tillë, për më tepër, mund të jetë e shëmtuar në një gjini tjetër; çfarë e bënë të bukur përfaqësimin e përsosur të një gjinie, mund të mos e bëjë të tillë atë të një gjinie tjetër. Nëse e krahasojmë një luan (me të gjitha tiparet e një kafshe-mbret) me bukurinë e kurorës së qafës së tij, me muskuj të theksuar dhe të nxjerrë jashtë, me karakterin e një sunduesi të xhunglës, me një lule shumëngjyrëshe, e cila ka një aromë të ëmbël dhe freskuese për tërë pallatin ku jetojmë ne, atëherë nuk mund të themi se luani apo lulja (cilado prej tyre) paraqesin të bukurën apo të shëmtuarën në art. Secili në gjininë e vet (luani në gjininë e kafshëve, si dhe lulja në gjininë e luleve), paraqesin të bukurën dhe karakterin e të bukurës në art. Raporti midis tyre te njeriu, sjell kënaqësinë e llojit të vetë te shqisat tona. E bukura kudo e ndodhur (në veprimet e njeriut apo në natyrë) krijon situatë emocionale, të ndjeshmërisë, të butësisë ndaj veprimit apo joveprimit (statik), dhe në mendjen e njeriut sjell freski ku krijohet një marrëdhënie shumë e ngushtë në mes njeriut si qenie njerëzore dhe të bukurës – kategorisë estetike. Shtrimi i situatave estetike bëhet atëherë kur përdorim terminologjinë adekuate estetike e jo duke qenë jashtë kësaj përbërjeje. P.sh. “Vajza është e mirë”? Çka mendoni për këtë situatë estetike? Në këtë rast nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me paraqitjen e një situate estetike apo me vlerësim të një situate estetike. “Vajza” është qenie njerëzore me të gjitha tiparet e saj prej një figure që ngjall emocion (në mënyrë instinktive sjell këtë emocion). “Është” – paraqet gjendjen e saj fizike momentale. “E mirë” – është veprimi i saj i tërësishëm. Dhe me të vërtetë në këtë rast nuk kemi thënë asgjë, apo më mirë të themi nuk kemi paraqitur aspektin estetik. Ndërsa kur themi “Vajza është e bukur apo e shëmtuar” kemi paraqitur një situatë estetike, ku janë cekur të gjitha raportet e harmonisë, ku vetë harmonia mbetet të jetë situatë estetike e krijuar nga këto raporte, e cila krijon edhe pamje të pakomentueshme të kënaqësisë që të jep situata estetike.