Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Elia Zaharia: Pesë muaj me Çehovin

$
0
0

elia 1Pas suksesit të shfaqjes “Tri motrat”, sezoni i së cilës sapo u mbyll, aktorja rrëfen sesi është ndjerë në rolin e Irinës, e vogla e motrave Prozorov, sesi e ka parë atë të shndërrohet brenda një nate, në provincën që i mbyt ëndrrat dhe bashkëjetesën prej pesë muajsh, me veprën e Çehovit. Një rol për të cilin do ta marrë malli, thotë Elia Zaharia…

Nga Suadela Balliu

Kanë kaluar vetëm pak ditë nga shfaqja e fundit dhe Elia Zaharia ndjen se e ka marrë malli për Irinën , petkat dhe ëndrrat e së cilës u kthyen edhe njëherë në provincat e Rusisë, aty ku “Tri Motrat” ende presin të prekin Moskën e shumëdashur, pa pasur mundësi ta prekin…

Në më shumë se njëzet shfaqje dhe thuajse pesë muaj bashkëjetesë me rolin, por edhe me veprën e një prej emrave më të mëdhenj të dramaturgjisë, Anton Çehov, aktorja pranon se ky ka qenë një prej roleve që e ka mbushur plot, jo vetëm profesionalisht, por edhe emocionalisht.

“Kam qarë thuajse çdo natë, pasi mbyllej shfaqja” – thotë Elia, pasi ka dëgjuar sesi kjo shfaqje e ka shkundur publikun, deri në përlotje. (Kështu teatri ka kryer një prej funksioneve të tij, katarsisin).

Kur regjisori, Hervin Çuli, ia besoi rolin ishte disi mëdyshas rreth shpërfaqjes së emocioneve nga Zaharia. “Çuli kishte krijuar një ide se unë jam aktore racionale më shumë se emocionale. Kjo më bëri të thellohesha emocionalisht në rol qysh në ditët e para. Jam natyrë që më pëlqen ta sfidoj veten” – vijon ajo, ndërsa zbulon se me veprën e Çehovit ishte njohur qysh në vitet e para të studimeve.

“Më kishte lënë përshtypje nga ajo kohë Maria Sergeyevna (Masha), motra tjetër dhe kur e rilexova, do kisha qenë e kënaqur edhe sikur Çuli të më besonte rolin e Mashës ose të Natashës. Nëse do të kishte qenë kjo e fundit, publiku do të më kishte parë krejt ndryshe” – thotë Elia, ndërsa pohon se roli i Irinës është nga ato role jo fort të lehta.

E ka përjetuar çdo natë metamorfozën e Irinës. “Ajo plaket, plaket pa jetuar. Ndahet dhunshëm nga ëndrra. Dhe kjo ndarje është traumatike. E kam ndjerë qysh nga momenti i parë e deri te zhbërja e shpërbërja derisa ajo shndërrohet në një Olga, kopjen e motrës së madhe” .

Gjithçka zë fill me ditën e emrit të Irinës, më e vogla e Prozorovëve, ngazëllimi rinor i një njëzetvjeçareje me dëshira dhe aspirata për jetën. Pastaj Irina shihet të lodhet, të mpaket, të vuajë e të shndërrohet bashkë me vetëdijen se nuk do të shkojë kurrë në Moskën e shumë ëndërruar.

Në shtëpinë e Prozorovëve – të sjellë në jetë me mjeshtëri dhe koncept të ri skenografik nga Kristo Çala dhe kostumet elegante të epokës, krijuar nga Berina Kokona – të cilën publiku kishte rastin ta vëzhgonte nga aq afër, si prej vrimës së çelësit do ta cilësonte Elia, koha e njëtrajtshme ku duket se nuk ndodh asgjë, kuptohet që rrjedh duke vëzhguar shndërrimin e Irinës.

“Një rol është si Feniksi, e ndieja Irinën të digjej në hirin e saj çdo mbrëmje pas shfaqjes dhe të ngjallej të nesërmen për shfaqjen e re” – thotë Elia , së cilës i është dashur të ngjitet çdo natë në skenë , pasi roli i Irinës nuk pati dublante, si dy motrat; Masha dhe Olga interpretuar nga Gladiola Harizaj, Erjona Kakeli, Flaura Kureta dhe Anila Bisha.

Ishte kjo një tjetër prurje e regjisorit dhe drejtorit të TK, Hervin Çuli për të rikthyer dublantët për rolet, të munguar në teatër pas viteve ’90.

“Ishte mirë pasi kjo bëri që të përfshiheshin më shumë aktorë në një shfaqje, duke u dhënë më shumë mundësi” – thotë Elia, ndërsa rrëfen se bashkëpunimi ka qenë korrekt me të gjithë kastën. “Me pjesën më të madhe të aktorëve kisha punuar më herët, ndërsa ishte hera e parë që isha në skenë me Bujar Asqeriun. Më dha kënaqësi puna me të, edhe për faktin se Irina është shumë e afërt dhe ka një marrëdhënie në ngrohtë me Çibutikinin e interpretuar nga Asqeriu”.

Pas një kohe të gjatë, Çuli solli teatrin e gjatë, një shfaqje që e mbajti publikun për tri orë e gjysmë përballë lojës së aktorëve.

“Kemi respektuar deri edhe çdo heshtje që ka vepra. Nuk kemi prekur thuajse asgjë, përveç monologut tim në aktin e katërt, ku kam hequr pak gjëra që ishin përsëritje nga akte të tjera.

Kjo ishte një nga sfidat e Çulit. Atij i pëlqejnë sfidat. Është njohës i mirë dhe adhuruesi i Çehovit dhe e shijon veprën e tij, ndaj e solli tekstin integral, për të mos i hequr poezinë, lëngun Çehovit” –thotë Elia, ndërsa ka qenë nga ata që ka besuar qysh prej momentit të parë që shfaqja do të kishte suksesin që pati, duke thyer rekorde në shitjen e biletave çdo mbrëmje.

“E prisja këtë sukses qysh kur nisi puna, e lexova vizionin e Hervinit se ku donte ta çonte veprën. Ai ka qenë gjithmonë për teatrin e madh dhe i ka dhembur degradimi i Teatrit” –thotë ajo, ndërsa shton se arti nuk ka pse të bjerë në mëshirën e formateve komerciale, duke bërë kompromis shpesh me tekstin. “Unë në Paris kam parë shfaqje që ka zgjatur 9 orë rresht. Ne jemi gjithnjë skeptikë, kemi prirjen të themi: “Teatri i dikurshëm”, por ja mund të bëhet teatri i dikurshëm.  Kjo është të mos bësh kompromis me teatrin”.

Ajo çka e bën edhe më shumë ithtare të teatrit, është fakti se edhe nëse do të doje nuk do të mund të ishe dot dy herë identike në interpretimin e një roli. “Edhe dublantët i kanë sjellë personazhet e ndryshme duke mos rënë në kurthin e imitimit. Hervini punon me çdo detaj, qysh nga skenografia, kostumet, karaktereve u shkon deri në thellësi dhe nuk të lë të vetëkënaqesh”.

Roli i Irinës pranon se për nga diapazoni dhe hapësira që i ka lejuar të shprehë potencialin e saj si aktore është kulmimi në karrierën e saj në teatër . “Në festën që bëmë pasi mbyllëm shfaqjet, të gjithë uruam të kemi sa më shumë vepra kaq të mëdha” – rrëfen duke mos e fshehur trishtimin që cikli i Tri Motrave u mbyll në Teatrin Kombëtar, edhe pse kërkesat nga publiku për ta parë vazhdojnë të jenë të shumta. “Urojmë ta shohim këtë vepër të shëtisë nëpër Festivale Ndërkombëtare të Teatrit. E meriton për investimin që është bërë. Kjo është dëshira jonë” – shton ajo.

Për ata që kur e kanë parë të interpretojë në skenë, e kanë ndjerë të fortë ngjashmërinë me të ëmën, aktoren e njohur Yllka Mujo, Elia thotë se kjo është gjenetike. “Të trashëguar nga Yllka kam marrë dashurinë për teatrin dhe për këtë e falënderoj shumë” – thotë ajo, ndërsa kujton sesi e ka parë të ëmën të jetë e lumtur mbi atë skenë.

Ende nuk ka interpretuar me të në skenë, por pritet ta bëjë këtë vit në një shfaqje me regji të Erand Sojlit, që do të vijë si pjesa e dytë e “Radio Iliria”, të cilën Erandi e ka konceptuar si triptik.

Ky është projekti i radhës, ndërsa zbulon se do të largohet për disa kohë për të pushuar nga pesë muaj intensivë të jetuar me Çehovin, nën petkat e Irinës, njëzetvjeçares plot dritë që ngazëllen në ditën e emrit të saj, për t’u plakur dhe shuar në një fustan vjollcë pajetë në fund të aktit të katërt brenda një nate. Do ta marrë malli për Irinën, me siguri.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708