Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore denoncon udhëzimin e ministres së Kulturës
Pas daljes së ministres Mirela Kumbaro në emisionin “Top Show”, ka reaguar Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Në një deklaratë për shtyp lëshuar ditën e djeshme, ky forum ka denoncuar udhëzimin e Ministrisë së Kulturës mbi dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi
Në një deklaratë për shtyp lëshuar ditën e djeshme, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka denoncuar udhëzimin e Ministrisë së Kulturës, nr. 5110, datë 13.10.2015, “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi”, botuar në Fletoren Zyrtare të datës 17 mars 2016, dhe kërkon rishikimin e mëtejshëm të procedurave të dhënies me qira dhe administrimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore e historike. Në përballjen e fundit publike me ministren Mirela Kumbaro – e fundit në emisionin “Top Show”, të datës 5 prill 2016 – u bënë publike disa prej problemeve dhe shkeljeve ligjore që shoqërojnë këtë udhëzim. Sipas këtij forumi, udhëzimi i ministres është përgatitur pa pasur një strategji zyrtare të kësaj ministrie për trashëgiminë kulturore. “ Znj. Kumbaro e pranoi se aktualisht nuk ka ende një strategji të tillë dhe vizion të përcaktuar qartë”, –thuhet në deklaratë, e cila e cilëson këtë udhëzim se bie ndesh me frymën e ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i azhurnuar në vitin 2008, përsa i përket detyrimit për vendimmarrje për dhënien me qira të monumenteve vetëm nga Ministri i Kulturës. Në udhëzim ndërkohë, parashikohet që kjo vendimmarrje mund t’i kalojë edhe institucioneve të tjera në varësi të ministrisë. “Kjo është jo vetëm një shkelje ligjore, por mund të fshehë edhe qëllimin e ministres për të shpërndarë përgjegjësinë e vendimmarrjes tek institucionet e tjera” -vijohet në këtë deklaratë të forumit. Udhëzimi parashikon procedurë me konkurrim për privatët që dëshirojnë të përdorin monumentet, por është lënë evazive, në dorë të ministrit të Kulturës, nëse do të organizohet apo jo një konkurrim i tillë (pika 2).
Udhëzimi parashikon vlerësimin për dhënien me qira të objekteve, duke marrë për bazë sipërfaqen e tyre, pra metrat katrorë dhe jo vlerën kulturore. Ky nocion i përdorur në udhëzim lë shtigje për diferencimin e kontrollit ndaj administrimit të trashëgimisë, dhe e kthen atë në një sektor ekonomik që shfrytëzohet nga privatët njësoj si një magazinë apo truall tjetër publik.
Udhëzimi parashikon ngritjen për verifikimin e propozimeve të një Komisioni për Menaxhimin e Pasurive Kulturore, (kreu I, A, pika 3). Kjo strukturë, e vlerësuar nga ministrja si një hallkë e re që do garantojë menaxhimin e monumenteve, nuk ka ndonjë detyrë funksionale në administrimin e monumentit pas marrjes së tij në përdorim. Si rrjedhojë, do të jenë të njëjtat institucione që kanë mungesa në profesionalizëm dhe integritet dhe që kanë lejuar të shkatërrohen monumentet deri më sot, që do të vazhdojnë të kontrollojnë qiratë e reja.
“Ky udhëzim është përgatitur në mungesë të plotë transparence, pa konsulencën e duhur me institucionet e tjera të fushës, e jo më me shoqërinë civile. Ministrja Kumbaro pranoi publikisht se nuk ishte zhvilluar një proces i tillë konsulence, pasi sipas saj nuk e ka një detyrim të tillë ligjor për udhëzimet dhe aktet nënligjore. Megjithatë, znj. Kumbaro nuk mund të mohojë se ishte në dijeni të diskutimeve që kanë ngjallur vendimet e paraardhësve të saj, për dhënien me qira të monumenteve dhe reagimit që do të sillte rikthimi i një iniciative të tillë. Të paktën për këtë arsye, ajo dhe institucioni i saj, jo vetëm që duhet të kishin kërkuar ekspertizën më të mirë të fushës, por edhe duhet të informonin grupet e interesit dhe publikun e gjerë. Nëse do të ishte vepruar në këtë mënyrë, ndoshta nuk do të kishte kaq shumë problematikë në hartimin e udhëzimit dhe reagim nga qytetarët” – citohet për mediet në këtë deklaratë.
Ndryshe nga daljet e mëparshme publike për këtë çështje, ministrja Kumbaro nuk e mohoi dje faktin se në listën e objekteve që mund të jepen në përdorim të privatëve mund të jenë edhe kalatë dhe objektet e tjera me rëndësi kombëtare. Kjo është një tjetër arsye, përse ky udhëzim evaziv dhe garancitë e ofruara më parë nga Ministria hartuese, nuk mund të jenë shteruese për alarmin e ngritur mbi këtë proces të dyshimtë.
Në rastin më të mirë, ky udhëzim është përgatitur pa ekspertizën e duhur dhe me probleme ligjore, dhe në rastin më të keq, është hartuar qëllimisht për të krijuar lehtësira ligjore për vendimmarrësit dhe administratorët që do të marrin në përdorim monumentet e trashëgimisë kulturore dhe historike. Në të dyja rastet, ky udhëzim duhet të rishikohet nga Ministria e Kulturës përpara se të miratohen kërkesat të tjera për administrimin e monumenteve nga privatët. Forumi do të vazhdojë të ndjekë këtë çështje dhe do sensibilizojë opinionin e gjerë brenda dhe jashtë vendit, për të reaguar ndaj çdo tentative konkrete për të privatizuar një tjetër monument të trashëgimisë.