Për figurën e tij të shquar si përfaqësues i denjë dhe i veçantë i letrave bashkëkohore shqipe, si dhe të kontributit të spikatur e të rrallë si eseist dhe publicist, shkrimtari Zija Çela është dekoruar me “Nderi i Kombit” nga Presidenti Bujar Nishani. Në ceremoninë e mbajtur në këtë rast me akademikë, botues, artistë, shkrimtarë, kritikë dhe miq, Çela ka mbajtur Fjalën, quajtur rrëfim për tri qasje, të cilën e botojmë ekskluzivisht
Nga Zija Çela
Është e njohur përvoja se kur një shkrimtar mban një Fjalë, në të vërtetë ai s’mban fjalim, por rrëfehet. Unë po e nis rrëfimin tim për tri qasje.
- Shumë vite të shkuara, në fillimet e detyrës së tij, Presidenti Mejdani organizoi një takim me shkrimtarë e artistë. Folën mjaft autorë, kolegë të talentuar, vëllezër të komunitetit që i përkas. U tha e çfarë nuk u tha, pati shumë ankime të hapta e rënkime të nënkuptuara, u qa halli i strehimit, i vendeve të punës, madje edhe nevoja e lëvizjes, e udhëtimeve me dieta nga shteti. Po më vinte me plas prej dhembjes. Nga një anë ndieja mjerimin dhe inercinë e sistemit nga vinim, nga tjetra shkallën e varfërisë sonë, por më strapaconte edhe vetëdija se ku ndodheshim dhe çfarë mund të parashtronim aty. Kur m’u afrua njëri nga këshilltarët me dëshirën që të flisja, më gjeti të gatshëm.
Muri i Berlinit është rrëzuar tashmë, por jo ai humani, universali i gjithëkohshëm që për pakalueshmëri ia thyen rekordin edhe atij të Kinës. Dhe kjo mizori nuk është tjetër veçse kurrizi i njeriut. Sa herë ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit, ne ngremë në mes një mur. E pra, pikërisht duke njohur këtë mur, domethënë antagonizmin epik të forcave tona politike, çka ka mbetur njëlloj epik e komik edhe sot e kësaj dite, në atë takim shtrova vetëm një çështje: Kërkova që institucioni i Presidentit të luante pa u lëkundur rolin e vet kushtetues.
Meqë hyra në këtë shteg, unë s’kam më alibi për t’iu shmangur ndonjë opinioni, pasi ju, zoti Nishani, nuk jeni rishtar por prej kohësh kreu i shtetit. Sipas meje, çdo vend i madh ka nevojë për zonja e burra të mëdhenj. Por për vende si i yni janë të mjaftueshëm zonjat e burrat e virtytshëm, që me formimin e tyre, devotshmërinë për ligjin dhe ndërgjegjen e pastër, marrin përsipër detyra të epërme. Për mbajtësin e peshores janë të pafalshme animet mes palëve, kurse pajtimet e mospajtimet, pëlqimet e mospëlqimet ndaj tij, në pluralizëm janë krejt të pritshme, si lulet dhe hithrat në diversitetin e Natyrës. Sa herë përmend virtytet, i pari në radhë më vjen dinjiteti. Kam kënaqësinë të pohoj, zoti President, se në kaotikën e një politike dëshpërimisht të përlyer e të zhurmshme, barrën e detyrës ju po e mbani në supe me dinjitet institucional e njerëzor, thjeshtësisht dhe pa bujën e pompuar që buçet. Këtë vit, kombi ynë do të ketë një shenjtore të përbotshme, Nënë Terezën. Por edhe gjuha laike e shtetit ka diçka, së cilës i jep shenjtërim. Është Kushtetuta, që në vendet, të cilat aspirojnë për demokraci, ndonëse herë ndryshohet e herë dhunohet, prapëseprapë mbiquhet e Shenjtë.
- Nuk mbaj mend qyshkur kritika profesioniste dhe rrethi i lexuesve më kanë “akorduar” bujarisht një ofiq, atë të Mjeshtrit. Unë kurrë s’e kam pranuar mistifikimin e shkrimtarëve, por kjo nuk do të thotë se vetë krijimtaria nuk ka diçka mistike. Prandaj po zbuloj njëfarë sekreti, që kurrkund s’e kam rrëfyer më parë. I kam thënë prej së hershmi shpirtit tim që të hapet, në mënyrë që aty të mos ketë vend vetëm për njërin, Mjeshtrin, por edhe për tjetrin, Artistin. Sepse sapo mjeshtri ta vrasë artistin brenda një shkrimtari, zhvillimi i tij i mëtejshëm ndalon. Është artisti ai që, me gjithë respektin për perfeksionin, i bën trysni rregullave të mjeshtrit, kërkon ta reformojë atë, ta tërheqë përtej kanoneve si përtej honeve, ta çojë atje ku letërsia fiton modernitetin bashkëkohor, në yrtet e fantazisë së ndezur dhe trilleve shkrimore, me një fjalë, atje ku akti krijues nuk është vetëm proces, por edhe sublimim. Tash që morën edhe kredencialet presidenciale, me gjasë, ata dy të mitë do të jenë pajtuar, se ndihen të dy të përkëdhelur. Por për së shpejti, ai i treti, Zija Çela kundër Zija Çelës, do t’ua tundojë sedrën me urdhrin për rifillimin e betejës, pasi ndeshja e tyre është liria ime krijuese.
- Që nga vitet ’90 e kisha ndarë mendjen, doja që matanë t’i shkoja Zotit pa gjë në dorë, i dëshiruem që gjykimi të bëhet fillikat, pa asnjë mbrojtje të këtejshme. Rrethanat e jetës, pastaj, sikur ma zhbinë shijen e gëzimit për vetveten. Veçse pa ma zbehur kurrë atë përçuesin binjak, ndjeshmërinë ndaj dhembjes e gëzimit të tjetrit. Prandaj sot, kur e lexoj kaq dukshëm harenë tuaj për mua, patjetër, patjetër gëzoj edhe unë me ju. Është e bekuar Dashnia njerëzore, drita e së cilës mbetet gjithmonë e pazëvendësueshme, sepse atë nuk e prodhon ndonjë turbinë çeliku me ujë, por vetë zemra e brishtë me gjakun e saj.
*Fjala e mbajtur në Presidencë me rastin e dekorimit “Nderi i kombit”
Presidenti dekoron “Nderi i Kombit” shkrimtarin Zija Çela
Presidenti Bujar Nishani ka vlerësuar dje gjatë një ceremonie solemne ku ishin të pranishëm akademikë, profesorë, botues, artistë, shkrimtarë, kritikë arti, miq dhe dashamirës, shkrimtarin Zija Çela me dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij të shquar si përfaqësues i denjë dhe i veçantë i letrave bashkëkohore shqipe, si dhe të kontributit të spikatur e të rrallë si eseist dhe publicist”. Në fjalën përshëndetëse Presidenti Nishani theksoi se: “Jemi mbledhur në Institucionin e Presidentit të Republikës, për të vlerësuar së bashku punën e një shkrimtari, redaktori, prozatori e personaliteti, një njeriu unik në letërsinë moderne shqiptare, i cili me mendjen e penën e tij, krijon një botë sa për veten, aq edhe për çdo lexues që prek krijimtarinë e të nderuarit, Zija Çela. Ne presim prej tij akoma vepra po aq të arrira, si ato që ka realizuar deri tani, të cilat do të jenë burim frymëzimi i brezave të rinj dhe arkiv i denjë i fondit më të lartë shqiptar në Bibliotekën tonë Kombëtare”. “Një individ që ka një pasion në jetë, si ajo e zotit Çela ndaj botës së shkrimit, e kultivon atë, duke prodhuar çdo herë vepra me vlerë letrare, duke shtyrë imagjinatën dhe duke bërë që lexuesi të futet në një botë larg realitetit, por edhe afër asaj. Shpirti i madh dhe i dhembshur i shkrimtarit Zija Çela përbën një rast unik në letrat shqipe. Ai shfaqet jo si prozatori më i rëndësishëm pas Kadaresë, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit, por si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm. Ky vizion i tij ndaj realitetit të sotëm shqiptar, si dhe përtej tij, duke kapërcyer kohë, me mënyrën e tij origjinale të ekspresionit narrativ, perceptimi dhe filozofia origjinale mbi gjithësinë, fryma gjithherë e pranishme e dashurisë përballë urrejtjes, e jetës përballë vdekjes, janë këto cilësi që e bëjnë atë shkrimtar të dashur për lexuesit shqiptarë”, –theksoi Presidenti Nishani.