“Autochthonous, biri im” është kënga që po shkakton shumë debate në rrjetet sociale.
Qindra komente pro dhe kundër këngës që media thotë se do të shoqërojë Kombëtaren shqiptare, në Evropian. Njeriu që i jep shpjegime të gjithëve, është një 45 vjeçar nga Mirdita, Frrok Bardhi. Frroku tregon se kënga nuk është për Kombëtaren, por për të birin, Autochthonous-in. Djalin e tij që erdhi pas dy vajzave dhe mbushi 1 vjeç, në 9 maj.
Frroku banon në Tiranë prej kohësh, por thotë se rrënjët e fisit të tij janë nga Çamëria, ku i ati luftoi 18 vjeç, e deri në Gjakovë.
“Ka njerëz që e duan Shqipërinë siç ka qenë. Nuk ka nevojë të jesh historian, apo çfarë. Unë punoj tek Urgjenca e Tiranës, paradite, ndërsa pasdite te “Aksion Plus”. Bëj dy punë të mbaj tre fëmijët dhe nuk jam i pasur, por gjithçka do të jepja për kombin. Jam patriot, si babai, si gjithë njerëzit e mi,”- tregon Frroku.
Ai kujton me emocion momentin kur Kombëtarja jonë luante në Beograd. Atëkohë po e shikonte ndeshjen me dy vajzat dhe gruan shtatzënë. Provoi aq emocion atë ditë, sa me lot në sy vendosën bashkë me gruan, që nëse lindte djalë, ta quanin Autochthonous.
Dhe djalë ishte. E quajtën siç ia premtuan njëri-tjetrit, atë ditë.
Qysh atëherë nisën problemet. Në fillim nuk ia pranuan emrin në gjendjen civile. Vetëm pas shumë lejesh, muaj më pas, u lejua. Pastaj njerëzit e pyesnin me çudi, vërtet kështu e kishte quajtur djalin e vetëm?!
“Të tjerë më thonë, si i thërras shkurt. Shkurt e gjatë, Autochthonous i them. Nuk e quaj Toni se më ngjan tradhti”.
Kështu Frrok Bardhi vendosi ta bërtasë emrin e të birit dhe t’u tregojë të gjithëve se mburrej me të. U lidh me Kastriot Tushën, Edmond Zhulalin, Agim Doçin, Reshat Arbanën dhe pagoi 10 milionë lekë për të bërë një këngë që ata, “në fakt, e bënë me shpirt e dashuri”, thotë, ‘jo për lekë”.
Kënga ishte gati pas ditëlindjes së djalit dhe vetëm para dy ditësh u hodh në Youtube, por menjëherë të gjithë portalet e rrjetet sociale, nisën ta paraqesin si këngë të Kombëtares.
“Nuk jam kundër, ia kam falur Kombëtares këngën. Por duhet thënë edhe e vërteta, që është kënga e djalit tim, Autochthonous dhe jam unë që e prodhova këtë këngë e tani nuk po më lënë mundësinë as ta shijoj. Dhe jo vetëm ta shijoj, por as të nxjerrë shpenzimet për të, pasi të gjithë ia vënë këngën, sikur të ishte mall pa zot. Në fakt, është kënga e djalit të Frrok Bardhit, Autochthonous-it. (Dritare.net)

