Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Post “Kadare”/ 2016 Ose letërsia si pasion

$
0
0

Agimi kadareNë dallim nga fituesi i vjetshëm që ka mbaruar për gjuhë-letërsi, Shkëlqim Çela, fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2016 ka kryer studimet universitare pranë Universitetit Bujqësor, Kamëz dhe mban një diplomë doktorature në statistikë, ndërkohë që “bukën e gojës” e fiton si Drejtor i Analitikës së Avancuar dhe konsulent kryesor në disa kompani analitike të njohura në SHBA

 

Nga Valbona Nathanaili

Është viti i dytë radhazi që jepet Çmimi “Kadare” dhe, në të dy edicionet, fitues janë shqiptarë që banojnë dhe e kanë konsoliduar profesionin e tyre jashtë vendit të origjinës. Fituesi i vjetshëm erdhi nga Londra për të marrë trofeun. Fituesi i sivjetmë vjen edhe më nga larg, nga ShBA. Ndërkohë që vetë Kadare jeton në Francë. Një trekëndësh me bazë në Europë dhe kulm përtej oqeanit, – jo keq si gjeografi dhe shumë intrigues për vetëm dy vjet histori të çmimit.

Por në dallim nga fituesi i vjetshëm që ka mbaruar për gjuhë-letërsi, Shkëlqim Çela, fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2016 ka kryer studimet universitare pranë Universitetit Bujqësor, Kamëz dhe mban një diplomë doktorature në statistikë, ndërkohë që “bukën e gojës” e fiton si Drejtor i Analitikës së Avancuar dhe konsulent kryesor në disa kompani analitike të njohura në SHBA, si: Equifax, Merkle, Choice Point etj. Në votimin e parë të jurisë, nga 33 konkurrues për fitimin e çmimit “Kadare”, është një ndër tre autorët që merr më shumë vota dhe, sikundër Çela, asnjëri prej të treve nuk ka mbaruar për letërsi. Në votimin e dytë të jurisë, nga 11 konkuruesit e mbetur për fitimin e çmimit, Çela është përsëri ndër autorët që merr më shumë vota, vetëm se përqindja e konkuruesve që vazhdojnë për në finale dhe që nuk kanë mbaruar letërsi bëhet ndjeshëm më e lartë. Nga shtatë pretendentët kryesorë për Çmimin “Kadare”/ 2016, sikundër edhe Shkëlqim Çela që është vite-dritë larg studimeve në fushën e letërsisë, po aq janë edhe tre konkurentë të tjerë: Pranvera Bekteshi ka mbaruar studimet për fizikë, Mustafa Nano në inxhinieri elektronike dhe Ada Çapi është diplomuar për farmaci në Tiranë dhe Bolonjë. Njëlloj sikundër edhe Çela, me përjashtim të Mustafa Nanos, asnjëri prej tyre nuk ka hequr dorë nga profesioni, por secili prej tyre, bashkë me Nanon këtë radhë, me shumë kontribute dhe botime në fushën e letërsisë: tregime, romane, poezi, novela. Të gjithë më shumë se 40 vjeç.

Këtu nuk ka arsye, ende, për të gjykuar pse mungojnë shkrimtarët, të vjetër dhe të rinj, që “bukën e gojës” e fitojnë me letërsi, por ka mjaft arsye për të duartrokitur pasionin, arritjet, dëshirën, këmbënguljen, sportivitetin e shkrimtarëve jo profesionistë që pranuan të gjykohen nga një juri profesioniste.

Në këta dy vjet histori të këtij çmimi, identifikimi i të gjitha arsyeve të paraqitjes dhe të mungesës së një a tjetër emri, të paraqitjes dhe të mungesës së një a tjetër grupi,  është kusht i nevojshëm dhe i mjaftueshëm, për të arritur në gjykime përfundimtare, me synimin që çmimi të jetë sa më përfshirës.

Çmimi “Kadare” ka një emër të madh. Është pesha e emrit?

Çmimi “Kadare” shoqërohet me një shumë shumë të madhe parash. 10 000 euro! Mjaftojnë, për një shqiptar të thjeshtë, të jetojë, afro një vit, në mënyrë komode. Çmimi Europian për Letërsinë, që jepet nga Këshilli i Europës, në bashkëpunim me disa organizma të tjerë po në rang europian, është vetëm 5000 euro (plus, në fakt, shpenzimet e një udhëtimi dy ditor në Bruksel për të marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së çmimit). Janë më shumë para se sa duhen për një çmim që të bëhet tërheqës?

Veprat i nënshtrohen gjykimit të një jurie që përbëhet nga 7 persona, shkrimtarë, publicistë dhe kritikë. Mos duhet të përjashtohen shkrimtarët? Apo kritikët? Apo publicistët?

Votimi është i fshehtë dhe fituesi del me shumicë votash. Për të dalë me emrin e Shkëlqim Çelës si fitues, juria votoi tre herë, derisa u përjashtuan, njëri pas tjetrit, të gjithë “rivalët”. Nga shtatë anëtarë të jurisë, katër ia dhanë votën fituesit aktual. Mos duhet që vendimi të merret si rrjedhojë e një diskutimi verbal dhe të vendoset me “konsensus”?

Gjithsesi, reflektimet nuk ka pse të jenë gjithmonë pesimiste.

Veprat e ardhura për konkurrim përfshinin jo vetëm zhanrin e romanit. Nga 33 vepra, 20 (ose 61 %) ishin romane dhe 13 tregime dhe novela, ose vetëm novela. Në vitin 2015, çmimi “Kadare” u fitua me një roman, ndërsa sivjet, më 2016, me novela. Balanca ka lëvizur, në mënyrë simetrike, nga një kah në tjetrin.

Çmimi “Kadare”, krahas çmimeve të tjera në fushën e letërsisë, po kontribuon jo vetëm në përshpejtimin e përpjekjeve të autorëve për të prodhuar letërsi, por ajo që është më kryesorja po prodhon një vepër, të certifikuar nga një grup njerëzish, që kanë pasur detyrë t’i lexojnë të gjitha prurjet dhe, ndërmjet tyre, të përzgjedhin njërën, përpara se të shkojë në duart e lexuesit. Tepër pragmatik si argument, por në një farë mase një arsye më shumë për ta kërkuar në librari.  “Ajo që duhet të thuhet, duhet të thuhet qartë. Kur nuk flet dot qartë, atëherë hesht.” –  shkruan Ëittgenstein në hyrjen e librit të tij me titull “Tractatus Logico-Philosophicus”. Juria ka folur qartë.

Shkëlqim Çela, fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016, mbërrin në Tiranë më 19 qershor dhe në një nga data ndërmjet 20 – 23 qershorit do të organizohet ceremonia e dhënies së Çmimit.

 

Shkëlqim Çela, Fitues i Çmimit “Kadare”, 2016 me veprën “Embriologji”

Shkëlqim Çela u lind në Tiranë, në vitin 1962. Studimet universitare i ka kryer pranë Universitetit Bujqësor, Kamëz. Pas vitit 1991 emigron në Austri dhe, më pas, në ShBA. Vazhdon studimet e thelluara në fushën e statistikës. Pranë “University of Georgia”, Athens GA, fiton titujt PhD dhe Master of Science, përkatësisht në “Kiminë e tokave” dhe “Statistikë”. Nga viti 2001 e më tej punon si Drejtor i Analitikës së Avancuar dhe konsulent kryesor në disa kompani analitike të njohura të SHBA, si: Equifax, Merkle, Choice Point etj. Eshtë autor i një numri artikujsh shkencorë në fushat e Mbrojtjes së Mjedisit dhe të Statistikës së Aplikuar në periodikë të specializuar.

Kontributet e tij në letërsi janë të hershme, por autori parapëlqen të referojë në këtë fushë vetëm botimet e viteve të fundit.

Botime në fushën e letërsisë

Prozë: “Mëmëdhembje” (Albin, 2008);  “Kulmak” (Albin, 2009); “Tuneli i dhëndurëve” (Tirana Times, 2015);  “Ishulli Ruzvelt” (Tirana Times, 2013).

Me veprën me novela “Ishulli Ruzvelt”, në konkursin e organizuar nga Ministria e Kulturës, vlerësohet nga juria si “Autor interesant e inovativ”.

Poezi: “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore” (Tirana Times, 2012);  “Dogleg” (The Aldrich Press), proces botimi.

 

 

PËRGJUESIT

Fragment nga libri “Embriologji”, tri novelat fituese të çmimit Kadare 2016, organizuar nga Fondacioni “Mapo”

Nga Shkëlqim Çela

I.

Veterani i luftës VK doli nga shtëpia si zakonisht në orën dhjetë paradite dhe u nis me çap të ngadaltë drejt lokalit ku shkonin gjithmonë me shokët, një lokal për ushtarakë apo ish-ushtarakë në pension si ai. Një ditë e mrekullueshme vjeshte iu hap që pas pragut dhe ai nuk priti për autobusin e qendrës. Mendimi që kështu kursente paratë e biletës i erdhi i ngrohtë, një biletë bënte sa gjysma e kafes që ata e pinin përgjatë orëve të paradites. Sikur të mos e merrte autobusin as në kthim, kafja bëhej e plotë, por zakonisht vapa dhe lodhja e drekës bënin që ai të priste në stacionin e linjës së tij, ndonjëherë edhe gjysmë ore a më shumë, dhe pastaj të ngucej me pasagjerët që s’donin t’ia dinin më për pleq e veteranë e nuk ia lironin vendin të ulej. Por përderisa po shkonte në këmbë, kjo do të thoshte që kafja ishte e paguar përgjysmë. Po ta bënte edhe të nesërmen atë rrugë në këmbë nuk i binte keq – një kafe e paguar në dy ditë, bereqaves. E paguar nga kush, pyeti pas pak veten me një kafshim imagjinar të mustaqes, ndërsa kaloi urën e vetme në rrugëtimin e tij nga shtëpia deri tek lokali. Kalimi i urës do të thoshte se e kish bërë më shumë se gjysmën e udhës. Ose më shumë se një çerek kafeje. Çereku e dytë i dukej gjithnjë më i shkurtër. Në të ri ai kishte çarë dëborëra deri në brez. Se sa e vërtetë ishte kjo, as ai vetë nuk ishte në gjendje ta thoshte tani, por si fjali rrinte gjithnjë e gatshme diku në nofulla në pritje për të brofur jashtë gojës kur duhej, ishte bërë diçka që ai donte ta besonte dhe e thosh edhe me vërsnikë, shokë të vjetër, që me siguri donin edhe ata ta besonin që, në këmbim, t’u besoheshin edhe atyre dëborërat përkatëse. Një rast i kujtohej vërtet kur kishte ecur mes një dëbore të madhe, por kjo nuk kishte ndodhur në luftë, aq më pak në rrethim armik. Kishte qenë për hiçmosgjë, do të merrte një zharge me arra që ia kishte mbrojtur një shok i tij nga fshati i afërt, rreth një orë larg me këmbë. Sidoqoftë dëbora në gju ishte shumë më e vërtetë sesa dëbora në brez. Me kohë e mëshim merret vesh që bora e vërtetë vjen në formë reumatizme, dhimbjeje kockash netëve, trajtuar me hithra, mirëpo, duke e hedhur atë në të shkuarën djalërishte kur “hekurin e ha me dhëmbë”, duke e mposhtur në marshime të gjata e të lavdishme operacionesh luftarake, i dukej sikur merrte një hak e vinte një të drejtë në vend – jo gjithkënd e zë cerma në moshë të thyer, kishte që mbaheshin gjemb në këmbë, e në botë duhet të ketë pak më shumë drejtësi. Kështu pra, në të ri e kish çarë dëborën deri në brez për të shkuar atje ku tretej plumbi, e kësisoji ajo e ecur deri tek lokali merrte një ajër epilogu, fanfare të lavdishme përmbyllëse. Dhe paratë e biletës nuk kanë të bëjnë fare me të gjithë këtë, iu gërmush vetes. Natyrisht, ai ishte i përkorë, nuk shiste mend si Selfoja që nuk linte rast pa vënë stemat e medaljeve në formë shiriti plastik plot ngjyra, një përqendrim lavdiplotë dekoratash, të cilat duheshin këqyrur me kujdes, për të parë se ku ishte ajo “e Kujtimit”, dhe sidomos ajo “e Trimërisë”. Për më tepër që shiritat e kishin të vështirë krahasimin e gjatësive të tyre mbi gjokset e veteranëve që nderonin: një medalje nuk bënte as një centimetër, dhe kur sytë të lënë, jo vetëm që nuk qëllon dot mirë me mauzer, patickë apo belxhik si dikur, por nuk vë dot re as ç’dekorata ke në atë të uruar shirit të kraharorit. Ai nuk shiste mend as si Zylyftari që merrte gazetën e ditës, e hapte faqe më faqe (kanat më kanat) dhe e lexonte gjoja me vëmendje duke ecur trotuarit. Me siguri kopjonte këngëtarin Haxhi Tafaj, i cili e bënte këtë qyshse kish fituar një çmim me këngën “Shqipëri nuk ke pleqëri”. Kur arriti në lokal, pa me pezëm se askush nga grupi nuk kishte ardhur akoma. Çdo herë që arrinte atje i pari, e ndiente se si autoriteti i binte pak. Dhe bënte kujdes që të nesërmen të shkonte më vonë. Çka sillte problemin tjetër, atë që të gjitha vendet në tryezë ishin zënë ndërkaq dhe hapja e vendit për të bëhej me të shtyra të bezdisura e kuisje karrigesh, dhe atij i mbetej zgëqi më i parehatshëm rrasur mes dy të tjerëve të urgusur prej tij, anipse me më pak merita lufte se ai. E çuditshme se si çdo tryezë ka gjithnjë një njeri më shumë. Ai u ul në tryezën e tyre të zakonshme, hapi gazetën dhe bëri sikur po lexonte shumë i interesuar. Si çdo fitore, autoriteti është më i vështirë të mbahet sesa të arrihet. Kamerieria, Katina, kaloi përbri. – Do të presësh për të tjerët? – e pyeti. Ai pohoi me kokë.

Lajmet e faqes dy dhe tre nuk dukeshin dhe aq të mërzitshme kur prisje në tryezë. Lexoi njërin nga autorët: Astrit Nuri. Foto, Niko Xhufka. Nuk donte të lexonte – Lapardhaja dhe Krutja do të mbërrinin se s’bën në ndonjë lajm suksesi bujqësor. Dhe Plasa. Flitej për grunjëra dhe rendimente, këto ngrinin peshë tani: “A je i zoti 100 kuintal t’i marrësh hektarit?” shkruante poeti kryesor i vendit. Nuk dua të jem i zoti, grindej ai me vete, kur duhej ua numëroja gjermanëve njëqind në lule të ballit. Edhe kjo ishte një fjali e gatshme që priste si një qen i mësuar prapa gardhit të nofullës për t’u lëshuar në bisedat me xhunga e nyje kokëfortësish, që ai kishte qejf t’i quante diskutime. Sitkiu erdhi pas pak. Iu duk sikur në sytë e tij shqoi kënaqësinë që nuk kishte ardhur i pari. – Njatjeta, – e përshëndeti tjetri duke u ulur. – Njatjeta. – Ç’kemi gjëkafshë? – Po hiç, o Sitki. Ç’të kemi? – S’të kam pyetur, të nget reumatizma ty? – Të kam thënë njëqind herë që po. – Me se ia bën dermanin? – Edhe këtë ta kam thënë: u bie çapokëve me një shkop që e mbaj poshtë jastëkut. – Eh, si erdhën punët, dikur flinim me dyfek nën kokë… VK nuk foli. Sitkiu nuk kish qenë nga ata që flinin me dyfek nën kokë e as në gji. Por sa para bënte. Jatakët e luftës po puploheshin më shumë se ata të paqes. – Po ty të nget e flamosura? – Më nget. E kam marrë në dimrin e 43-shit. – Po ç’ne?

Mosbesimi i VK ishte i pamundur të fshihej, mirësjellja dhe interesimi i patëkeq për shokun po jepnin shpirt si kulishë të shtypur nga thundra të verbra aty poshtë, nën këmbët e tryezës…, pra: si s’ditkam gjë unë? – Në stanet e Tare Grepckës. S’dilja dot se përjashta ruante gjermani. Ftohtë e qamet. As zjarr s’ndizja dot. Po ti nga e more? – Edhe unë nga ai dimër. Kam çarë borën deri në brez. Do lajmëroja Shtabin mbi vendndodhjen e gjermanit. Duhej të arrija një orë e më parë, sa pa u nisur çeta. Gjermani u kishte zënë pusi. Se si nuk ngriva, nuk e di. Dëbora e dimrit 1943-1944 ngrinte më e ftohtë se gjithë dëborërat e atij shekulli. Ftohma e saj legjendare ndihej akoma, si një hukatje polare plot me thërrmija akulli që me kohë u bënë pluhur argjendi. Të dy nuk folën një copë herë, me ndjenjën e mirë të asaj aleance boreale që u stërpikte flokët dhe supet heroike. Erdhi Asllani. Kasketa e tij ishte e padurueshme. Ai sillte gjithnjë lajme të brendshme, të cilat dukej sikur i mbante të ndryra si kulishë nën atë kapë. Lajmet e brendshme ia kishin ngrënë flokët me kohë strofkullës së tyre qefale, dhe më pas, kur ai i lëshonte mbi tryezë, ata ua hanin shpirtin edhe dëgjuesve, të cilët kureshtjen e pashuar për lajme të besuarish nga “qyngjja”, domethënë nga udhëheqja e lartë, e helmonin me zilinë që shoku i tyre dinte gjëra që ata s’i dinin. Shkak për këtë epërsi ishte i biri i Asllanit që punonte në një dikaster kyç. Epërsia e Asllanit ishte e padiskutueshme. Sado që të tjerët bënin jo rrallë sikur i dinin ndërkaq lajmet e freskëta të Asllanit, kjo nuk ndihmonte shumë, pasi ata asnjëherë nuk vinin me të reja delikate si ai. Ç’ish më e keqja, trimëritë e tyre me dëborë,të cilat kreshpëroheshin edhe më shumë për të barazpeshuar rëndesën e tmerrshme të lajmit të ri të brendshëm e vetëm për të besuarit, nuk arrinin kurrë të zbehnin buçimën e lajmit asllans. Kur ai thoshte se “pritet një goditje e re në kulturë”, çdo kuturisje nëpër gërxhe të luftës së shkuar nuk ngjiste më, aq më tepër që sado gjermanë të vriteshin në to, ata ishin të vdekur tashmë edhe në epin e gjallë që vazhdonte të krijohej sipas rregullave të rrëfenjave të moçme gojore. Edhe në mos kishin vdekur, ata duhej të ishin pensionistë të kamur në Gjermani, ndërsa goditja e re “në kulturë” nuk kishte ndodhur akoma, viktimat e saj me fat ndërkaq të vulosur, ishin ende për t’u marrë vesh nga gjindja, si, kush, pse, e po kështu ç’ishte më e rëndësishme, nuk dihej sa e gjerë do të ndihej ajo goditje, sa thellë do të shkonte nëpër fiset e të goditurve, “kush do ta hante”: fjala “kot” nuk shqiptohej kurrë, për arsye sigurie, por vërtitej në ajër, sorrë e shqetësuar që s’gjente prehje assesi. Në goditjet e armiqve nga Partia kishte diçka prej bombës atomike, ku shkreptima shungulluese ishte rrufeja e udhëheqësit (“Ne nuk jemi koka e Zeusit”, pat thënë një herë), vala goditëse ishte diskutimi mbarë popullor, me indinjatën rrethore si valë e vërtetë pellgu, e cila përfshinte e rrafshonte teksa zgjerohej periferi pas periferie njerëz sadopak të lidhur me çështjen për të cilën jepej goditja, dhe në fund prapaveprimi ishte si rrezatimi i pafund i lëndës radioaktive, të jetuarit nën peshën shtypëse të përditshme  të qenit “i prekur” nga vala… Asllani u ul rëndë. Pritja disa sekondëshe për të marrë vesh në kishte gjësend për të thënë vinte me atë heshtjen e vet të thellë, me tinguj prej kambane morti. Autoritetet e të tjerëve tërhiqeshin taktikisht e mpakeshin si specie të të ftohtit akullnajor, një epokë që kërkonte lloje trupvogla, regjime gjymtyrësh, kursim në të ushqyer, ndërsa Asllani bëhej gati të lëshonte gurët që nga maja e Dodonës së tij. Në të kundërt, me ç’rast një lehtësim i tryezës vërshonte mbi syprinë, një shpezëri me flatra të shpupurisura, e morët vesh, Tarja fejoi djalin, jo more, me kë u bë ilakaja, me një familje nga Dibra, familje e mirë, epo shumë mirë, të ketë kush t’i bëjë një filxhan kafe, tani që i vdiq e shoqja, po po, prit nga nuset e sotme, po mirë Tarja pse nuk martohet vetë, po pse a thua që është Tarja për grua, po pse jo, ja mendoje si për vete, ti të qëron hesapin… akoma…, apo jo, hi hi hi… Asllani nuk njihte mëshirë: pyetjes prej heshtjeje pritëse, ai i dha përgjigjen që e ngriti rrufeshëm në lartësinë e vet të padurueshme: “Nuk janë mirë punët në sektorin e naftës”. Tani kafja (si për mort) mund të vinte. Një shenjë kamerieres bionde. Ajo erdhi me filxhanet me bishta të thyer. Ata e lëpinë me sy, fshehur prej njëri-tjetrit, por fshehur pa shumë kujdes. Aty shërbenin dy kameriere, një e vjetër posi xhadë, dhe kjo e reja, Katina, e cila ishte krejt e kundërta e tjetrës, domethënë e re, trupbukur dhe flokëverdhë. Arifi dhe Sotiri erdhën të fundit. Karrigia e katërt u zu nga Arifi, pa shumë mund, kjo falë shpotisë së Asllanit që ia ofroi: “Urdhëro, shoku Arif, për atë luftë që ke bërë ti dhe për ato plagë që ke marrë ti, ky vend të takon”. Të tjerët qeshën nën buzë, Arifi ishte partizan i vonë dhe shiriti i tij i dekoratave ishte më i shkurtri i të gjithëve. Kjo dallohej lehtë, vetëm të ishe vërtet qorr të mos e shihje rrudhjen e atij shiriti xhuxh, mu si të hyrë në ujë. Sotiri qeshi i lehtësuar. Respekti qesëndisës për tjetrin ishte një varkë e mrekullueshme shpëtimi. Ai do të ishte gati të rrinte në këmbë, vetëm të mos qesëndisej për trimërinë e tij në Luftën e Dytë Botërore. Kafja mori diçka prej nafte. Flori i zi. S’do mend. “Grupi i naftës”. Fjala “armiqësor” binte vetiu, si e tepërt. Po të thoshe “grupi”, dihej që armiqësor do ishte. Antiparti. Po si e qysh e pse, o Asllan? Lëndë strategjike, babam, të gjitha luftërat për naftën bëhen. Po Instituti i Studimeve të Naftës, ç’bën? Ç’bën Instituti, të kam rixha? Shih Lindjen e Mesme. Izraeli si vegël e imperializmit amerikan. Nc nc nc. Ka naftë, ka, në fushat naftëmbajtëse të Beratit, në Shpirag, si dhe në malet Akrokeraune. Shqipëria është Kuvajt, more! Kuvajt! Rafineritë tona do të mbanin gjithë Europën e Perëndimit me karburant. Edhe me gaz. Fusha e Marinzës. Po, po. Dihet ajo. Modeli i Qytetit Stalin si një pararojë e së ardhmes me ngrohje me gaz! Nc nc nc. Minimumi dhjetëfishi i fuçive që prodhohen sot është bukë e djathë, kupton apo jo? Po mirë, o Asllan, po ç’probleme ka, o më qafsh, nuk na the. Nuk thuhen këtu. Nuk janë për këtu. Nc nc nc. Eeeehh. Ëhë. Ëhë. – Unë nuk dua kafe. – Po pse, o Sotir? – Më bën dëm për tensionin. – Aha. – Ç’i kanë këta filxhanë pa bisht kështu? – Ua thyejnë që të mos i vjedhin. – Aha. – Po nafta…, me siguri do të rregullohet ajo punë, tani që e mori në dorë Partia. – Po s’do mend ajo.

– Ja siç u rregulluan artet, ushtria, do të vijë në binarë edhe nafta si sektor se s’bën! – Po si ishte puna më në detaje, o Asllan? Më qafsh! Nuk na the. – Nuk thuhen këtu. Nuk janë për këtu. – Ëhë. Ëhë. – Nc nc nc. Kur dolën, VK me Arifin mbajtën për nga lulishtja në krah të lokalit. Ligustrat e ligura përpiqeshin të bënin ndarje e gardhe të gjalla, por pa mundur. I shkelur vazhdimisht, bari lëngonte një fishkje të vazhdueshme prej cermës qytetëse. Dukej sikur kishte zbritur nga kullotat malore me stane e çobenë e luftëtarë plot lavdi fosile, për t’u vyshkur në lulishtet plot me vese. – Thatësia i bën mirë rrushit të piqet siç duhet, – tha Arifi. VK nuk foli. Përveç kutërbimit të shurrës së kalimtarëve që vinte më i fortë nga vendet pak të fshehura nga syri i gjindjes, urgusja e asaj lulishteje vinte si rrënim dhe tharje. Nuk ishte bari që kishte shtegtuar, as bagëtia, ishin njerëzit, burrat. Nëpër stolat e lulishtes fishkeshin pleq që luanin domino, vetje të zvetënuara të të njëjtit lloj me të. Edhe qentë rrugaçë rreth vendgrumbullimeve të plehrave të qytetit ishin versione bastarde të qenve të staneve me histori luftërash me ujqër epikë, bruca çobenësh e qyrqe organike me bashka të arta malësish. Edhe Myslymi, i vetmi shok nga krahina e tij që çoku luante domino, nuk dukej më në lulishte qysh pas sherrit me një plak goxha të mbajtur nga Shkodra. Shkodrani e kish kapur në hile Myslymin, i cili e kish mohuar hilenë, jo ti, po unë, e në sherr e sipër Myslymi i mbeti me shkop kokës tjetrit, që ish ku e ku më i mbajtur e i bëshëm. Krisëm! Shkodrani ishte mbytur në gjak dhe Myslymi kishte ikur pa u ndjerë në shtëpi, ku edhe ishte mbyllur e s’dilte më, pasi Shkodrani e ruante përditë për t’i marrë hakun. Nuk dal, thoshte, s’para ndihem mirë. E mbylli me nder Myslymi, tha përsëri me vete, me një ndjenjë respekti.  VK hodhi sytë rreth e rrotull në atë të thatë Afrike, një qoshkë ambulante me ca arançata në shishe të vobekta, të ftohtët e të cilave ishte si prej meiti. Akujt mbajtës kishin shkrirë me kohë dhe uji me siguri tani ishte po aq i ngrohtë sa ajri lulishtor. Në një stol iu duk se pa sytë kërkues të shkodranit. Vraga e goditjes në ballë i shquhej ende, mizorisht e qartë. Plagët mezi mbyllen në pleqëri, ja një arsye më shumë për t’iu shmangur sherreve. Sytë e shkodranit u përqendruan në të majtë të tij, ku mund të ishte shoku i tretë, Myslymi. Boshllëku aty e bënte edhe më të hidhët hasmërinë e re. Në të djathtë ishte Arifi, një pamundësi e hidhur për sherr – sytë kërkues të Shkodranit e kapërcyen me bezdi figurën e tij. Shkodrani kish një shkop me vete, edhe pse nuk dukej të kish nevojë për të. Piji lëngun shkopit tani, tha me vete VK, mbaje sa të duash me vete. Myslymin vetëm tabuti e nxjerr nga ngujimi. Por me nder ama, vazhdoi pas pak mendimin, e mbylli me një rrahje. Autoriteti i Myslymit ishte ngritur rrufeshëm në radhët e pleqve lulishtorë. Një model, një lavdi bashkëkohëse, pa gjermanë e ballistë bashkëpunues me okupatorin, thjesht një kokë tullace dhe një shkop që të tregon vendin. Po dilnin nga lulishtja kur Arifi e ndaloi ecjen për të përshëndetur një fytyrë të panjohur plaku. – Isufi nga Elbasani, – e paraqiti Arifi.

Tjetri u afrua pa fjalë dhe i vështroi me ca sy të përhimët, ngjyra e të cilëve të rrëshqiste në çastin e fundit, një gri prej lumi që kthehej në jeshile të lagët kur s’e prisje. Mungesa e mollëzave e bënte atë fytyrë edhe më të paqëndrueshme: aty dukej sikur një e qeshur bujtëse sapo kishte ikur. Porsi një tryezë me filxhanët e kafes ende aty, farfurima të pabesa porcelani. – Isufi s’ka shumë që ka ardhur, jemi njohur në llixha, ca vite të shkuara, – vazhdoi Arifi. – Na pëlqente e njëjta bankiere, – tha tjetri, – he he he… – Llixhat e Elbasanit janë shumë të mira për reumatizmën, – tha VK, sa për të folur diçka. Tjetri me siguri nuk ishte veteran. Në xhaketën e tij verore nuk ishte varur kurrë ndonjë medalje. Atje, në vend të saj, e rrasur në xhep nxirrte kokën një gonxhe e vogël trëndafili. Sak një bimëz pushti! -Ç’ju ka sjellë në kryeqytet? – pyeti ftohtë VK, për t’u distancuar nga ai trëndafil, që shumë mirë mund të ishte edhe karafil. – Është transferuar dhëndri, – tha Isufi. – S’ka shumë kohë. Një dhëndër që rri tek nusja quhet kollovar, mendoi VK. Po një vjehërr që rri tek dhëndri? Për këtë nuk kishte fjalë. Aq e tmerrshme dhe e pangjarë ishte. Ai më parë vdiste dhe atë gjë s’do ta bënte kurrë, mendoi, gjithë duke e shmangur mendimin e hidhët që e bija duhej martuar sa më shpejt, duhej gjetur burrë, ky ishte në fakt problemi aktual numër një i familjes. – As unë s’të kam parë, – vazhdoi me një hare të pashpjegueshme Arifi. -Nga ke qenë? – Ishim në plazh, harrove? -tha tjetri, të cilit më në fund e qeshura i kishte qarë përjashta si një igrasi muri, duke ia lagur ultësirën ku duhej të kishin qenë një herë dunat e mollëzave.

 

shkelqim celaNjë trofe për gjuhën e kujtesës

Nga Agim Baçi

Nuk ka qenë as e zakonshme as e lehtë që për një çmim me emër të rëndësishëm, si në rastin “Kadare” të zgjedhësh emra me të cilët lexuesi nuk është mësuar e që nuk është njohur me letërsinë e tyre. Kështu ndodhi fundjavën e shkuar në “Ditët letrare të Razmës 2016”, organizuar nga Fondacioni “Mapo”, kur prozatori Shkëlqim Çela, thuajse fare i panjohur, por jo pa botime, mori fronin e çmimit “Kadare” në vitin e dytë të ekzistencës. Çela, emigrant prej vitesh në SHBA, fitoi mes 33 emrave, duke mundur në finale emra të njohur si Bardhyl Londo, Vera Bekteshi e Grigor Banushi, të panjohur si Ada Çapi e Arb Elo, apo edhe të shumënjohur në publicistikë, si Mustafa Nano.

Harta e fabulave përshkruese mes konkurrentëve ishte jo e vogël, në të 33 autorët që nisën rrugëtimin për çmimin, pasi kishin plotësuar kushtin për të qenë pjesë e garës.  Ajo që mund të vije re në të gjitha prurjet, ishte fakti se, tashmë proza shqiptare po i rrok të gjitha temat e sotme të letërsisë botërore, duke shpërfillur modernizmat, postmodernizmat apo “izmat” e tjerë, e duke tentuar të futet në hullinë e letërsisë që i ka brenda vetes të gjitha kohët. Megjithatë, ajo çfarë mund të ishte e përbashkët, ishte nevoja për redaktime, ç’ka u del si detyrë më së pari shtëpive botuese, për të mos toleruar në egon e shkrimtarit që e dëshiron tesktin në versionin fillestar të dorëzimit për botim. Të mos harrojmë faktin se shumë autorë në botë, u kushtojnë falënderime të veçanta atyre që u kanë sugjeruar për të ndryshuar pjesë të ndryshme në tekst, bashkëpunëtorëve, redaktorëve dhe botuesve, duke pohuar kështu se me bashkëpunimin e njohësve të tekstit kanë shkuar drejt tekstit të duhur. Një gjë e tillë vlen edhe jo vetëm për shumicën e konkurruesve në çmimin “Kadare”, por përgjithësisht autorëve shqiptarë, të cilët duhet t’u besojnë ndoshta më shumë punës redaktoriale të shtëpive botuese.

Megjithatë, ndoshta redaktimi mbetet akti final, që i përket rrugëtimit të përmirësimit të botimeve, pasi elementët që e sjellin në lexime një libër janë stili dhe fabula. Sepse, nuk mund të ketë një libër vetëm të shkruar mirë. E as një libër vetëm me fabul të mirë. Por letërsia që u ka mbijetuar kohërave ka qenë gjithnjë një gërshtetim i një fabule të mirë e të shkruar mirë. E ndoshta ky ishte edhe çelësi se, përse triumfoi “i panjohuri” Çela. Tri novelat, që përshkruanin tri kohët e njeriut, të marrë në raportin retrospektiv, vinin përmes një stili origjinal, me grotesk dhe autoironi – si dy elementë të rëndësishëm të prozës-, duke sjellë edhe gjuhën e kujtesës, duke rindërtuar grafikën e njeriut të rrëzuar në diktaturë. Çela ka ditur të gërshetojë të përgjithshmen dhe të veçantën, duke e rindërtuar atë terr shpirtëror të së shkuarës në gati 50 vite diktaturë, e duke na sjellë ne përmes emra të ndryshëm rrugëtimin e përbashkët drejt humnerës, që ai sistem thuajse ua ndërtoi të gjithëve. Raporti i lidhjes së tri kohëve, si pasqyra të ndryshme të së njëjtës fytyrë- asaj të diktaturës- i jep tri novelave të Çelës një element tërheqës, për të parë brenda së njëjtës fotografi disa tipare të ndryshme, apo kujtime të ndryshme. Ndërkohë, edhe autorë të tjerë, si Bekteshi, Banushi apo Londo, apo edhe të eliminuar të mëparshëm, si Thanas Medi, kishin vënë “lupën e tyre letrare” mbi të shkuarën e njeriut nën diktaturë, duke nënkuptuar kështu një nevojë të rëndësishme të kohës së shkrimtarit. Dhe këto libra, e shumë të botuar gjatë kësaj kohe, që kanë marrë personazhe nga diktatura, të ardhura përmes gjuhës së kujtesës, mund të mbeten ndoshta baza më e rëndësishme, jo vetëm sociologjike, nga ku ndoshta do të rindërtohet pas shumë kohësh njeriu i zhytur në terr shpirtëror, “njeriu i ri i sistemit komunist” – një portret i domodoshëm për t’u njohur nga brezat që do të vijnë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708