Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

90 vjet nga lindja, Gjoka: Trebeshinën vazhdon ta ndjekë e kaluara

$
0
0
Kasëm Trebeshina (b. 1926), Albanian writer

Kasëm Trebeshina (b. 1926), Albanian writer

Një debat për veprën e Kasëm Trebeshinës në panairin e librit në Prishtinë, që u mbyll dje, me pjesëmarrje të botuesve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Për Trebeshinën, studiuesi Behar Gjoka vazhdon t’iu qëndrojë interpretimeve të tij, se ky autor ende është i refuzuar. Sipas atyre që e përkrahin, kjo lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare – një debat që siç duket, zë vend më shumë në Kosovë, se sa në qarqet letrare në Shqipëri

Kasëm Trebeshina vazhdon të mbetet i refuzuar si autor. Sipas atyre që e përkrahin, kjo lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë të re, studiuesi i veprës së tij, Behar Gjoka, ka thënë se Trebeshina nuk u pajtua me politikën e partisë së cilës i takonte. E kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim, u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. E kjo e kaluar, sipas Gjokës, e ndjek edhe sot. Veprimtaria letrare e Kasëm Trebeshinës ka qenë temë e ligjëratës që Gjoka ka mbajtur në Panairin e Librit në Prishtinë, i cili në mesin e përvjetorëve të autorëve të letërsisë shqipe e botërore shënon edhe 90-vjetorin e lindjes së Kasëm Trebeshinës.

Duke ikur nga biografia e Trebeshinës, Gjoka është fokusuar në letërsinë e tij dhe refuzimin që po i bën shoqëria shqiptare në përgjithësi. “Po e filloj me një situatë komike, tragjike…Jemi përballë një qëndrimi absurd ndaj një teksti letrar, ndaj një njeriu. Unë e kam menduar pse refuzohet Trebeshina”, ka thanë Gjoka ai, teksa ka treguar se ka pasur drojë të merret me biografinë e autorit, por ka studiuar një çështje tjetër. “Kur përfshihet biografia, gjithmonë ndodh situata e largimit nga teksti dhe për këtë arsye, do të thosha me shumë bindje dhe përgjegjësi se Trebeshina vazhdon të jetë i refuzuar si autor. E refuzimi si autor është diçka tjetër”, ka thënë Gjoka. Sipas tij, për shkak të biografisë nuk duhet humbur vepra apo teksti letrar. Trebeshina, i cili është autor i mbi 200 teksteve, 50 për qind e tyre të pabotuara, njihet dhe vlerësohet si autor i surrealizmit. Prandaj, sipas Gjokës, nëse Trebeshina refuzohet, atëherë letërsia shqipe do të mbetet pa surrealizëm. “Do të them atë që unë mendoj për letërsinë e Trebeshinës, që e gjejmë në poezinë e prozën të tij. Është autori i vetëm i surrealizmit, buron nga kundërthënia ndaj realizmit socialist. Atëherë nëse nga hartografia e letërsisë shqipe e heqim Trebeshinën, sepse ka bërë atë që ka bërë, atëherë letërsia shqipe do të mbetet pa surrealizëm. A ia vlen të humbasësh një ngjyrë për hir të një qëndrimi të tillë?”, ka thënë Gjoka. Sipas tij, dramaturgjia e Trebeshinës është e mjaftueshme për të kuptuar se çfarë ndodh me mundësitë shprehëse të gjuhës shqipe si në tragjedi, komedi apo teatrin e absurdit.

“Janë mbi 80 tekste, por teatri shqip në Tiranë, në Shkup e në Prishtinë nuk iu është qasur. Mjerisht, vetëm në Francë janë dhënë disa drama të Trebeshinës. Dramë ka, por teatër shqip nuk ka dhe këtu është një paradoks i shoqërisë shqiptare, i njeriut dhe i institucioneve shqiptare”, ka thënë Gjoka, teksa është munduar që të japë arsyet e refuzimit që i bëhen Trebeshinës.

“Midis të tjerash, do të thosha se ka një problem të madh, me të cilin studimet letrare duhet të merren. Deri në vitet ’90 ne kemi pasur shkrimtar udhëheqës. Shkrimtari duhet të jetë shkrimtar. Trebeshina, pa pasur mundësi që të jetë udhëheqës, u bë shkrimtar. Por tani shkrimtarët udhëheqës vazhdojnë ta kenë rolin e tij edhe në demokraci. Është koha që shkrimtari të ketë hapësirë. Pra, është ajo skema e komunizmit që po ruhet edhe në post-komunizëm”, ka kritikuar Gjoka. Letërsinë shqipe ka thënë se vazhdimisht e ka parë si letërsi në dritë dhe në hije.

“Nuk ka të ri dhe të vjetër që nuk e di emrin e Kadaresë, Qoses, por është shumë e vështirë të gjesh njerëz të dinë se ekziston Trebeshina”, ka thënë Gjoka. “Nuk mbahet letërsia shqipe vetëm me një shkrimtar”, ka thënë ai, duke iu referuar Kadaresë. Më pas, ka sqaruar se nuk ka asgjë kundër tij, dhe këtë e arsyeton me faktin se “nëse letërsia mbetet vetëm me një emër, atëherë nuk ka letërsi”. Në ligjëratën e tij, studiuesi ka folur edhe për strukturën dhe sistemin e perceptimit të letërsisë. Ka përmendur atë që e ka quajtur letërsi piramidale. Ai ka thënë se vetë ekzistenca e piramidës në letërsi është kufoma që e prek letërsinë, dhe se është ajo situatë ku shkrimtari është udhëheqës dhe nuk bën punën e shkrimtarit. Kasëm Trebeshina nuk ka qenë i pranishëm në shënimin e përvjetorit të tij, por nëpërmjet veprave të tij, në Kosovë, ka qenë i tillë qysh në fillim të viteve ’90. “Stina e stinëve” qe vepra e tij e parë e botuar në Prishtinë për të vazhduar më 1994 me botimin e njërës prej veprave më të njohura të tij, “Mekami”. U botuan edhe drama “Historia e atyre që s’janë”, “Tregtari i skeleteve”, “Këngë për Kosovën” e “Shtigjet e shekullit”. Ndërsa në Tiranë, botoi “Legjenda e asaj që iku” (ribotim i “Stina e stinëve”) “Koha tani, vendi këtu”, “Rruga e Golgotës”, “Lirika dhe satirë”, “Hijet e shekujve”, “Ëndrra dhe hije” e të tjera.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708