Një natë më parë në Palazzo Ducale në Gjenova, poetja Flutura Açka, e ftuar në edicionin e 22 të takimit të poetëve nga bota, ka lexuar para këtij auditori poezinë e përkthyer para 27 viteve: “Pafundësa” e Giacomo Leopardit. Açka ka qenë përcjellëse e shqipes në këtë takim, ku gjuha dhe poezia tërheqin si rrallë për nga një kulturë e kulluar në komunikimin ndërmjet popujve. Në këtë rast, është poeti që e njeh Shqipërinë, Carlo Pozzano, drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, mbajtur këto ditë në Gjenova, i cili, siç transmeton Açka në rrjetet sociale, ka folur për Shqipërinë si “të jetë një atdhe për të dhe kjo edhe në praninë e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Liguria, dr. Giuseppe Durrazo”.
Për nder të një publiku që e ndjek për 22 vite poezinë dhe poetët nga e gjithë bota, Açka ka lexuar përkthimin e një poezie ikone të poezisë italiane: “Pafundësia” e Giacomo Leopardit. “Kur e kam përkthyer dikur në moshën 23-vjeçare, e dashuruar nga gjuha italiane dhe klasikët italianë, që ishin dritarja e parë e një poezie që e lexoja vetë në origjinal.
Këtë poezi e kam botuar të tillë edhe te romani “Kukullat nuk kanë Atdhe”. Pas 27 vitesh nga koha e përkthimit (me gjithë naivitetin, spontanitetin, emocionin por dhe ‘guximin’ rinor) e lexova në shqip për publikun italian”, ka shkruar Açka për mbresën e këtij takimi. Ajo është shprehur se po ta përkthente sërish, tani, ashtu siç ndodh përherë me përkthyesit, do të kishim një variant tjetër, një poezi tjetër –thotë Açka. “Po më pëlqen edhe kështu siç është, sepse më kujton ëndrrat, në të cilat ndonjëherë kemi nevojë të shtegtojmë”.
Pafundësia
Nga Giacomo Leopardi
Kjo kodërz e vetmuar e dashur ka qenë
nga gjithë anët sheh kjo pritë.
I fundit horizont pamjen ma fsheh,
ndërsa rri duke soditur pafundësitë.
Hapësirat mbinjerëzore nëpër to
qetësitë, të paqtat thellësi.
Përfytyroj: atje sa pak
zemra nuk frigon. Dhe si era
këtyre fushave ndiej fëshfërime.
Unë, ajo.
Pafundësia hesht dhe ky zë
tek shfaqet me kujton përjetësinë
dhe stinët e vdekura, dhe ato të blerta.
E gjallë, tingulli i saj
kështu, mes kësaj
pafundësie, mbytet në mendimin tim.
E ëmbël përhumbja në këtë det.
Përktheu: F. Açka