Një banesë e vlerësuar si përfaqësuese për arkitekturën e Korçës dhe ndoshta unikale në të gjithë Shqipërinë është drejt rrënimit.
Është restauratori Kliti Kallamata, që ka denoncuar dje, duke publikuar disa foto që lidhen me banesën unike, e refuzuar disa herë për t’u shpallur monument kulture.
Kallamata ka treguar se personalisht ka bërë propozimin për t’u shpallur “monument Kulture” në vitin 1988, por është refuzuar me justifikimin se ishte “banesë e borgjezisë”.
Mbi këtë absurd zyrtar, restauratori ka treguar se përsëriti propozimin edhe në vitin 2002, por përsëri u refuzua.
“Qysh atëherë, banesa ka pësuar vetëm degradim. Në Korçë ka pasur shumë banesa me interiere të pikturuara, por kjo këtu ka stadin më të lartë të dekorimit artistik. Këta shembuj po zhduken dita-ditës. Le të shpresojmë se kjo do të restaurohet”, ka shkruar Kallamata në rrjetin social, duke marrë reagime të menjëhershme të shumë specialistëve të fushës në mbrojtje emergjente të kësaj pasurie, që siç shihet nga fotot, është një vepër arti, për nga punimi i gjithë hapësirës së banesës.