Gjuha më e vështirë në botë, kështu e kanë pagëzuar të parën antologji të poezisë moderne finlandeze në shqip, përzgjedhur nga Erkki Kiviniemi dhe përkthyer nga Silvana Berki, promovuar pak ditë më parë nën logon e botimeve “Toena”. Janë 23 poetë, më të mirët e rrymës moderne në vendin e largët skandinav që vijnë për herë të parë në shqip…
Sfondi i muzikës elektronike në Sallën e Bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar e bënte gjuhën, përmes së cilës poeti lexonte poezinë e tij “Jo kjo e kuqe” si të vinte nga një botë tjetër, e lashtë, ndërsa vargjet me zërin kumbues të një burri thuajse 60 –vjeçar tingëllonin si lutje e ndonjë rituali të shenjtë …
Gjuha më e vështirë në botë, kështu e kanë pagëzuar të parën antologji të poezisë moderne finlandeze në shqip, përzgjedhur nga Erkki Kiviniemi dhe përkthyer nga Silvana Berki, promovuar pak ditë më parë nën logon e botimeve “Toena”.
Janë 23 poetë, më të mirët e rrymës moderne në vendin e largët skandinav që vijnë për herë të parë në shqip, në një gjuhë po aq të vështirë dhe e pangjashme me të tjerat sa e tyrja, ndërsa dy prej tyre; Jurki. K. Ihalainen dhe Kirsti Kuronen janë dy prej autorëve që kanë ardhur në Tiranë, jo vetëm për të qenë pjesëmarrës në këtë promovim por edhe për të lexuar poezitë e tyre në gjuhën mëmë si një hap i parë i një ure që afron distanca të largëta, jo vetëm fizike por edhe kulturore.
Ajo që Kristi Kuronen bën gjatë promovimit është një improvizim i atypëratyshëm duke marrë fjalë të shkëputura nga audienca e duke bërë me to një poezi , me lëng shqip që tingëllon pastaj në çdo lloj gjuhe.
Ajo çka ka rëndësi për të është emocioni, ndaj edhe për lexuesit shqiptarë, ata që do të marrin në dorë këtë antologji, Kuronen thotë “Mos u përpiqni të kuptoni apo të analizoni gjatë”, sepse gjuha e poezisë, sado e vështirë të jetë flet përmes emocionit universal.
“Jam shumë e lumtur dhe krenare që poezia ime ka një shans për t’u njohur në një vend si Shqipëria”- thotë Kuronen, ndërsa e pranon se gjuha finlandeze, edhe pse shumë e lehtë për ta si vendas, është e vështirë e pangjashme me të tjerat edhe në gramatikë, gjë që e bën ta meritojë titullin e antologjisë “Gjuha më e vështirë në botë”.
Jurki Ihalainen, poet, përkthyes dhe botues finlandez thotë se finlandishtja di të jetë gjithashtu poetike, edhe pse ai shpesh shkruan poezi edhe mbi politikën dhe ekonominë, mbi atë çka ndodh në vendin e tij, krahas temës së madhe të dashurisë.
Finlanda pranojnë dy poetët është tokë pjellore për poezinë, veçanërisht atë moderne që lëvrohet në stile, rryma, tema e struktura krejt të veçanta.
“Kemi një shkollë të veçantë poetike në Finlandë që është e ndikuar në ajo amerikane , por gjithashtu ka rrënjë të thella në kulturën finlandeze”- pohon Ihalainen, ndërsa poetja Kristi Kuronen shton se poezia të jep të gjithë lirinë e mundshme për të bërë poetike edhe atë që nuk duket e tillë.
“Mendoj se e gjithë poezia sillet rreth dashurisë, por tema ime kryesore është vetmia, rinia, fëmijët, dashuria… Më pëlqen të shkoj pas në vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës dhe të shkruaj sesi duket tani”- rrëfen Kuronen, autore e 15 romaneve për të gjitha moshat.
Sa i përket formës apo përmbajtjes poeti Jurki Ihalainen, studiues dhe përkthyes i poetëve aziatikë i kushton rëndësi të madhe edhe formës, e ngjashme me atë të poezisë epike që e gjen te poetët aziatikë.
Për Kuronen ritmi është më i rëndësishmi, ndërsa poezia është një mjet për të ngadalësuar mendimet e saj që ecin shumë shpejt. “Të shkruarit është mjaftueshëm i ngadaltë për mendjen time dhe shpesh më ndodh të kaloj ditë të tëra duke menduar për një fjalë” – përfundon Kuronen.
Lexuesi shqiptar gjen në këtë antologji një përfaqësim të gjerë të poezisë dhe poetëve finlandezë, jo vetëm në moshë por edhe në stile eksperimentale ndaj edhe mënyra e të lexuarit vetvetiu ndryshon nga njëri autor tek tjetri.
“Poetika e Kirsti Kuronen-it është konkrete dhe e qartë. Ajo shkruan pa vështirësi ndjenja të thella, në atë mënyrë që ato nuk kanë nevojë të sqarohen: “Vrapo përpara vrapo mbrapa/ vetëm vrapo/ shiko se si puthen rosat shiko shatërvanin/ vetëm shiko”. Ajo ka shkruar një vëllim
poetik rreth gëzimeve të jetës, si për shembull, skijimi. Poezia duket të jetë për Kuronen-in një zonë gëzimi. Në vëllimet prozaike ajo ka trajtuar edhe tema të vështira, si sëmundjet dhe problemet e të rinjve – kështu e cilëson përzgjedhësi i autorëve të përfshirë në këtë antologji, Erkki Kiviniemi, ndërsa për Jurki K. Ihalainen thotë se është shkrimtar, poet i kompletuar, i cili zotëron të gjithë zinxhirin e librit: ai shkruan, përdor makineri botimi, interpreton nëpër shfaqje poetike dhe panaire libri, si edhe i shet vetë librat, shpeshherë nga dora në dorë. Për Ihalainen poezia është komunikim, por edhe një proces gjithëpërfshirës, i përshtatur me momentin dhe vendin, komunitetin, gjuhën dhe kulturën. Ihalainen nuk ka harruar, mbi ç’bazë është ndërtuar pyetja: “Ne vazhdojmë drejt traditave të vjetra, të cilat kanë lindur dhe rritur njerëz anonimë, punëtorët, poetët, shamanët”. Poezia e tij shpesh është publikim i thënë listash ose monologësh, që e shtangin lexuesin dhe publikun me përsëritjet dhe ritmin simpatik.
Si botues, Jurki Ihalainen pranon se finlandezët preferojnë të lexojnë më shumë prozë, ngase poezia i duket rrymë më e vështirë, veçanërisht ajo që ai boton, e cila nuk është e lehtë për t’u shitur.
Përkthyesja Silvana Berki, e cila për lexuesin shqiptar ka ardhur gjithashtu me një libër të saj me poezi titulluar “ Kur vetëtin çiftelia” thotë se janë dashur një vit për ta sjellë në shqip antologjinë, por e gjithë puna përfshirë përzgjedhjen e redaktimin ka zgjatur thuajse tre vjet.
“Nuk ishte punë e lehtë, sepse ndërtimi i poezisë ishte moderne jo narrative dhe ishte pak e vështirë për t’ u kuptuar nga lexuesi apo redaktori shqiptar. Por ruajtëm rregullat e punës dhe nuk ia ndryshuam strukturën poezive dhe e kemi sjellë në formën origjinale”- thotë Silvana Berki, e cila jeton dhe punon prej 20 vitesh në Finlandë dhe është anëtare e Lidhjes finlandeze të shkrimtarëve. E pyetur sesa larg qëndron poezia moderne finlandeze me atë të rajonit tonë e veçanërisht me atë shqip, Berki përgjigjet “ Nuk e di për rajonin, por Shqipëria ende nuk është integruar në Europë, sepse po të integrohej mentaliteti europian do ta impononte të menduarin modern poetik . Shqipëria është në fazat e para të kërkimit të vetes në poetikën moderne”- thotë ajo, duke shtuar se është në proces për të çuar poezinë shqipe në Finlandë me anë të një antologjie të poezisë shqip në finlandisht, fare pak apo aspak të njohur për lexuesin e atjeshëm, siç edhe e pohojnë dy poetët e ardhur nga Finlanda se nuk njohin asnjë autor shqiptar.
Suadela Balliu