Qarqet e arteve pamore në Shqipëri gjithnjë kanë pasur një lloj arrogance se nuk duan ta kenë “Onufrin” si “Mulliqi” i Kosovës. Arsyet lokale të garës kanë saktësuar diferencën “ndërkombëtare” që kishte konkurrimi në Tiranë. Këta të fundit pothuaj kishin marrë gjithë mekanizmin e “Mulliqit” për të vlerësuar garën në GKA. Kur, ja ku kemi përballë garën e pamorëve në Kosovë, duke përfshirë një pjesëmarrje të gjerë nga bota, Kosova dhe një duzinë emrash nga Shqipëria, madje dhe “huazimi” i kuratorit
Qarqet e arteve pamore në Shqipëri gjithnjë kanë pasur një lloj arrogance se nuk duan ta kenë “Onufrin” si “Mulliqi” i Kosovës. Arsyet lokale të garës kanë saktësuar diferencën “ndërkombëtare” që kishte konkurrimi në Tiranë. Këta të fundit pothuaj kishin marrë gjithë mekanizmin e “Mulliqit” për të vlerësuar garën në GKA. Kur, ja ku kemi përballë garën e pamorëve në Kosovë, duke përfshirë një pjesëmarrje të gjerë nga bota, Kosova dhe një duzinë emrash nga Shqipëria, madje dhe “huazimi” i kuratorit, drejtorin e GKA-së në Tiranë, Artan Shabanin. Dje ka qenë dita që u shpallën emrat e artistëve pjesëmarrës të ekspozitës ndërkombëtare në fushën e arteve bashkëkohore, Çmimi “Muslim Mulliqi” – 2016.
Në ekspozitë do të marrin pjesë 27 artistë: Fidan Bejtullahu, Luca Bolognesi, Erik Bunger, Kajsa Dahlberg, Marco Fantini, Regina Jose Galindo, Dora Garcia, Khaled Hafez, Driton Hajredini, Pablo Helguera, Eliza Hoxha, Ardian Isufi, Ilir Kaso, Luljeta Leci, Ilir Lluka, Edison Luli, Ra di Martino, Bruno Muzzolini, Alkan Nallbani, Ferhat Ozgur, Steve Piçolo, Helona Ruli, Helidon Xhixha, Shingo Yoshida, Kushtrim Zeqiri, Fani Zguro, Ergys Zhabjaku.
Çmimi Ndërkombëtar Muslim Mulliqi 2016 do të fokusohet në nevojat që ka brezi i ri i artistëve, të cilët sot ndodhen përballë një sfide të vështirë. Pas entuziazmit shpërthyes të viteve 1990 të cilat zgjatën deri vonë, sot ndeshemi me një seri problemesh të reja. Nëse dikur (le të marrim vitet 1960 si shembull), artistët duhet të linin qytetet e tyre për tu bërë pjesë reale e sistemit të artit, dhe për këtë nuk kishin shumë alternativa (Paris, Londër, Neë York, Berlin) sot ky fenomen nuk ekziston më. Jo vetëm në kryeqytete apo metropole, po për ironi, si dhe për fatin e gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e sistemit të artit bashkëkohor, sot kemi muze dhe qendra për artin kudo, deri në provincat më të izoluara. Kjo është një dinamikë zhvillimore dhe një politikë e cila padyshim ndihmon. Por a ndodh e njëjta gjë me atë produkt artistik që po prodhon kjo gjeneratë artistësh? A ka ai po të njëjtin vizibilitet?
Sot kemi padyshim një super aktivizëm nga të gjithë artistët, por mekanizmat me të cilët luhet përuljen dhe ngritjen e një produkti artistik mbeten gjithmonë e më shumë në të njëjtat parametra. Kur artistë si Hans Haacke, Steve McQueen apo Maurizio Cattelan janë në prag të refuzimit për të qenë pjesë e epokës, atëherë e kuptojmë që epoka po ndryshon, aq sa për të kuptuar se kjo epokë ka nevojë për ‘heronj’ të rinj, qëndrime të reja. Ky projekt është një eksperiment në kurim që ka për qëllim të vënë pikëpyetje disa aspekte të artit bashkëkohor për të nxitur një dialog dhe diskutim në vend që të paraqesë një qëndrim përfundimtar. Konceptualisht, ekspozita trajton vështirësitë praktike për të ‘hyrë’ sot në botën e artit nga zona ‘të prapavijës’ si dhe rolin e sistemit të artit për të vendosur si arbitër. Brenda këtij eksperimenti ajo do të rreket t’i japë përgjigje dhe pyetjes së Liam Gillick: Cili është imazhi i bashkëkohores sot?