Shqipëria pa treg të artit/ Dështimi i të gjithë ministrave të kulturës është reflektimi i tanishëm mbi “çështjen Kerni”; ligji mbi artin skenik është i cunguar në mbylljen e ballafaqimit alternativ, atë të konkurrencës e tregut, si brenda ashtu dhe jashtë. Skamja që përflitet mbi buxhetet e ulëta të institucioneve të kulturës, është veçse falsitet kur sistemi kulturor mbetet jashtë strategjisë dhe ekuilibrit që Ministria duhet të ndërtojë mes industrisë së artit dhe krijuesve
Kryeministri Edi Rama ka pranuar dje në mbledhjen e qeverisë vendimin e Ilir Kernit për t’u dorëhequr nga posti i drejtorit të Teatrit të Operës dhe Baletit, duke zyrtarizuar largimin e tij. Rama nuk e ka konsideruar peticionin e artistëve drejtuar një ditë më parë, si një rast historik, të cilët kërkonin rikthimin e Kernit në krye të TOB.
Artistët edhe pse u vunë në lëvizje, jo pak, por thuajse 80% e TOB firmosën si notë proteste moslargimin e Kernit, dje heshtën. Ky rast i Teatrit të Operës ka reflektuar çfarë po ndodh me institucionet e kulturës që mbahen nga shteti, por dhe si të vetmin burim ku gjeneron kultura dhe artistët që e prodhojnë atë. Ndërsa flitet se do të nisë rikonstruksioni i plotë i operës, gjendja e saj nuk nënkupton mungesë reforme, apo buxheti të ulët. Sistemi kulturor, në këtë rast i raportit të artit me tregun, dhe artistit me punën e tij të lirë, janë jashtë çdo përfytyrimi ligjor. Nuk ka rëndësi si firmosin dhe si merren në punë artistët, apo deri tek emërimi arbitrar që u bëhen drejtuesve të institucioneve të kulturës nga politika. Mund të konsiderohet si vendi unik ku shteti trajton kulturën dhe institucionet e saj si administratë, dhe artistët si burokratë.
Prej 25 vitesh asnjë ministër kulture nuk ka arritur të zbërthejë rolin drejtues, si menaxherë dhe strategë të kulturës kombëtare. Prej tyre nuk është parë pozicioni ekuilibrues midis industrisë së prodhimit të kulturës dhe krijuesve të tyre. Ndaj, si në vitet 2000 ashtu dhe tani, kur hapet “gropa” e problemeve institucionale, apo administrative në institucionet e kulturës, përballja e parë janë ligjet. Çdo parti vë dorën mbi to, duke arnuar pjesët e mbetura nga interesat e lëna në gjysmë në mandate të mëparshme. Ose pothuaj mbeten të shpërfillur duke kaluar në justifikime buxhetore dhe rëndom konflikte politike, ku iu hapet rrugë njerëzve që zënë karriget me fuqi të plotë vendimmarrje. Kerni është një rast flagrant i tillë. Ndonëse pretendimet e tij, se rebelon mbi buxhetin e ulët të TOB, kjo bazë është e papërfillshme. Ndryshe balerini nuk do të kishte pranuar postin drejtues. Si opera, teatri kombëtar, galeria kombëtare apo çdo institucion tjetër i kulturës në varësi nga buxheti i shtetit prej 25 vitesh vuajnë mbijetesën financiare. Shpesh rritjet në buxhet për kulturën janë justifikuar duke shkuar drejt trashëgimisë, por e gjitha ka qenë falsitet. Dihet se gjendja e trashëgimisë vazhdon të jetë në nivelet e para 20 viteve, ja nga cilësia, ja nga projektet që përfundojnë në xhepa të padukshëm…Mbërthyer në darat e një ligji që i referohet vetëm produktit shtetëror, kultura dhe artet në vend janë në varfëri të skajshme, duke mos arritur të zhbllokohet sistemi. Jo pak herë është debatuar çështja e përgatitjes së artistëve të rinj, të cilët dalin nga Akademia e Arteve, së paku në një vit 100 dhe hidhen në rrugë pa pasur asnjë mundësi konkurrence, tregu. Ky vakum do të vazhdojë për një kohë të gjatë, sa ligjet për artin skenik përjashtojnë çdo alternativë të industrisë kulturore jashtë politikës dhe mureve të shtetit. Ministrat e kulturës prej 25 vitesh nuk e kanë pasur këtë interes, kanë qenë të paaftë por dhe autoritar për zgjidhje demokratike. Çështja e Kernit do të mbetet historik, si skaneri më i plotë i dështimit të një ministri në çështjet e kulturës. Mungesa e guximit për të hapur tregun artistik kulturor, s’tregon më shumë se paaftësi dhe një realitet mental pse Shqipëria nuk po përballet dot me pjesën tjetër të Evropës, apo qoftë edhe brenda Ballkanit.
V.Murati