Ballkani, si një sofër ciklike është shtruar në Teatër Kame, duke çliruar energjinë e një shoqërie që kërkon ndryshimin prej të pamundurës, por plot shpresë siç është kultura… “Ju nuk e imagjinoni se si është festuar këto ditë, të gjithë bashkë, bullgarë, maqedonas, serbë, shqiptarë, rumunë…kanë kënduar e kërcyer sikur të ishin një familje, kjo është ëndrra ime” – thotë regjisori, ideatori, e presidenti i festivalit Gëzim Kame…
Pascalis Tsaruchas këndon pafund këngët e tij, ato greke edhe pse ka interpretuar për një orë e gjysmë, “Kaçakun” që i dha çmimin si aktori më i mirë në Balkan Teatër Tirana Fest. Një vepër për të cilën tha se u krijua nga artistët si një rebelim për krizën greke, ndaj së cilës shprehet se janë ndjerë “si të burgosur politikë”…Shoqëria e Ballkanit gjithmonë ka gjetur mënyra për t’u shprehur edhe pse politika ka pasur rrjedha të tjera në histori…
Këtë ka bërë teatri në 7 net afro 15 minuta larg kryeqytetit, Tiranës. Në Ibë, “Teatri Kame” një histori 10-vjeçare që ka ngritur në një oaz krejtësisht natyror edhe skenën e teatrit, dhe një shërbim gastronomik të rrallë, me produkte bio të zonës.
Ballkani, si një sofër ciklike është shtruar në Teatër Kame, duke çliruar energjinë e një shoqërie që kërkon ndryshimin prej të pamundurës, por plot shpresë siç është kultura…
“Ju nuk e imagjinoni se si është festuar këto ditë, të gjithë bashkë, bullgarë, maqedonas, serbë, shqiptarë, rumunë…kanë kënduar e kërcyer sikur të ishin një familje, kjo është ëndrra ime” – thotë regjisori, ideatori, e presidenti i festivalit Gëzim Kame.
Kame, pas një ndërprerjeje nga teatri i kryeqytetit bën këtë rikthim si “dhuratë” që e priste prej kohësh, edhe pse ishte në zgrip të dorëheqjes nga “ëndrra e teatrit të tij”. I biri, Genti, ishte nxitësi që i riktheu fuqinë regjisorit për të parë se energjia e teatrit nuk mund të shterë, edhe pse është ndjerë para shumë vitesh i tillë…Kame gëzon, pret miqtë e tij, aktorët e njerëz të politikës…Iu ndan vendet secilit, bashkon artistët e vë përballë të tjerët.. Në një tavolinë aktori Robert Ndrenika, karikaturisti Bujar Kapexhiu…mblidhen në një tavolinë kryebashkiaku Erion Veliaj, dhe ministrja e kulturës Mirela Kumbaro. Biseda e tyre herë mbështetëse, dhe herë mban tensionin se çfarë do të bëhet me Teatrin Kombëtar. Të tjerë flasin për festivalin e Kames sa i mungon atmosferës së kryeqytetit takime të tilla…Trupat e ardhur nga vendet e ballkanit janë kryesisht artistë të rinj. Shfaqjet e tyre kanë prekur plagët e vendeve të tyre. Me regji të Erjon Kames, e interpretim të Romir Zallës, Suela Bakos dhe Vilma Hodos, hyn në “familje” një formë rrëfimi skenik për marrëdhëniet e vështira bashkëshortore. Shfaqja doli pa çmim, por me vlerësimin e kryetarit të jurisë, Bujar Kapexhiut se aktorët sollën interpretim të mrekullueshëm, organizim objektesh e përshtatur me interierin e mjedisit; “Të gjithë mbi tavolinë”, shkruar nga Charles Bukowski, e përshtatur nga regjisorja Ana Bateva ka shprehur shqetësimin mbi personalitetin njerëzor, i papërfshirë në “sistemin” me rregulla të tjera, prej së cilës nuk është e lehtë të shpëtosh nga jeta; “një aktore e brishtë, pambuk e hekurt, që thërrmohet si të ishte prej porcelani”, tha Kapexhiu për aktoren e re Mia Kantarexhieva, e teatrit maqedonas me shfaqjen “Zonjusha Xhulia”, së cilës iu dha edhe çmimi si aktorja më e mirë paraqitur nga teatri “Fabrika”- ndërsa aktorja e re, Kantarexhieva është shprehur se do të jetë një çmim që do ta ruajë gjatë në kujtesë, si i pari në jetën e saj si aktore në teatër. Një rrëfim interesant, thotë Kapexhiu për shfaqjen e Bosnjës, ku një aktor pyet si do shkojmë në Evropë, plot ironi, satirë….e njëjta gjendje me ne, ku teksti, regjia dhe interpretimi ka një emër, Dragan Tesic. “Femra si fushëbetejë”, një tekst i Matei Visniec, për të cilën juria ka menduar se i takon një drame të dhimbshme, me një interpretim të bukur, -thotë Kapexhiu, ku jepet dhimbja e madhe e përdhunimit…; është vlerësuar si qershia mbi tortë, pjesa greke, me aktorin e jashtëzakonshëm Paskalis Tsaruchas, me fuqi e larmi vokale…Para publikut të zgjedhur, ku priteshin me padurim vlerësimet, kryetari i jurisë, Kapexhiu ka “garantuar” se çmimet kanë pasur konsensusin e gjithë anëtarëve të jurisë, dhe në ironi “na e kanë zili dhe politikanët”…ndërsa Teatri Kame është rikthyer në disa ditë në një çerdhe të teatrit..!
“Ky festival u krijua me dëshirën e madhe për të kremtuar së bashku teatrin duke marrë përvojën e ndërsjellë, duke garuar me njëri-tjetrin dhe duke jetuar së bashku. Është një takim i frytshëm që i jep vendin teatrit dhe bërësve të tij të shpalosen përballë një publiku të ri dhe të etur për këtë gjini duke e ndërthurur atë me turizmin dhe hapësirën e përbashkët e njëkohësisht qarkullimin dhe njohjen e vlerave tona më të mira”, thotë Gëzim Kame, presidenti i Balkan Teatër Tirana Fest. Mbështetur nga Bashkia e Tiranës, prezenca e Veliajt ishte një konfirmim, një vëmendje të kujdesshme edhe pse ky “teatër” është ndërtuar në një oaz natyror. “Bukë, zemër e teatër”, do e quante ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, gjithë atmosferën e krijuar prej artistëve të ftuar, dhe mikpritjen e rrallë në Teatër Kame. Ndonëse politika është ende shumë larg kësaj bujarie!/V.Murati/Mapo.al/