Një ditë pasi aktori Robert Ndrenika i është drejtuar Kumbaros me një nga deklaratat më të guximshme të këtyre viteve për Teatrin, duke thënë se “nuk futet në gropë… nëse shembet e ndërtohet kullë në tokën e teatrit”…Ministria e Kulturës shpërndan njoftimin se sot do të organizojë dëgjesën publike për dy projektet më të mëdha në fushën e artit dhe kulturës
Një ditë pasi aktori Robert Ndrenika i është drejtuar Kumbaros me një nga deklaratat më të guximshme të këtyre viteve për Teatrin, duke thënë se “nuk futet në gropë… nëse shembet e ndërtohet kullë në tokën e teatrit”…Ministria e Kulturës shpërndan njoftimin se sot do të organizojë dëgjesën publike për dy projektet më të mëdha në fushën e artit dhe kulturës. Nuk thuhet se Teatri Kombëtar do të rikonstruktohet por njoftohet se do të ketë “Rikonstruksion dhe ndryshim destinacioni të ish-laboratorit të Hidroteknikës” për ta kthyer në qendër multifunksionale teatrale si dhe për të prezantuar projektin e rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor. Thuhet se dëgjesa publike do të bëhet me pjesëmarrjen e grupit të projektimit, përfaqësuesve të institucioneve të artit dhe kulturës.
Deri këtu duket sikur gjithçka po bëhet në mënyrë transparente. Por nga biseda e një dite më parë të Robert Ndrenikës me Kumbaron duket se mungesa e informacionit dhe frika nga artistët ka detyruar të shtyhet, ose të zvarriten nisja e punimeve. Pavarësisht presionit nga artistët duket se këto dy projekte do njohin realizmin e tyre sipas parashikimit të qeverisë. Ashtu siç po ndodh edhe në institucione të tjera publike, të kulturës.
Pak ditë më parë ka pasur një reagim në rrjetet sociale për projektin e rikonstruksionit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Propozimi i ardhur nga ministrja, sipas projektit rezultonte një sallë pothuaj filarmonie duke e transformuar nga destini që ka sot, opera. Por një reagim i ministres Kumbaro i ka hedhur poshtë këta zëra. Në këtë arsye është komentuar edhe riardhja e Zana Çelës në krye të Operës, dhe ikja e Ilir Kernit. Ky i fundit thuhet se është larguar nga Opera duke kundërshtuar projektin e Kumbaros, ndërsa ardhja e Çelës realizon këtë projekt, si duket të lënë në mes qysh prej vitit 2000, kur u përball me artistët në grevën më të madhe të bërë ndonjëherë prej këtij komuniteti, deri në vetësakrifikim në grevë urie. Por projekti i propozuar nga qeveria e asaj kohe nuk u realizua. Në fakt gjendje fizike e të dy teatrove është katastrofale. Artistët punojnë në kushte mizerje deri në rrezik për jetën. Edhe pse kjo gjendje, për të cilën bien dakord të gjithë artistët, sërish këta nuk pranojnë largimin nga “toka e teatrit”. Rasti i reagimit personal të Robert Ndrenikës duket se ka qenë një paralajmërim për ditën e sotme. Pas ngjarjes së vitit 2000, ku artistët hyjnë në mënyrë kolektive në grevë urie, deklarata e Ndrenikës ka qenë më e guximshmja përballë pushtetit e politikës. Në pak fjalë Ndrenika u ka treguar si Kumbaros dhe Veliajt se “toka e teatrit” nuk është tokë e shtetit, por italianët ua kanë blerë privatëve në atë kohë duke kaluar në teatër. Me këtë argument Ndrenika “frenon” qëllimet për të përdorur “tokën e teatrit” siç do qeveria. Megjithatë sot duket se më e rëndësishme do të jetë “kantieri për teatrin e ri multifunksional”, ku artistët do të presin dhe përgjigjet për rikonstruksionin e teatrit të sotëm, në qendër të Tiranës.
Teatri i ri, është quajtur me një emër të përkohshëm “Turbina”, për të cilën kryeministri Rama ka shpjeguar se kjo vjen në kuadër të programit kombëtar “Rilindja Urbane”, duke e vlerësuar si një hapësirë të re ultramoderne për artin e kulturën skenike, me pretendimet për të mbushur boshllëkun e krijuar në vitet e gjata të rrënimit të vazhdueshëm të infrastrukturës kulturore e të jetës artistike.
Ndërsa komuniteti i artistëve e ka parë me rezerva këtë zhvendosje nga qendra diku në “periferi” të kryeqytetit, edhe pse ultramoderne, ashtu siç është shprehur Ndrenika se Tiranës i duhet një teatër siç e kanë së paku vendet e Lindjes, Bukureshti, Shkupi, Athina etj. V.M