Çfarë ndodh me Muzeumet në Shqipëri? Ky është nga problemet që ka ngritur së fundi Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, për të cilin ende punët nuk janë vënë në vijë, edhe pse prej vitesh kërkohet nga specialistët të shikohet sistemi i muzeve në Shqipëri, të cilat më së shumti ndodhen në një gjendje katastrofike
Pas disa kohës një nga specialistët e restaurimit, Frederik Stamati kësaj çështjeje i është përgjigjur negativisht duke pasur parasysh gjendjen katastrofike ku ndodhen muzetë në Shqipëri. Stamati është nga ata të paktë specialistë që ka shkelur çdo muze në vend, shpesh në kërkim të “thesareve” të zhdukura e të pazbuluara ende, por edhe të parestauruar, dergjur sëndukëve të ndryshkur dhe pa përgjegjësi mirëmbajtjeje. Si duket kjo dilemë do të qëndrojë gjatë në “forumet” e specialistëve pasi deri tani muzetë vazhdojnë të vegjetojnë, e pak fare të mbijetojnë nëpër qarqe për të cilat kujdesen bashkitë! Por këtë vëmendje ka tërhequr dje sërish, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë ku përveç faktit që në Shqipëri ka një numër mjaft të vogël të muzeumeve, ngre dhe çështjen nëse këto “godina të historisë” mund të përfshihen në guidat turistike.
“Për një vend që deklaron se një nga përparësitë e tij për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, do të jetë në vijimësi turizmi si një degë me shumë perspektivë, numri i Muzeumeve pa diskutim që është një tregues mjaft i rëndësishëm”. Forumi, që në bazë të saj ka specialist të monumenteve dhe arkitektë me emër, ndalon në faktin se ndërtesa e fundit për një Muzeum në Tiranë i takon vitit 1981, që është Muzeu Historik Kombëtar. Në 35 vjetët në vijim, nuk kemi asnjë ndërtesë të re të projektuar e destinuar për Muzeum. Bilanci bëhet në shkallë republike ku nëse përfshihet ajo e Muzeut Arkeologjik të Durrësit nuk shton gjë në këtë hartë, pasi ky muzeum i përket një projektimi 30 vite të shkuara. “Por mungesa e mjaft muzeumeve që do duhej t’i kishim është njeri aspekt. Aspekti tjetër është gjendja e atyre qe kemi. Restaurimi, konservimi, klima etj., janë disa nga problemet me të cilat përballen të gjitha objektet në muzetë dhe fondet e tyre në vend”, reagon Forumi. Sot e kemi të munguar laboratorin e restaurimit dhe konservimit të objekteve, që dihet tashmë, një laborator i tillë qëndron i mbyllur në Qendrën e Studimeve Albanologjike, pasi u transferua nga sarajet e Toptanasve, dhe nxorën në pension të vetmin specialist që mbante këtë laborator, Frederik Stamatin.
Po ashtu Forumi të tërheq vëmendjen se dhe gjendja e vetë ndërtesave ku ndodhen këto Muzeume është një objekt diskutimi, për të cilën hap një rubrikë për t’u ndalur në këtë aspekt të munguar të kulturës sonë, dhe mjaft problematike dhe në ato raste ku muzeu ekziston. Ja, p.sh. para disa viteve muzeu etnografik i Elbasanit jo vetëm në gjendje të mjeruar por fustanet tradicionale qëndronin në mur të ngulura me gozhdë…edhe në disa të tjera kur thesaret mbahen me zgrip të kushteve, kujtojmë këtu muzeun etnografik të Kavajës të drejtuar nga i ndjeri Abdullah Tafa, idealizmi i tij i mbante objektet përtej sakrificës personale…me shpresë se një ditë shteti do të vinte dorë.
Mbi këtë gjendje, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë hap diskutimin për të shërbyer edhe si “negociator” me Ministrinë e Kulturës, për të ndryshuar së pari vizionin e këtij sistemi, si dhe shprehen se presin “një ndryshim sjelljeje që synon dialogun dhe jo konfliktualitetin”. Por për specialistin e restaurimit, Stamatin, sot problem më i madh në muzeumet e Shqipërisë është trashëgimia e objekteve që ata disponojnë. “Ka disa parametra që duhen zbatuar në mënyrë që të ndërpritet shkatërrimi i objekteve. Ata ndërthuren dhe bëhen kompleksë”. Me këtë gjendje a do të mundet Ministria e Kulturës të menaxhojë një situatën dhe pse parashikohet t’u drejtohet bashkive mbi gjendjen e tyre- për një reagim të tillë, sigurisht do të thuhet se ka largim të përgjegjësisë, dhe jo kontribut./V. M