Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Mbahej sekret: Ja fotot e kostumit popullor të Shën Terezës

$
0
0

Në ditën e lumturimit, në Muzeun Historik Kombëtar, për herë të parë u ekspozuan për publikun kostumi popullor i shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Bëhet fjalë për një kostum me motive karakteristike të qytetit të Prizrenit (vendi i origjinës së nënës së Nënë Terezës), që ajo e mbante në moshën 16,17-vjeçare. Kostumi përbëhet nga këmisha, copë e mëndafshtë e endur nga gratë e Prizrenit, jeleku i qëndisur nga mjeshtre qëndistare të këtij qyteti, shalli dhe dimitet

Kostumi popullor i Nënë Terezës ekspozohet për herë të parë për publikun në Muzeun Historik Kombëtar, pjesë e fondeve të Institutit të Antropologjisë dhe Studimit të Artit, e dokumentuar dhe regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore. Në kuadrin e zhvillimit të aktiviteteve për ditën e lumturimit të Nënë Terezës, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 , hapi ekspozitën njëditore: “Trashëgimi kulturore nga vendi i Nënë Terezës”, me kuratore: prof. dr. Afërdita Onuzi. Bëhet fjalë për një kostum me motive karakteristike të qytetit të Prizrenit (vendi i origjinës së nënës së Nënë Terezës), që ajo e mbante në moshën 16,17-vjeçare. Kostumi përbëhet nga këmisha, copë e mëndafshtë e endur nga gratë e Prizrenit, jeleku i qëndisur nga mjeshtre qëndistare të këtij qyteti, shalli dhe dimitet.

Veshja e Nënë Terezës përfundoi në fondin shtetëror si dhuratë nga bashkëshorti i Marie Krajës, i cili ia kishte blerë familjes në një situatë të vështirë financiare. Specialistja e etnografisë, Onuzi është shprehur dje për kostumin se është një punim i trashëguar nga e ëma e Nënë Terezës, dhe se tani për tani është mjaft e vështirë për t’u ekspozuar në mënyrë të lirë. “Vetëm kur të kemi një vend nderi dhe të ketë siguri mund të kemi më shumë kohë për ta ekspozuar, dhe mundësinë për ta ekspozuar herë pas here”, është shprehur Onuzi, për kostumin që qëndroi vetëm gjashtë orë i hapur për publikun.

Në ekspozitë u paraqitën edhe 54 objekte të tjera, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore nga dy qendrat më të zhvilluara politike-ekonomike-tregtare dhe kulturore shqiptare të shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, respektivisht Shkodrës (vendlindja e babait të Nënë Terezës) dhe Prizrenit (vendlindja e nënës së Nënë Terezës). Njëkohësisht nëpërmjet objekteve që ekspozohen, paraqiten aftësitë teknike-artistike të mjeshtrive tradicionale qytetare të zhvilluara në këto qendra (Shkodra dhe Prizreni). Midis tyre spikatin: Stoli grash dhe burrash prej ari dhe argjendi; armë; pjesë veshjesh dhe veshje të plota; pëlhura të mëndafshta për pajisjen e banesës dhe veshjeve të ndryshme; qëndisje të realizuara nga gra qytetare si çarçafë, këllëf jastëkësh, këmisha etj., objekte kryesisht të përdorura nga popullsia e besimit të krishterë.

Shenjtërimi i Nënë Terezës ka qenë një nga ngjarjet më të pritura për shqiptarët, si hapi i fundit i rrugës kishtare të Nënë Terezës së Kalkutës, një prej figurave më të njohura në historinë e katolicizmit të shekullit të njëzet. Në këtë ditë në sheshin e “Shën Pjetrit” janë mbledhur delegacione nga 15 vende të botës, duke marrë pjesë në ceremoni. Në këtë rast, gjatë fjalës së tij, Papa Françesku ka lëshuar mesazhe të forta, ndërsa shtoi se ‘nëse nuk ka dashuri, nuk ka asgjë’. “Dashuria për Zotin shihet e preket. Krishti vdiq për ne, kjo është dashuri. Krishti na ka dashur dhe sakrifikoi për ne. Asgjë e askush nuk na ndan nga dashuria për Zotin”, tha Ati i Shenjtë. Ai ka kërkuar që të gjithë të ndjekim shembullin e Nënë Terezës, fotoja e së cilës kish pushtuar bazilikën e sheshit. “Nënë Tereza na ka bërë të ndihemi krenarë, të marrim shembull prej saj. Nesër është shenjtërimi i Nënë Terezës, e meriton”, është shprehur kreu i Vatikanit. Vullnetarët kanë treguar vështirësitë që kishin kaluar dhe se si besimi i ndihmoi t’i kalonin këto momente. Madje, në njërën prej dëshmive vullnetarja ndjekëse e misionit të Nënë Terezës e përmend shenjtoren si personin, e cila e ndihmoi të kalonte vështirësitë. “Nënë Tereza e Kalkutës na dha zgjidhje”. Më 19 tetor të 2003 Papa Gjon Pali II e shpalli Nënë Terezën “E lume” e sipas rregullave të së drejtës kanonike, festa e saj kremtohet çdo vit, më datën 5 shtator.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708