Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all 1708 articles
Browse latest View live

Shuhet në moshen 95 vjeçare aktori dhe skenaristi Lazër Filipi

$
0
0

Ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare artisti dhe skenaristi i madh Lazër Filipi. Një figurë e njohur dhe e dashur për publikun shqiptar, Lazër Filipi la as një jetë të mbushur me aktivitet artistik. Numërohen rreth 80 role në teatër dhe kinematografi.

Lazër Filipi lindi në Shirq të Shkodrës më 7 shkurt të vitit 1921. Aktivitetin artistik e filloi që kur ishte partizan në 1943, me grupin teatral të Priskës. Në vitin 1945 u bë aktor në Teatrin Popullor. Gjatë viteve 1947- 1950 kreu studimet në Çeki.

Gjatë karrierës së tij interpretoi rreth 80 role në teatër e kinematografi si: Vasili, Truviçi, Dobçinski, xha Shazua, Gjica, Ksanti, Klarku etj.

Kryeroli i tij mbetet roli i Leninit në dramën “Orët e Kremlinit”. Interpretoi me sukses edhe në shumë filma artistikë. Doli në pension më 1977, por nuk u shkëput nga skena, duke interpretuar role edhe në vitet 2003, Ali Pashë Tepelenën, dhe në 2005 Napoleon Bonapartin nga drama e Aleksandër Moisiut. Ka fituar disa çmime dhe mban titullin “Artist i Merituar”.


Natasha Lako: Tani ka ardhur radha e stoicizmit tim

$
0
0

natasha-lakoPrej më shumë se 30 vjetësh, poete dhe skenariste, Natasha Lako ka rezistuar duke mos ndërprerë shkrimin; një autore që nuk kërkon të vërtetën por thjesht ndjen në një gjendje sociale duke krijuar lirikën e saj. Thyen e para tabutë e socrealizmit, por edhe në fillim të ’90-ës. Libri i parë më ’72-in, dhe i fundit “Kundërpërfytyrimi” i pak ditëve më parë, për të cilin rrallë ndodh që kritika të reagojë në kohë reale duke e konsideruar ngjarje për poezinë bashkëkohore; një libër shqetësues që “nuk sjell hare dhe paqe…”, që e detyron Lakon të thotë: “tani ka ardhur si duket radha e stoicizmit tim”

Intervistoi: Violeta Murati

Natasha, çfarë ju ka nxitur në shkrimin e poezisë, asaj të parës nëse te ju ka  një memorie?

Poezi e parë është ajo që nuk dihet. Por ka një poezi tjetër të parë sigurisht, që është botuar dhe ka lidhje me Beratin dhe vendlindjen e mamasë sime. Sepse bota ime u zmadhua për herë të parë nga ky qytet. Nga Korça më pëlqen të flas për një atmosferë nxitëse dhe shumë njerëzore.

Edhe më e vogël kam fituar një çmim me një poezi për mësuesen e klasës së parë. Nuk flas për nxitje të tjera shkollore, se letërsia të vjen nga diku tjetër, mbase nga librat që fillon t’i zgjedhësh vetë. Nuk bëhet fjalë për familjen, pasi krijimi është një lloj indipendence dhe shkëputje.

Por meqë po kthehemi kaq prapa, dëshiroj të tregoj për kujdesin e çuditshëm  të  edukatores sime të kopshtit, zonjës Kodheli, e cila kishte aq dashuri për fëmijët sa ‘zbardhte’, si mund të thuhet tani, deri “fjalimet” e mia fëminore, sepse për të çdo fëmijë ishte një mbret ose një mbretëreshë. Mendova se do të tregohesha delirante po të shkoja, si më tha, t’ia merrja në shtëpi pas shumë e shumë vitesh. Duhet të shtoj se diçka nuk shkonte në biografinë e saj dhe të motrës së vet, sa klishetë do të na shtynin t’i përfytyronim vetëm duke rënkuar. Sot i quaj stoiket e mija të para. Por Korça mund të ketë ngjarje të tilla të vogla pa fund.

Kuptohet se ishte kjo atmosferë e Korçës që më ka nxitur të shkruaj. Ose të filloja një lloj udhëtimi vetjak, që përbënte një botë më vete.

Me këtë rast dëshiroj të përshëndes një praktikant të dikurshëm modest të shkollës sime pedagogjike, sot botues i apasionuar i traditës shqiptare, që më ka nxitur të vazhdoj krijimtarinë time të parë gjysëm naïve. Më duhet ta falenderoj publikisht, Mehmet Gëzhillin.

Në fakt, qysh prej vitit ’72, ju vazhdoni të shkruani poezi. Në vitin ’90-të kritika thotë se keni thyer tabu. Por edhe në vitet e regjimit komunist. Si e mbajtët këtë frymë, përse kjo rezistencë e të shkruarit?

Më pëlqen kjo pyetje për rezistencën e të shkruarit. Diku kam thënë se shumica e poeteve gra që kam adhuruar, pothuaj janë vetëvrarë.Vetëm kjo mund të dëshmojë se nuk jam e llojit të tyre as nga fati, as nga talenti, as nga vendi ku kam lindur.

Por andej nga vitet ’70-të kohët ishin më moskokëçarëse, dhe më të hapura, të paktën për të tjerët. Kujtoj se tani mori çmim Nobel Bob Dilan që atëhere e dëgjonim vetëm në radio, pa ia kuptuar mirë fjalët.

Në fund të viteve ’60-të, më ka shkaktuar emocione të veçantë ekzistenca e Tiranës, por edhe tani kam të ngulitur në mendje një pullë të emetuar me pamjen e godinës së Universitetit, e cila për fat u bë më vonë edhe godina e fakultetit tim. Dhe që nga ajo ëndërr tiranase, më duket sikur jam një nga rojtarët e atij universiteti.

Por le t’i kthehem vitit 1972, dhe vëllimit  “Marsi brënda nesh” – udhëtimi im vetjak kish marrë përpara, e që më bën të pretendoj se kishte përfunduar faza e parë e njohjes së botës. Por ndjesia e prangave që nga koha e prejardhjes sonë nga majmuni, u shfaq deri pas viteve ’90-të “te poezia “Mob Oratory”,  kaq e thellë më është dukur e ngulitur robëria e njeriut. Sepse koha e euforive të shtirura për mua kishte marrë fund para shumë të tjerëve. Veçanërisht në film. Këtu dëshiroj të përshëndes një shokun tim të orëve krijuese, Thoma Simakun, sot kompozitor shumë i njohur i muzikës kontemporane të dhomës, i cili jep koncerte dhe fiton çmime në të gjithë botën. Ka mbetur në një nga këngët e tij të para modeste edhe vargu im, “në këmbë, kush ngrihet në gjunjë më nuk  bie”, që për mua kishte domethënie të veçantë. Nuk e mendoja atëhere këtë varg vetëm sa një thërrmijë, megjithëse unë enkas e futa edhe në një vëllim.

A besoni se lirizmi e  ruan poetin, por edhe lexuesin nga vulgariteti?

Patjetër që të mbron. Por fusha e ndjenjës është edhe shkatërruese. Pikërisht për këtë njeriut iu desh edhe shekulli i arsyes, i cili te ne mund të ketë kaluar vetëm si meteor.

Lirike, individualiste dhe moraliste…Si ka lëvizur Bota juaj?

Në jetë të bie shpesh të japësh mësime morale ,sidomos kur je nënë”. Them gjithnjë se kemi qënë me shumë fat që Naim Frashëri dhe më pas të tjerë kanë përkthyer në shqip fabulat e La Fontenit, me të cilat fëmijët shqiptarë hynë në një shtrat të përbashkët edukimi me shumë vende të tjera. E në qoftë se mua si “ individualiste” më duhet të falenderoj Simakun ose Gëzhillin, merret me mend se sa falenderime i kemi borxh Naimit, mësuesit të parë të të gjithë shqiptarëve.

Moralist mund të bëhet vetëm ai që ka forcë dhe pushtet, por që e ndjen veten të dobët. Ai shet moral, jo njeriu i zakonshëm. Dhe parullat morale mbulojnë ndonjëherë edhe krimet. Edhe në kampet e përqendrimit kanë pasur parulla të shkruara që i jepnin nder punës, duke shkelur edhe Gëten me këmbë. Por shqiptarët dinë t’i thjeshtëzojnë shumë gjerat, sa të besojnë se morali ka rënë, ose ka falimentuar si ndonjë bankë.

Kjo është një gënjeshtër po aq e madhe sa edhe ajo e realizmit socialist, diçka vetëm e kthyer me kokë poshtë. Dhe gjithnjë do të ketë skarcitete, por kurrë si në një diktaturë.  Si ka lëvizur bota ime?! E kuptoj më mirë sot edhe shkrimtarin më “undërground” dhe të burgosur për krime, Zhenet dhe për këtë më ka ndihmuar “Shën Zhene” që mendoj se është një nga kryeveprat e Sartrit.

Pas këtij reagimi a mund të flitet për një disiplinë intelektuale?

Absolutisht po…Disiplina intelektuale të nxjerr në ndonjë breg.

Poete e gruas, femra e letrave: grua nënë, grua bijë, grua gjyshe, grua motër…pse ky “qytet femëror” i Natasha Lakos, duke u njohur edhe e angazhuar në lëvizjen feminist?

Ka shumë e shumë keqkuptime për botën e femrës deri sot, që reflektohen edhe në qëndrime letrare…Quhet ende guxim i madh ose profilizim i madh i saj kur shkruan për çështje të shtratit, gjëra që fjala vjen letërsia franceze i ka thënë dy shekuj më parë. Të lexosh qënien tënde sot, kur në vend të një pulle poste çdo njeri ka vënë në facebook fytyrën e vet, është gjë e bukur dhe e vërteta edhe më e ndërlikuar, nga e cila nuk del dot. Ka të bëjë me ekzistencën e sotme, sepse njeriu ka gjithnjë nevojë për një adresim, që të dijë dhe të gjejë veten. Mua më ka ndodhur që kromozonet të më bëjnë grua.,.jo vetëm një nga dy llojet kryesore të njerëzve, por si çdo tjetër, edhe të papërsëritshme më.

Nga e gjithë krijimtaria juaj, e ribotuar edhe tek “Lëkura e ujit”, tërheq një poemth lirik me 130 vargje: “Era borziloku ose për atë që më tregoi përrallën e dytë” ku kërkoni një lloj jetë te re, a mendoni se ju bën identifikuese kjo poemë?

“Kënga e  borzilokut” – ajo i kushtohet jo vetëm gjyshes sime, por një brezi të tërë ose një shekulli të tërë që duhej t’i thoshim lamtumirë. Një përvojë e gjatë privimesh dhe përpjekjesh, si të thuash të stoicizmit të parë. Kësaj here totalisht shqiptare, pasi gjyshja ime nuk besoj të ketë pretenduar të jetë pjesë e gjithë botës. Mua më dukej se asaj i mjaftoja vetëm unë. Sami Repishti, në U.S.A në një takim reprezentativ, në vjeshtën e vonë të vitit 1992, kur vijnë edhe krushqit me flamuj dhe me këmborë të Lasgushit, ka qenë i pari që këtë poemth e ka zbërthyer në aspektin e gjërë të një lirije që po vjen, kur trupi i një gruaje pothuaj qindvjeçare bie si një perde, me të cilën përfundon një epokë e tërë shqiptare. Sepse gjyshja ime, që për të tjerë kritikë bëhet vetëm simbol i nënave, iku brenda vitit 1985. Dhe ndryshimet te ne duket sikur vijnë në formën më natyrore të ikjes së brezave…Pikërisht nga kjo edhe kur “godasim”, godasim në moshën e njeriut.

S’mund ta kapërcejmë në këtë intervistë një poezi mjaft të herët: 30 qindarka për të ardhur tek ty dashuri/ 20 qindarka për të folur me ty…etj.,. vargje rebele, bërë hit. Çfarë moment ishte kur u shkrua kjo poezi?

“30 qindarkat”, u shkrua në një ditë të zakonshme studentore. Është i vetmi rebelizëm i imi i asaj kohe. Ose kundërpërfytyrimi im i parë. Kishin filluar të mos më pëlqenin shumë poezitë romantike dashurore që lexoja. Mendova se edhe dashuria, së bashku me poezinë duhet të zbrisnin në tokë.

Kadare, Agolli, Arapi – krahasuar edhe me ju keni shkruar poezi për një popull të tërë. A mund ta ketë poezia si qëllim historinë?

Kadare, Agolli dhe Arapi nuk janë të universitetit tim. Kadareja është që në vogëli posedues i madh i veprës shekspiriane si Makbethi, si thotë edhe vetë.

Agolli posedon veç të tjerash, baltën e fushave, sepse më e ëmbël për të është balta se mjalti. Arapi posedon detin, si të jetë Poseidoni. Të tre janë posedues të mëdhenj, prandaj ndoshta respektohen shumë dhe e meritojnë.

Por një grua nuk mund të jetë poseduese e madhe. Ajo pothuaj nuk ka asgjë. Ky është përfytyrimi i saj. Por në KUNDËRPËRFYTYRIM mund të thuash të kundërtën, që gruaja kërkon të ketë aq forcë dhe pushtet sa i duket sikur nuk ka asnjëherë ndonjë gjë të zotëruar…Dhe njerëzit e presin këtë kompleksitet, madje e mirëkuptojnë atë, dobësinë që e ka emrin grua. Pikërisht për arsye të këtyre mungesave të mëdha edhe unë kam ndjekur në poezi ndonjë forcë Teute, ose Parashqevi Qiriazi në konferencën e paqes të vitit 1918. Si pasojë kam gjetur disa shenja të popullit që i takoj. Por kjo është një gjendje e pafund. Kadare, Agolli, Arapi nuk do të mundoheshin kaq shumë për të shkruar historinë e tyre.

Shkrimtare e letrave dhe e kinemasë, skenariste. Si është selektuar në vetëdije ky raport?

Pse mos të themi në fillim se zakoni i grave për të treguar dhe shpjeguar ëndrrat, është shumë pranë botës së imazhit të kultivuar dhe të organizuar në një histori të gjallë…Imazhi poetik është gjithashtu shumë pranë, kur kërkon që shpjegimin ta japë tjetri si ndërthurje e botës objektive me atë subjektive. Ka kritikë që filmin “Lule të kuqe, lule të zeza” me skenar timin e quajnë një dramë poetike, ndryshe nga “Fletë të bardha”, që është më analitik, por kuptohet që nga titulli se përfshihet në një cikël të përbashkët afresk të periudhave që ndryshojnë jetën shqiptare. Të gjithë këto nuk mund të shprehen në poezi, ku adresimi nga shoqëria kalon te njeriu si individ, ndryshe nga kinematografia ku nga njeriu kalohet në jetën shoqërore. Vetmia komunikuese nga një anë, aq e fuqishme në poezi dhe prania e gjithanshme e tjetrit, si akt social i kinematografisë shprehin balancat më të domosdoshme të botës njerëzore. Unë kam pasur fatin e madh të gjendem mes tyre.

Je përkthyese e nobelistit Tomas Transtromer, në fakt kur sollët Perandoria e barit pati jehonë, edhe pse në shqip kemi pasur të përkthyer edhe nobelistë të tjerë. Pse ishte aq e veçantë ardhja e tij?

Pikërisht befasia e meditimeve të thella i duhej lexuesit shqiptar, ajo që disa e shpjegojnë me një lloj misticizmi Transtromer. Diçka shumë më e thellë shpirtërore, por e mbushur plot dritë. Transtromer ka një poezi të bukur për Henry Thoreau, që ne edhe tani nuk e njohim mirë.

A  e përligj mungesën tuaj prej një dekade vëllimi i sapodalë në treg “Kundërpërfytyrimi”? Pse e keni quajtur të tillë, çfarë idesh, mendimesh vesh?

Nuk e di nëse e përligj, por shpresoj. E di se përfytyrimet dhe kundërpërfytyrimet janë në gjendje të lidhin me njera tjetrën gjithçka të kësaj bote, veprimin me kundërveprimin, shkakun me pasojën, trupin me antikorpet.

*Ky artikull u botua në kuadër të projektit “Udha e Shkronjave

“Letra e ambasadorit shqiptar në 1994: Mos ia jepni ‘Nobel’-in Kadaresë, projektues i diktaturës”

$
0
0

kadare

Si është pritur letërsia e Kadaresë ka qenë tema mbi të cilën ka referuar prof. Bashkim Kuçuku në një konferencë me 40 studiues, mbajtur gjatë javës në Tiranë. Profesori dhe studiuesi është ndalur në daljen nga botimi i disa prej veprave të shkrimtarit, duke shënuar se “horizonti i pritjes së veprës së Ismail Kadaresë, i përshkruar në mijëra artikuj, është tepër i larmishëm në gjuhë, letërsi e kultura të Europës, Amerikës e Azisë. Sot shpërfaqet në 45 horizonte pritjeje”.

LEXUESI I INDOKTRINUAR 
Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e organizuar nga Departamenti i Letërsisë në UT, Kuçuku tha se lexuesi i Kadaresë nuk ishte i lirë dhe i pavarur, por, i mësuar dhe i detyruar të kishte ndjeshmëri dhe të ishte i disponueshëm ndaj krijimtarisë së dalë nga metoda e realizmit socialist, e, njëherësh të ishte mospranues ndaj çdo zgjedhjeje tjetër, e ndryshme nga ajo zyrtare. Për Kuçukun, ky ishte horizonti i indoktrinuar i pritjes, që ushtronte trysni mbi autorin. Ai vuri në dukje se matanë, ishte një lexues tjetër, i lirë dhe i pavarur, që para ideologjisë pëlqente dhe çmonte letërsinë, idetë çliruese dhe emancipuese.

“Lexuesi i indoktrinuar, më masivi, ishte me prejardhje nga shtresat shoqërore e kulturore më të ndryshme, të quajtura popullore, që nuk mund ta kuptonte letërsinë, veçse në varësi e në shërbim të sistemit politik. Mendimi i tij mospranues shndërrohej në veprimtari të hapur propagandistike, me gojë dhe me shkrim, në tryeza miqsh e kolegësh, në institucione, në gazeta e në revista, si dhe nëpërmjet kanaleve zyrtare me letra ankimi e denoncimi, me emër dhe pa emër, vetjakisht dhe me grupe. Kërkesat ishin për ‘përmirësimin’, ose, ndalimin e veprës, dhe, në perspektivën/ardhshmërinë më të afërt, shndërrimin e autorit në një shkrimtar të tjetërsuar, që të krijonte sipas gjedhës së realizmit socialist”.

PSIKO-PATOLOGJIA SHOQËRORE 

Duke analizuar arsyet e kësaj turrjeje, herë prej shmangies së realizmit socialist, e mandej prej të qenit brenda realizmit socialist, Kuçuku, duke e cilësuar si polici shkrimore, më parë të fshehtë dhe tani të hapur, shprehet se shpesh kanë shpërthyer subjektivizmat e një vetëdijeje të sëmurë, pasojë e kompleksit të inferioritetit prej ambicies, smirës, mohimit, dëshirës për shkatërrimin e vlerave. “Është një psiko-patologji shoqërore, që bart/transferon shformimet dhe mungesat e tyre të llojllojshme mbi ngrehinën intelektuale-shpirtërore më të lartë e më të madhe të kohës, sepse, pikërisht në pasqyrën e saj, secili në fushën përkatëse, e sheh veten të paaftë, fare të vogël e të papërfillshëm”, tha Kuçuku.

Ai shtoi se kjo dukuri nuk shpjegohet vetëm me burime psikologjike, por edhe me interesa shoqërore e politike, të mbulimit a të përligjjes së prapësive të djeshme, të kuptimit të lirisë, të përjetimit të letërsisë, të përshkuara nga mendësia e terrorit shkrimor policesk. Në këtë pikë, Kuçuku vërejti se “është e përhapur në lexues të thjeshtë, profanë të letërsisë, që, në ‘studimet’ e tyre, mbahen për specialistë, në intelektualë me kulturë, sociologë, gazetarë, profesionistë të fushave të paidentifikuara, punonjës të institucioneve shtetërore të rëndësishme, dhe, më lart, ndonjë diplomat, sikurse ka qenë rasti i ambasadorit Kokalari në Suedi (1994), i cili, në takime zyrtare me të huajt e paraqiste Kadarenë projektues të diktaturës, madje me nxitjen e tij iu drejtua edhe një dosje Akademisë së Stokholmit për të mos i dhënë Nobelin, një keqdashje e pangjarë në botë nga vetë vendi i shkrimtarit.

Nuk ka qenë pa lidhje me këto, së paku, nga trysnia e tyre, edhe heshtja e Presidentit të Shqipërisë për ftesën e Akademisë Morale dhe Politike të Francës për të marrë pjesë në ceremoninë e pranimit të Ismail Kadaresë anëtar i saj (1996), ku, në respekt të protokollit shekullor, është i pranishëm presidenti, ose, mbreti i vendit përkatës. Heshtja dhe mungesa e tij u kuptua prej saj si mospranim dhe pengesë”.

TIRAZHET MBROJTËSE 
Pas akuzave të mësipërme, Kuçuku theksoi se busull drejtimi i shkrimtarit për të dalë nga ky labirint, përveç bindjes së tij të patundur, ka qenë lexuesi i lirë dhe i pavarur i brezave radhazi. Ai shtoi se nxitja e mbrojtja e Kadaresë, më shpesh e pashkruar në gazeta dhe e pashqiptuar në forume institucionesh, është mishëruar në tirazhet e botimeve.

Sipas Kuçukut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në gjashtë botimet e Tiranës, deri më 1990, arriti tirazhin 58.000 kopje; ndërsa “Dimri i vetmisë së madhe”, pavarësisht kritikave, që u mbyllën me urdhër nga lart, në katër botimet e tij, doli në 70.000 kopje. “Koncert në fund të dimrit/ Koncerti”, në dy botimet, arriti 50.000 kopje e sipas Kuçukut, më i kritikuari “Pallati i Ëndrrave”, nga stratagjema që përdori autori për ta botuar, arriti të dalë tri herë në 40.000 kopje, të cilat, edhe pse u ndalua, kaluan dorazi. Ky ishte tuneli me dritë në fund, që, përmes labirintit të horizontit tjetërsues të pritjes, e nxori në horizonte pritjeje në gjuhë të huaja, me liri. Studiuesi, thotë se “Për daljen e ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’ pati 5 shkrime, 4 në Tiranë dhe një te ‘Shejzat’ në Romë.

Në frëngjisht, duke përfshirë edhe njoftimët dhe emisionet në TV, rreth 50; në gjermanisht mbi 52 (36 botimi i parë; 16 botimet e viteve 2000). Për ‘Koncert në fund të dimri/Koncerti’, që u end pesë-gjashtë vjet sa nga redaksia, në aparatin e KQsë, në duar të udhëheqjes së lartë të Partisë me shënimin me bojë të kuqe për të mos u botuar, se ishte me gabime të rënda ideologjike, se ishte “një satirë dhe përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë e tij”, kur doli, në shqip, u përcoll me 8 shkrime; në frëngjisht me mbi 62″, thotë profesori. Kuçuku, shënon se në shkrimin që njofton për fituesin, ka dhe përcaktime si: “Ky roman i ngjeshur bashkon të gjitha cilësitë që i kanë dhënë autorit të tij një interesim/audiencë botërore: notat epike/thekset epike (Gjenerali i ushtrisë së vdekur), frymën e poezisë, përsiatjen për mjeshtërinë e shkrimtarit (Muzgu i perëndive të stepës), frymëzimin historik të ndërthurur me intrigën policore ose të spiunazhit (Kush e solli Doruntinën?, Dosja H). Pa marrë parasysh, që, këtë here, i nobelueshmi i Ballkanit na jep një version shqiptar të Makbethit, rishikuar dhe korrigjuar prej Oruellit, Jarri-së dhe Gogolit!” (Lire, janvier, 1990).

Ndërkaq, për ‘Pallatin e Ëndrrave’, Kuçuku thotë se përveç kritikës së rëndë në Referatin e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtareve dhe të Artistëve në plenum, si dhe kërcënimit të një udhëheqësi të lartë, nuk pati asnjë shkrim deri në fund të viteve 1990. Nga ana tjetër, profesori thotë se shtypi francez për herë të parë mbrojti shkrimtarin nga kritikat institucionale në Shqipëri. Gazeta “Le Monde” me titullin “Sulme të ashpra/forta kundër Ismail Kadaresë’ dha njoftimin dhe shpjegoi arsyet e sulmit. “Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i famshëm/më i dëgjuar është sulmuar ashpër/me zemërim dhe për një kohë të gjatë në punimet e plenumit të fundit të Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptare/ Shqipërisë…..veçanërisht për ‘trajtim subjektivist të elementeve historike dhe përdorimin arbitrar të legjendave të vjetra shqiptare…”.

Nga ana tjetër, në revistën “Le Point” me titullin ‘Lexoni Kadarenë’ sqarohet se, “trajtimi subjektivist i elementeve historike është pothuaj si ai i Stendalit me fushatat napoleoniane, por në vendin e marksizëm-leninizmit absolut/ kategorik një gabim i tillë e vë talentin në mes të udhës midis tradhtisë dhe sabotimit ekonomik… Liria e tij është në rrezik…Nëse gjithçka do shkojë keq, ai më në fund do të lexohet në Perëndim, siç e meriton… Sepse, nëse disidenca ka shumë mungesa, duhet ditur se, ajo, ka privilegjin e tirazhit… Tani, do të duheshin, ndoshta, peticione, mbledhje, ose një manifestim, por gjithë ky agjitacion do të duhej të përmblidhej në një parullë të vetme politike: lexoni Kadarenë.” (Jean-Francois Fogel Lisëz Kadare, Le Point, 7-13 juin, 1982).

Një vit më pas, shkruan Kuçuku, kur shkrimtari shkoi në Paris, në gazetën “Le Quotidien de Paris”, gazetarja, ngaqë nuk është e kënaqur me përgjigjet, shkruan: “Ismail Kadare në liri i vetëmbikëqyrur”, që është përfundimi kryesor i saj, del nga vetë biseda. Në pamundësi për të thënë të vërtetat, ai e minimizon kritikën që i është bërë, duke sofistikuar, se si në Francë, edhe në vendin e tij, kritika ndaj shkrimtarëve është normale, e zakonshme… Nervozohet dhe nuk dëshiron t’i përgjigjet pyetjes për lirinë e shkrimtarëve, për censurën në Shqipëri etj. Prandaj, gazetarja shton: “Merret me mend, ai nuk thotë më shumë nga ç’duhet”. (Ismail Kadare en liberte auto-surveillee, propos recueillis par Laurence Cosse, Le Quotidien de Paris, 26-27 mars 1983)./GSH/

Marjana Kondi rrëfen puthjen me Robert Ndrenikën: Ja skenat

$
0
0

Marjana Kondi, aktorja e dashur e ekranit dhe teatrit shqiptar u shfaq sot në mbrëmje në premierën e filmit “Rrokullisje”, me regji dhe skenar të Leka Bungos, një film në të cilin trajtohet historia e fajdeve të vitit 1997.

Kondi vjen në këtë film krah aktorit të madh shqiptar, Robert Ndrenika, për bashkëpunimin me të cilin vetë ajo shprehet shumë entuziaste. “Jam shumë e lumtur nga ky bashkëpunim i parë me Robert Ndrenikën. Puna me një profesionist si ai është më shumë se e thjeshtë. Kemi qëndruar aq shumë bashkë gjatë xhirimeve dhe kam njohur çdo dimension të atij artisti, sa më vjen keq që nuk jemi njohur nga afër më parë”,- shprehet Marjana, e cila edhe aktualisht po punon për një shfaqje teatri me aktorin Robert Ndrenika.

Sa i takon rolit, Marjana, magjia e ‘show’-t televiziv, thotë se e ka gjetur shumë mirë veten në të dhe kjo është meritë e regjisorit dhe skenaristit Leka Bungo, me të cilin nuk është hera e parë që bashkëpunon. Ajo i kujton si tani kohët e bashkëpunimit me të në teatrin e estradës dhe thotë se ndihet shumë e lumtur që asgjë nuk kishte ndryshuar në profesionalizmin dhe korrektesën e mikut të saj të vjetër. Kondi do të shfaqet në një nga skenat e filmit duke u puthur me aktorin Ndrenika, por megjithëse mund të tingëllojë si e vështirë, kjo skenë është realizuar me vetëm një dubël.

“U befasuam të dy dhe e kemi përmendur gjithnjë me të qeshura në sheshxhirim atë skenë”, – shprehet ylli i kinematografisë dhe teatrit. Kjo ndoshta sepse të dy i kanë provuar të gjitha gjinitë e artit, si atë komike, ashtu edhe atë dramatike. Filmi “Rrokullisje” është xhiruar nga RTSH me drejtor fotografie Nard Qëndron dhe në të luajnë aktorë të njohur si Robert Ndrenika, Bujar Asqeriu, Marjana Kondi, Viktor Zhusti, Karafil Shena, Eglantina Cenomeri, etj.. Premiera e tij do të bëhet sonte në mbrëmje në kinema “Millenium”.

Fotot provokuese të artistit që po trondit shoqërinë moderne

$
0
0

Imazhet grafike të artistit kurajoz spanjoll Luis Quiles kanë trazuar jo pak kritikët e artit kohët e fundit. Ai jep anën tjetër të shoqërisë së sotme duke goditur fenomene që i quan “civilizmi modern”.

Grafikat e tij godasin dhënien pas parasë dhe neglizhencën ndaj varfërisë.

Lazër Filipi: Si mund të lexohet Teatri në diktaturë

$
0
0

lazer-filipi-2Në mjediset e Teatrit Kombëtar, dje janë mbajtur homazhe në nder të aktorit të mirënjohur Lazër Filipi, i cili ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare. Familjarë, miq, të afërm dhe kolegë morën pjesë në këto homazhe. Aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Lazër Filipi, u nda nga jeta mbrëmjen e së premtes në moshën 95-vjeçare. Gjatë karrierës së tij, artisti interpretoi 80 role në teatër dhe kinematografi, duke lexuar përmes tij një histori teatri nga diktatura

Në mjediset e Teatrit Kombëtar, dje janë mbajtur homazhe në nder të aktorit të mirënjohur Lazër Filipi, i cili ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare. Familjarë, miq, të afërm dhe kolegë morën pjesë në këto homazhe. Aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Lazër Filipi, u nda nga jeta mbrëmjen e së premtes në moshën 95-vjeçare. Gjatë karrierës së tij, artisti interpretoi 80 role në teatër dhe kinematografi si: Vasili, Truviçi, Dobçinski, xha Shazua, Gjica, Ksanti, Klarku e të tjerë.

Filipi njihet për pasionin në interpretimet e shumë filmave artistikë si dhe në teatër, duke i dhënë publikut një galeri të tërë rolesh, prej të cilave shumica janë luajtur nën diktaturë.

Por, Lazër Filipi shënohet për kontributin në themelimin e Teatrit profesionist shqiptar. Bashkë me plejadën që nisën me një farë romantizmi teatrin në Shqipëri, Filipi është një nga personazhet e brezit të parë në teatër. Lazër Filipi lindi më 7 shkurt 1921, në katundin Shirq të Bregut të Bunës, në Shkodër. Kur ishte fare i vogël, familja e tij u vendos në qytetin e Shkodrës, ku kreu edhe shkollën fillore “28 Nandori”. Në vitin 1938 ai u vendos në Tiranë, ku kaloi rininë dhe më pas u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Pasi doli në ilegalitet u bë pjesë e Brigadës së 27- të. Gjatë luftës, në vitin 1943, në çetën Krujë-Ishëm ka interpretuar rolin e tij të parë, atë të Lekës, në dramën “Vdekje Fashizmit-Liri Popullit” të Aleksandër Banushit.

Pas Çlirimit nisi jetën teatrore si aktor profesionist në Teatrin Popullor, me premierën e parë të këtij teatri, “Topazi”, të Marcel Panjol, në rolin e kryeshërbëtorit, më 30 maj 1945. Më tej ndoqi studimet e larta për aktor në Zagreb dhe më pas në Akademinë e Arteve në Pragë, ku edhe u diplomua. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, Lazër Filipi bashkohet me lëvizjen antifashiste për të luftuar armikun. Gjendja e mjeruar e Shqipërisë në ato vite bëri që edhe veprimtaritë e shoqërive kulturore të ishin më të pakta.

Kështu, krijimi i grupeve teatrale-artistike amatore brenda çetave apo lëvizjeve nacionalçlirimtare dhanë një ndihmë të madhe në këtë aspekt. I tillë është edhe krijimi i Teatrit të Rinisë Antifashiste, në vitin 1943, me të cilën Lazër Filipi interpretoi rolin e tij të parë në pjesën “Kryengritje Shqiptare”, shfaqur në More të Krujës dhe vënë në skenë nga Kolec Ilia.

Pas Kongresit të Përmetit, 24-28 maj 1944, krijohet grupi teatral “Grupi i Priskës”. Kjo trupë vuri në skenë disa pjesë; “Partizani”, “Burgu” dhe “Nëna” e shkrimtarit Fatmir Gjata. Lazër Filipi është një ndër më aktivët e këtij grupi, ku nuk mungojnë edhe figura të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, si Naim Frashëri “Artist i Popullit” etj.

Pas mbarimit të luftës, krahas angazhimeve në trupën teatrale, Lazri ndoqi studimet për dramaturgji. Në vitin 1947 vijon studimet për aktor në Zagreb (Kroaci) por, si pasojë e prishjes diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, detyrohet t’i ndërpresë. Më pas këto studime i vazhdon dhe i përfundon në vitin 1950 në ish-Çekosllovaki (që nga viti 1992 e ndarë në dy shtete; Republika Çeke dhe Republika Sllovake).

Mbasi mbaron studimet kthehet në Atdhe. Me përvojën e fituar në vitet e rinisë dhe me një pjekuri artistike të zgjeruar gjatë studimeve, Lazër Filipi i kthehet publikut me një galeri të tërë rolesh, që do ta bëjnë atë një ndër aktorët më të dashur në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqiptare. Ndër interpretimet që mbesin të paharruara në kujtesën e artdashësve janë: Babai i Ofelisë në dramën “Hamleti” të Shekspirit, xha Shozi në dramën “Familja e peshkatarit” të Artistit të Popullit Sulejman Pitarka, Klarku në dramën “Arturo Ui” të poetit dhe dramaturgut gjerman Bertold Brecht, Lenini në dramën “Orët e Kremlinit” të shkrimtarit rus Nikolai Podovin, etj. Të shumta janë rolet e Lazër Filipit edhe në kinematografi. Ai është ndër aktorët që ka interpretuar në filmin e parë tërësisht shqiptar “Tana”, në vitin 1958. Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si: xha Demiri në filmin “Fortuna”, Ropi në filmin “Kapedani etj.

Edhe pas daljes në pension, në vitin 1977, Lazër Filipi vazhdoi angazhimet në teatër dhe kinematografi. Në vitin 1991 krijon trupën teatrore “Tirana”. Me këtë trupë interpreton në disa drama: “Ali Pashë Tepelena”, “Fati i një refugjati”, “Napoleon Bonaparte” etj.

Në vitin 2004 interpreton me trupën e Teatrit Kombëtar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulaha. Lazër Filipi është nderuar me disa tituj dhe çmime: Çmimi i Parë i Republikës për interpretimin e rolit të Leninit në dramën “Orët e Kremlinit”, në vitin 1957; Çmimi Special për interpretimin e rolit Shaqo Bregu në filmin “Në fillim të verës”, në vitin 1976.

 

Personazhe dhe lojë

Interpretime në teatër: Kryengritje Shqiptare (1943), Partizani (1944), Nëna (1944), Burgu (1944), Topazi (1945), Dashnori Gjido (1945), Rrugaçi (1945), Martesa (1946), Çështje familjare (1956), Orët e Kremlinit (1957), Mashenka (1958), Hamleti (1960), Dhelpra dhe rrushtë (1961), Zonja e Bujtinës (1962), Qeni i kopshtarit (1963), Banorët e shkallës nr.6 (1963), Tre ditët e kjametit (1964), Roje nën llampat e neonit (1965), Ljubov Jarovaja (1965), Përkolgjinajt (1966), Cuca e maleve (1967), Heronjtë e Linasit (1968), Shokët (1969), Arturo Ui (1971), Sinjali i kuq (1973), Prefekti (1973), Familja e Peshkatarit (1974), Ali Pashë Tepelena (2003), Streha e të harruarve (2004), Napoleon Bonaparti (2005) etj.

Si regjisor: “Heronjtë e Linasit” e Sulejman Pitarka. Asistent regjisor: “19 ditë” e Fadil Paçrami. Skenarist: “Dashuria që u mbijetoi flakëve”, “Nënë Tereza”.

Interpretime në kinematografi: Tana (1958), Fortuna (1959), Oshëtimë në bregdet (1966), Përse bie kjo daulle (1969), Ndërgjegjja (1972), Kapedani (1972), Shpërthimi (1974), Në fillim të verës (1975), Pylli i lirisë (1976), Shembja e idhujve (1977), Këshilltarët (1977), Nusja (1980), Një emër midis njerëzve (1983), Koha nuk pret (1984), Në emër të lirisë (1987), Misioni përtej detit (1988), Balada e Kurbinit (1989), Enigma (1991), Tradhti bashkëshortore (2000), Ne dhe Lenini (2009) etj.

Filarmonia e Vjenes: Nuk ka koncert më 2 Janar në Tiranë

$
0
0

Prej ditësh publiku shqiptar është njohur me lajmin e koncertit të Vjenës në Tiranë. Të paktën ky ishte termi i përdorur nga Kryministri Edi Rama në njoftimin e parë që bëri për këtë event në Shqiperi.

d538836b-796e-49d6-a7be-7d2434f02133

Ndërsa vijoi me foton e radhës së gjatë të njerëzve të interesuar për biletat, Kryeministri nuk hezitoi madje të debatonte me komentuesit për mungesën e biletave dhe cilësinë e koncertit. Por, nëse Edi Rama u tregua i kujdesshëm në terminologjinë e përdorur “koncerti i Vjenës”, sponsorët dhe organizatorët e quajtën atë “Koncerti i Asamblit të Filarmonisë së Vjenës” . Gjë që shihet qartë dhe në foton e posterit të këtij eventi.

b438a915-deef-4a0a-bb56-86dec6ed4461
Nisur nga këto paqartësi, Opinion.al komunikoj zyrtarisht me Filarmoninë e Vjenës. Në e-mailin e parë zyrtar, zyra e shtypit sqaroi se koncerti i parë i kësaj filarmonie do të jetë në datën 16 janar. Por pas këmbënguljes sonë për më shumë detaje lidhur me koncertin e paralajmëruar në Tiranë, përgjigja mbërriti nga drejtori i përgjithshëm i Filarmonisë së Vjenës. Siç dhe shihet qartë (për anglishtfolësit) CEO i Filarmonisë konfimon për Opinion.al se orkestra e Vjenës nuk do të luajë në Tiranë në datën 2 Janar.

8f1ed03d-c515-405f-bcc2-cf29aff64817
Por, ai sqaron më tej se çdo përdorim i emrit apo markës “filarmonia e Vjenës” duhet të jetë i autorizuar nga drejtuesit. “Ne do ta konsiderojmë seriozisht këtë informacion për të ndërmarre hapat e duhur” – përfundon përgjigja që CEO e Filarmonisë së Vjenës i ka dërguar kryeredaktores së Opinion.al.

Libri i Stefan Çapalikut: Secili çmendet simbas mënyrës së vet

$
0
0

stefani-capalikuNë Shqipëri të paktën, ende botuesi nuk është i besueshëm, një institucion që t’i garantojë lexuesit cilësinë e librit për të mos e zhytur në dilema. Ja për shkak të çmimit të lartë që vazhdojnë të kenë librat, ja për bestsellerët e panatyrshëm që ngrihen brenda javës. Përveç në raste të rralla, dhe këto për autor të konfirmuar. Këtë hyrje e ndoqëm për shkak se dje, me një shpejtësi rrufe nëpër rrjetet sociale është hapur fjala e botuesit të “Gjergj Fishta”, që ushtron aktivitetin në Lezhë, mbi një roman të ri të Stefan Çapalikut

Dramaturgu për herë të parë në një roman të ri, me një libër autobiografik, si dëshmi për trupin, shpirtin dhe mendjen e qytetit të tij, Shkodrën

Në Shqipëri të paktën, ende botuesi nuk është i besueshëm, një institucion që t’i garantojë lexuesit cilësinë e librit për të mos e zhytur në dilema. Ja për shkak të çmimit të lartë që vazhdojnë të kenë librat, ja për bestsellerët e panatyrshëm që ngrihen brenda javës. Përveç në raste të rralla, dhe këto për autor të konfirmuar.

Këtë hyrje e ndoqëm për shkak se dje, me një shpejtësi rrufe nëpër rrjetet sociale është hapur fjala e botuesit të “Gjergj Fishta”, që ushtron aktivitetin në Lezhë, mbi një roman të ri të Stefan Çapalikut. Fjalët tregojnë përmbajtjen, por dhe pritshmërinë që mund të marrë lexuesi nga një libër i mirë, e sidomos i një autori që lidhjet më së shumti i ka me dramaturgjinë dhe teatrin.

Mjaftojnë ata pak rreshta për të marrë ndoshta edhe rrugën për në Shkodër, në ditën kur bëhet promovimi i librit, të shtunën në mjediset e Teatrit “Migjeni”.

Romani ka një titull absurd, ironik: Secili çmendet simbas mënyrës së vet, dhe lidhet me qytetin e autorit, Shkodrën përgjatë një periudhe njëzetvjeçare.

Kopertina është ura tërheqëse për të lënë estetikën e veprës të hapur që nuk krijon ndonjë mëdyshje me lëndën e romanit. Një djalosh i vogël, hipur mbi biçikletë në një rrugicë me kalldrëme të vjetër, me ironinë e kohës ndër buzë…që ka pas shpine një mur të lartë, dhe një portë të madhe, po të vjetër. Ndërsa për romanin në shënimin e tij, botuesi i “Gjergj Fishtës”, Fran Kulli, ndalet: “Dy gozhdët, që mbajnë të tërhequr litarin e ngjarjeve, janë ngulur në vitin 1967, kur Shqipërinë e shpallin shtet ateist dhe në vitin 1985, kur vdes ai që e shpalli. Brenda këtyre dy ngjarjeve të forta, që përcaktojnë edhe segmentin më të ashpër dhe fanatik të komunizmit shqiptar, nxjerr krye një ngjarje tjetër, në dukje e vogël, që është ardhja e televizorit në shtëpinë e vendosur në qendër të romanit. Ardhja e kësaj kutie magjike, tamam në çastin kur Shqipëria po kthehej në një ishull të shkretë e të pashpresë, e ndan romanin në tri pjesë: Para (ardhjes së televizorit), Gjatë (koha kur nëpërmjet televizorit shikohej bota) dhe Mbas (koha që vjen pas vendosjes së zhurmuesit)…”.

Romani nis tregimin kur jashtë po shkatërroheshin institutet e religjionit dhe brenda po lindte një institut i ri besimi, që ishte televizori, media. Ai i vë fre kallëzimit në kohën e realizimit të ëndrrës së diktatorit, vdekjes së tij në shtrat. “Veçanërisht gjatë viteve të shndërrimit të shtëpisë së rrëfimtarit në një kinema, kemi rastin të njihemi nga afër me karakteret, të cilat qyteti bujarisht ia ka dhuruar kujtesës së autorit”. Ky lexohet si një roman autobiografik, si një dëshmi letrare e trupit, shpirtit dhe mendjes së qytetit përgjatë një prej lëngatave të tij më të pashpresa.

Botuesi thotë: “Letërsia shqipe e derimëtashme na e ka përcjellë komunizmin ose nëpërmjet “heronjve” që i vërdalloseshin Bllokut ose përmes Heronjve që ngujoheshin burgjeve. Ky nuk është as romani i heronjve ndër thonjëza, e as romani i heronjve me H të madhe…”

Çapaliku në këtë përfytyrim të paradokseve mbi jetën e imazhit që vepron në psikën shqiptare, ka një lëndë të hershme me skenën. Ndër të vetmit dramaturgë që i reziston shkrimit, dhe bëhet bashkëkohës për shqetësimet që kalon mbi një karakter personal, në gjuhë ironike, mes absurdit dhe realizmit. V.M

 


Filarmonia e Vjenës në Tiranë, ambasada austriake zbulon të vërtetën

$
0
0

koncerti-i-vjenes-1-570x321

Pas debateve të shumta që solli lajmi i kryeministrit Edi Rama se më 2 janar koncerti i Vjenës vjen në Tiranë, ambasada austriake e ka parë të udhës të bëjë një sqarim dhe të zbulojë të vërtetën.

Amabasada austriake deklaron se në datën 2 janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë, anëtarë të “Ansamblit Filarmonik të Vjenës”, anëtarë dhe ish-anëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë.

Po kështu ambasada jep detaje edhe për sponsorët e këtij aktiviteti. Sipas saj Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me AGE Art Production ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të Ambasadës Austriake në Tiranë.

DEKLARATA E PLOTË E AMBASADËS SË AUSTRISË NË TIRANË
Të nderuar zonja dhe zotërinj, të nderuar miq të muzikës klasike, pas paqartësive të shfaqura ditët e fundit në lidhje me “Ansamblin Filarmonik të Vjenës” dhe “Filarmoninë e Vjenës”, dëshirojmë të bëjmë disa sqarime mbi koncertin e datës 2 Janar në Tiranë.

Në datën 2 Janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë të renomuar nga Vjena. Ky grup përbëhet nga anëtarë të “Ansamblit Filarmonik të Vjenës”, anëtarë dhe ish-anëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë.

“Ansambli Filarmonik i Vjenës” është themeluar në vitin 2013 me iniciativë të Shkëlzen Dolit, anëtar i Filarmonisë së Vjenës. Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me AGE Art
Production ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të Ambasadës Austriake në Tiranë.

Një pjesë e madhe e biletave iu shit qytetarëve të interesuar në sportelin e pallatit të kongreseve si dhe online. Një pjesë tjetër iu shpërnda sponsorëve. Gjithashtu ndër të tjerash një pjesë e biletave iu dedikua grupeve me aftësi të kufizuara dhe studentëve të ekselencës.

Duke qenë se interesi ishte shumë i madh, vetëm një pjesë e vogël prej tyre arriti të mbetej e kënaqur me sigurimin e një bilete. Për këtë lutemi për mirëkuptimin Tuaj.

Dëshirojmë të theksojmë, se një pjesë e të ardhurave të mbledhura nga shitja e biletave do të shkojë për bamirësi, konkretisht për Fshatin SOS në Shqipëri. Gjithashtu koncerti do të transmetohet live në Radio Televizionin Shqiptar. Dëshirojmë t’ju urojmë një fillim viti të mbarë dhe t‘ju përcjellim të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve urimet më të mira në këto ditë festash. Ambasada Austriake Tiranë.

Visar Zhiti në Vatikan: Poezitë e dhimbjes me 10 vizatime nga Atjoni

$
0
0

1-Atjoni-studentNë dyvjetorin e ndarjes nga jeta të Atjon Zhitit, i ati, shkrimtari Visar Zhiti në një botim në italisht me 10 poezi të shoqëruara me 10 vizatime nga i biri. Një libër i veçantë që dëshmon për një forcë poetike ku liria dhe dhimbja vazhdojnë të shprehin shqetësimet e kohës duke u vendosur në prezantimin e kritikut  të artit, Ennio Grassi

Visar Zhiti me një botim të dhjetë poezive në italishte, si një “rrëfim në altar”, shumë prej tyre krijuar brenda mureve të Vatikanit, të shoqëruar me dhjetë vizatime të reja të të birit, Atjonit. Ky botim vjen në dy vjet të ndarjes nga jeta të të birit të shkrimtarit nga një aksident tragjik. Libri hapet me poezinë Ku është jeta? ashtu edhe quhet, si një dorëzim i parë, të paidentifikuar unin-poetik, me kundërvënien njëri-jetë. Është një meditim mbi jetën i shkrimtarit, në raportet kur njeriun nuk e zë vetja, që kërkon kujtesën në përpjekjen e betejës për t’ia mposhtur dhimbjen, trishtimin e humbjen. Bëhet si një himn i trishtë kjo poezi, aty ku zë cikli, zanafilla mbi një kuptim të madh për të mundurën. Është një frymëzim i shkruar në Santa Rita, të gjitha poezi të shkruara brenda këtij viti. “Mermer” është poezia në dy kohë, në dy shkëmbime përjetimesh ekstreme nën mendjen e ndarë tashmë nga dhimbja e humbjes. Zhiti nuk është i drejtpërdrejtë dhe ngjan sikur leximin e kërkon personal te çdo njeri që do të kërkojë për të çliruar shpirtin ashtu siç po ndodh me të. Kundrimi i fatit të errët, asaj që quhet humbje, ndarje duke kërkuar në një botë tjetër veten e dytë, Zhiti gjen përshtatjen hyjnore. Te poezia “Aleluja” e shkruar në meshën e Shenjtë, në Vatikan më 5 qershor 2016, poeti është i drejtpërdrejtë në një trajtë tjetër shpirtërore… Pothuaj e gjithë krijesa është një “bisedë” e poetit me të birin, që kthehen gati hyjnore në këtë përballje të re me dhimbjen. Qëndresa në Vatikan si duket i ka “diktuar” një pamje tjetër të jetës. Autori pranon dhimbjen që vjen nga lart, duke gjetur ngushëllim si në vargjet e fuqishme biblike që konfigurojnë dhimbjen e kryqëzimit, atë që është provuar një herë midis atit dhe birit, Zotit dhe birit, Krishtit. Edhe vizatimet që shoqërojnë të gjitha poezitë, të dhjeta mbajnë të njëjtën gjendje, dhimbje, edhe aty ku mungon kryqi Zhiti poet krijon figurën e vitngjarjeve si shenjë lutje e përjetshme. Kritiku i artit, Ennio Grassi vihet përballë dy gjendjeve, midis të birit në vizatime e ngjyra, dhe poetit Visar Zhiti duke prezantuar këtë të fundit si një nga zërat më të fortë e më të njohur të poezisë evropiane në “kalërimin e këtyre dy mijë vjetëve; epokë shqetësimesh, tragjedish kolektive, skenaresh globale të rrëmujshëm e torturues. Dhe koha e parë e biografisë së Zhitit iu përket fragmenteve poetike të një stine dramatike, e jetuar në gulagun shqiptar të Enver Hoxhës, pas një dënimi në fund të viteve ’70, i pësuar nga që kishte dashur të botonte një përmbledhje poezish, tashmë të humbur, aspak bindëse për diktatet e një regjimi që ia kuptoi fuqinë subversive të fjalës poetike, që kur ai ishte i lirë e donte ‘të shpikte’ jetë”. “Pas botimit të ‘Confessione senza altari’ (Rrëfim pa altare”), 2012, dalin tani në formën e një këngë dhimbjeje, këto dhjetë poezi të përbashkuara me titullin “Dov’è la Vita?” (Ku është Jeta?”), përkthyer nga Elio Miraço; partitura të një requiemi, që, në kërkimet absolute të sensit të jetës dhe të vdekjes, me një dialog nën zë me Atjonin, (vizatimet e të birit shoqërojnë dhjetë stancat e poemës), shpaloset nevoja për ta “gdhendur” sërishmi dritën, përgjatë dhe përtej një drame. Të një jete që di t’i mbajë së bashku, me fjalët e një poezie, të asaj që duket dhembshurisht e pangjashme: “(…)Si mund ta gdhendësh dritën?/ Me ç’daltë apo me thonjtë e shpirtit/si një i burgosur?”, shkruan Grassi.

Rekord në Amsterdam: ‘Marubin’ e vizitojnë 54.600 persona

$
0
0

Që kur kryeministri Edi Rama postoi një foto nga radha e gjatë për të hyrë në ekspozitën “Marubi” në Amsterdam, dihej që do ishte një sukses.

Disa nga mediat më të njohura në Europë kanë shkruar për ekspozitën në Muzeun e Fotografisë në Amsterdam, FOAM.

Por tani vjen lajmi se për dy muaj, ekspozita është vizituar nga 54.600 persona.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi e quajti këtë ekspozitë në hapjen e saj “jo vetëm një faqe e pasaportës sonë kulturore, por mbi të gjitha një ftesë për të vizituar Shqipërinë, sepse pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur”.

Lajmin për 54.600 vizitorë e jep kuratorja Kim Knoppers, duke njoftuar se vetëm në dy muaj ekspozim (16 shtator-27 nentor) “Dinastia Marubi” ishte në vëmendje të publikut hollandez dhe të huaj, njëherësh pjesë e shtypit vendas dhe të huaj si Financial Times, BBC, British Journal of Photography, LFI News, Tages Anzeiger, Photojournalism now, The Calvert Journal, Villa d’Arte, etj.

Kjo ekspozitë prezantoi rreth 300 imazhe të përzgjedhura nga kuratorja e njohur Kim Noppers në bashkëpunim me Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.

Poeti sirian: Po studioja…kur plumbi përshkoi trupin

$
0
0

ghayath-almadhoun-fotooo-e-bukurPoeteka Albania përshpirtje për tragjedinë në Aleppo; rasti i reagimit të Czeslaw Milosz mbi luftërat dhe diktaturat u shndërrua mbrëmë në mjediset e “Heminguej” për të reflektuar në një bashkëbisedim shkrimtarësh, studiuesish e përkthyesish, me moderimin e Arian Lekës. Të pranishëm Dom Gjergj Meta, Edmond Tupja, Agim Baçi, Mira Meksi, Sokol Çunga etj., duke zbuluar dhe disa poezi nga Jevtushenko për Shqipërinë

Nuk mund të rrimë pa reaguar për atë që po ndodh – thotë shkrimtari Arjan Leka – nuk ka pasur dhe nuk do të ketë krishtlindje më të përgjakura sa këto – nga një anë presim krishtin-fëmijë të lindë (Perëndimi i krishterë), nga ana tjetër varrosim fëmijë (bota myslimane).

Me këtë reflektim mbrëmë u mbajt një përshpirtje për tragjedinë e ndodhur në Aleppo. Në mjediset e bar “Heminguej”, shndërruar në një qoshk modest për kulturën, një grup shkrimtarësh, kritikë e përkthyes për një orë sollën poetin sirian Ghayath Almadhoun dhe si një kujtesë mbi luftërat dhe diktaturën Leka i referohet shkrimtarit Czeslaw Milosz, i cili ishte ndër të parët që vuri re se në pjesën më të madhe të asaj që shkruhej, publikohej, lexohej, përkthehej dhe promovohej, nuk përshtatej fare me jetën dhe me botën, në kohën mes luftërave dhe diktaturave.

“Këtë e kuptoi kur një plumb i kaloi para fytyrës dhe copëtoi gurët e kalldrëmit të tij. Rasti Czeslaw Milosz takon pas thuajse gjysmë shekulli poetin Ghayath Almadhoun…”, ndërhyn në tekstin e tij Leka, që ka moderuar mbrëmjen.

“Po studioja ndryshimin mes revolucionit dhe luftës, kur një plumb përshkoi trupin tim” – ka shkruar Gajat Almadun (Ghayath Almadhoun, poet palestinez, lindur në Damask, Siri në vitin 1979). Fjalia ishte për Aleppon.

Në këtë ndërthurje bisedash dhe  Leka thotë se zgjodhën titullin “Këtu flasim për poetikë”, pasi gjithë vitin është lexuar “Këtu nuk flasim për politikë”.

“Po ne e dimë se fjalërrënja e politikës është polisi – ‘qytet’, ‘komunitet’, e prej kësaj edhe ‘qytetar’. A ka më ndonjë lidhje mes asaj që jetojmë dhe asaj që shkruhet?”.

Në këtë rast, për simbolikën e Poetekës, poezia shihet si çdo gjë tjetër si një moment për t’u vënë në provë.

A është e gjallë? A ndjen njëlloj? A janë të tillë, të gjallë dhe të ndjeshëm poetët, krijuesit e saj? Në të kundërt, përse lipset stilistika, metaforat, botimet me qepje (si plagët), edicionet e rralla të botimeve me këmishë (si politikanët) dhe me kopertina më të forta se kokat që e mbajnë luftën në këmbë? Përse u dashkan konkurset dhe çmimet letrare, përse lipsen përkthimet, kur poezia nuk përshtatet me jetën dhe me botën?

Për shkrimtarin sot artistët janë zënë robër ose janë bërë shërbëtorë të sistemeve destruktive politike.

“Neoliberalizmi prodhoi inteligjencien, artistët të cilët janë bërë rob ose shërbëtorë të sistemeve destruktive politike. Prodhoi edhe intelektualët, pakicën e revoltuar e cila nuk dorëzohet. Këta të fundit janë edhe sot një lloj postdadaistësh – vetmitarë plot dinjitet, rebelë, por të refuzuar, apostuj të njollosur nga të tjerët, që kanë filluar ta humbasin besimin. Ata këlthasin: nuk shërbejmë, por pakkush i dëgjon. Zhurma e globalizmit e mbyt fjalimin e tyre, ua copëton dorëshkrimin. Më lejoni ta pranoj: Unë jam një ndër këta të margjinalizuar. Zotërinj, ky civilizim na i mbyti disa nga veçoritë më të mira njerëzore: na vodhën intimitetin, intuitën, improvizimin, parandjenjën, entuziazmin dhe ëndrrën. Kapitali i palodhur prodhon edhe administratorin e mendimeve tona”, ka thënë në fjalën e tij Leka.

Ndërsa në numrin 42 të Poetekës u botua ky tekst: “Sot kemi parti të panumërta. Dhe shih për çudi – të gjitha këto parti demokratike. Ato prej një çerek shekulli nuk bëjnë asgjë përveç se shesin dhe ende nuk ia arritën të shesin të gjitha ato që partia totalitare krijoi. Unë e di se është e trishtueshme dhe nën dinjitetin njerëzor që çerek shekulli pasi importuam rregulla demokratike, të vazhdojmë të thërrasim parulla dhe fraza demokratike; të përsërisim se, demokracia dhe neoliberalizmi nuk është i përkryer, por është rregullimi më i mirë që njohim. Ja, mu kështu kemi thënë edhe për socializmin që e përmbysëm!”.

Janë mendime që shkojnë te të gjithë, por ky shkrim vjen nga shqiptari i Malit të Zi, shkrimtari Jovan Nikolaidis. Ndërsa citon këtë tekst, Leka thotë se mbizotëron heshtja, ajo që vret; dhe dhimbjen e shprehim të ndarë: veçmas kur terrorizmi godet qytetet e krishtera; veçmas kur terrori godet qytetet dhe fëmijët e botës myslimane, të cilët besuan te pranvera arabe, lulja e vetme e së cilës ishte terrorizmi, siç shprehet Nikolaidis!

Kujtohet Budi, Agron Tufa: Letërsia e vjetër si repertori më në rrezik!

$
0
0

pjeter_budiKanë kaluar 450 vjet nga lindja e priftit, për të cilin u shpall vit përkujtimor jashtë vëmendjes zyrtare të shtetit, si vullnet individual i një njeriu të vetëm, Behar Gjokës me Qendrën Studimore quajtur “Pjetër Budi”. Me konferencën e djeshme shkencore është mbyllur cikli i veprimtarive përgjatë gjithë vitit që janë organizuar për Budin, duke shënuar një rast unik. Dy pelegrinazhe në kullën e Budit, që mbijeton ende, në Gur të Bardhë, nderimi nga Presidenti Bujar Nishani për veprimtarinë e Budit, jo vetëm nën petkun e priftit, si dhe ndërmarrja e studiuesve më kompetentë

Të përkthesh gjuhën amtare që nuk ekziston ose siç vetë Budi e ka shprehur: “me dasht me thoush shqip”, është nga rastet që i jep dimension pothuaj hyjnor gjuhës duke krijuar kuptimin e saj. Kanë kaluar 450 vjet nga lindja e priftit, për të cilin u shpall vit përkujtimor jashtë vëmendjes zyrtare të shtetit, si vullnet individual i një njeriu të vetëm, Behar Gjokës me Qendrën Studimore quajtur “Pjetër Budi”. Me konferencën e djeshme shkencore është mbyllur cikli i veprimtarive përgjatë gjithë vitit që janë organizuar për Budin, duke shënuar një rast unik. Dy pelegrinazhe në kullën e Budit, që mbijeton ende, në Gur të Bardhë, nderimi nga Presidenti Bujar Nishani për veprimtarinë e Budit, jo vetëm nën petkun e priftit, si dhe ndërmarrja e studiuesve më kompetentë, por dhe të rinj modestë për të shënjuar ende një personalitet që njihet më pak nga letërsia e vjetër shqipe.

“Autorët e letërsisë së vjetër shqipe kanë kontribuar si në përftimin e elementeve që jetuan gjatë në traditën e lëvrimit të shkrimit të shenjtë në gjuhën tonë, ashtu dhe duke reflektuar jo rrallë përdorime, konotacioni i të cilave merr kuptim pikërisht në përbërje të teksteve të veprave të tyre. Duke iu përshtatur lëvrimit dhe konsolidimit të një terminologjie që reflekton qartë përmasat e një vështirësie të kuptueshme, të tillë autorë kanë bërë të mundur të bëhet pjesë e një tradite shkrimore, një leksikon i rëndësishëm për jetën mendore e fetare të popullit tonë. Si një nga autorët më të rëndësishëm të një tradite që shënoi letërsinë tonë të dokumentuar, Pjetër Budi ofron nëpërmjet teksteve të përpiluara prej tij mundësinë e shqyrtimit të trajtave që nënvizojnë prirjen për vijimësi përdorimi, por dhe të elementeve që paraqesin veçanti në pikëpamje të konotacionit që marrin pikërisht në këto tekste” ka thënë në fjalën e saj, studiuesja Evalda Paçi, duke pasqyruar Pjetër Budin në një traditë studimesh mbi historinë e letërsisë së shkruar shqipe. Për këtë Paçi sheh më tej se për profilin e këtij prelati jo vetëm të letrave shqipe ka përfshirë gjerësisht historianë dhe kërkues të dokumentacionit arkivor, gjuhëtarë e filologë të tekstit, historianë të letërsisë shqipe, por dhe bëri të mundur që të kryhen vëzhgime ndërdisiplinore që i mundësonte ndër të tjera vetë rrugëtimi i ndërlikuar biografik i Budit.

Për shkrimtarin dhe studiuesin Agron Tufa, Budi është ende i mbuluar me misticizëm, dhe duhet kuptuar në gjuhën e tij. Por, reagimi i Tufës shkon më tej mbi gjithë natyrën dhe zhvillimet e gegnishtes, me ndërprerjen e saj nga diktatura, ku letërsia sot e prodhuar nga shkrimtarë të veriut është pothuaj e injoruar nga lexuesit e sotëm. Lidhja e drejtpërdrejtë me autorët e vjetër të shqipes, si dhe me autorët e para ’45 që shkruajtën gegnisht për Tufën po mbetet më delikate në shkolla, qoftë në ato të mesmet, apo universitare.

“Budi duhet kuptuar në gjuhën e tij, sot gjimnazistët dhe studentët nuk dinë të lexojnë Fishtën, e sigurisht as Budin. Njohin gjithë gjuhët e Evropës, dhe nuk e kanë për turp të thonë se nuk lexojnë dot Budin. Shqipja po bëhet një gjuhë e vdekur…Nëse do të kishim një situatë tjetër gjuhësore ashtu si italianët me Danten, do kishim ruajtur shijen e shqipes”, është shprehur Tufa.

Ndërsa për ta çuar më tej këtë pasuri që trashëgojmë nga letërsia më e hershme e shqipes, studiuesja Paçi ndalet në fund në faktin e botimit të veprës së Budit: “Botimi i plotë i varianteve të veprave të tij mbi bazë kriteresh filologjike dhe kritike mbetet një objektiv i domosdoshëm arritjeje për filologjinë shqiptare. Disponimi i këtyre botimeve dhe konkordancave sa më të plota mbi veprën e Pjetër Budit do të bëjë të mundur dhe kontekstualizimin e saj në përbërje të një thesarusi gjithëpërfshirës që ngërthen në radhë të parë veprat e letërsisë së vjetër shqipe, më tej evidentime dhe dokumentime të mëvona që pasqyrojnë jetëgjatësinë e përdorimeve më të rëndësishme nga këto vepra”.

Pikërisht ky autor, përfshirë dhe autorët e tjerë që bëjnë hershmërinë e letërsisë shqipe, që deri tani nga përcaktimi zyrtar, e cilësuar si letërsisë e vjetër e shqipes, – për Agron Tufën është repertori më në rrezik, një studim sistematik që duhet të nisë e hedhë rrënjë qysh në fazën arsimore të nëntëvjeçares dhe të mos trajtohen dialekti i shqipes si gjuhë e huaj.

Në këtë përmbyllje të kremtimit të vitit të Budit, organizatori i të gjitha veprimtarive, duke përmbushur misionin e transmetimit, Behar Gjoka thotë: Pas gjithë këtyre argumenteve, shkencore dhe letrare, themi se Budi është i yni dhe se ky është rasti kur shteti nuk është me kulturën. V.M

 

Festivali/ Albatros Rexhaj: Votimi sekret si politik dhe jo artistik

$
0
0

229200_10151172256064577_304831194_nShkrimtari i cili këtë vit mori pjesë si tekstshkrues në edicionin e 55-të të FiK, ka kontestuar mënyrën e shpalljes së rezultateve të finalistëve.

Albatros Rexhaj reagoi për pjesën më të ndjeshme të konkurimit, atë të vendosjes së pikëve, për të cilën dyshon se është kalkuluar dhe nuk ka qenë transparente.

Me sa duket, krahas grupit “Classic Boys” dhe Festina Mejzinit, të tjerë artistë po shfaqin publikisht pakënaqësitë e tyre.

 

 

“Rebelimi i femrës shqiptare fillon me kthimin te vetja”

$
0
0

lindita-arapi_2-c-stephen-boltzMe një krijimtari intensive në fillim të viteve ’90, duke u renditur në krijueset e para femra të postkomunizmit, Lindita Arapi gjithë arsyen krijuese, po ashtu dhe rebelimin e sheh në brendi, në veten e saj, si domethënie për t’ju përgjigjur ekzistencës, drejt pyetjes: kush jam unë. Përgjigja janë pesë vëllime poetike, dhe një roman “Vajza me çelës në qafë”, ku përballja me të kaluarën shfaqet në tri brezni grash

Intervistoi: Violeta Murati

Pas një intensiteti letrar në fillimvitet ’90, tani ju mbani një ekuilibër sa i takon masës në botim. Kur një shkrimtar vendos të tërhiqet, të kërkojë kohën? Keni një kusht paraprak që ju jep mundësinë për të shkruar?

Koha, ky është kushti paraprak. Koha merr një kuptim tjetër me kalimin e viteve, nganjëherë unë e quaj beteja për të fituar sadopak minuta për veten, janë këto minuta për veten që kthehen në minuta të çmuara, kur ke fëmijë për të edukuar e ushqyer, familje për të mbajtur e mirëmbajtur. Ka dy lloj tipologjish poetizuese për femrën që shkruan – ose ajo është intensivja, “e çmendura” që shërohet me fjalë, e papërshtatshme për jetën, sepse e jeton atë në krizë të përhershme, ose ajo është një “Lady” e blatuar, e latuar, e ngritur në fronin letrar sepse ashtu erdhën rrethanat. Mes këtyre dy profileve ekziston një ushtri e tërë femrash që shkruajnë, luftojnë, sakrifikojnë veten, sakrifikojnë për fëmijët, japin dashuri, marrin dashuri, marrin urrejtje, në këtë ndërkohë japin edhe libra. Disa nga këto vepra të fjalës mund të jenë të lexueshme, disa mahnitëse, disa jo. Është e thjeshtë, puna me fjalën është punë, nganjëherë ke aty pranë “frymën” e krijimit që e ngre lart fjalën, nganjëherë jo. Unë nuk idealizoj.

Domethënë një femër që shkruan është në kërkim të kohës…gjithmonë?

Po, je gjithmonë në kërkim të kohës, sepse është një luks në kushtet e përmendura më lart.

Jeni në poetet e para femra në postkomunizëm, kjo fjalë e fundit – pra, postkomunizëm, si ju tingëllon sot?

Të shkruaje në ato vite ishte një strategji shpëtimi ndaj izolimit që të mbante frymën. Te postkomunizëm që pyesni ju… në Shqipëri pati një periudhë komunizmi të egër kur themi periudhë pas komunizmit, “pas” mund të përdoret vetëm në kuptimin kohor, jo si përfundim epokash. Sepse vendi e ruajti traditën e elitave, elitat e vjetra kryenin të ashtuquajtur reformimin, dhe është absurd të mendosh, që ata që duhet të mbanin përgjegjësi, e fshehën me një lëkurë të re të shkuarën e morën përgjegjësi të reja. Shqipëria e sotme është fryti i dështuar i këtyre elitave të vjetra. Ato politike që kërkuan pushtet, pasurim, dhe për të ruajtur privilegjet e shtuar pasuritë arritën të degradojnë vendin në atë pikë që 26 vite pas rrëzimit të diktaturës flitet për dekriminalizim të politikës. Ky është turp historik.

Nga vëllimi i parë e deri te i fundit në mendjen e çdo krijuesi që veçohet nga të tjerët rri pezull pyetja: përse shkruaj. Përse shkruan Lindita Arapi?

Po ta thoja thjesht e në mënyrë prozaike, sepse nuk di të bëj gjë tjetër më mirë. Po të flisja me termat e artit, do të thoja se çdo artist, qoftë i fjalës, qoftë i penelit apo videoinstalacionit ka një veti, ai mban veshin te vetja, kjo besoj duhet të jetë e lindur, ndryshe nuk ka si të shpjegohet përhumbja në botën e brendshme, që është një lloj kërkimi në fakt, se kur them mban veshin te vetja, nuk e mendoj këtë si një qorrsokak, por si proces krijues që tenton në fund t’i flasë botës jashtë, t’i thotë diçka duke i dhënë një produkt. E për shkak se shumë artistë e shkrimtarë janë egomanë të pandreqshëm, shpesh ata mendojnë se produkti i tyre është më i miri. 

Ju vetë nuk mendoni kështu…

Unë e kam marrëdhënien të vështirë me letërsinë, shpesh kam faza që nuk e dua atë që bëj… kjo ndoshta vjen nga ndjesia e sakrifikimit por në kontekstin e pyetjes sate, përballë letërsisë së madhe, të krijuar ndër shekuj, përballë veprave të jashtëzakonshme që janë aq shumë, saqë do të mjaftonin për disa jetë për njerëzimin, mund të pyesësh pse duhet të shtoj edhe unë një? Kjo është një pyetje në fillim që mbetet në kokë deri në ditën e fundit të të shkruarit.

Letërsia juaj, poezia kryesisht ka shoqëruar jetën tënde, në përkimin me ikjen nga Shqipëria. Keni jetuar dhe vazhdoni në emigrim. Ky raport te ti, sidomos për gjuhën, si ka rezistuar?

Unë nuk jetoj në emigrim…ky është nocion që nuk ka vend në jetën time, pavarësisht se ai kategorizon shoqërinë. Unë jetoj në botë, jetoj në Europë, jetoj në Gjermani, jetoj edhe në Shqipëri, jetoj me shumë Shqipëri, jetoj brenda vetes, pra nuk e ngushtoj dot jetën brenda një kuadri –këtu apo atje. Unë jetoj gjithkund, e kjo nuk është pozë, por bindja ime, e ndoshta është një fenomen që prek më shumë ata që e kanë kapërcyer kufirin e vendlindjes e kanë shkelur botë të tjera.

Edhe njëherë desha të kthehem te marrëdhënia me gjuhën, si ndryshon ajo…

Edhe kjo është vazhdimësi e asaj që thashë më sipër, unë jetoj tani me disa gjuhë…gjuha shqipe është për mua si ajo vajza e brishtë e një familjeje, për të cilën gjithmonë tregohet kujdes i veçantë, sepse sëmuret më shpesh, pra kur je në një pozicion delikat, si shqipja në jetën time, ia jep vëmendjen posaçërisht. Më ka rënë në sy një fenomen, kur shkruaj disa ditë njëra pas tjetrës, futesh thellë brenda ishullit tënd gjuhësor, atëherë më janë zgjuar fjalë të vjetra, të kujtuara se ishin rrasur të harruara në periferi…kjo më ka habitur. Gjuha aktivizon vetveten. Por më duhet të shtoj se është një proces pune aktiv, pra nëse ti punon me gjuhën tënde në mënyrë të pavetëdijshme e përdor, mua më duhet të “shëtis” nga gjermanishtja te shqipja, pra jam shumë më e vetëdijshme në këtë punë me gjuhën.

Te poezia juaj femra është brishtësi, si nënë, si vajzë, si grua. Në dallim nga poete të tjera që rebelohen, e thyejnë tabu ju merreni me “dobësitë” e saj. Por, si gazetare, jeni përfshirë dhe në debate duke mbajtur qëndrim mbi seksizmin. Pse menduat se duhet ndërhyrë?

Nuk e di çfarë kupton kur thua “dobësi” –nëse e ke fjalën për ndjeshmërinë femërore. Rebelimi i parë për femrën shqiptare, që është një femër që e ka në gjenin e saj shtypjen –herë me dhunë e shpesh pa dhunë, sakrifikimin, dhurimin, nënshtrimin, është të merret me veten. Të pyesë veten kush jam unë. Sepse femra shqiptare nuk ekziston për veten, por për familjen, fëmijën, burrin, babanë. Prandaj në këtë kuptim duke shtruar këto pyetje, unë shoh edhe tek ajo brishtësia xixën e rebelimit.

Ja ku na shfaqeni dhe si prozatore, për herë të parë me romanin “Vajzat me çelës në qafë”, si një roman intensiv, një kërkim gjurmësh nëpër tri gjenerata femrash shqiptare dhe në një vend, në kërkim të lirisë së panjohur….

Unë në të vërtetë me atë roman desha të merrem me këtë histori shekullore sakrifikimi të femrës shqiptare. Se ç’do të thotë kjo për personalitetin e një vajze që rritet nën diktatin e të qenit e mbarë, e dëgjueshme, e shkëlqyer…hej është një “masakrim” shekullor herë i butë, herë agresiv ai që kanë përjetuar nënat tona e ne si gjeneratë. Julia Kristeva, filozofja e njohur që i kushtohet figurës së femrës përmend se personaliteti nuk krijohet dot kur mungon rebelimi. Nuk dua të them se femra shqiptare nuk ka personalitet, por ajo nuk ka pasur rebelim, se ndëshkohej. Ajo nuk ka fytyrën e saj në historinë e Shqipërisë…sepse ka qenë në hije, megjithëse në hije ajo ka mbajtur gjallë shpirtin shqiptar. Me durim, mençuri, gojëkyçur e sakrifikim.

Përmes një rrëfimi retrospektiv, përshkruan një kulturë, ku sundon “zakoni” si një “regjiment i heshtur”; ku fisi vlen më shumë se sa individi; dhe një burrë vlen më shumë se sa një grua. Ky vlerësim vjen nga një kritikë gjermane, prej së cilës na nxit dilema: A ishte një apel ky për t’u përballur me historinë? Pse ky vështrim, çfarë ka ndikuar?

Po kjo është tema që më ka preokupuar mua, se çfarë është femra shqiptare si tipologji, këtë e kam kuptuar vetëm kur kam pasur mundësinë të jetoj në një rreth tjetër kulturor. Vetëm kështu e kupton dallimin, nga distanca.

Vuajtja/ është asimetria/ në fytyrat simetrike të shqiptarëve të heshtur/ të cilët edhe pa i njohur/ më bien në sy që larg/ në njërin nga qytetet simetrikë të Evropës… A e mendoni ende Shqipërinë si një vend thellësisht të lënduar, pse?

Shqipëria jo vetëm është e lënduar, Shqipëria është e nëpërkëmbur nga politikanë që janë të aftë për të fyer personalisht njëri-tjetrin, por jo për të bërë punë në të mirë të vendit…unë shpresoj në ndryshime gjeneratash në politikën shqiptare.

Keni hartuar edhe një antologji me autorë shqiptar, me poezi shqiptare botuar në Austri, quajtur “Kapërcimi i kufijve”. Pse nuk po ndodh sipas jush njohja e letërsisë shqiptare, ashtu si do dëshironim?

Nuk ka për të pasur njohje ashtu siç e dëshirojmë ne, por raste të veçanta, rrezatimi kulturor i një qarku të vogël mbetet i vogël, ne mund të zemërohemi ose t’i ngremë lavdi vetes brenda provincës sonë të vogël- por nuk duhet të harrojmë se bota është e madhe, ka dimensione të tjera… unë nuk e shoh me pesimizëm, sepse mjaft autorë shqiptarë janë njohur e botuar. Ndoshta dikur do të shkëlqejë edhe ylli i Nobelit për të na dhënë neve si letërsi më shumë rrezatim.

*Ky shkrim u botua në kuadër të projektit “Udha e shkronjave”

 

IZOLIM

Blu e ftohtë

Blu e nxirë në mëngjes

Verë veremi

Verë veremi

Paqe në mushkëri

Me hapësirë sa një shami

Çdo çast të pastër, si qielli

Që reflekton mbi pasqyrë

Asnjë fije pluhur, asnjë fije pluhur

 

Izolim i qartë në verë

Verë veremi

Indiferencë

A do të vijnë nesër, pasnesër

Të më përshëndesin ndonjëherë

Apo vetëm veremi i verdhë

Do të vijë e gjelbërohet

deri në kalbëzimin e fundit…

 

Kanë ikur

Vera është verë pushimi, gjithkund

jo në kafazin mavi.

 

I marr erë trupit

Të ndiej sa do të zgjasë jeta…

Lëviz

Trëndafil i nxirë

Mushkëri të sëmura.


Orfeu, poeti-njeriu

$
0
0

orfeuuuSipas helenëve të lashtë, Orfeu, krijuesi-poet, është hartues jo vetëm i këngëve të ndryshme parahomerike, (Farnell.1891;2) por edhe i një grupi himnesh, të cilat kanë mbërritur pjesërisht deri më sot nën titullin, Himne orfike. Bëhet fjalë për 87 të tilla, të cilat mendohet të jenë shkruar (rishkruar) nga poetë të ndryshëm rreth shek. 3-2 p.e.s. deri 1-2 e.s., (The Hymns of Orpheus,1896;1) dhe janë bazë e besimit të themeluar prej tij, orfeizmit.

Nga Brikena Smajli

Megjithëse poeti mitik, Orfe, nuk përmendet as te Homeri, as te Hesiodi – dy autorë të rëndësishëm këta të kulturës helene dhe asaj europiane – studiuesit theksojnë se Orfeu i paraprin Homerit dhe Hesiodit. Madje, sipas helenëve të lashtë, Orfeu, krijuesi-poet, është hartues jo vetëm i këngëve të ndryshme parahomerike, (Farnell.1891;2) por edhe i një grupi himnesh, të cilat kanë mbërritur pjesërisht deri më sot nën titullin, Himne orfike. Bëhet fjalë për 87 të tilla, të cilat mendohet të jenë shkruar (rishkruar) nga poetë të ndryshëm rreth shek. 3-2 p.e.s. deri 1-2 e.s., (The Hymns of Orpheus,1896;1) dhe janë bazë e besimit të themeluar prej tij, orfeizmit.

Po shembulli mitik i Orfeut është interesant edhe për diçka tjetër: pjesa e fundit e mitit të tij shpjegon jo vetëm priftin dhe kremtuesin orfik, por edhe njeriun-poet, të vënë në provë. Duke qenë njëherësh njeri dhe poet (kupto: i frymëzuar dhe krijues) Orfeu ka edhe kufijtë e tij: ai është i vdekshëm. Vdekja e Euridikës e bën të zbresë në ferr për ta marrë. Ai do të joshë hyjninë e vdekjes që të kthejë pas nusen e re…por, me një kusht: të ecë përpara, pa vështruar pas, pa i thënë asaj asnjë fjalë. (Roman, L&M. 2009; 281-2)

Vetë kushti i vdekjes për të rifituar dashurinë edhe jetën është njëherësh kushti i njeriut dhe i poetit përballë artit të vet të krijimit, ashtu si edhe kushti ekzistencial i vetë njeriut, përballë forcës së parrokshme të Krijimit. Orfeu, nuk do të durojë dhe do të kthehet, sa ta shohë pak Euridikën, duke e humbur atë përgjithmonë. Shpjegimi se: “poezia dhe dashuria janë dy forcat e njeriut, të afta për të fituar mbi vdekjen; por fitorja është e brishtë” (Jourbert, J. L1977; 7) – është një shpjegim mbi forcën e krijimit, e cila kërcënohet nga padurimi i vetë dëshirës, padurimi thjesht njerëzor, papërfytyrimi i plotë i vetë ekzistencës sonë dhe pafuqia ndaj krijimit dhe Krijimit.

Orfeu-poeti është njeri që tejkalon pengesat dhe “Zbritja në ferr është aventurë e fuqisë mendore, kërkimi zanafillor që ndjek poetin”(Jourbert, J.L. 1977; 7-8) Në këtë kuptim Orfeu, modeli ideal i poetit dhe i poezisë, i tillë që bashkon forcën krijuese (poezinë), veglën muzikore (tingullin), zërin (tingullin e fjalën) dhe frymëzimin hyjnor, me njeriun, është në kërkim dhe në sfidë të përhershme për të njohur dhe përdorur mjeshtërinë e tij të qenies, Krijimin: magjinë e krijimit edhe të zotave apo përkryerjen e kësaj mjeshtërie krijimi, deri sa ta mundë vdekjen edhe të fitojë jetën. Por në zgjedhjen e tij diçka ka dështuar. Fati i Orfeut që humb dashurinë, shpjeguar më tej në mit, dihet: gratë trakase të cilave ua kish përbuzur dashurinë, e shqyen dhe e copëtuan poetin e dëshpëruar…dhe copat ia hodhën në lum, prej nga u derdhën në det… (Roman, L & M. 2009; 281- 2)

Nëse poezia dhe dashuria na bëjnë ta mbijetojmë edhe vdekjen, fatin e pashmangshëm e tragjik, të cilin njeriu nuk ka mundur ta përballë a të mësohet, cili është fati i poetit, atij që tejkalon pengesat? Orfeu këtu është si heroi i përgjithësuar i rrëfenjës shqiptare E bija e Hënës dhe e Diellit (Kuteli, M,1987; 12-6) flijimi i të cilit është aq sublim dhe i painteres, saqë arrin të mundë vdekjen (kuçedrën), nëpërmjet dorëzimit dhe pranimit të saj. Djali është gati për flijim, jo për veten, por për të dashurën dhe besën. Ndryshe ndodh me Orfeun, ai përpiqet të përdorë artin e tij për të mundur vdekjen dhe për të rifituar të dashurën. Këtu Orfeu ka thyer ligjet e artit dhe të Krijimit. Një variant i mitit shpjegon se Orfeu vdes nga një rrufe që i dërgoi Zeusi se ky kishte guxuar t’u tregonte të vdekshmëve sekretet e hyjnive. (Coleman, J.2007;788) Edhe ky variant nuk e shfajëson fare poetin mitik, përkundrazi, vë në dukje përdorimin e dhuntisë, edhe profetike, për qëllime të paqarta. Ndërsa te dështimi me Euridikën, Orfeu zbulon fatin e poetit që përballet me kufijtë e tij, duke shpërdoruar e keqpërdorur fatin ekzistencial, varianti i mësipërm zbulon ligjet e fshehura hyjnore, të cilave poeti është bartës dhe ndërmjetës, por kurrsesi përdorues i tyre. Artistit-poet i lejohet të jetë transmetues i fjalës dhe Fjalës, por ai nuk do të ngrihet dot deri në nivelin e Krijimit, pa humbur vetitë që e mbajnë lidhur me tokën, pa vdekur. Orfeu, si i vdekshëm, është bir i tokës edhe pse nuk mund t’i mohohet origjina e tij olimpike (qiellore).

Në shembullin e poetit Orfe shohim pra, përballjen stereotipe të poetit profet dhe profan. Miti na thotë qartë në fillim: Orfeu arrin të magjepsë gjithçka. Forca e tij e krijimit buron nga Krijimi, shëmbëlltyrë e harmonishme e të cilit, himni/këndimi i tij është. Antikiteti dhe bota helene ka përmbledhur me këtë figurë gjithë çfarë poezia, madje edhe njeriu përball. Kuptohet, e vetmja mundësi që ta mbijetojë vdekjen si edhe jetën është prapë poezia apo diçka tjetër edhe përtej saj, emërtimi i së cilës, në mos qoftë himni, nuk është kurrsesi një poezi e zjarrtë dashurie, marrëdhënia tokësore e së cilës nuk e lartëson poetin deri në çastin sublim të artit, që përqafon vdekjen. Por, që ta mundësh vdekjen, do të duhet jo të përdorësh dhimbjen si sublimim humbjeje, as të përbuzësh e injorosh fatin me arrogancë e optimizëm. Akti i parë i “fitores” së Orfeut do të ishte pranimi i vdekjes dhe të bërit njësh me të, forca përbashkuese e së cilës, të bëjë natyrshëm kalimin nëpërmjet saj edhe përtej jetës edhe përtej vdekjes.

Në këtë kuptim figura e Orfeut paraqitet jo shteruese për nga interpretimi: dashuria i ka dhënë shpirtin e qenies. Orfeu, këngëtari hyjnor është njëjtësuar me dashurinë si fat të tij, duke harruar fatin e pashmangshëm të njeriut, vdekjen. Prandaj dashuria i jep edhe vdekjen, e bllokon në një peng të pakalueshëm. Në zbritjen e tij në ferr ai dëshmon prapë se është i pandreqshëm: përdor magjinë e artit të tij për një qëllim (jo pa interes) dhe vazhdon të pranojë dashurinë si fat të pashmangshëm, duke i dredhuar vdekjes.

Platoni jep një interpretim bindës në lidhje me këtë. Te Simpoziumi e paraqet Orfeun si njeri frikacak, i cili në vend që të vdiste për hir të dashurisë e të bashkohej me Euridikën atje, zgjedh të tallet me perënditë, duke u përpjekur të shkojë në Had për ta kthyer në jetë. Përderisa dashuria e tij nuk është e vërtetë – ai nuk do të vdesë për dashurinë – perënditë e dënojnë së pari, duke i dhënë shëmbëlltyrën e, së dyti, duke bërë që të vritet nga gratë. (Plato.IX,1925;179) Kujtojmë që tjetër sjellje ka Djali i rrëfenjës shqiptare, E bija e Hënës dhe e Diellit: ai do të jepte jo një, por tri jetë, po t’i kishte, veç ta shpëtonte vajzën e zemrës. (Kuteli, M. 987;15)

Shembulli i dhënë nga Platoni na shpjegon jo poetin e frymëzuar dhe hyjnor, as edhe artistin, por njeriun dhe, për më tepër “profetin” e rremë. Orfeu në veprimin e tij është jo shprehësi i fjalës së vërtetë, por yshtësi, magjepsësi. Poezia e tij është trill i pavërtetë autorial dhe në magjinë e saj të vetvetishme nuk mund ta mundë vdekjen, sepse as nuk e pranon. Akti i parë i besimit dhe i dashurisë është pranimi, lartësimi deri në nivelin e përuljes së thjeshtë dhe të sinqertë. Orfeu desh të sfidonte vdekjen, duke i mohuar poezisë dhe vetes qenësinë.

Nëse në lartësimin e frymëzimit poetik, poezia na bën ta përjetojmë hyjnoren, ana tjetër e poezisë dhe, sidomos, e poetit; njerëzorja e shqiptimit dhe e frymimit të saj, na zbret në tokë si njerëz të vdekshëm, shpesh duke ofruar sfida të pakuptimta, ku idealet nuk zënë më vend ose edhe nëse duhet, ata nuk mbijetojnë. Poetit i është ofruar sfida e vdekjes, si provë për të kuptuar, ndër të tjera, misionin e poezisë, ligjet e saj. Orfeu vdes, sepse ka refuzuar vdekjen si fat të natyrshëm të njeriut. Pyetja që shtrohet është: Cili do të ishte fati i Orfeut dhe i poezisë, nëse do të pranonte vdekjen? Çfarë është në vetvete poezia?

Ky është Orfeu-njeri. Orfeu është edhe heroi-poet mitik, artisti individual i përveçuar. Kushti i perëndive: një e ndërmjetme “pa kthyer kokën prapa”, është vazhdimësia transcendentale e pranimit, prej të cilës lind besimi, qoftë edhe në fjalën e tjetrit. Për poezinë mistike, të cilën Orfeu dhe orfeizmi mëton të përurojë në trashëgiminë europiane, ky është çasti i pranimit dhe lartësimit (qiellor), për besimtarin (profetin) dhe poetin, ky është çasti i “besëlidhjes”: sa ai mbijeton mes njeriut dhe zotave. Poezia mëton t’i përgjigjet këtij misioni dhe kësaj thirrjeje, zërit ekzistencial ose shpirtëror ose të dyjave bashkë, duke qëndruar ndërmjet: hyut dhe njeriut, shqiptim i të cilit është. Në këtë kuptim Orfeu është prapë jo shterues. Filli i hollë që ndan poetin-profet nga ai profan është për t’u shënuar; ai përbën një problematikë më vete në lidhje me përkufizimin e poezisë si krijim, të poetit si krijues dhe nocionit të fjalës poetike. Krijimi parak në këtë këndvështrim duhet parë si shprehje e forcës së Krijuesit nga njëra anë, por edhe si lartësi e pambërritshme e Krijimit, artit poetik, të cilin poezia dhe krijuesi i saj synojnë.

Orfeu i parë, kremtuesi, hyjnori, i frymëzuari, qe impersonal; forca e tij e krijimit, qe hyjnore, sepse njëjtësohet me ritualin kremtues të Krijimit, duke shmangur vetveten. Por në fatin e tij individual, të vënë në provë, ai nuk mund ta tradhtojë njeriun brenda tij. Orfeu, poeti-njeri nuk i shkon deri në fund kërkimit dhe nuk lartësohet deri në nivelin e Krijimit i cili, për njeriun, nënkupton përballjen me vdekjen. Por Orfeu, përuron një tjetër mendësi lirie të artit poetik mbi Krijimin. Skajet, mbi të cilat ngrihet zhvendosja e tij krijuese, sjellin tendosje dhe tension. Orfeu është edhe prifti i përkushtuar dhe poet ndaj ritualit ripërtëritës të Krijimit, në të cilin ai është pjesë e një nga instrumenteve edhe njeriu /poet që do të jetojë momentin. Liria e tij përqafet me jetën dhe vdekjen dhe e përjeton Krijimin, si liri drejt të cilëve lartohet. Për Orfeun liria dhe krijimi është lartësia e pamatshme e Krijimit. Nata/Hadi i errët është perëndia parake e Krijimit prej së cilës dolën zota dhe njerëz. Orfeu ka zbritur në Had. Metaforikisht ai nuk bën një udhëtim-aventurë të mendjes njerëzore, që kërkon të marrë veç Euridikën. Madhështia e tij njerëzore, kokëkrisja e tij poetike është takimi me thelbin e Krijimit, Natën parake të pambërritshme, prej barkut të së cilës, kanë lindur të gjithë.

 

 

Himn Natës

(Tymosje me pishtar)

 

Natë, perëndeshë prind, burim i prehjes ëmbël,

Nga e cila, së pari, dolën Zota dhe njerëz,

Veshto Venusin e bekuar, zbukuruar me dritë xixëlluese,

Në qetësinë e thellë të gjumit, duke jetuar natën sterrë!

Ëndrra dhe çaste të buta ndjekin karvanin tënd të errët,

Ngopur me errësirën e zgjatur dhe tendosjen e frikshme.

Duke shpërndarë me ankth kujdesin, mike e Gëzimit,

Me vijëzime të theksuara që kalërojnë përreth tokës.

Perëndeshë e fantazmës, e lojës së hijezuar,

Fuqia e përgjumur e së cilës ndan dritën natyrore.

Nga Fati ti dekreton dërgesën, dritë të vazhdueshme.

Për ferrin më të thellë, të largët nga sytë e vdekshëm,

Për domosdonë e frikshme, së cilës asgjë i përball,

Shpenzon qark botës me shpurë të fortë.

Ji aty, Perëndeshë, për lutësin tënd të përulur,

E dëshiruar nga të gjithë, që gjithkush nderon njësoj,

E bekuar, dashamirëse, me ndihmë miqsh,

Shpërndan frikërat e hijes së tmerrshme, Mugëtirë.

 

[5] V. Protogonusit, Të parëlindurit

(Tymosje me mirrë)

 

O i larti, i parëlindur (Protogonus), dëgjo lutjen time,

Dy faqesh, vezë-lindur dhe që endet në ajër,

Dem-ulëritës, i mburrur për krahët e artë,

Nga i cili raca e Zotave e të vdekshmëve rrjedh.

Ericapæus [Erikapaios], fuqi e njohur,

I papërshkueshëm, i fshehtë, luledritëshndritshëm.

Nga sytë errëson, ti, terrin e natës,

Gjithë shkëlqim përhap, dritë të pastër dhe të shenjtë.

Prandaj Pani u quajt lavdi e qiellit,

Mbi liana që enden përmes botës ti fluturon.

Priapi, shkëlqim sy-errët, ty të këndoj,

I gjithëditur, i gjithëmatur, përherë, i bekuar, mbret,

Me pamje të gëzuar mbi të drejtën tonë hyjnore

Dhe sakrificën e shenjtë, paqtueshëm, shndrit.

(The Hymns of Orpheus, 1896, f. 115-16; 119, Përkthimi nga anglishtja: B. Smajli.)

Tiranë/ Krishtlindjet, besimtarët katolikë meshë në katedrale

$
0
0

katedralja-shen-pali-640x340Dhjetëra besimtarë katolikë u mblodhën në katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u mbajt mesha  tradicionale e Krishtlindjes.

Mesha u kremtua nga Arqipeshkvi i Arkidioqezes Tiranë-Durrësit, Imzot Xhorxh Frendo. Kjo është‎ mesha e parë që imzot Frendo kremton për Krishtlindje, që pas marrjes së detyrës.

Bashkë me urimin për të gjithë besimtarët, kjo dioqezë  ka lajmëruar se nuk do të organizojë pritjen tradicionale me politikanë.

“Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe të atyre që janë në kufijtë e shoqërisë tonë. Është ky motivi pse Arkidioqeza e Tiranë-Durrësit ka vendosur që, në Krishtlindjen e këtij viti, në vend të pritjes zyrtare për pushtetarët, politikanët, ambasadorët e të tjerë, të organizojë një drekë për të varfrit në ambientet e Arqipeshkëvisë Tiranë-Durrës”, thuhet në njoftimin e Imzot Frendos./TCh/

Video/ Janullatos uron për Krishtlindje: Mposhtni arrogancën

$
0
0

2085542Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka shpërndarë përmes një videoje mesazhin e tij të urimit me rastin e festës së Krishtlindjes.

Në mesazhin e titulluar “Mposhtja e arrogancës”, Kryepeshkopi Janullatos i bën thirrje qytetarëve të tregohen tolerantë dhe të përulur dhe të shmangin konfliktet.

Më poshtë video-mesazhi.


Mesazhi i Krishtlindjes nga kryepeshkopi Anastas by news-al

Në kërkim të misterit ku shkeli Eduard Lir…

$
0
0

Edward Lear - FIGURE ON A BALCONY OVERLOOKING THE CITADEL, CORFU…Deti i paanë, pafundësia e qiellit që cikej me detin tutje-tutje, lartësia e malit që kuvendonte e “puthte” kupolën e qiellit me ndoca re që i lëpiheshin malit, e gjitha kjo ishte e mrekullueshme, një imazh imponues, që të kujtonte fjalët dhe mbresat e piktorit anglez Eduard Lir, i cili i ka pikturuar Akrokeraunet – detin Jon në këmbët e tij – qiellin e kaltër sipër; imazh që ka qarkulluar viteve muzeve të botës.

 

Nga Josif Papagjoni

Po e nis këtë shkrim me një rrëfim udhëtimi. Me tre miq të mi profesorë, morëm arratinë dhe i ramë për qejf e çlodhje udhës së bregdetit. Në Qafën e Llogarasë, i njohur me emrin e vjetër antik si Akrokeraunet, qëndruam dhe pimë një kafe. Poshtë deti i paanë, pafundësia e qiellit që cikej me detin tutje-tutje, lartësia e malit që kuvendonte e “puthte” kupolën e qiellit me ndoca re që i lëpiheshin malit, e gjitha kjo ishte e mrekullueshme, një imazh imponues, që të kujtonte fjalët dhe mbresat e piktorit anglez Eduard Lir, i cili i ka pikturuar Akrokeraunet – detin Jon në këmbët e tij – qiellin e kaltër sipër; imazh që ka qarkulluar viteve muzeve të botës. Më pas shfaqet Palasa dhe pasojnë fshatrat aq të bukur të Bregut: Dhërmiu, Vunoi, Himara, Piluri lart, “ballkoni i Bregut”, Qeparoi me ullishtat dhe plazhin e gjerë, Borshi, kalaja historike, plazhi disa kilometra si dhe ullishtat që bëjnë një mrekulli, e më tutje Piqerasi si direk anije, me rrugicat me kalldrëm, si i ankoruar në det, Lukova e mbështjellë me brezare portokajsh, limonësh e ullinjsh, për të zbritur në Shën Vasil e Nivicë Bubar me rrapet e lashta e madhështore. I gjithë ky areal buzë detit, me baret dhe shtëpitë e bukura, me rrugët, resurset historike e arkeologjike, historinë dhe mitet, këngët dhe traditat, vallet dhe kostumet, mbrëmjet si peizazhe të gjalla piktorike me perëndimet e mrekullueshme ku luajnë ngjyrat, të gjitha këto të ftojnë tek ideja e domosdosë për t’i dhënë kësaj zone impulse shumë më të mëdha turistike, njerëzve kënaqësitë dhe lumturitë e “vogla”, të thella, kapilare.

Ja Himara! Hapëruam qetë-qetë shëtitores së re, e cila na u duk se ishte krejt e jona. Deti, edhe ai na u duk i yni. Ajri i freskët që frynte si në bunacë na lehtësonte trupat. Një shëtitore e gjerë, e kohës, që pret të shtyhet tutje sipas projektit, përtej rëndomtësive dhe xhelozive politike, duke i dhënë frymëmarrje qytetit. Shkurt e qartë: ajri i pastër mbushur me jod dhe oksigjen, deti, plazhet, gjelbërimi, krejt relievet e fshatrave strukur brigjeve dhe maleve, një hipotekë e patjetërsueshme natyrore turistike. Afërmendsh, kjo është pjesa e ëmbël, poetike, thuajse ekzotike, ajo çka Zoti ka falur bujarisht. Por njeriu, banorët e kësaj krahine, sidomos shteti, duhet të mos lejojnë më shpërdorimin urban të pamëshirshëm, idiotesk, që la gjurmë të këqija në qytetet tona: edhe në Vlorë, Himarë e Sarandë. Por le ta lëmë këtë temë tashmë të bezdisshme: kaloi morti, kaosi, budallallëku dhe la gjurmët e shëmtisë. Tashmë ka ardhur koha e reflektimit. E këtij karakteri ka qenë edhe nisma e Institutit të Librit dhe të Promocionit “Në zbulim të mistereve të Jugut”, apeli i së cilës në gjithë veprimtaritë e kryera së fundmi në qytetin e Himarës, në Pilur e në Kuç, ishte vizioni për të identifikuar e begatuar shanset dhe resurset turistike, duke kërkuar të bukurën, të veçantën, ide të pllenshme: çfarë mund të ndreqet më tej, çfarë mund të rivitalizohet nga tradita antropologjike e zonës, çfarë mund të shfrytëzojmë si burim turistik filluar nga tipologjia e banesave, kostumet, folklori dhe shndërrimi i tij në instrument njohje e argëtimi për të ardhurit, peizazhi, gjurmët arkeologjike, deti dhe gjithë shanset që ai jep për eksplorim, kënaqësi, argëtim, më tutje fauna, frutikultura, etnologjia, zakonet dhe doket e hershme me stilin e jetës.

E para gjë që më la mbresë nga nisma e Institutit të Librit dhe të Promocionit për një vizion të ri të turizmit në Bregdet dhe fshatrat e Lumit të Vlorës është institucioni i turistit. Turisti duhet të jetë një mik shtëpie. Ky koncept ndërtohet më së pari te banorët e fshatrave pritëse të Bregdetit, në vijim të asaj sentence madhështore: shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit – një vetëdije antropologjike vërtet për t’u lëvduar e pasur zili, që duket se funksionon mirë në familjet bregase dhe po rikonceptohet tashmë edhe në funksion të turizmit si mundësi ekonomike dhe jo vetëm. Duke e pasur të rrënjosur thellë këtë veti e dok të lashtë shqiptar, mikpritjen, familjet bregase po krijojnë strukturën bazë të fizionomisë së këtij turizmi: shërbesën e qytetëruar. E ç’rëndësi ka, e quajmë turizëm familjar ose jo, e quajmë kulturë jetese ose tjetërçfarë, mjaft që kjo psikologji pritjeje e begenisjeje, kjo butësi e urtësi qytetare shembullore, që është e koduar brenda nesh, të gjejë njëvlerësin e vet edhe në ngritjen e gjithë infrastrukturës që e mbështet. Pikërisht një shkëmbim të tillë përvoje turistike kishte marrë përsipër dhe nisma e Institutit të Librit dhe të Promocionit, duke u ulur me këmbë në tokë në gjësende të prekshme. Në rrahjen e mendimeve dhe sjelljen e përvojave u bë e qartë se përveç ofrimit të shtëpive e banesave private, si popull i kulturuar, i gjindshëm dhe i dashur, vetë komunitetet duhet të shndërrohen në premisë bazike për zhvillimin turistik të zonës së tyre. Dhe brenda kësaj optike, nga eksperienca e derisotme dhe resurset e “fjetura” ende, ka ardhur koha që të vitalizohen veprimtari me natyrë kulturore e sociale për shkëmbime eksperiencash në rrafshe familjare, në ofrimin e mjediseve çlodhëse, kulinari karakteristike të zonës, qëndistari, prodhime veshjesh artizanale vendase, gjallesat që vijnë nga deti, frutikultura tipike dhe, pse jo, duhet këmbëngulur për evidentimin e disa kampioneve se ku pikërisht dhe se si ky turizëm mund të njohë së afërmi shtim e zmadhim klientësh. Këtu nuk është fjala vetëm te mobilimi dhe gjithë kushtet e shërbimit, posaçërisht hoteleritë, shtëpitë private, restorantet, baret, argëtimet dhe jeta artistike kulturore, gatimet e peshkut, por u këmbëngul pikërisht te lidhjet me ashk miqësor me bujtësit. Ishte shumë i vyer mendimi thuajse unanim se duhet nxitur edhe më shumë modeli i turizmit familjar, ku gjithçka të përgatitet aty: fjetja, ushqimi, kafeja, pijet, shërbimi në internet, bisedat, mbrëmjet dhe darkat e organizuara. Kësisoj klientët miqësohen me familjarët dhe këta të fundit ua dinë huqet, dëshirat, llojin e ushqimit, pijet e preferuara, shëtitjet me makinë, kafenë, qejfet nëpër vende të ndryshme, pelegrinazhet nëpër resurse historike, arkeologjike, kulturore etj. Përmirësimet infrastrukturore mundësojnë gjithnjë e më shumë një turizëm gjithëvjetor. A mund të ndërtohet nesër, p.sh. në Himarë, diçka për faunën detare, ndoshta-ndoshta, një rezervat peshku me lloje të ndryshme? Ky qytet s’ka skulptura parku, kur mund të ketë disa syresh me motive nga më çlodhëset. Të bashkohet arti me njeriun. Besoj se koha duhet t’i ndërgjegjësojë pronarët e bareve dhe hotelerive për të mos nxjerrë dhjamë nga pleshti, por të ofrojnë argëtime më cilësore. Në komplekse të tilla mund të ofrohen ekspozita të arteve pamore jashtë në qiell të hapur, në shëtitore. Një koloni piktorësh të mbështetur nga Instituti i Librit dhe i Promocionit bënë peizazhe të bukura nga fshatrat e Bregdetit dhe Lumit të Vlorës. Sakaq ai ka botuar për njohjen e vlerave turistike, në anglisht dhe në shqip, 30 botime. Mund të realizohen ekspozita të relikteve, veshjeve dhe objekteve me vlerë historike, antropologjike, takime e koncerte të grupeve folklorike, gjer dhe karaoke me klientë, me shpallje çmimesh e dhuratash simbolike, pse jo!

Shtyrë nga veprimtaria “Në zbulim të mistereve të Jugut” disa rituale sociale festive e procesione argëtuese duhet të datohen gjatë stinës së verës me patjetër, këngëtarët shëtitës, të organizohen koncerte, piktorë vizatimesh të çastit në shëtitoren e re të Himarës, të çelen ekspozita apo tregje bizhush e mallrash të tjerë. Turizmi arkeologjik duhet të ofrojë pelegrinazhe të organizuara në Butrint po se po, por edhe në manastirin e 40 Shenjtorëve në Sarandë, në vende të shenjta e me vlera historike. Himara dhe fshatrat e saj, për vitalizimet turistike lipset të krijojnë kalendarë me disa festa popullore pagane, historike, ekskursione, piknikë. Le të ringjallim festa të hershme të humbura, qofshin dhe me petkun religjioz. Duhet të aktivizohen festa specifike të zonës si ajo e ujërave apo ajo e peshkimit, epifania pagane, festa e ullirit ose ajo e Buzmit, mbase mund të identifikohet një ditë e themelimit të qytetit të Himarës, e lidhur kjo me mugujt e mitit dhe legjendës. Me rininë shkollore duhen bërë më shumë rrugëtime dhe ekskursione me shandanë, pishtarë, llambadhe a qirinj, me imitime të betejave të njohura, përcjelljes në dete e dhera të huaja, duke përdorur edhe veshje të atyre kohëve, kuaj, karroca, shpata, shtiza, parzmore, dhe fantazia punon vetë më tutje, sepse krahina është shquar për përdorimin e anijeve. Vetëm për “Vajzën e valëve” mund të krijohet një festë-procesion shumë interesant me grupe vajzash, barka, djem, këngë të përmallshme, kukulla e rituale, ushqime, pije e birrë pa fund, gjimnastë e studentë, djem e vajza të bukura, karnavale, kostume shumëngjyrëshe plot erotizëm e animime, gjithçka që krijon pra hare, dëfrim, shaka, të qeshura, për ta festuar e shijuar, siç thotë populli, për “shtatë palë qejfe”. Duhen ngritur traditat me gara noti masiv me aventurierë të detit që s’mungojnë, me djelmosha e vasha të reja? S’të mundon shumë: një shpallje online, një çmim dhe kaq.

Bashkëpunime e motërzime me vendet dhe qytetet turistike mesdhetare greke apo italiane, turke apo kroate, franceze apo spanjolle, mund të instalojnë në Bregdet veprimtari kulturore e sportive që janë pjesë atraktive e agjendave të tyre. Ja, përmes këtyre udhëve, që u cekën në dhjetarë e dhjetëra ide, projekte e propozime gjatë ditëve të “Zbulimit të mistereve të Jugut”, organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, mund dhe duhet begatuar nesër e ardhmja e turizmit në krahinën e Bregdetit.

Atak kardiak: Ndërron jetë aktori i njohur, Bujar Lako

$
0
0

bujar-lakoËshtë ndarë nga jeta në moshën 68- vjeçare, si pasojë e një ataku në zemër, aktori i njohur Bujar Lako.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 8:30, raporton TV Klan.

Jetëshkrimi

Bujar Lako lindi në Tiranë në vitin 1948.

Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës.

Pas kësaj ai realizon një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni”- V. Gjika, “Udha e shkronjave”- V. Prifti, “Ballë për ballë”- K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime”- Dh. Anagnosti, “Amiko”- Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçomë: “Vizita e inspektorit”- Xh. Pristli, (Dh. Pecani), “Monserati”- E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri”- A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit”- Byhner (V. Milçin), “Ditë vere”- Mrozhek, (B. Lako), “Ariu”- Çehov (S. Duni) etj.

Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët” .

Në vitin 1975 është nderuar me çmimin e veçantë per filmin “Përballimi”.

Në vitin 1979 merr çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”.

Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit i Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni“.

Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës së parë për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”.  Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër.

Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.

Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar”.

Në vitin 2005  ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku.

Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A.

Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Viewing all 1708 articles
Browse latest View live