Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all 1708 articles
Browse latest View live

170 vegla muzikore popullore: Tradita jashtë vëmendjes institucionale

$
0
0

Shkas nga çelja e një ekspozite dhe botimit të një albumi/Fatkeqësisht duket se nuk do kalojë shumë kohë kur vegla muzikore si lahuta, cyla dyjare, kavalli, bakllamaja, apo disa lloje të tjera si ciganë, daulle, lauri etj., do të pësojnë fatin e ungarit i cili ka kohë që nuk duket në skena. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi

Nga Esat Ruka

Duke vizituar një ekspozitë me veglat muzikore të përdorura në territorin shqiptar në shek. XIX –XX, të çelur në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, në nëntorin e vitit 2017, njihesh me një pasuri të çmuar të botës shpirtërore të kombit. Muzikanti koleksionist Ermal Sela iu është dedikuar me përkushtim e pasion promovimit të vlerave të trashëgimisë së kombit të vet me posedimin privat të një numri të konsiderueshëm veglash muzikorë tradicionale.

Emocionohesh teksa sheh eksponate të shumta veglash muzikore, të përdorura dy shekujt e fundit nga mjeshtra popullorë të trevave shqiptare apo mjetet e punimit të tyre, mjeshtrit e modelimit e prodhimit të tyre, elemente zbukurimi e pasurimi me simbolika me karakter historik, etnografik, mitologjik etj. Menjëherë bën përqasjen se si mundet që hapësirat territoriale të shqiptarëve janë kërcënuar të zvogëlohen apo tjetërsohen e deri rrënohen, ndërsa begatia, larmia dhe pasuria e kësaj trashëgimie tregon superioritet përmasash kulturore e historike?

E pamundur të bashkëjetojnë qetësisht idetë e deformuara qëllimshëm nga fqinjët ndaj një populli “pa qytetërim e pa aftësi kulturimi” ndërsa prania e kësaj trashëgimie “buçet e ulërin” me një shpërthim shpirtëror të dallgëzuar nëpërmjet kësaj begatie e larmie të pakrahasueshme mjeshtërish e krijimesh artistike.

Nuk kemi këmbëngulur se këto vegla muzikore janë pasuri e shpikur prej shqiptarëve. Ndoshta do të shkohet drejt etnogjenezës së vërtetë edhe të kësaj dileme. Por rrugëtimi artistik i produktit shpirtëror krijues, sa profesional aq edhe historik ka thadruar të drejtën dhe ka kalitur durimin se në përcaktimin e këtyre të vërtetave do të arrihet me “shpirt të vluem e me mendje të kullueme” do të shprehej Martin Camaj. Fakti se këto vegla muzikore kanë shoqëruar, ngazëllyer, inspiruar, argëtuar, motivuar e promovuar shpirtin krijues të një kombi në tallazet e jetës së tij, është një nga veçantitë e trashëgimisë që së paku i duhet injektuar gjeneratës së re. Këtë e bëjnë më së shumti e më së miri institucionet, njerëzit kompetentë, profesionistët, por edhe pasionantët e mjeshtrit e dijebërjes së tyre. Ekspozita paraqiste 170 vegla muzikore popullore. E sistemuar me kujdes tërhiqte vëmendjen e shikuesve të moshave e profesioneve të ndryshme, kryesisht të njerëzve që kishin lidhje shpirtërore me ‘to por edhe vizitorë të organizuar nga shkollat e Tiranës.

Kjo nismë e Ermal Selës shoqërohej edhe me një Katalog luksoz të titulluar “Midis shekujsh” i mbështetur nga Ministria e Kulturës. Katalogu me rreth 300 foto dokumenton një pjesë të madhe të korpusit të veglave muzikore përmbledhur në 125 faqe të përcaktuara në 99 instrumente muzikore. Ashtu sikundër shprehet edhe autori, ai është mbështetur edhe mbi një përvojë të mirënjohur institucionale e Akademisë së Shkencave të RSH. Kjo është një gjë shumë e mirë.

***

Ndoshta ishte mirë të ruhej raporti i pasqyrimit midis llojeve të veglave muzikore dhe aksesorëve të tyre si harku, penza, apo mënyrën e ekzekutimit edhe të ndonjërës prej tyre.

Çelja e një ekspozite të tillë me koleksionin privat të këtij artisti, që tashmë premton për një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm, mendoj se na sugjeron të gjykohet dhe të veprohet në bërjen e

një bilanci të vërtetë e të drejtë institucional ndaj kontributit 200-vjeçar e më tej të mjeshtërisë së dijebërjes dhe aftësisë së ekzekutimit, si pasuri të çmuara të konstitucionit shpirtëror dhe identitetit kombëtar. Ky mbetet një aspekt i gjerë e i thellë, por ne po cekim disa çështje.

Çfarë na sugjeron ekspozita? Praktika popullore e zejeve është mijëravjeçare. Ajo ka ndjekur etapat e zhvillimit të shoqërisë duke bartur shije të avancuara gjithnjë në mënyrë intuitive. Institucionet kulturore janë ngritur mbi përvojën popullore. Roli i tyre në progresin, dinamikën dhe shkëmbimin e përvojës ka klasifikuar, disiplinuar e normuar ligjësi e kode që përbëjnë aspektin programor dhe përmbajtësor të muzikës. Mund të themi se gjatë pjesës së dytë të shekullit XX në skenat shqiptare, por edhe jashtë Shqipërisë është dëshmuar një mrekulli artistike duke luajtur e zhvilluar në mënyrë profesionale melodi e suita popullore nga vatra më e vogël e zvetënuar e një instrumenti e deri në institucione qendrore të artit popullor, përfshirë edhe shkollat. Muzika solistike e shoqëruese me instrumente zë pjesën më të madhe të programit në skenë dhe si e tillë është e patjetërsueshme. Por përtej prezencës, a po kujdesemi që t’u rrëmbejmë atyre kapacitetin maksimal të aftësive të muzikimit? A garantojmë origjinalitetin e tingëllimit dhe funksionit të tyre? A duhet bërë diferenca midis llojeve e midis zhanreve dhe kush duhet ta bëjë? Është analizuar në mënyrë të përsëritur nëpër tryeza dhe sesione shkencore realiteti i zbehjes së jetës aktive në disa lloje veglash muzikore, ashtu sikundër është heshtur plotësisht nga disa formacione orkestrale në disa rrethe e institucione qendrore dhe lokale. Nuk gjejmë tjetër argumentim përveç zbehjes së punës institucionale, mungesa e kontakteve me bartës dhe lëvrues, mosvlerësim projektesh të specialistëve, mungesë llogaridhënie në organe të pushtetit lokal e mbi të gjitha mungesë akordimi për ‘to i mjeteve financiare. Jeta e tyre aktive ka kulmuar me lëvrimin e tyre në Festivalet Folklorike Kombëtare. Përvoja ka treguar se aty ku muzikantët e përgatitur me shkollë kanë dalë nga lëvizja amatore treguesit kanë qenë dhe mbeten mbresëlënës. Në krye të disa ansambleve folklorike në skenat e Festivaleve kanë udhëhequr muzikantë të mirënjohur nga Peshkopia, Puka, Mati, Mirdita, Tirana, Berati, Korça etj.,

Me keqardhje konstatohet se thuajse asnjë nga këto instrumente të ekspozitës së Ermal Selës nuk ishte në skenën e koncertit Gala të 60-Vjetorit AKKVP. Spektatori u dhuroi duartrokitje më së shumti sekuencave filmike para 45 vitesh në Dizhon të Francës se sa aspekteve të tjera në skenë aktualisht. Duket se po harrojmë se është filluar e pastaj mbështetur krijimtaria në muzikën dhe vlerat interpretative të këtyre veglave muzikore popullore. Dhe më keq akoma, tanimë përdorimi i tyre në skenat prestigjioze po gjykohet si “rraqe të vjetruara”!!. Dihet që pas atyre veglave muzikore popullore qëndron kontributi specifik i disa trevave dhe mungesa e tyre në skenë, cenon proporcionalitetin gjeografik të peizazhit të bukur artistik kombëtar. Edhe sa kohë do vazhdohet t’i referohemi festivalit të 11-ë si një goditje fatale politike që shmangu dihatjet e vrullshme të shpirtit të rinisë së kohës?

***

Ndoshta të njëjtën gjë do të bëjnë gjeneratat e ardhshme, kur me shumë të drejtë do të na etiketojnë si gjenerata e rendjes pas “magjes së huaj” pa respektuar vlerën e “magjes së vet”; Përse duhet të kërkojmë të na respektojnë të tjerët, kur ne nuk po e respektojmë veten? Fatkeqësisht duket se nuk do kalojë shumë kohë kur vegla muzikore si lahuta, cyla dyjare, kavalli, bakllamaja, apo disa lloje të tjera si ciganë, daulle, lauri etj., do të pësojnë fatin e ungarit i cili ka kohë që nuk duket në skena. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi që flet shumë. Nuk është vetëm argëtim. Është histori, qytetërim, shije estetike, shpresë. Me keqardhje prej gati tri dekadash në shkollat artistike jo vetëm nuk mësohet instrument popullor, por as nuk gjendet në mjediset e tyre një i tillë. U zhdukën kabinetet e folklorit të ngritur me pasion e përkushtim, u harruan formacione muzikore prestigjioze të ngritura në shumë shkolla e institucione qendrore e lokale. Qendrat Kulturore të Fëmijëve në qytetet e vendit po hapin dhjetëra kurse për gjuhët e huaja apo internetin (dhe mirë bëjnë), por për mësimin e instrumenteve popullore janë të pakët. Madje edhe aty ku ka (Rrëshen, Pukë, Burrel, Laç) drejtohen nga mosha të treta. Mediumet qendrore dhe lokale në mënyrë shumë periferike pasqyrojnë vlera të tilla. Qëndrimi i Drejtorisë së Trashëgimisë Kombëtare pranë Ministrisë së Kulturës flet për inkompetencë në mosfunksionim të një masterplani bashkëpunimi ndërministror dhe me institucione promovuese e shkencore në rigjallërimin e përvojave të njohura, por dhe problematikave që lindin lidhur me ndërhyrje abuzive për sa iu përket aftësive të tingëllimit dhe duke cenuar rëndë përputhjen toniko-modale në bashkëzanimin e joneve në orkestrinat popullore.

Nëse në KKTSH ky aspekt i trashëgimisë nuk shqyrtohet dhe trajtohet si pasuri kombëtare ku të dilet me një qarkore në shkallë vendi me përcaktime masash korrigjuese e mbështetëse nëpërmjet politikave efikase, shumë shpejt do të ndodhë si në katalogun e mbështetur nga Ministria e Kulturës, që në vend të emrit të artistit Ndue Shyti të vendoset artisti Dervish Shaqa.

Potencialet intelektuale dhe tradita popullore mendoj se janë më lart se aftësitë dhe përkushtimi që demonstrohet nga administratat e kulturës. Ky është një aspekt që kërkon drejtpërdrejt vëmendjen e shtetit shqiptar.

 


Kodikët e Beratit, në Librarinë Digjitale Botërore

$
0
0

Kopje digjitale të Kodikëve të Beratit u publikuan në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kodiku u digjitalizua tërësisht në muajt nëntor-dhjetor 2016 nga Arkivi Qendror Shtetëror në kuadër të bashkëpunimit mes AQSH dhe Librarisë së Kongresit. Kodiku i Purpurt i Beratit (Codex Beratinus 1) është një dorëshkrim mjaft i rëndësishëm, i shkruar në shekullin VI p.e.s.

Kopje digjitale të Kodikëve të Beratit u publikuan në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kodiku u digjitalizua tërësisht në muajt nëntor-dhjetor 2016 nga Arkivi Qendror Shtetëror në kuadër të bashkëpunimit mes AQSH dhe Librarisë së Kongresit. Ardit Bido, drejtori i Arkivit në intervistën për Zërin e Amerikës, ka folur për këtë projekt në kuadër të vitit të Skënderbeut si dhe për projektet e tjera që janë planifikuar: “Në vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut ne e nisëm fatmirësisht në Uashington me një promovim ndërkombëtar të pasurisë sonë dokumentare, duke promovuar në Librarinë e Kongresit publikimin e Kodikëve të Beratit. Është thjesht aktiviteti i parë në kuadrin e këtij viti, i cili do të pasohet me shumë aktivitete të tjera, së pari me Javën e Arkivave të Hapura ku do të shihen proceset e punës në Arkivin Qendror Shtetëror”.

Kodiku i Purpurt i Beratit (Codex Beratinus 1) është një dorëshkrim mjaft i rëndësishëm, i shkruar në shekullin VI p.e.s. Ai është dokumenti më i hershëm i gjendur në Shqipëri, është listuar në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO dhe ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Gjithsej ka 190 fletë, të shkruara me shkronja të derdhura në argjend. Bukurshkrimi është i veçantë ndërsa germat janë të mëdha (majuscule). Ai përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Lënda e dorëshkrimit është pergamenë në ngjyrë të kuqe të thellë (purpurt) prej nga ka marrë edhe emrin. Pjesë të tjera të rëndësishme të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është më i vonshëm se vepra, ai është metalik dhe me zbukurime skenash biblike.

“Kodikët e Beratit janë pasuria më e madhe e trashëgimisë sonë kulturore, një dokument që vjen që nga shekulli VI dhe i ka mbijetuar shekujve, duke u ruajtur me kujdesin më të madh fillimisht në Berat dhe më vonë Arkivin Qendror Shtetëror dhe përbën një tregues të pasurisë Kombëtare Kulturore Shqiptare. Në këtë kuptim digjitalizimi i tyre dhe publikimi në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit është një ndër promovimet më të mira që mund t’i bëjmë trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Bido.

Ndërkohë janë rreth 500 milionë dokumente në Arkiv që pritet të hyjnë në sistemin e digjitalizimit, dhe pritet që në një vit mund të arrihet digjitalizimi i rreth 2.5 milionë dokumenteve. Drejtori i AQSH ka bërë me dije se në total janë 600 mijë dokumente të skanuara në një proces 10-vjeçar. Ndërsa, sa i përket pyetjes mbi vendruatjen dhe buxhetin që ka Arkivi, Bido ndër të tjera tha: “Është momenti për të dhënë lajmin e mirë sepse tashmë kaloi buxheti në Kuvendin e Shqipërisë. Për herë të parë shteti shqiptar po i kthen sytë nga arkivat, në thelbin e vet: në vendruajtje. Vendruajtjet arkivore aktualisht janë në një gjendje të mjerueshme. Buxheti i ofruar bën të mundur ndërtimin e një godine tërësisht të re. Është një projekt i cili shkon diku te 2 milionë dollarë në tërësinë e vet, për të strehuar dokumentet të cilat deri sot janë ruajtur në dy ish-kazerma ushtarake në gjendje tërësisht të mjerueshme, me të cilën ne do të dalim nëpërmjet këtij projekti madhor”.

Bashkim Shehu fiton çmimin Balkanika

$
0
0

Me romanin “Loja, shembja e qiellit”, shkrimtari Bashkim Shehu është shpallur fitues i çmimit letrar “Balkanika 2015”, duke shënuar herën e dytë për këtë shkrimtar, dhe të tretën në historinë 19-vjeçare që Shqipëria klasifikohet në vend të parë.

Është hera e dytë që shkrimtari Bashkim Shehu, përzgjidhet për të konkurruar në këtë garë letrare ndërballkanike. Në vitin 2007 ai u paraqit me romanin “Angelus novus” dhe arriti të ishte një nga tre të nominuarit e këtij çmimi.

Ceremonia është organizuar më 3 dhjetor në sallën e Qendrës Kulturore Rinore në Shkup. E përzgjedhur për këtë çmim, për vitin 2016 ishte edhe poetja Luljeta Lleshanaku, por edhe pse nuk mbërriti në marrjen e trofeut, ajo është klasifikuar si një ndër tre shkrimtaret më të mira të Ballkanit, për “Balkanika 2016”, me vëllimin poetik “Homo Antarcticus”.

Ndërsa çmimi letrar “Balkanika 2016” ka shkuar për autorin turk Murat Ozyasar për romanin “Laugh yellow”. Çmimi Letrar Balkanika jepet nga Fondacioni Balkanika me qendër ekzekutive në Sofje të Bullgarisë. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtëpitë botuese: Biblioteka 48 (Bullgari), Toena (Shqipëri), Magor (FYROM), Kedros (Greqi), Laguna (Serbi), Can (Turqi), Muzeul National al Literaturii Romane (Rumani).

Më parë këtë çmim e kanë marrë shkrimtarët shqiptarë Fatos Kongoli me romanin “Ëndrra e Damokleut” (2002) dhe Ismail Kadare me romanin “E penguara” (2009). Për Çmimin “Balkanika 2015”, shkrimtari Bashkim Shehu ishte në garë me 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit.

Fitues i Balkanika 2015, Bashkim Sehu: Një çmim i vështirë në Ballkan, garë e nxehtë

$
0
0

Një garë e vështirë për letrat në Ballkan, secili mendon se është më mirë në gjuhë të vet. Por kur është thirrur emri i Bashkim Shehut, padyshim juria ka patur mendje absolute si fitues i edicionit për vitin 2015 për çmimin Balkanika. Pas ceremonisë së organizuar në Shkup, dje në Tiranë është përcjellë ngjarja përmes konferencës për shtyp, ku prania e shkrimtarit Bashkim Shehu gjithnjë krijon një ceremonial plot kujdesje për librin, e modelin e shkrimtarit.

Një garë e vështirë për letrat në Ballkan, secili mendon se është më mirë në gjuhë të vet. Por kur është thirrur emri i Bashkim Shehut, padyshim juria ka patur mendje absolute si fitues i edicionit për vitin 2015 për çmimin Balkanika, me romanin “Loja, shembja e qiellit”, duke shënuar herën e dytë për këtë shkrimtar, dhe të tretën në historinë 19-vjeçare që Shqipëria klasifikohet në vend të parë.

Pas ceremonisë së organizuar në Shkup, dje në Tiranë është përcjellë ngjarja përmes konferencës për shtyp, ku prania e shkrimtarit Bashkim Shehu gjithnjë krijon një ceremonial plot kujdesje për librin, e modelin e shkrimtarit.

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Fondacionin Balkanika, Irena Toçi, ka treguar se ka qenë ky edicion një ankth jo i zakontë për vetë natyrën ballkanase që marrin të tilla organizime, e sidomos kur është fjala për gara, edhe në letërsi. Toçi është ndalur në veçanti edhe në pritjen e jashtëzakonshme që i është bërë dhe përfaqësimit tjetër shqiptar, Luljeta Lleshanaku për edicionin 2016 të Balkanika, edhe pse nuk rezultoi me fitore. Duke patur një tjetër përfaqësim shqiptar, në jurinë ndërballkanike të Balkanika, Bisej Kapon, kjo e fundit ka thënë se fitorja e Shehut ka qenë e padyshimtë, dhe e merituar nga votimi i shumicës së jurisë. Ndërsa vetë shkrimtari Bashkim Shehu u shpreh se gara ishte e nxehtë, dhe duke pasur ashtu si çdo çmim prestigjin e tij, edhe ky si i vetmi në rajon ka qenë mjaft i vështirë. Në këtë pohim Shehu ka pasur parasysh njohjen e traditës së pasur dhe shumë të rëndësishme letrare që ka Ballkani dhe vendet ballkanike veç e veç.

Shehu ka treguar për veprën e tij se është një vepër e besimit te Zoti, me lëndë të parë marrë nga kujtimet e At Zef Pllumit. Duke krijuar fictionin, ngjarjet e veçuara nga libri me kujtime burgu “Rrno për me tregue”, si fakti se sigurimi i shtetit ka futur armë në Kuvendin e Françeskanëve, shkrimtari thotë se ishte një nga historitë e lëna ashtu siç ishte e vërteta, duke e konsideruar një ngjarje të rëndësishme historike.

“Duke konceptuar romanin në tërësi, ato pjesë që janë dy kapituj dhe, që marrin nga lënda e kujtimeve kanë ndryshuar, janë modifikuar. Është vetë konteksti në të cilin futen që i kushtëzon modifikimet, por duke ruajtur ngjarjet e rëndësishme historike. Fakti që sigurimi i shtetit futi armë në Kuvendin e Françeskanëve, këtë duhej ta lija kështu siç është pasi është ngjarje e rëndësishme historike”, ka folur Shehu për mediat, në pak fjalë në rastin e marrjes së çmimit Balkanika. Pak kohë më parë ky roman, ka njohur edhe botimin në gjuhën franceze me siglën Les Editions des Quatre Vivants, me përkthim të Michel Aubry dhe parathënie të Eric Naulleaut. “Ky roman merr trajtën e kujtimeve të Aleks Krastës, ish-bashkëvuajtës i rrëfyesit (edhe njëri, edhe tjetri, dyzime të tejdukshme të autorit), “dhjetëra faqe të shkruara ethshëm, rrëmbyeshëm, një pjesë e madhe shënime fragmentare, me një shtjellim të ndërlikuar, madje herë-herë të rrëmujshëm”. Një tekst limit “me përjetime në kufijtë e së pamundurës”. Ëndrra të njëpasnjëshme, ku peripecitë iu binden ligjeve të gjendjes së jashtëzakonshme nokturne, domethënë pa u shqetësuar për kronologjinë dhe aq më pak për identitetet e qëndrueshme – një vajzë shndërrohet brenda çastit në një dyzetvjeçare, mbesa i zë vendin emtës ashtu si zëvendësimi i beftë i personazheve në një film të Mélièsit, tre aktorë të ndryshëm luajnë njëri pas tjetrit rolin e një prifti të ngarkuar që të dëgjojë rrëfimet në prag të vdekjes. Episodet ndjekin njëri-tjetrin dhe përsëriten të deformuar: Aleksi arrestohet nga policia politike në po atë tren që, kohë më parë, vidhte udhëtarët nën urdhrat e Xhimit, përvoja e tij seksuale me një të çmendur përfundon në një guvë të nëndheshme, ku e kishte çuar më parë një ëndërr që pasonte varrimin e të atit dhe ku do ta shpien sërishmi disa orë të kaluara në një klub nate. “Njohje nëpërmjet humnerave”, thoshte Henri Michaux. Gjumëprishur, personazhi kryesor, rrëfyesi dhe lexuesi nuk arrijnë të çlirohen nga çarçafët e lagur të rrëfimit, ashtu si të dyshuarit që nuk dinë se për çfarë krimi akuzohen, që t’i lënë më së fundi rehat: ‘s’kuptonte ç’po ndodhte, i bëhej si një ëndërr e keqe, nga e cila nuk zgjohej dot. Përveçse po të trillonte, të shpikte gjëra të paqena dhe të thurte me to një ëndërr për të dalë nga kjo ëndërr ku ndodhej’”, ka shkruar për këtë libër Eric Naulleaut. Për Çmimin “Balkanika 2015”, shkrimtari Bashkim Shehu ishte në garë me 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit, ndërsa pritet që romani fitues “Loja, shembja e qiellit”, të njohë botimin në gjuhët pjesëmarrëse në garën e Balkanika. V.M

 

Çmimi letrar “Balkanika 2016” ka shkuar për autorin turk Murat Ozyasar për romanin “Laugh yellow”. Çmimi Letrar Balkanika jepet nga Fondacioni Balkanika me qendër ekzekutive në Sofje të Bullgarisë. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtëpitë botuese: Biblioteka 48 (Bullgari), Toena (Shqipëri), Magor (FYROM), Kedros (Greqi), Laguna (Serbi), Can (Turqi), Muzeul National al Literaturii Romane (Rumani). Më parë këtë çmim e kanë marrë shkrimtarët shqiptarë Fatos Kongoli me romanin “Ëndrra e Damokleut” (2002) dhe Ismail Kadare me romanin “E penguara” (2009). 

Mustafa Nano: Homoseksualiteti i fshehur i shqiptarëve

$
0
0

Udhëtarët e huaj, që kanë vizituar Shqipërinë, përtej karakterit prej trimash të shqiptarëve kanë nënvizuar dhe elementë të një homoseksualiteti të fshehur, në krahina të ndryshme. Në një video të bërë publike nga UET PRESS, në bisedë me Alda Bardhylin mbi librin e tij të ri ‘Sandwich’, publicisti Mustafa Nano thotë që homofolia e fshehur është dalluar nga të huajt. Ja biseda e videos:

Udhëtarët e huaj që kanë vizituar Shqipërinë përtej karakterit të tyre të fortë kanë nënvizuar shpesh se ata janë burra të pashëm, ose burra të bukur?

Jo vetëm Bajroni, por në përgjithësi të gjithë udhëtarët e huaj jo vetëm anglezë, por edhe francezë apo të kombësive të tjera, kanë shquar tek portretet shqiptare pamjen fizike, nuk e di pse, na kanë shquar, sepse përveç veshjes kishte elementë somatikë, të pamjes së fytyrës, së trupit, të gjithë kanë folur për një trup të hajthëm të shqiptarëve, të lehtë, pa shumë bark, për burrat.

Ka historianë që flasin për një lloj homoseksualizmi të fshehur të shqiptarëve, sidomos në veriun e Shqipërisë?

Eh, në veri kjo është dalluar nga Hani, por ka edhe në jug, dhe në jug është dalluar nga Çelebiu në Gjirokastër, në Elbasan sigurisht, kjo lloj hemofilie e fshehur mund të jetë dalluar edhe nga ca udhëtarë të tjerë, pastaj nga Lord Bajroni.

Në fakt një nga biografët më të mirë, shkrimtari Aleksandër Duma, nuk ngurron të tregojë që Ali Pashës nuk i pëlqente të mbante në harem vetëm femra, por edhe burra?

Dymaja nuk është se ka thënë që Ali Pasha ka qenë homoseksual, ka folur për një harem, po në haremet turke atëherë ka qenë pak komplekse, ka pasur edhe eunukë dhe Dymaja dhe ndoshta eunukët i ka marrë për burra të haremit.

Tek ky libër ju e thelloni më tej çështjen e konvertimit të shqiptarëve?

E kam bërë dhe tek ‘Pax Albanica’, por tek ‘Sandwich’ përpiqem të bëj një shpjegim ezaurues. Me këtë çështje janë marrë shumë vetë. Janë përpjekur edhe të bëjnë një shpjegim ezaurues. Është pak vështirë të shtosh gjëra, sepse në planin akademik ka një përpjekje shteruese prej kohësh.

Por unë jam ndalur tek një gjë që më duket e veçantë, që të tjerët nuk e kanë parë të udhës, që është marrëdhënia e shqiptarëve me armët. Në ndryshim nga popujt e tjerë të Ballkanit, për të mos folur për popujt e tjerë të Europës, shqiptarët kanë një marrëdhënie erotike me armët, gati-gati lapërdhare me armët, nuk e kanë pasur serbët një gjë të tillë, nuk e kanë pasur as grekët. Në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por edhe pak më vonë, udhëtarët që shkonin në Ballkan, shkonin gjithandej dhe nuk shihnin njerëz me armë me sup, vetëm shqiptarë me armë në sup, sidomos në pjesën e Çamërisë. Dhe kjo marrëdhënie me armën duhet marrë në konsideratë nga studiuesit dhe për ta parë si një faktor shpjegues të konvertimit, krahas faktorëve të tjerë. Në atë periudhë kush bëhej mysliman kishte të drejtë të mbante armë, madje edhe sheshit, dhe kush nuk bëhej mysliman e kishte të ndaluar të mbante edhe fshehurazi armë, sepse po të kapej me armë ishte një kundravajtje penale e rëndë dhe në këtë kuptim shqiptarët kanë preferuar më mirë, sipas meje, të konvertohen në një fe tjetër dhe të braktisin fenë e tyre të parë dhe të mos u hiqet e drejta për të mbajtur armë. Arma për ta ka qenë më e rëndësishme sesa marrëdhënia që ata kishin me fenë e tyre, edhe me fenë që ata kishin në fillim, me Krishterimin, por edhe me fenë që morën më pas. Arma ka qenë një element shumë i rëndësishëm i jetës shqiptare, i ethos së shqiptarëve, i vizionit të tij për botën dhe unë e konsideroj një faktor të rëndësishëm të konvertimit, këtë marrëdhënie të shqiptarëve me armët.

‘Jam ilir’! Testamenti i Aleksandrit të Madh, që tronditi grekët e maqedonasit

$
0
0

Padyshim që figura e tij madhështore, la gjurmë në historinë e njerëzimit, aq shumë sa edhe mijëra vite pas tij betejat dhe fitoret e tij bëjnë bujë dhe lexohen në gjithë botën.

Bëhet fjalë për Aleksandrin e Madh, mbase figura më e shquar stratege dhe perandorake që ka njohur bota.

Por ajo që diskutohet sot ashpër në Ballkan dhe më gjërë, është origjina e tij.

Studiuesja e shquar italiane Lucia Nadin ka zbuluar ‘testamentin’ e Aleksandrit të Madh në të cilin ai i drejtohet popullit të Shkodrës duke ju dhënë atyre një territor në administrim si dhe duke ju drejtuar me fjalën se ai është “pinjoll i farës së ilirëve”. Dokumenti është publikuar nga studiuesja italiane e cila ka bërë një hulumtim shkencor për Aleksandrin e Madh.

Ky tekst është gjetur në tek “Statutet e Shkodrës”, të shkruara më 1469. Dorëshkrimi, i ruajtur në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia, u gjet nga studiuesja Lucia Nadin në vitin 1995.

Publikimi i parë u bë në Itali në vitin 2002 me kontributin e historianëve dhe gjuhëtarëve dhe përkthimin e tekstit në gjuhën shqipe. Në vitin 2003, në Shqipëri u botua një edicion i dytë me përkthimin në gjuhën shqipe të eseve hyrëse.

Ky botim është një tekst legjislativ i hartuar në gjysmën e parë të 1300 që shoqëroi ngjarjet e qytetit të Shkodrës deri në rënien e tij në duart e turqve në vitin 1479.

Ja çfarë shkruhej në letër:

Unë Aleksandri, bir i Filipit, mbretit të maqedonasve, mishërim i monarkisë, krijues i Perandorisë Greke, biri i Zeusit, bashkëbisedues i Brahamanëve dhe i Pemëve, i diellit dhe hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zoti i Botës prej ku lind dhe ku perëndon dielli, nga Veriu në Jug, pinjoll i farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë dhe Liburnisë dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qendrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen dhe përshëndetjet e mija dhe të të gjithë atyre që ndjekin sundimin e botës.

Duke qenë se ju gjithmonë me jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, u jap dhe u dorëzojë juve në zotërim të lirë gjithë hapësirën e Akuilonit e deri në skaj të Italisë së Jugut. Askush tjetër, veç jush, të mos guxojë të vendoset dhe të qëndrojë në ato vende dhe po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllavi i juaj, dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj.

U shkrua në Kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje buzë lumit madhështor të nilit në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitar të këtij akti janë Atleti, logotheti i im, dhe 11 princa të tjerë, të cilët unë po i emërojë si trashëgimtarë të mi dhe të të gjithë Botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës.

(Testamenti është zbuluar dhe përkthyer nga studiuesja italiane Lucia Nadin, të cilin ajo e ka paraqitur në hulumtimin shkencor, “Statuti de Scutari, della prima meta del secolo XVI con le addizioni fino al 1469”, e cura di Lucia Nadin, giogno 2002, Romë)./Konica.al/

Një superkoktejl për çmimet e letërsisë

$
0
0

Dy fituesit e Ministrisë së Kulturës për veprën letrare më të mirë, e të përkthyer në vitin 2016, janë: Idlir Azizaj me veprën origjinale “Shekspiriotët” dhe Diana Kastrati, për përkthimin nga gjuha italiane të Antionio Pennacchit, “Kanali i Musolinit”

U duk sikur njerëzit e ardhur në Teatrin e Kukullave ishin thirrur me zor, të shtyrë. Pjesëmarrja në ceremoninë e çmimit vjetor për letërsinë që ndan Ministria ishin nga kontingjenti i botuesve, shkrimtarëve dhe përkthyesve të nominuar, si dhe punonjës të Ministrisë së Kulturës më së shumti, një grusht njerëzish që mezi mbushën sallën e vogël të teatrit të fëmijëve. Në sallën e ftohtë, si gjithmonë në këto evente, nën drita të errëta juria ul/e ngrihu në podium ka shtyrë për rreth dy orë dhënien e vetëm, dy çmimeve. Një vanitet i gjatë në një zymtësi totale të organizimit, edhe pse entuziazmi fals i ministres nuk ia fshinte dot, me gjithë përpjekjen, pritshmërinë për një event të tillë: Ngjarje për librin! As mbrëmje, as lexime, as njohje nuk mund t’i bashkëngjiten epikrizës së djeshme si prezantim zyrtar të zhvillimit në letërsi për një hark njëvjeçar.

Ndërsa, pothuaj me “urdhër”, administrata e Teatrit të Kukullave të shtynte për nga superkoktejli i përgatitur në nderim të Librit.

Për dy muaj kemi lexuar rreth 50 libra, ka thënë kryetari i jurisë, Primo Shllaku.

“Kemi kryer detyrën me përgjegjësi. Ka qenë e vështirë puna, nuk lamë të na iknin autorë të njohur, të rinj, dhe të fondit në zgjedhjen e listës së ngushtë me 10 emra”.

Juria me në krye Shllakun, me anëtarë Flutura Açka, Elsa Demo, Bajram Karabolli dhe Lisandri Kola kanë paraqitur një listë përzgjedhëse për pesë autorë pretendentë, që i kanë vlerësuar si konfigurim i letrave të sotme shqipe!!!

Çmimi për veprën origjinale më të mirë iu dha Idlir Azizajt, për veprën “Shekspirotët” me motivacionin: “Vepra më e mirë e Letërsisë Shqipe” për vitin 2016, i jepet shkrimtarit Idlir Azizaj për veprën “Shekspirotët”, të shkruar në një zhanër që ndërthur imagjinatën groteske me peizazhin dramaturgjik. Rezultati është një tekst ku thuren me nerv dhe humor të zi në unitet mjedisi i trazuar shqiptar i shekullit XXI me një stil moderniteti”. Fituese e çmimit përkthimi më i mirë, për vitin 2016, u shpall përkthyesja Diana Kastrati me “Kanali Musolini” i autorit Antonio Pennacchi, për sjelljen në një shqipe sa të bukur e të pastër aq shprehëse dhe të begatë të romanit. Kandidatët për çmimin “Vepra më e mirë e vitit” ishin: Ardian Kyçyku – Incognito (roman), Shtëpia Botuese Naimi; Erion Papagjoni – Një burrë mes dy grave (dramë), Shtëpia Botuese Ada; Idlir Azizaj – Shekspirotët (novela dramaturgjike), Shtëpia Botuese Toena; Meritan Spahija – Vegimet e fundit (tregime), Shtëpia Botuese Fiorentia; Romeo Çollaku – Mjaltë në teh (roman), Shtëpia Botuese Zenit. Ndërsa kandidatët për çmimin “Vepra më e mirë e vitit e përkthyer”: Agron Tufa – Tristia (poezi), Osip Mandelstam – Shtëpia Botuese Pika Pa Sipërfaqe; Diana Kastrati – Kanali Musolini (roman), Antonio Pennacchi – Shtëpia Botuese Dituria; Ermira Danaj- Një frymëmarrje jete, pasioni sipas G. H. (roman), Clarice Lispector, Shtëpia Botuese Ombra GVG; Luljeta Lleshanaku – Bija e varrmihësit (roman), Joyce Carol Oates, Shtëpia Botuese Albas; Romeo Çollaku – Poezi të zgjedhura, Konstandinos Kavafis, Shtëpia Botuese Zenit. Jeta e këtyre teksteve tani mbetet në strategjitë e Ministrisë, edhe pse takohen për lexime librash, e që e perceptojnë leximin si fushatë, për ndërtimin e sistemit librar ende vazhdon të mbahet heshtje!

“The Field Museum”: Shqipëria, mes 100 objekteve të Mesdheut në Çikago

$
0
0

Në “The Field Museum” të Çikagos, më i madhi në botë, për herë të parë ekspozon edhe Shqipëria, me trashëgiminë nënujore. Lajmi bëhet i ditur nga Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ku ndalet në pjesëmarrjen shqiptare në këtë ekspozitë, si mundësi e shkëmbimit të kulturave. Sipas Tares, kjo është një punë 12-vjeçare e Fondacionit Amerikan RPM Nautical Archaeology, Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Detare, si dhe të gjithë partnerëve

Çfarë ndodh kur kulturat takohen dhe njerëzit kanë mundësi të shkëmbejnë mallra, kulturë dhe influencojnë njëri-tjetrin si asnjë herë më parë? Kjo është tema e ekspozitës së hapur në Muzeumin e Famshëm të Çikagos, e cila sjell së bashku fakte, objekte, histori dhe për herë të parë edhe foto nga thellësitë e detit Mesdhe. “The Field Musem” quhet hapësira që daton prej 1890, ku prezantohet për herë të parë Shqipëria, së cilës i ka kushtuar vëmendjen edhe media amerikane. Lajmi bëhet i ditur nga Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, ku ndalet në pjesëmarrjen shqiptare në këtë ekspozitë, si mundësi e shkëmbimit të kulturave.

Sipas Tares, kjo është një punë 12-vjeçare e Fondacionit Amerikan RPM Nautical Archaeology, Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Detare, si dhe të gjithë partnerëve që bëjnë pjesë në këtë projekt nga Ministria e Mbrojtjes, Instituti i Arkeologjisë, Flota Detare etj.

“The Field Museum i Çikagos është më i madhi në botë. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e ekspozitës më të rëndësishme që ky Muze mirëpret këtë vit”.

Më herët ka qenë dhe “National Geographic”, që ka publikuar një artikull mbi kërkimet nënujore shqiptare. Artikulli në fjalë është një vlerësim shumë i lartë për profesionalizmin e ekipit shqiptaro-amerikan në zbulimet e rëndësishme historike të fund detit tonë.

Kulturat e Mesdheut paraqesin një koleksion mbresëlënës të objekteve romake, egjiptiane, greke dhe etruske, të cilat zhyten në një kohë kur kufijtë u hapën dhe qytetërimet filluan të bashkëveprojnë. Kjo lëvizje e pashembullt çoi në tregtinë, udhëtimin dhe shkëmbimin e ideve përgjatë deteve dhe kontinenteve, duke ushqyer inovacionin dhe adoptimin në arte, fe, gjuhë dhe shkrim. Në ekspozitë prezantohen më shumë se 100 objekte nga koleksionet e muzeut “The Field”, kjo përfshin bizhuteri ari të etruskëve, një mumie nga Egjipti dhe një vaskë bronzi nga Pompei. Muzeu Historik i Natyrës, i njohur gjithashtu si “The Field Museum”, është një muze i historisë natyrore në qytetin e Çikagos dhe është një nga muzeumet më të mëdha në botë. Muzeu ruan statusin e tij si një muze i historisë së natyrës së parë përmes madhësisë dhe cilësisë së programeve të tij arsimore dhe shkencore, si dhe për shkak të ekzemplarit të tij të gjerë shkencor dhe koleksioneve artefaktike. Ekspozitat e përhershme të ndryshme dhe të cilësisë së lartë, që tërheqin deri në dy milionë vizitorë në vit, variojnë nga fosilet më të hershme në kulturat e kaluara dhe të tanishme nga e gjithë bota për programimin interaktiv që demonstron nevojat urgjente të ruajtjes së sotme. Përveç kësaj, “The Field Museum” ka një koleksion që shkon në mbi 24 milionë ekzemplarë dhe objekte që ofrojnë bazën për programet kërkimore shkencore të muzeut. Këto koleksione përfshijnë gamën e plotë të biodiversitetit ekzistues, meteorite, fosile, si dhe koleksione të pasura antropologjike dhe artefakte kulturore nga e gjithë bota. The Field Museum dhe koleksionet e tij kanë origjinën nga Ekspozita Kolumbiane e Botës nga viti 1893. Për të hapur ekspozitat dhe koleksionet e mbledhura për Panairin Botëror të Çikagos në 1893 për brezat e ardhshëm, Edward Ayer e bindi tregtarin Marshall Field për të financuar krijimin e një muzeu. Fillimisht titulluar Muzeu Kolumbian i Çikagos në nder të origjinës së tij, The Field Museum ishte inkorporuar nga shteti i Illinois më 16 shtator 1893, me qëllim të “grumbullimit dhe shpërndarjes së njohurive, si dhe ruajtjen dhe ekspozimin e artefakteve që ilustrojnë artin, arkeologjia, shkenca dhe historia”. Muzeu Kolumbian i Çikagos zuri të vetmen ndërtesë që mbetej nga Ekspozita Kolumbiane e Botës në Jackson Park, Pallatin e Arteve të Bukura, e cila tani strehon Muzeun e Shkencës dhe Industrisë. Në vitin 1905, emri i muzeut u ndryshua nga Muzeu Kolumbian i Çikagos në Muzeun e Historisë Natyrore për të nderuar bamirësin e tij të parë, Marshall Field, dhe për të pasqyruar fokusin e saj në shkencat natyrore. Gjatë periudhës 1943 deri në 1966, muzeu ishte i njohur si Muzeu Historik Natyror i Çikagos.


Gilman Bakalli: Me miqtë që ndajnë shqetësimin për “Intelektualin e munguar”

$
0
0

Në mjediset e Tulla Center, iu dedikua mbrëmja e një dite më parë, “Intelektualit që mungon”, ku bëri bashkë jo vetëm miqtë e lexuesit të një intelektuali si Gilmani, por duke nxitur debatin mbi “intelektualin që mungon sot” në shoqërinë shqiptare, marrë shkas nga shqetësimi i kësaj mungese hedhur në librin “Alfabeti i tranzicionit”, botimet “UETPress. 

“Gjëja e vetme që kanë mësuar shqiptarët e këtij çerekshekulli demokraci mbi intelektualin, është se sa e vështirë është të jesh i tillë. Cilido të ketë qenë pozicionimi i tij për çështje të ndryshme sociale, intelektuali shqiptar e ka pasur përherë gabim. Kur, përballë dëmtimeve ekologjike, rrezikut të zhdukjes së monumenteve të kulturës, krizave politike apo skandaleve financiare qeveritare, nuk dëgjohej asnjë nga zërat e artistëve, shkencëtarëve apo mendimtarëve, opinioni publik pyeste: “Po ku janë intelektualët? Po pse heshtin ata, intelektualët?” Kur ata nuk heshtnin, por ndërhynin, paralajmëronin, imponoheshin, jepnin rekomandime morale apo teknike për probleme të ndryshme, nuk vononin të bezdisurit e smirëzinjtë turinjvarur: “sa të padurueshëm këta intelektualët! Çdo ditë nëpër ekrane televizive! Pse i fusin hundët kudo? Pse bëjnë sikur dijnë gjithçka? Shkurt, pra, intelektuali shqiptar ose hesht e s’bëzan, ndërkohë që duhej të ngrinte zërin; ose ndërhyn e ngre zërin, ndërkohë që duhej të qepte gojën…”- e shkëputur nga libri “Alfabeti i tranzicionit”, konkretisht “Intelektual”, Moralist i angazhuar politikisht, Gilman Bakalli me një jetë publicistike 1990-2016, pothuaj ka lënë një testament mendimi për çështje tipike shqiptare, dhe atipike për funksionimin e intelektualit në Shqipëri. Gjurma e tij në sistemin akademik, por sidomos në intelektualin e shqetësuar për kohën e tij, ka krijuar një hapësirë diskutimi, por dhe dimensioni model. Për këtë, në mjediset e Tulla Center, iu dedikua mbrëmja e një dite më parë, “Intelektualit që mungon”, ku bëri bashkë jo vetëm miqtë e lexuesit të një intelektuali si Gilmani, por duke nxitur debatin mbi “intelektualin që mungon sot” në shoqërinë shqiptare, marrë shkas nga shqetësimi i kësaj mungese hedhur në librin “Alfabeti i tranzicionit”, botimet “UETPress.

Është pedagogu i filozofisë në UET, Klementin Mile që krijon këtë zgjatim të idesë së intelektualit të munguar në filozofinë dhe praktikën e përcaktimit të termit, e fjalës së duhur nga Gilman Bakalli. Mile ndalet të krijojë një koncept, ide se si kjo përcillet në librin “Alfabeti…”, por dhe në situatën e gjendjes kur Gilmani që gjallë.

“Gilmani në një farë mënyre ka tentuar që të na e kthejë vëmendjen tek ajo që është thelbësore. Për shembull Gilmani nuk pranonte  kollaj të renë që, duket se do duhet ta përqafonim të gjithë. Nga kjo propagandë se çfarëdo lloj gjëje që paraqitej si e re, ngado që vinte, Gilmani na thotë që të mbajmë një distancë kritike, për të vlerësuar me mjetet tona, me anë të refleksionit se çfarë duhet të pranojmë, çfarë jo, çfarë me rezervë…. Elementi tjetër ka të bëjë me një lloj përbërësi sekret të asaj mënyrës të konceptimit që kishte Gilmani. Këtu po analizoj, jo se më ka thënë vetë ai, se si i bëntë shkrimet. Këtë s’do ta dijmë ndonjëherë prej tij. Por unë shpesh e kam pyetur, dhe një herë më ka thënë: “Mendo sikur ke një kollare, është dikush që ka një kollare, është i kollarisur, i rrinë mirë të gjitha, mund të jetë zyrtar, një zyrtar politikan, që i di të gjitha, është krejt i sigurt, nuk ka nevojë për këshilla….Unë po  i bëj një gjë kollares së tij, i heq një fije, dhe duke bërë këtë shoh se si do të reagojë ky personazh, a do të jetë më po kaq i sigurt, apo do transformohet, çfarë do na shfaqë pasi të heqim këtë fije të kollares”. Kjo ishte mënyra se si shkruante Gilmani dhe unë besoj se mund ta gjejmë thuajse në të gjithë shkrimet e tij.

Megjithatë kujtoj dhe diçka tjetër që, sepse kjo është metaforë, sepse të flasësh për të hequr një fije të kollares dikujt është një lloj metafore. Por çështja është për të kuptuar ndoshta, çfarë donte të bënte realisht Gilmani. Kam menduar që çelësi i gjithë kësaj është tek një, madje e gjejmë edhe tek libri, tek shkronja NJ, njeriu, tek Alfabeti i Tranzicionit…”.

Ish- Drejtor i Mapos, Alfred Lela, duke folur mbi veprën që ka lënë Gilmani, ka ndarë veçmas se vetë jeta e tij ishte vepër. “Gilmani veprën më të madhe, më të fortë, më të skalitur, më të qëndrueshme kishte jetën dhe jo jetën si nocion sa për të thënë, në mënyrë të përgjithshme, por mënyrën se si ai jetonte jetën. Kujdesin me të cilin ai e gdhendte personazhin e vetë brenda jetës dhe jetën brenda njeriut që ishte. Misioni filozofik,  gazetaresk, publicistik, shoqëror i Gilmanit këtu është sepse i ka shpjeguar, ka patur guximin të shkruajë dhe të flasë për traumat tona, për të cilat edhe ka mundur t’i interpretojë. Ai që është intelektual këtë bën, interpreton në atë rrafshultën e madhe që është monotonia, e përditshmja, mundohet të ngrejë duna të mendimit dhe thepa që ta interpretojnë atë që është kronikë dhe nuk bëhet dot histori. Jemi në një fat të pafat ku na duhet të flasim për veprën e një miku por duke e ditur se kemi folur në të njëjtën kohë për jetën e tij e cila thashë ishte vepra e tij më e madhe”.
Shkrimtarja dhe përkthyesja Diana Çuli është ndalur në karakterin e shkrimit ndryshe të Gilmanit, si “përfaqësues i intelektualit të ri, i Shqipërisë së tranzicionit, jo në kuptimin e keq të fjalës por në kuptimin e mirë të fjalës që sollën një frymë të re, një analizë të re, një strukturim të ri të mendimit me anë të shkrimit të tyre. Mendimi i Gilmanit është dyshimi, ai dyshon mbi të vërtetat, dhe këto i analizon. Struktura dhe stili i librit “Alfabeti…” është mjaft interesante që tërheq në një lexim të thelluar, që duhet ta gjesh nëntekstin”
Gazetari, publicisti e politikani, Alfred Peza duke folur për jetën legjendë të këtij intelektuali tha se: “Ajo çfarë ne jemi këtu sot besoj, është projeksioni i pritshmërive tona për Gilmanin për pjesën tjetër të jetës. Sepse atë çfarë ishte Gilmani ne të gjithë e kemi prekur, nëpërmjet kontakteve me të. E kam takuar dy javë përpara largimit nga jeta, dhe në fakultet krejt rastësisht hyra në një sallë dhe e gjeta, folëm më tepër nga çfarë e kisha menduar dhe shkruajta këtë gjë më pas kur mora vesh lajmin. Dhe pikërisht është ky brezi i Steve Jobs që kanë krijuar një pritshmëri shumë të madhe, janë ata që në matematikë i quajnë më të mëdhenjtë mes të rinjve dhe më të rinjtë mes të mëdhenjve, kështu që gjykoj që është pikërisht kjo gjë thelbi i asaj magjisë që na bën sot këtu bashkë.”  Ndërsa administratori i UET, Henri Çili i është referuar shkronjës “U”, tek libri i “Alfabetit…” të Gilmanit, duke krijuar hapësirën e një debati mbi universitetet, dhe në këtë kujtesë thotë Çili ishte dhe diskutimi  mes tyre, si pikë bazike kush është roli i universitetit, pse duhen shkencat sociale, pse i duhemi shoqërisë, kur ndihet triumfi i teknologjisë etj.. Ndaj këto aktivitete, apo lexime e përballje të kësaj natyre janë vlerësuar si gjeste tipike për të reflektuar për këto tema. Gilman Bakalli ishte racionalist par ekselencë, – ka thënë drejtor i Mapo-s, Ervis Iljazaj, duke vazhduar se ky intelektual i jepte gjërave përkufizimin e saktë dhe emrin e duhur. “E kam njohur Gilmanin në takimet e filozofisë në Llogara, dhe ai ishte njeriu që vriste mendjen, ai ishte nga njerëzit që vriste mendjen dhe në kuptimin e vrasjes së një pseudoideje me ide. Kështu krijova një vlerësim për të, të njeriut që përpiqet seriozisht të mendojë duke e bërë veten: njeri esencial”, ka thënë fjalën e fundit, pedagogu i filozofisë,  Hysamedin Ferraj.

Këngëtari i fundit la pa trofe Elhaida Danin, si e përmbysi rezultatin Anxhela Peristeri

$
0
0

Anxhela Peristeri u shpall fituese në edicionin e 19-të të festivalit “Kënga Magjike”me këngën “E çmendur”.

Me shumë pak pikë diferencë, vendin e dytë e zuri Elhaida Dani.

Ishin votat e këngëtarit të fundit, i cili ndryshoi komplet rezultatin duke bërë që trofeu të shkojë në duart e Anxhela Peristerit.

Në një moment dukej se fitorja ishte e sigurt per Elhaiden, por 30 pikeshi i votuesit te fundit ndryshoi gjithcka.

Nata finale e “Kënga Magjike” u zhvillua dje në Pallatin e Koncerteve nën drejtimin e Ardit Gjebresë dhe aktorëve Bes Kallaku dhe Erion Isai.

Një komedi muzikore për të moshuarit “heronj”…

$
0
0

Një film artistik me metrazh të plotë ka bashkuar yje të kinematografisë. Tinka Kurti, Ema Andrea, Gazmend Paja, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, si dhe emra të njohur janë bërë pjesë e filmit ‘Yjet e së ardhmes’. Komedia romantike muzikore nga regjisori Edmond Topi do jetë në të gjitha kinematë e vendit që nga data 14 dhjetor

Një dështak në kërkim të suksesit, një zanë e mirë, ca të shkuara në kërkim të së ardhmes… Sfidojnë rregullat, moshën, vdekjen…këto janë fjalët në trajlerin e filmit “Yjet e së ardhmes” që pritet të shfaqet prej kësaj jave në të gjitha kinematë e vendit. Një film artistik me metrazh të plotë ka bashkuar yje të kinematografisë. Tinka Kurti, Ema Andrea, Gazmend Paja, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, si dhe emra të njohur janë bërë pjesë e filmit ‘Yjet e së ardhmes’. Komedia romantike muzikore nga regjisori Edmond Topi prek një anë sociale, ku shqiptarët ndihen të errët e të ashpër për të ngritur një botë shpirtërore. Skenari i Uli Bree, përshtatur për publikun shqiptar nga vetë regjisori, ka në fokus moshën e tretë dhe marrëdhëniet e shoqërisë me të, konkretizuar me brezin e tretë të atyre artistëve, që si pasojë e tranzicionit u lanë jashtë kujdesit të shoqërisë, e pothuaj të harruar.

Konsulente artistike dr. Mirela Oktrova pohon se ky film u kushtohet edhe të gjithë atyre, që mosha e tretë i gjeti me “ëndrra në sirtar” për shkak të mungesës së mundësive pavarësisht aftësive. “Shoqëria shqiptare, si një shoqëri e pazhvilluar, ka vuajtur dhe vuan nga sindroma e pamundësisë së realizimit të ëndrrave. Prapambetja shekullore, kodi zakonor, varfëria e më pas sistemi i çmendur autokratik bërë që miliona njerëz të mos kishin mundësinë të realizoheshin në jetë. Ky film u kushtohet edhe të gjithë atyre, që mosha e tretë i gjeti me “ëndrra në sirtar” për shkak të mungesës së mundësive pavarësisht aftësive”, thotë Oktrova. Me mesazhin se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta, filmi i vë brezat t’i ndajnë ato me njëri-tjetrin, duke i afruar ata në komunikim intensiv për përjetime, vlera, plane, dështime dhe suksese të përbashkëta. “Filmi tenton të sjellë krejt natyrshëm dhe në mënyrë organike argumentin se brezat mund të bashkëjetojnë shumë mirë nëse komunikojnë dhe njihen midis tyre. Dialogu i munguar në shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet, që vijnë kryesisht nga mosnjohja, do të tentohet që në film të vijnë përmes situatës herë absurde, herë të papërballueshme, herë tragjikomike, por jo rrallë edhe optimiste. I konceptuar si një komedi muzikore romantike, filmi kombinon karakterin sensibilizues me atë argëtues”, shkon më tej, Mirela Oktrova. I menduar si një komedi muzikore romantike, filmi është sa argëtues aq edhe tërheq në ndjeshmëri. Ai është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Bashkisë Tiranë. Sinopsi i filmit: Robi (40 vjeç) është një artist i “pashpërthyer” ende. Prej vitesh bën muzikë, por akoma nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, së bashku me formacionin e tij muzikor “Zjarri“ arrin të fitojë konkursin kombëtar “Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s’shkon sipas planit: sherrosja në një lokal e shpie në gjyq, ku i kanoset burgu… . Kur pas shumë vështirësish, gjykata ia konverton dënimin me punë në dobi të komunitetit, ai përfundon në një shtëpi të moshuarish, ku ka shefe fqinjën, të cilën prej kohësh e “torturon” përnatë me muzikën tij. Toleranca dhe temperamenti prej artisti e miqësojnë shpejt me të moshuarit, të cilëve iu rizgjon dëshirën për të jetuar dhe e afrojnë me vajzën, e cila zë ta njohë nga një plan tjetër. Po puna është e lodhshme dhe me orë të zgjatura – mungesat e shpeshta bëjnë, që formacioni i tij ta zëvendësojë me një kitarist tjetër. Tentativa e tij për të bërë një kor me të moshuarit, shihet si shkelje, drejtoresha e largon nga puna dhe njofton gjykatën.

Pa formacion dhe me një këmbë në burg, i duket se ëndrra u gropos përfundimisht, pavarësisht dashurisë me vajzën, derisa “miqtë“ e tij të moshuar e ftojnë të krijojë një formacion me ta. Sado e çmendur në fillim, ideja funksionon: ata arrijë të ushtrohen rregullisht fshehurazi drejtoreshës që mbikëqyr të moshuarit dhe policisë që kërkon artistin. Edhe “zbulimi” dhe më pas përplasja me drejtoreshën, jo vetëm që nuk i paralizon, por i bën të moshuarit “heronj”, të zgjedhurit e publikut dhe të rinjve…, pavarësisht moshës dhe të papriturave, që ajo “ruan” për ta.

 

Arkivi në ekran: Një portret poetik për aventurat e fëmijërisë

$
0
0

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shfaq sot në kinema Millenium premierën shqiptare “Një histori e fëmijëve të filmit”, me regji të Mark Cousins. Një histori e fëmijëve të filmit është i pari, dedikuar fëmijëve në kinematografinë botërore. Ky portret poetik për aventurat e fëmijërisë – surrealizmin, vetminë dhe zbavitjen, shihet në 53 filma nga 25 shtete – mes tyre edhe Shqipëria, që ka pasur premierën më Festivalin e Cannes, 2013

Një portret poetik për aventurat e fëmijërisë- surrealizmi, vetmia dhe zbavitja shihet në 53 prodhime kinematografike në 25 shtete, mes tyre edhe Shqipëria. Ky është projekti i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit që shfaq sot në kinema Millenium premierën shqiptare “Një histori e fëmijëve të filmit”, me regji të Mark Cousins, si e para histori e fëmijëve të filmit, dedikuar fëmijëve në kinematografinë botërore. Ky produksion ka patur premierën në festivalin e filmit në Kanë, në vitin 2013. “ Një kino-esse e mprehtë dhe origjinale, e pasuruar me mozaikë filmash, imazhesh dhe momentesh të fëmijëve në filma”, shkruan për The Guardian, Petër Bradshow në maj 2013.

Më tej “The Guardian” shënon: “Është një prej momenteve argëtuese në Cannes, i shfaqur, ashtu siç i takonte, në sektorin Cannes Classics. Kino-eseja e Mark Cousin për fëmijët në film është tejet origjinale, ndonjëherë e pazakontë, gjithnjë brilante: një mozaik klipesh, imazhesh dhe momentesh të zgjedhura me talent e hijeshi, të marra edhe nga burime familjare, por edhe nga arkiva të vjetër të lënë pas dore. Me dinjitet dhe pa cinizëm, Cousins na ofron idealizmin e tij humanist. Është frymë e re. Ai prezanton tekstet e filmave që iluminojnë dhe sfidojnë mënyrën si ne imagjinojmë të jetë «performanca» e një fëmije në kamera, të cilën e marrim si natyrën e vërtetë të fëmijërisë, dhe si rrjedhim marrim të mirëqenë edhe sjelljen e të rriturve që dalin para kamerës apo qëndrojnë pas saj. Ai sugjeron se si formë arti, kinemaja i ka kushtuar më shumë vëmendje fëmijëve se kujtdo grupi tjetër, ndoshta meqë është vetë në fëmijërinë e saj”.

Duke përdorur skena nga filma të ndryshim, si p.sh. «Jashtëtokësori»: (1982), An Angel at My Table (Një Engjëll në Tryezën Time) të Jane Campion (1990), An Inn in Tokyo (Një Han në Tokio) (1935) i Yasujiro Ozu dhe Kes (1969) i Ken Loach – si dhe shumë filma të tjerë – Cousins ndan me shikuesin qindra momente të shkurtra që meritojnë të studiohen. Ashtu si në serialin televiziv të gjatë The Story of Film (Historia e Filmit), Cousins merr një ide dhe e eksploron, në çdo drejtim, duke u hedhur nga filmi në film, por duke treguar gjithnjë respekt për materialet shembull. Ai hedh poshtë bias-et Anglo-Hollivudiane; ai përball filmat kontemporanë me ata nga e shkuara e largët, dhe fokusohet te kinemaja nga Irani, India dhe Afrika. Ashtu siç Puck vendosi një korse rreth botës për 40 minuta, Cousins viziton dhe i vjen tokës vërdallë brenda një ore e 40 minutash. Në “Screendaily”, kritiku i filmave, Mark Adams shënon: “Një shikim tërheqës, i ngrohtë, i matur dhe shpesh herë intuitiv në mënyrën se si fëmijët dhe fëmijëria kanë influencuar dhe frymëzuar kinemanë klasike në dekada. Ky dokumentar që të bën për vetë konfirmon atë që dinim prej kohësh… se aspektet e shumta të fëmijërisë nxjerrin në pah anën e mirë të kineastëve më të mirë në botë. Seria epike e dokumentarëve e 2001 e Cousins The Story Of Film: An Odyssey, e cila u shfaq në festivale filmash nëpër botë si dhe u ble nga platforma transmetimi të ndryshme, fillon me Cousins që kthehet në apartamentin e tij ne Edinburgh dhe vizitohet nga dy fëmijë, Ben dhe Laura, nipi dhe mbesa e tij. Ai e vendos kamerën diku dhe i filmon teksa luajnë, dhe përdor karakteristikat që ata shfaqin si mënyrë prezantimi aspektet e ndryshme të fëmijërisë të illustruara në filmin e tij”.

Riccardo Cocciante i ftuar nderi në Tiranë, ja ku do marrë pjesë këngëtari i njohur

$
0
0

Këngëtari i njohur italian Riccardo Cocciante do të jetë i pranishëm në festivalin e 56-të të Këngës që do të mbahet në Radio Televizionin Shqiptar.

Ndërsa na ndajnë vetëm 10 ditë nga çelja e këtij festivali, organizatorët konfirmojnë se kantautori i njohur italian do të vijë në Natën e Parë të Festivalit si i ftuari i nderit.

Kantautori i njohur italian Riccardo Cocciante ka qenë në Tiranë për një vizitë zyrtare në vitin 2013. Ai erdhi së bashku me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, pas triumfit të saj në “The Voice of Italy”. Cocciante i ka bërë një promovim të jashtëzakonshëm në atë kohë këngëtares shqiptare që triumfoi ën spektaklin italian si zëri më i mirë.

Ndërkohë grupi i organizatorëve dhe krijuesve festivalit janë në momentet e fundit të përgatitjes. Përveç provave në skenë po mendohet edhe për detajet e spektaklit të çdo nate të festivalit, i cili do të mbahet nga data 21 deri me 23 dhjetor në Pallati të Kongreseve”. Festivali do të moderohet nga Adi Krasta dhe organizimi vjen me regjinë e Pali Kukes.

PEN Albania 2017: Ylljet Aliçkaj shpallet shkrimtari i vitit

$
0
0

Qendra PEN e Shqipërisë dhe PEN International gjatë ceremonisë vjetore të Çmimeve për letërsinë Albanologjinë dhe përkthimin në Bibliotekën e Librit Akademik, të mbajtur më 8 dhjetor, shpalli shkrimtarin e vitit, pedagogun e UET, shkrimtarin Ylljet Aliçkaj, poetin e vitit, Ilirjan Zhupa, dhe përkthyesin Romeo Çollaku

Këto vite të fundit, po shënojnë një rast të rrallë për letrat shqipe, që në një anë flitet për krizë leximi, autorësh shqiptarë…por skena letrare tregon të kundërtën. Atmosfera lidhet me çmimet letrare, që tashmë nuk mund të konsiderohen vetëm një alternativë shtetërore, apo politike ku komprometimi e lidh autorin me veprën. Bashkë me vlerësimet e Ministrisë që ndan çdo fund viti, tani shtrirja e tyre liston të tjerë “mecenatë” që vlerësojnë letërsinë si vendëse dhe të huaj. Kështu pas çmimit Kadare, ndarë nga Instituti Pashko, renditen çmimet e Shoqatës së Botuesve në rastin e panairit të librit në Tiranë, si dhe, së fundi organizata ndërkombëtare për shkrimtarë “PEN”, mban aktivitetin vjetor dhe shpall çmimet e saj “PEN Albania”. Këtë vit “PEN”, organizoi para pak ditësh aktivitetin e saj vjetor, ku shpalli çmimet e shkrimtarit të vitit, në poezi, përkthim dhe autorin e ri.

Çmimi i PEN International Albania “Shkrimtari i vitit 2017” iu dha shkrimtarit Ylljet Aliçkaj, pedagog në UET, me motivacionin: Rrezatim dhe promovim i vlerave të letërsisë shqipe jashtë vendit- përkthyer dhe botuar së fundi në tri gjuhë: çekisht (Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë), italisht (Valsi i lumturisë-Një ëndërr italiane) dhe norvegjisht (Një rrëfenjë me ndërkombëtarë).

Entela Kasi, Presidente e Qendrës “PEN” në Shqipëri, dhuroi çmimin: “Mirënjohje për Vepër Jetësore dhe Kontribute të Çmuara në Kulturën Kombëtare”, për autorin dhe studiuesin Zef Mark Zeka. Qendra “PEN” dhuroi dy çmime: “Mirënjohje për Promovimin e Urave Kulturore përmes Gjuhës dhe Letërsisë në Botë”, për shkrimtarin Safet Hadroviç; si dhe “Mirënjohje në Fushën e Kulturës dhe Promovimin e Gjuhës Shqipe në Hapësirat mbarëshqiptare dhe Diasporë”, për z. Ali Daci. E ndërsa Kryetari i Bordit të “Pen Albania” z. Çerçiz Loloci, ndau çmimet: “Shkrimtari i vitit 2017”, Ylljet Aliçka; “Poeti i vitit 2017”, Ilirjan Zhupa; “Autori më i ri i viti 2017”, Akri Çipa; “Përkthyesi i vitit 2017”, përkthyesi Romeo Çollaku. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Kejdi Mehmetaj, e cila mbajti edhe një fjalim të shkurtër në këtë ceremoni. Ndër të tjera, deputetja Mehmetaj tha: “Unë do të jap angazhimin tim por besoj edhe të kolegëve të mi, qoftë si pjesë e Komisionit të Edukimit në Parlament. Për të mbështetur çdo iniciativë të “Qendrës PEN” për të afruar të rinjtë te librat, qoftë si lexues por edhe si shkrues.

 

‘Yjet e së ardhmes’: Tre breza aktorësh që “luftojnë” shpërfilljen

$
0
0

Tre breza aktorësh në një film, “Yjet e së ardhmes”, komedi romantike muzikore që sensibilizon për moshën e tretë si dhe reflekton mbi marrëdhëniet e brezave. Rikthehen në ekran plejada e aktorëve legjendë: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Reshat Arbana

Ka patur gjithmonë një boshllëk kur debatet apo refuzimi ndaj tij kanë piketuar njeriun tek artisti. Vetja hyn në ato foltore ku rrëfimi nuk merr aspak vlerë përballë qenies, humanizmit. Në këto marrëdhënie të rralla, të përditshmërisë, që i njohim, por edhe refuzohen, regjisori Edmond Topi ka takuar brezat për të kaluar në një ekran subversiv kur artistët pothuaj “shpërfillen”, për të kuptuar njerëzoren, dhe anasjelltas.

Topi nuk ka folur dje në premierën e filmit “Yjet e së ardhmes” për një kornizë autoriale, apo indipendente në kinema. Filmi i tij, me skenar të Uli Bree, thjesht pretendon publikun, spektatorin e kinemasë.

Ai gjithashtu u ka dhënë përgjigje edhe pse qasja e tij, marrëdhënies që krijohen mes brezave kur vjen fjala sidomos për të moshuarit, është bërë po aq pasionante për “box-in e zi” edhe nga regjisorë të tjerë shqiptarë.

“Yjet e së ardhmes”, një komedi romantike muzikore, me metrazh të plotë, pati dje premierën, për median e publikun, një film që ka marrë financimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike, i prodhuar nga Multimedia studio “Nositi”, Film & Tv Production.

Para mediave në panel, kanë qenë regjisori, dy aktorët Gazmend Paja dhe Elia Zaharia, si dhe konsulentja artistike, Mirela Oktrova, të cilët kanë folur në pikëpjekje absolute se qëllimi i këtij metrazhi artistik ishte se brezi i tretë në shoqërinë tonë është jashtë vëmendjes, dhe se kalon në një çast më idilik, mesazhi mbi harmoninë mes brezave.

Ema Andrea me energjinë dramatike, shndërruar në një komizëm absolut, grumbullon e çliron tensionin e filmit duke realizuar në një figurë brilante drejtoren e shtëpisë së pleqve.

Për nga ngjashmëria ky është produksioni i dytë shqiptar që mbledh artistët e disa brezave bashkë, që kanë patur kulmin në regjimin komunist, por kanë patur jetë artistike në kinema edhe pas ’90-ës, rënies së diktaturës. Mbi këtë imazh aktorët Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Luftar Paja që po jetojnë moshën e tyre të tretë, kanë qenë zgjedhja më speciale e regjisorit Edmond Topi për të zbuluar një kontekst historik, prej kësaj plejade.

Margarita Xhepa që kishte humbur ëndrrën për violinën prej kohëve të sistemit, rigjen shenjën për të kthyer këtë në një jetë të dytë. Margarita është një emblemë. Ka kaluar të 80-at, dhe prania e saj në shesh xhirim, përmes këtij produksioni tregon vitalitetin, energjinë se si është jetuar nga ky brez, dhe në anën tjetër, se si vjen sakrifica njerëzore.

Tinka Kurti, kolona zanore e grupit, formacionit muzikor të “zotërinjve të azilit”, këndon nën një siluetë vokale të realizuar nga Marsela Çibukaj, duke e shndërruar protagonizmin e saj në një rebelim ndaj refuzimit, mosvëmendjes. Tinka mbush 85 vjeç, këtë muaj. Prania e saj është një arketip i rrallë i figurës femërore, në çdo moshë, si edhe tani tek “Yjet e së ardhmes”. Kush ka njohur filmat nga diktatura, aktori Reshat Arbana është njeriu kornizë, babai strikt, i helmuar, me ndjesi të pashpërthyera. Por, tek “Yjet e së ardhmes”, gjesti i tij artistik, edhe pse mund të dukej jashtë kësaj natyre, ka mbajtur lirinë, si e fshehta e humbur, dhe mbërritja e saj në këtë çast mundësie. Ajo që dje ishte burg, sot është shpërfillje.

Vetë protagonistët e produksionit e kanë vlerësuar këtë film, si një ngritje shpirtërore, humane për të “moshuarit heronj”. Në këtë qasje të pazakontë, kanë folur dje para mediave edhe dy aktorët. Gazmend Paja e ka vlerësuar si një nga përvojat e tij të jashtëzakonshme, ku ka ndjerë frikën duke kaluar në një proces emocionesh dhe prekjeje të ndërgjegjes, jo vetëm si disiplinë artistike por edhe në argëtim. Përmes modelit të një grupi të moshuarish fillimisht në krizë vetmie dhe harrese, të cilët vullneti, këmbëngulja dhe dashuria për jetën i shtyn drejt një suksesi të paëndërruar duke i shndërruar në heronj edhe për të rinj, filmi e sfidon komunitetin lidhur me qasjen shoqërore ndaj moshës së tretë: suksesi, lumturia e madje edhe dashuria as kanë dhe as njohin moshë, nëse tenton drejt tyre, ato mund t’i bësh të tuat deri ditën e fundit të jetës.

Tre breza artistësh kanë performuar së bashku në një sfidë suksesi dhe mundësish, në një himn për dashurinë dhe jetën dhe besnikërie ndaj ëndrrave të pajetuara.

“Duke rrahur të transmetojë mesazhin se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta, filmi i vë brezat t’i ndajnë ato me njëri–tjetrin, duke i afruar ata në komunikim intensive për përjetime, vlera, plane, dështime dhe suksese të përbashkëta. Filmi tenton të sjellë kështu krejt natyrshëm dhe në mënyrë organike argumentin se brezat mund të bashkëjetojnë shumë mirë nëse komunikojmë dhe njihen midis tyre. Dialogu i munguar në shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet, që vijnë kryesisht nga mosnjohja, tentohet që në film të vijnë përmes situatës herë absurde, herë të papërballueshme, herë tragjikomike, por jo rrallë dhe optimiste”.

Në gjithë kohën, duke folur për përvojën njerëzore që ka pasur në këtë film, i gjithë ekipi realizues ripërsërit nevojën që ka shoqëria shqiptare në zgjimin e disa ndjeshmërive, siç janë dashuria, dhe krijimi i harmonisë mes brezave që si duket reflektojnë edhe shqetësimin e regjisorit, pse ky film u ngrit në këmbë: me pak para dhe me shumë vëmendje sociale.

 


Akti politik i Altin Bashës: Pushteti ende nihilizues, totalitar në Shqipëri

$
0
0

Një projekt provokues për politikën dhe pushtetin sot në Teatrin Kombëtar Eksperimental; regjisori Altin Basha me veprën “Rojat e taxhit”, bashkë me dy aktorët Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja, vendos shqetësimin e tij si estetikë në teatër, por edhe ngjarje sociale pse shqiptarët vazhdojnë të flenë gjumë, të jenë letargjikë përballë arbitraritetit të pushtetit të sotëm

Pse një regjisor shtyhet të vendosë në teatër një punë kërkimore, Altin Basha e ndan me momentin që po jeton. Teatrin që nuk po zhbëhet nga sistemi i trashëguar, aq edhe teatri politik që shqetëson regjisorin e angazhuar. Për të konsumuar të dyja momentet, së bashku, Basha ka zgjedhur veprën e “Rojat e taxhit” sipas veprës dramaturgjike të Rajiv Joseph, nga historia e famshme e “Taj Mahalit”, me garancinë e vlerësimit nga kritika botërore.

Por në vendin tonë si duket teatri ende qëndron nën rrogozin e politikës. Qoftë si shtypje, përdorje përmes institucioneve publike, pasi për treg teatror s’bëhet fjalë, qoftë edhe për kreacionin estetik. Basha është nga regjisorët rezistentë dhe interesat e tij gjithnjë janë lidhur me ambicien për ta shtyrë teatrin drejt skenës së pavarur. Por sa ka funksionuar kjo? Nëse do kishim një status quo ideale teatri nuk do ishte në gjendje kaotike ku është sot, bashkë me shpurën e aktorëve të përdorur, që vihen e hiqen nga puna sipas politikës, ashtu dalin e hyjnë në skenë sipas miqësive dhe inateve. Basha mund të mos jetë një prej tyre, por përballë këtij sistemi të ngritur zëri i tij mbetet i vakët. Mbi këtë realitet ai vazhdon të krijojë me të njëjtin shqetësim, së paku kur e sheh teatrin edhe si ngjarje sociale.

Si duket kjo shtysë angazhimi, e brendshme, e ka nxitur të bëjë, pothuaj, një zgjedhje ekstreme, provokuese për politikën: kundër ngritjes së kultit, arbitraritetin e autoritetit.

Me veprën “Roja e taxhit”, e parë si një lëndë politike, me mizanskenën e një ushtrie perandorake, Basha ka bindjen se rezonon me shoqërinë shqiptare, nisur nga ideja e pushtetit, se si shoqëria jonë vazhdon të jetë në gjumë, në letargji, në bindje të verbër ndaj tij. Nga ana tjetër, e konsideron këtë moment të veprës, edhe si një memorie ndaj dashurisë së humbur. “Monumenti fsheh një legjendë dramatike për raportin e pushtetit me njeriun, me të bukurën, e mbi të gjitha me miqësinë me të cilën përballet në këtë realitet”, thotë regjisori. Ky projekt sipas Bashës është një rrugë eksplorimi për një standard teatror, që nuk është komerc, as tregti, por një komedi e zezë, një teatër social që jep mesazhe të forta.

Regjisori tregon se do të jetë një shfaqje fizike, e fortë, dhe për këtë është një sfidë përtej skemave, teatrit statik, tradicional, me bindjen se do të provokojë edhe debat mbi tekstin. Edhe pse shfaqja ka elemente ekzotike, regjisori thotë se këto ndeshen sot në shoqërinë e ashtuquajtur moderne tonën.

Në fazën krijuese ku është, regjisori thotë se tanimë i përket skenës së pavarur, duke konsideruar teatrin një kërkim, dhe se mbi koshiencën e tij qëndron teatri i madh, teatri i pamundur të realizohet në Shqipëri.

“Në Shqipëri nuk ekziston një sistem për të konkurruar. Është shqetësuese se kemi elemente të totalitarizmit në shoqërinë tonë. Pushteti i do njerëzit të flenë, i pëlqen kjo lloj paqeje për të ushtruar më lehtë autoritetin e tij. Ndaj teatri në këtë rast është politik, dhe ngjarje sociale, për të shkaktuar e nxitur te publiku shqetësimin. Njerëzit duhet të flasin për to”.

“Roja e taxhit” ka të premten premierën, me rikthimin e aktorit Gazmend Gjoka, dhe takimin pas 17 vitesh të aktorit Lulzim Zeqa me regjinë e Altin Bashës, një punë ka veshjen e Ilirjana Bashës, me koreografi të Gjergj Prevazit, me materiale filmike të realizuar nga Florian Çangës.

Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja, Humaxhani dhe Baburi janë dy rojet e “Taj Mahalit”, monumentit shumë të studiuar për simbolikën e tij, nga mishërimi i bukurisë deri te i lavdisë së përjetshme që perandori Shah Jahan ndërtoi për bashkëshorten e tij të ndjerë Mumtaz Mahal. Dy miq të ngushtë që u ngarkohet një detyrë e vështirë, e cila në skenë shndërrohet në një sfidë fizike dhe psikologjike për dy aktorët që do të na rrëfejnë atë që studiuesit e referojnë si më afër të vërtetës së “Taj Mahalit”. Gazmend Gjoka ndalet në dy personazhet që “fillojnë si roje dhe i nënshtrohen një kalvari njerëzor për fizikun e tij, për veprimet e tij, për mendjen e tij”, ndërsa për aktorin Zeqja kjo është një punë “sfiduese për energjinë” që përcjell./V.Murati

Sinopsi

Humaxhuni dhe Baburi janë shokë të ngushtë dhe roje në ushtrinë perandorake të mbretit të Hindustanit Shah Xhahanit. Ndërsa bëjnë roje ata qeshin e fantazojnë me historitë e tyre të fëmijërisë dhe arratisjet në xhungël. Ata kanë privilegjin e çuditshëm të jenë roje të Taxh Mahalit, dedikimi epik që mbreti Shah Xhahani i bëri gruas se tij të vdekur Mumtaz Mahal. Kjo ndodh një natë para se ky monument t’i shfaqet botës si personifikimi më i fuqishëm dhe mbresëlënës i bukurisë. Humaxhuni, ushtar i gjeneratës së dytë thellësisht besnik, është i kënaqur që zbaton urdhrat edhe atëherë kur Perandori, i vendosur që asgjë më e bukur se Taj Mahali nuk ndërtohet ndonjëherë, i jep rojeve të tij një mision të tmerrshëm. Baburi i ndjeshëm dhe romantik e përballon këtë mision duke ju kundërvënë shkatërrimit të të bukurës si mburojë njerëzore. “Rojet e Taxhit” eksploron bukurinë, pushtetin, autokracinë, rezistencën dhe besnikërinë e verbër. Kjo pjesë është historia komike dhe e trishtuar e një miqësie të thellë që testohet e thyhet nga rrethana ekstreme dhe brutale.

Kiço Londo: Basha, kumbari i sallës “Molier”

Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental, Kiço Londo, vazhdon t’i rezistojë politikës, edhe pse ai nuk e konsideron “karshillëk” ndërtimin e dy sallave të reja, për faktin se përballë ka një institucion tjetër kombëtar, godina e të cilit, sipas një vendimi politik, pritet të shembet. Në Teatrin Eksperimental vazhdojnë ende punimet, dhe skelat janë hequr, duke marrë dje lajmin për gjendjen aktive të tri sallave që i ka pagëzuar, “Gëte” dhe “Molier”. Për këtë të fundit, kumbari thotë se është kompania “Basha Art” me premierën “Roja e taxhit”. “Sallat po i ngre për komunikim”, thotë Londo.

Romancat e “historive të fjetura” nga diktatura

$
0
0

Tre romane që rrëfejnë histori personale, histori dashurie që rrinin “të fjetura” në memorien e tre autorëve: Klara Buda, Lek Previzi dhe Mehmet Myftiut; ngjarje të rralla, pothuaj unike që sjellin ngjarje të jetuara, të strehuara në subkoshiencë duke na lënë ndoshta dhe romancat më të vrazhda të shkruara nga diktatura kur njeriu denigrohej dhe dashuria ishte akt rezistence…

Që nga momenti i arrestimit, një natë më parë, Adriani nuk kishte mbyllur sy. Atij nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, çdo gjë kishte ardhur papritur dhe ai nuk e kishte menduar se çfarë do të thoshte për marrëdhënien e tyre, por për asgjë në botë nuk do ta cenonte atë. Si pak të tjerë, ai qe ndërgjegjësuar se të dashuroje në atë sistem ishte në vetvete një akt rezistence…”.,  mund të jetë një nga fjalitë që hap qiellin e romanit “Pëshpërimë gruaje” të Klara Budës, që ndan sa romancën aq edhe memorien sublime për fatin e individit në diktaturë, kur dashuria shpërfillej, dhe njeriu denigrohej. Klara Buda krijon një fiction për ngjarjet e ’80-ës bazuar në një histori personale, tronditëse duke e ruajtur si një nga historitë subkoshiente të jetës së saj, derisa e çoi në “letër” si një histori e fjetur. Të njëjtin fat ndeshim edhe në romanin e rrallë memuaristik të Lek Previzit.  “Odiseja e pafajësisë”, një tjetër gjendje “e fjetur” prej shkrimtarit, e dëshmitarit të tmerreve komuniste me historinë e një çifti të dashuruarish, të vendosur në vitin 1920, se ngjarjet përcaktojnë fatin e tyre. Bëhet fjalë për Luftën e Dytë Botërore, që Previzi sjell në kujtesë jetën e rrallë e të mundimtë të të vëllait Valentin Previzit, që kalon kufinjtë e legjendës; jeta e të riut që kalon në sprovë pothuaj jashtënjerëzore, duke u ndarë prej bashkëshortes për 47 vite, ndarje e detyruar, që shoqëron rrëfimin unik, atë të historisë më të egër të komunizmit në Evropë, që vendoste edhe në denigrimin shpirtëror të njeriut.

Tjetër tronditje sjell dramaturgu i ri, mbyllur në psikiatri, që refuzohet të shkruajë, të dashurojë. Rrëfimi klasik i një jete të fshehtë, me dashuri të ndaluar, pothuaj perverse, të pafajshme, të çmendur që e shkatërron qënien, por edhe zbulon cila ishte jeta e vrazhdë dhe e pazakontë në diktaturë. Është rrëfim që ngre pyetje të ashpra të pathëna më parë: Çfarë fshihej pas imoralitetit politik të diktaturës?! Është romani për të cilin është folur më pak, “Tronditjet e njeriut” e shkruar nga Mehmet Myftiu, një rrëfim i fshehtë, që nisi të shkruhej herët, në vitet ’60, por e mbylli “romancën” në vitin 1991, ndërsa erdhi në duar të lexuesit pas 36 vjetësh.

 

***

Që nga momenti i arrestimit, një natë më parë, Adriani nuk kishte mbyllur sy. Atij nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, çdo gjë kishte ardhur papritur dhe ai nuk e kishte menduar se çfarë do të thoshte për marrëdhënien e tyre, por për asgjë në botë nuk do ta cenonte atë. Si pak të tjerë, ai qe ndërgjegjësuar se të dashuroje në atë sistem ishte në vetvete një akt rezistence…”., mund të jetë një nga fjalitë që hap qiellin e romanit “Pëshpërimë gruaje” të Klara Budës, i prezantuar në Panairin e Librit që sapo u mbyll, si pjesë e kolanës letrare të “Mapo Editions”. Romani ndan me lexuesit fatin e individit në diktaturë, se si një nga gjestet më sublime, siç është dashuria shpërfillte klasën, duke vendosur ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar shqiptar. Ideali i lirisë mbijeton, me gjithë reduktimin e individit në rendin më të ulët social, atë të skllavërisë. Për këtë libër, gazetari e kritiku Agim Baçi është shprehur se: “Pëshpërimë gruaje…është totalisht një libër i ri, por po ju them që do citoja Hanah Arend kur thotë se ndoshta dashuria është disidentja më e madhe e një sistemi dhe unë mendoj që lidhja midis Almës dhe Eduardit është një pasqyrim i disidencës, asaj të vetmes formë që mund ta sfidonte pushtetin. Titulli i ardhur në shqip “Pëshpërimë” është ndoshta formati ku arrihet i vetmi model që mbijetoi njeriu në atë kohë, si përshpërimë, nuk  kishte zë sepse në atë sistem zëri i lartë i takonte vetëm partisë, por ajo që e mbante këtë pëshpërimë, që mbante dhe njeriun gjallë, që e mbante njeriun për të mbijetuar ishte dashuria. Në fakt ka fituar një dashuri gati e pamundur por që përmes pamundësisë së dashurisë Klara ka dashur të pikturojë pamundësinë e atij sistemi”. Ndërsa vetë autorja, Klara Buda ka rrëfyer: “…është një libër për dashurinë si formë rezistence dhe ndoshta është ajo që na mbajti gjallë në atë kohë, është ajo periudhë aq e hidhur sidomos për brezin tonë që unë e quaj brez të humbur. Personalisht, shumë miq më thonë, se ky është një fiksion që nuk ka të bëjë absolutisht me një histori të vërtetë, nuk jam unë ajo vajza së cilës i ndodhin ato të këqijat, por unë ajo vajza të cilës nuk i ka ndodhur asgjë dhe kishte një vëlla të cilit i ndodhnin të gjitha gjërat. Isha motra më e vogël e një vëllai që përjashtohej nga shkolla, përjashtohej nga zbori, përjashtohej nga puna  dhe unë kam rrojtur në frikën se mos më ndodhte e njëjta gjë. Dhe duke jetuar me këtë frikë kam arritur në konkluzionin që gjëja më e tmerrshme e atij sistemi ishte psikoza që ai krijoi dhe frika që ai mbolli. Nuk ka një personazh pozitiv dhe negativ, të gjithë janë të brishtë, të gjithë kanë problemet e tyre, por ai që në të parë të parë të duket më i egri, më i pa bukuri, ai në një moment e kupton që frika i zbriti në zemër. Dhe ky ka qenë një moment deciziv në jetën time për të kuptuar pse shpesh herë ne dhe, si komb, edhe kur jemi në aeroporte, për një problem të vogël krijojmë një dramë të madhe. Dhe një fjalë e vogël i mërzit dhe bëhet një dramë e madhe. Po pse ndodh kjo? Ndodh se në atë periudhë, në atë sistem për një gjë të vogël ose për asgjë mund të ngrihej diçka që të çonte në burg apo në internim. Në fakt tema më e rëndësishme e romanit të ripunuar është trajtimi i psikologjisë së frikës. Se si frika i modelonte njerëzit, i tuste, i pengonte në jetën e përditshme.”

“Të tulatur e të puthitur te njëri-tjetri dhe duke mposhtur dridhjen e trupave të tyre e mbajtur frymën, por pa shumë pushtet mbi një drithërimë tjetër që sinkronizonte rrahjet e zemrave të tyre dhe përhapej në rrathë koncentrikë nga vullkani përvëlues i Almës drejt virilitetit paqtor të Adrianit […] Vështrimi i Almës normalisht i flaktë, dukej sikur kishte humbur. Sytë e saj, për të cilën thuhej se nuk trembej, shprehnin frikë. ..”

 

*** 

Bardhi e kuptoi se asaj i pëlqyen përkëdheljet e tij, bile se kërkonte diçka më tepër. U turbullua, e humbi, iu afrua dhe më, dhe i fërkoi me epsh të hapur fytyrën, trupin, gjinjtë e parritur mirë. Vajza e vogël u zverdh, por nuk lëvizi. Ajo po kënaqej. Bardhi u largua shpejt nga trupi i saj, se vërtet mund ta shihnin njerëzit. U largua dhe Trëndafilja duke ndjerë nxehtësinë e fërkimit të duarve të tij në gjinjtë që sapo kishin filluar të rriteshin”

Me nota autobiografike dhe imagjinate, ishte e vështirë për Mehmet Myftiun të botonte një roman përbuzës në kohën e tij, kur tonet imorale për kohën ishin të pazakonta në vitet ’80-të. Një shkrimtar del nga psikiatria dhe vendos marrëdhënie intime me një 14 vjeçare, një intimitet i “çmendur”, imoral, pothuaj një pedofili e pastër për moshën e mitur të vajzës. Mes vrasjes së ndërgjegjes dhe kënaqësisë së degjenerimit, dramaturgu kryen aktin e zbulimit në kohën më të vështirë për Shqipërinë. Për herë të parë kemi një përballje me një histori tronditëse. Libri “Tronditjet e një njeriu”, është nisur të shkruhet në fshehtësi në vitin 1966, por bëhet i plotë pas viteve ’90-të, por që mbërriti tek lexuesi 36 vjet pasi është shkruar.

 “Degjenerimi dhe shkatërrimi nuk do të ndodhnin kurrë, po të mos sillnin kënaqësi, sidomos në fillim, po të mos ishin mbështjellë me sheqer”, vë autori fjalët që dëshmojnë sistemin, në meditimin e personazhit kryesor, dramaturgut, Bardhit.

“Bardhin e vrau ndërgjegja se e dinte fare mirë që edhe përkëdheljet, fërkimet, puthjet e një të miture dënoheshin nga ligji në fuqi, dhe e ndjeu veten hipokrit. Vajza e vogël përsëri heshtte, por kësaj radhe mes fjalëve dhe veprimeve të bojaxhiut, dalloi diçka të gënjeshtër. Bardhi hapi derën dhe e nxori jashtë. Po kthehej në shtëpi i kapitur. Puthjet dhe shtërngimet e Trëndafiles i kishin dhënë gëzim, ëmbëlsi, ngrohtësi, por rreziku që i sillnin ato e trembte”.

Ka qenë e bija e Mehmetit, Besa Myftiut që ka zbuluar librin e “fjetur” të të atit, shumë kohë pasi e kishte shkruar.

“Për pak ditë mbyllej afati i dërgimit të veprave në konkursin me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste. Ai vendosi të bënte retushet e fundit të dramës, ta daktilografonte dhe ta dorëzonte në konkurs. Të gjithë trurin e kishte të mpirë nga haloperidroli që vijonte të pinte. Mezi qëndronte në karrige, duart i komandonte me zor. E mundonte dhimbja e kokës, mendimet i vinin me vështirësi, por prapë vijonte me këmbëngulte të përpunonte dramën. Pas një jave pune krijuese të mundimshme, u nis ta çonte në shtëpinë botuese. Kur hyri në dhomën e daktilografistëve, zhurmat e makinave të shkrimit u ndërprenë menjëherë. Të gjithë e kishin ndalur punën dhe vështronin me habi Bardhin, bile dhe me një fare frike. Gati gati u duk se në dhomë kishte hyrë një fantazmë. E njihnin dramaturgun dhe thashethemet për çmendjen e tij, kishin ardhur në veshët e tyre të ekzagjeruara dhe ja tani po e shihnin me sy në mes të dhomës, të ngrirë, me dorëshkrimin në dorë…”

Mehmet Myftiu lindi në vitin 1930 në Tiranë, në moshën 12 vjeçare u lidh më lëvizjen nacionalçlirimtare dhe u internua në kampin nazist të Prishtinës, ku shpëtoi rastësisht nga vdekja. Pas çlirimit, punoi si gazetar duke iu kushtuar në të njëjtën kohë letërsisë. Ai guxoi të vërë në dyshim skemën e realizmit socialist dhe të mbrojë të drejtën e shprehjes së mendimit. Autoritetet komuniste e dërguan në internim. Aty lindi romani i tij autobiografik i titulluar “Shkrimtari”, që u dënua si reaksionar nga regjimi. Mehmet Myftiut iu hoq e drejta e botimit; për njëzet e pesë vjet rresht ai punoi si shitës cigaresh.

Veprat e tij u botuan pas rënies së diktaturës, përveç romanit “Tronditjet e një njeriu”, botimet “Barleti”, i cili vjen në dorë të lexuesit pas 36 vjetësh pasi është shkruar. Mund të thuhet se ky roman përbën pjesën e fundit të triologjisë së Mehmet Myftiut që fillon me librin “Leka”, vazhdon me “Shkrimtari”, dhe përfundon me “Tronditjet e një njeriu”, ku trajtohen çështjet e problemet e shoqërisë shqiptare nga viti 1966 deri në vitin 1991. Dashuria, politika dhe letërsia gërshetohen e shkrihen në këtë libër sekret, fshehur në sirtar për me tepër se një çerek shekulli…

 

****

Të njëjtin fat ndeshim edhe në romanin e rrallë, të jetuar, të Lek Previzit.  “Odiseja e pafajësisë”, një tjetër gjendje “e fjetur” prej shkrimtarit, e dëshmitarit të tmerreve komuniste me historinë e një çifti të dashuruarish, të vendosur në vitin 1920, se si ngjarjet përcaktojnë fatin e tyre. Bëhet fjalë për Luftën e Dytë Botërore, që Previzi sjell në kujtesë jetën e rrallë e të mundimtë të të vëllait Valentin Previzit, që kalon kufinjtë e legjendës; jeta e të riut që kalon në sprovë pothuaj jashtënjerëzore, duke u ndarë prej bashkëshortes për 47 vite, ndarje e detyruar, që shoqëron rrëfimin unik, atë të historisë më të egër të komunizmit në Evropë, që vendoste edhe në denigrimin shpirtëror të njeriut.

Ndonëse me jetë më politike, vendosja e portretit shumëdimensional të Valentinit nis qysh në fëmijërinë e tij, si ishte formuar, dhe si u njoh me Marian:

“Ajo quhej Maria Gorizia, por e thirrnin shkurtimisht Gori. Ishte një vajzë e bukur, me një trup të përsosur « shtat selvi » dhe « sy zezë e vetullën gajtan » siç këndon shqiptari. Sigurisht se midis dy te rinjve lindi simpatia, dhe Valentini nuk mungonte për ta shoqnue dhe argëtue, duke mbajtun respekt e mirësjellje prej fisniku. Ai kishte njohun vajza te tjera si në Romë ashtu në Modena dhe Bolonja, por kjo kishte fillue me i hy në zemër dhe shkurt me thanë shqiptarçe, e kishte zanë qymyri. Ai filloi ta marri punën seriozisht dhe vendosi në vetvete sa ajo do te bahej grueja e tij. Në këto rrethana, Valentini gjente rastin me e ftue bashkë me nanën për darkë në restorantin e Pallatit të Oficerëve, një ndërtesë monumetale e vjetër, plot salla me objekte artistike, piktura dhe orendi të tjera luksoze. Nuk kishte mungue edhe pjesëmarrja në mbramje dhe ballo të organizueme herë pas here në raste festash zyrtare. Kështu ishte krijue nje lloj familjariteti qe nanë e bijë e kishin pranue. Kinematë asokohë ishin vendet ma të frekuetueme ku njerëzit kalonin disa çaste zbavitjeje me filma të ndryshëm…”

Një histori e pabesueshme e ndodhur vërtetësisht që vazhdoi tragjizmin gjatë periudhës  komuniste. Ndërsa Uliksi u nis në luftën e Trojës thuaj 25 vjeç, u kthye në Itakë pas 20 vjetësh, në moshën më të mirë ku e priste Penelopa, akoma e re dhe e bukur. Valentinit iu deshën 47 vjet përballime të stuhishme ideologjike, i syrgjynosur në burgje e kampe pa shpresë shpëtimi. Vetëm pas shembjes së komunizmit, tanimë “të larguar” nga rrudhat dhe koha, Valentini me bashkëshorten gjenden përballe, pas 47 vjet ndarjeje të imponuar, dyfish e më tepër nga ndarja e Uliksit me Penelopën. Ata me vështirësi e njohën njëri tjetrin, tashmë të tronditur pas asaj pritjeje të gjatë e të ankthshme.

“Titulli i veprёs, mjaft domethёnёs, shtyn kёrshёrinё pёr ta zbuluar atё jetё, nё tё gjitha shfaqjet e saj mё tё rёndёsishme. Ajo kёrshёri kthehet nё njё makth tё vёrtetё, i cili e mban tё pushtuar deri nё fund, deri nё çastin qё ajo jetё fiket, pёr t’u ndezur diku nё botёn e pёrjetёsisё. Ai makth pёrcaktohet nga fakte e ndodhi tё vёrteta, qё sa mё shumё lexuesi zhytet nё to aq mё shumё zgjojnё tek ai pyetje pa pёrgjigje, nё tё cilat pёrpёlitet vetёdija qytetare e tij : a mund tё ketё dёnim pёr njё njeri pёr tё cilin nuk ka asnjё farё padije tё vёrtetё pёr veprimet e tij ? ; cili kod etik, moral apo ligjor mund tё pёrligjё njё dukuri tё tillё tё llahtarshme ?; deri ku arrin pёrgjegjёsia morale e njё shoqёrie dhe e njё shteti qё ligjet e tyre i hartojnё mbi kritere tё tilla?

Autori i le tё nёnkuptuara kёto pyetje tё vetёdijes sё lexuesit, ai mjaftohet me pёrshkrimin besnik tё ndodhivet qё kanё pёrcaktuar jetёn e njё çifti njerёzish tё dashuruar. Historia e saj mbetet hullia kryesore e romanit, nё tё cilёn derdhen rrjedha ngjarjesh tё tjera qё kanё pёrcaktuar epokёn historike. Ajo dashuri ndёrthuret me ngjarjet e kohёs sё Luftёs sё Dytё Botёrore, jo vetёm se lind e zhvillohet gjatё saj, por se ato bёhen pёrcaktuese, me ashpёrsinё e tyre, nё ecurinё e saj. Ka diçka madhёshtore, deri nё kufijtё e legjendёs, nё fuqinё dhe qёndrueshmёrinё e asaj ndjenje, qё sfidon ligёsinё e botёs, por triumfon mbi gjithçka. Ajo dashuri ёshtё mё jetёgjatё se diktatura komuniste qё pllakosi Shqipёrinё, duke e vёnё çiftin nё njё provё jashtёnjerёzore, 47 vjet ndarjeje tё detyruar nga ligjet e shkruara e tё pashkruara tё njё regjimi, sa mizor aq dhe unik, nё historinё e komunizmit evropian”, shkruan Eugjen Merlika, në parathënien që shoqëron botimin e romanit.

Promovimi: ‘Në opinionin tim’ i Valbona Zenelit mbledh personalitetet

$
0
0

“Në opinionin tim” është libri më i ri i “UET Press” me autore Dr. Valbona Zenelin. Ky libër ka bërë bashkë figura të njohura të politikës dhe diplomacisë, gjatë prezantimit në “Xheko Imperial”.

I pranishëm në cemoni ishte edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili tha se, Valbona vjen me profilin e një njohëseje të mirë të diplomacisë, ndersa nënvizoi kritikat e saj në libër mbi ikjen e trurit.

Ambasadori amerikan, Donald Lu, tha se mezi pret të njihet me leximin e këtij Libri. Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj, duke cituar Konicën, tha se, e rëndësishme është thelbi shqiptar në këndvështrim.

Libri me autore Valbona Zenelin, pedagoge pranë “Marshall Center”, trajton çështje të sigurisë europiane, tregtisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Libri shoqërohet me skica të djalit 12 vjeçar të autores dhe vjen me parathënie nga personalitete të shquara në fushën e sigurisë dhe gazetarisë në Europë./Mapo.al/

Mbush sot 85 vjeç, Tinka Kurti rrëfen: Ja çfarë kam lënë amanet…

$
0
0

Përvjetorin e 85-të Tinka Kurti e feston në Shkodrën e saj të dashur. Drejtorja e Teatrit “Migjeni” Rita Gjeka e ka ideuar bukur festën, duke e etiketuar “Tinka e Përjetshme”.

Pjesë të festës do të jenë shumë aktorë me origjinë nga Shkodra, por edhe të tjerë që kanë interpretuar në skenën e këtij teatri.

Në një farë mënyre, ditëlindja e Tinkës, do të jetë festë e artistëve shqiptarë të të gjithë moshave.

Nga Zenepe Luka

Aktorja përjeton emocione të mëdha , jo vetëm pse është një vit jubilar, ku vjen me një rol të ri, por edhe për shkak se festa bëhet në qytetin e saj, që e do marrëzisht. “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”-thotë Tinka, përpara se të nis bisedën.

Cilat role do t’i konsideronte më të spikatura, “të mëdhenj” Tinka Kurti?

Unë kam pasur fatin të kem tërë kohën role parësorë në skenë dhe filma, por veçoj rolin e Lokes tek “Toka Jonë”, nënë Pashakoja tek “Yjet e netëve të gjata”, rolin e nënës tek “Gjaku i Arbrit,” tek “Streha e të Harruarve” dhe deri tek i fundit në filmin “Yjet e së ardhmes”, që po shfaqet këto ditë. Në të vërtetë për aktorin, por edhe artëdashësin ka role të vegjël, që vlerësohen të mëdhenj, për nivelin e interpretimit, mesazhin që përcjellin.

Tinka Kurti është artistja e parë, që realizoi puthjen në film, madje në filmin e parë shqiptar. Si e keni përjetuar?

Kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla, që tashmë janë të zakonshme. Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë, që shkela çdo besëtytni për të realizuar rolin. Duhet të jemi objektivë, se këtë nuk e bënte çdo femër aktore.

Pak kush e di, që Tinka Kurti jep një kontribut edhe në shoqërinë civile. Ju jeni zv.Presidente e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, mundet nga goja juaj, diçka më konkretisht?

E them gjithmonë, madje me zë të lartë, që ky Fondacion, ku bën pjesë gruaja e shquar, përfshi edhe shumë aktore si unë, Margarita,Roza, Edi, Irini etj, i ka rënë botës rreth e qark, duke bashkuar zërin e gruas shqiptare. Ne artistet bëjmë punën tonë, recitojmë, interpretojmë, duke dhënë e marrë emocione. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme për 15 vjet dhe nuk besoj se do të ndalet ky Fondacion, sa kohë ka në krye një grua, që nuk përmbahet, sikurse je ti, Zenepe Luka.

Nga këto veprimtari, që e bëjmë vullnetarisht, kemi caste shumë të bukra, që nuk mund të harrohen.E tillë ishte prania jonë në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti i vitit 2008, ditë e acartë, por që na ngrohu shpirtin, një ditë e shumëpritur. Kam fiksuar në foto çastin kur një shqiptar i ardhur nga Australia më vendosi një qylaf në kokë dhe më mbështolli me flamurin e Kombit. E kam të shtrenjtë atë foto.

Dua të përmend faktin, aq më tepër që këtë bashkëbisedim e bëjmë me rastin e ditëlindjes, që Fondacioni ma ka festuar tre herë ditëlindjen. Njëherë teksa udhëtonim me avion në lartësinë 8000 metra, kur shkonim në Stamboll në kuvendin e 7-të të gruas së shquar, ku festa përfshiu edhe 75-vjetorin e lindjes sime. Emocione të paharruara solli më pas ceremonia e bukur me rastin e 80 vjetorit, ku morën pjesë gra nga disa vende, që drejtojnë degët e këtij Fondacioni

Si e kalon kohën Tinka Kurti?

Ditën e kaloj mes artdashësve, vargu i të cilëve nis sapo hedh shkallët e pallatit tim. Telefonata të pafundme më urojnë dhe më pyesin për shëndetin. Me kolegët dhe shoqet e skenës kalojmë një kohë të rëndësishme bashkë.

Por ne lëvizim shumë shpesh me Fondacionin, por jemi të kudondodhura në aktivitetet, që bëhen nga drejtoritë e teatrove. Rëndësi ka që ende interpretojmë role, role që i shkojnë moshës tonë. Kështu do të vazhdojmë sa kohë jemi mirë me shëndet. Është e vështirë të ndahesh nga skena, ku ke kaluar një jetë të tërë. Sigurisht, të ngrysesh dhe gdhihesh vetëm nuk është e lehtë, por ja që emigrimi ma mori djalin e vetëm. Sikurse e dini, unë kam një shtëpi të thjeshtë, pa komoditetin e kohës, por zonja e saj është një artiste, që ka sakrifikuar për të lënë si pasuri 110 vite punë. 60 vjet në teatër dhe 50 vjet në kinematografi. Ndaj them që kjo shtëpizë e varfër, të mbetet një muze i pasur. Është, e vetmja pasuri që kam në këto 110 vite punë e sakrificë. Ia kam lënë amanet tim biri që kjo banesë të jetë derëçelur përjetësisht. Aty do të evidentohet “pasuria” ime, vlerësimet, fotot, kasetat e CD me filmat e mi, veshje të roleve./Koha Jonë/

Tinka e përjetshme

$
0
0

Edhe pse 85 vjeç, aktorja Tinka Kurti, me një jetë të gjallë artistike, sapo mbylli premierën e filmit “Yjet e së ardhmes”, me regji të Edmond Topit, në një rol protagonist; një ditë më parë është gjendur në Shkodër, e entuziazmuar nga atmosfera dhe pritja e jashtëzakonshme në festimin e ditëlindjes së saj, pa asnjë suitë politikanësh në radhë

“Para se të hyjmë në teatër e ta urojmë për ditëlindje, të gjithë së bashku, dua të them se Tinka Kurti është e përjetshme, e mrekullueshme, por ajo është edhe lashtë”, fjalët e aktorit shkodran Zef Deda kanë qenë solemniteti jozyrtar që për herë të parë shohim të krijohet një piedestal i tillë për një aktor, pa prezencë politike.

Ndjekur nga kamerat, një grup i madh njerëzish, të afërm, miq, adhurues, artistë e qytetarë shkodranë mu para teatrit të Migjenit kanë nderuar aktoren Tinka Kurti në 85-vjetorin e lindjes në një festë madhështore.

Për të nderuar kontributin, dhe emrin e Tinka Kurtit si artiste, dhe qytetare shkodrane, aktori Zef Deda ka drejtuar për nga sheshi para teatrit, për të mbjellë një ulli në kujtim të saj në këtë 85-vjetor. “Për arsye se ulliri ka jetë të gjatë, ky do të jetë ulliri Tinka, i përjetshëm”. Tinka ka marrë lopatën duke hedhur në mënyrë simbolike pak dhe, në rrënjë të tij, si shenjë përjetësie. Ka qenë drejtorja e Teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka, e cila ka ideuar festën, duke e etiketuar “Tinka e Përjetshme”.

“Nuk e prisja këtë. Falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë këtë popull të mrekullueshëm që erdhi këtu, që janë shkodranët e mi dhe jam lind e jam rrit me ta. Pavarësisht se kam ndenjur në Sarajevë, jeta ime është këtu në Shkodër. Falënderoj në mënyrë të veçantë kryetaren e Bashkisë që ishte aq e gatshme, por edhe Rita Gjekën me gjithë stafin e saj të teatrit Migjeni”, ka thënë aktorja.

Aktorja duket se e ka marrë veten dhe nga gjendja jo e mirë shëndetësore që kaloi pak kohë më parë. Një urim i veçantë aktores i është bërë edhe nga shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka. Për shkrimtaren, Tinka është një nga gratë më të mençura dhe më të talentuara shqiptare: “Ti ke moshën e Mams, Tinka Kurti, e mamat kurrë nuk plaken… Edhe 100 vite për një nga gratë më të mençura e më talentuara shqiptare që kam takuar!”. Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë. U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947-n u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe. Që viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role.

Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958-n.

Viewing all 1708 articles
Browse latest View live