Një nga festivalet më të mëdha të muzikës në Evropë “Eurovision” ka pësuar një goditje, kjo pasi 21 anëtarë të nivelit të lartë organizativ kanë dhënë dorëheqje, raporton BBC.
Ekipi ukrainas i “Eurovisionit” ka thënë se u janë hequr përgjegjësitë e mëdha në dhjetor, kur një shef i ri ishte emëruar në komitetin organizativ.
Në letrën e tyre të dorëheqjes thuhet se ata ishin “bllokuar plotësisht” nga marrja e vendimeve për shoun. EBU, që është themeluese e “Eurovisionit”, i ka thënë transmetuesit publik të Ukrianës që të “qëndrojnë në afat kohor” për përgatitjet, përkundër trazirave. EBU ka insistuar që festivali të mbahet ashtu siç ishte planifikuar, në maj në Kiev.
Në mesin e anëtarëve që kanë dhënë dorëheqje janë edhe dy prodhues ekzekutiv të shout të sivjetmë. I gjithë stafi ishte emëruar nga transmetuesi publik ukrainas (UA:PBC), që e organizon këtë festival pasi në vitin e kaluar fituese ishte shpallur Jamala me këngën “1944”.