Edhe pse pati zhurmë dhe kritika mbi një shfaqje që i rezultoi një eksperiment i keq, regjisori maqedonas Sllobodan Unkovski e konsideron të jashtëzakonshme veprën e Kadaresë, komplekse dhe të vështirë për të ndërtuar një teatër që dialogon. Publiku duartrokiti si gjithmonë dhe pse ishte i mbushur me aktorë e regjisorë të kryeqytetit që sillen vetëm në oborrin e teatrit e më mirë se shfaqje bëjnë zhurmë e shesin arrogancë, dhe “kritikojnë” vetëm nën zë njëri-tjetrin
Sfondi: Në ballë të skenës duket muralja e njohur e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, por vetëm këmbët e triumfatorëve të njeriut të ri të komunist. Disa shtylla antike, mermeri, të bardha me një mjedis plot dritë. Shumë e ftohtë fantazia skenike… që dëshmon agorën e komunizmit, edhe pse ngjarja është e errët, dhe imagjinata të çon në një mjedis të mbyllur, pa dritë…apo atje ku të ngacmon rrëfimi i artistit, arkitektit se shtëpia e ish-kryeministrit ka dalje dhe hyrje të fshehta.
Pesë vajza të veshura me kostumet partizane e shalle të kuq në qafë, janë narratoret e historisë, janë personazhet –një kor i realizuar për të kumtuar tekstin, historinë, dhe paraprirë ngjarjen, çfarë do të ndodhë në mbrëmjen e 13 dhjetorit, që ne shqiptarët e marrim me mend së është viti 1983, kur Mehmet Shehu sipas kronikës zyrtare të kohës vrau veten, krejt befasisht. Ngjarja është ajo histori në diktaturë, të cilën Kadare e ka përshkruar në librin e tij, “Pasardhësi”. Skena është e regjisorit maqedonas Sllobodan Unkovski, që prej 4 vitesh ka bluar në mendje dramatizimin e kësaj historie. E vështirë? Sigurisht, për një regjisor të huaj që krijon kontaktin me veprën përmes ndërtimit të imagjinatës dhe hyn në një sfidë idesh ka disa probleme rrugës. Për Unkovskin, ashtu siç na rrëfeu së pari, me këtë vepër në kokë ia kishte propozuar Teatrit Kombëtar në Tiranë, por ka mbetur pa përgjigje. Mendimi i Unkovskit për ta sjellë në Tiranë, si projekt apo sikur të kishte një përgjigje pozitive, ndoshta duhet të ketë qenë më pak zhgënjyese se sa trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Publiku në Tiranë, ku salla pothuaj 90% e mbushur me aktorë e regjisorë të kryeqytetit, nuk e priti mirë. Ky publik i zgjedhur, për shkak se lajmërimi ishte i papritur, veç një ditë përpara, dhe shfaqja pa para, e duartrokiti në fund shfaqjen. Por përgjatë saj, sikur kondicionerët e Çulit të bënin më pak zhurmë, do dëgjoheshin pëshpërimat e pakënaqësisë, mërzitjes me shfaqjen e Unkovskit: Dramë pa marrëdhënie, totalisht politike, pa dialog, e thatë, jo e gjallë…Në fakt, rrallëherë qëllon të pritet një regjisor me aq entuziazëm nga Ballkani sa Unkovski për shkak se është mjaft i njohur, një nga më aktivët me gati 100 shfaqje dhe për më tepër ka një përkushtim të veçantë për të pasur marrëdhënie me teatrin shqiptar, si të Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës, pavarësisht se kjo e fundit e ka refuzuar shpesh (njëherë Kumbaro dhe një herë Çuli, gjithmonë pa arsye). Unkovski bën Teatër. Por këtë herë me idenë për të sfiduar veten mbi një vepër komplekse, por edhe për ta parë fatin e individin në diktaturë, Unkovski me shqiptarët e Kosovës pati një “goditje” nga përvoja e jashtëzakonshme e mëparshme, siç pohon për këtë teatër.
Pyetjes mbi konceptin regjisorial për këtë pjesë, regjisori iu përgjigj se çfarë pamë të martën në mbrëmje ishte një përpjekje. Për të ishte shumë e vështirë për të shpjeguar mossuksesin mbi këtë performancë, duke u ndalur se sa e rëndësishme ishte për të folur mbi një moment jo të qartë për Shqipërinë. Duke e konsideruar veprën e Kadaresë të jashtëzakonshme, kishte kuriozitetin për t’ju afruar shkrimtarit, duke qartësuar e mbështetur këtë moment të historisë shqiptare. Si duket kjo shfaqje, pavarësisht sfidës për Unkovskin nuk u lidh aq me tekstin që nuk e ka “detyrë” primare teatrin, ku punët e tij ashtu si në parim funksionon skena janë zbulimi i karaktereve, idetë në teatër.
Me shfaqjen “Pasardhësi” narrativa e ekzagjeruar e humbi këtë synim, edhe pse regjisori e ka justifikuar se nuk kërkonte identifikimin e historisë, ku ndodh ngjarja. Ka qenë i apasionuar pas kësaj periudhe, kësaj historie të paqartë politike ku ka përdorur rreth 90% nga materialet e Kadaresë, të marra nga përkthimi anglisht. Historia është një laborator për Unkovskin, duke thënë se e merr atë për ta kuptuar më mirë në ditët e sotme, jo vetëm për shqiptarët por, për gjithë Ballkanin. Ndaj për regjisorin pak rëndësi ka nëse është në Tiranë, Paris apo Bangladesh. Është vlerë të përmendet se qëllimi në këtë rast i regjisorit është skema universale, kozmopolitike e shfaqjes: një prijës kudo të jetë, dhe një vrasje misterioze e kryeministrit. Për ta provuar këtë në një mjedis shqiptar, edhe pse i refuzuar, ndoshta ka qenë një risk kur ende jemi afër epokës që deformoi njeriun, individin. Duhet përmendur, se gjithë puna krijuese e Unkovskit në teatër ka qenë angazhuese, jo diçka e re, sa vetëm na vë në dukje se historia për diktatorët, dhe fatin e njerëzve të zakonshëm, janë raportet që kërkon për skenën. Për ardhjen e kësaj ideje sot, nëse është momenti i duhur, regjisori maqedonas thotë se për të është vonë.
Kur bëhet fjalë për Pasardhësin e Kadaresë, Unkovski ka dhënë zbërthimin optimal mbi tekstin, duke u ndalur në enigmën se çfarë ndodhi në natën e 13 dhjetorit, me vit të pacaktuar, vendin përveçse një sfondi të njohur në Tiranë, mbi të cilën regjisori thotë se nuk ka pasur qëllim për t’i dhënë përgjigje, apo të zgjidhë këtë enigmë. Artisti, arkitekti, në rol, Bajrush Mjaku është “i dënuar” të hedhë te publiku dyshimin, enigmën dhe të luajë me historinë që e di se ka një mur, një derë, se prijësi ka hyrë sa herë ka dashur në dhomën e kryeministrit, përmes rrugëve të errëta. Aktori i Kosovës, që e njeh po aq mirë historinë, është pothuaj një pjesë e shkëputur, që e fut ngjarjen në kronologji, por jo aq sa për të shpëtuar nga narracioni i tepërt. Mjaku thotë se ka qenë një ide prej katër vitesh e regjisorit, ndërsa për më shumë se dy muaj, kanë bërë udhëtimin Shkup-Prishtinë ku deri tani kanë realizuar pesë shfaqje, me premierë në fund të dhjetorit. Si duket aktori është pajtuar me rishpjegimin e romanit të Kadaresë, por në shfaqjen e Tiranës publiku i zgjedhur (nga teatri) për të parë një shfaqje falas nuk e pa veten në idetë e Unkovskit. Të paktën leksioni në hije që na la ky regjisor është sfida e punës, se si kalon kufijtë një intelektual i angazhuar për të zbuluar historinë, se çfarë domethënieje ka sot. Sidomos kjo për diktaturat./V.Murati