Arbëreshët e Italisë kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri, duke nisur nga Kruja, Shkodra dhe në Lezhë për të festuar 550-vjetorin e fitores së Skënderbeut mbi ushtrinë osmane të udhëhequr nga Ballaban Pasha. Fitorja e Skënderbeut daton më 24 prill 1467
550 vite të fitores kundër këtyre pushtuesve osmanë u festuan ditën e shtunë nga arbëreshët e Italisë. Ata erdhën mëngjesin e kësaj dite për të qëndruar në Shqipëri tri ditë me radhë në kuadër të organizimit të Paulin Zefajt dhe Bashkisë së Lezhës; erdhën të na kthejnë në kohë, përmes kulturës e traditës shqiptare, përmes gjuhës e veshjes që përdorej para 550 viteve.
Breza të vjetër e të rinj që nga mbërritja e tyre në Arbëri, nuk ndalën këngën duke kulmuar me Vallen e fitores. Pelegrinazhi i tyre në kujtim të fitores së Skënderbeut ka nisur në Krujë, me veshjet e tyre madhështore, të udhëhequr nga kryetari i komunës ku ata jetojnë, Noè Andreano. Kaluan përmes Pazarit të Vjetër dhe drejt e te Kalaja e Skënderbeut, aty ku dhanë një program rrëqethës për të pranishmit që ishin në një numër të madh. “Ne tashmë po ndërtojmë ura me shtete të ndryshme, por ajo çfarë duam është që të ndërtojmë ura me vëllezërit tanë. Ne kemi ardhur t’ju tregojmë kulturën që kemi pasur si popull qysh para 550 viteve dhe jemi shumë të gëzuar”, u shpreh Andreano, duke vazhduar të na tregojë se në Itali kanë pasur disa momente të vështira, por që tani veç janë tejkaluar. “Kjo ditë shënon fitoren e bujshme të Gjergj Kastriotit, i cili niset nga qyteti i Lezhës më 19 prill. Jo më kot kemi nisur nga qyteti i Lezhës dhe aktiviteti kryesor kulmon në Lezhë, sepse në vitin 1467 në këtë ditë Skënderbeu bashkë me Lekë Dukagjinin përgatitin një ushtri prej 16 mijë ushtarësh menjëherë pas kthimit të Gjergj Kastriotit nga Roma dhe Napoli me ndihma të pakta sipas edhe kronikave historike të kohës dhe ndërmori sulmin duke e kthyer Ballabanin nga rrethues në të rrethuar”, u shpreh historiani Paulin Zefi. Dy komuna arbëreshe nga Italia, Frashineto e Civita kanë ardhur në Krujë të përfaqësuara nga 58 burra, djem, gra, vajza e fëmijë të veshur me kostume. Ndërsa në Lezhë arbëreshët prej 550 vjetësh e kanë kujtuar këtë festë të lavdishme me “Vallen e fitores”. “Unë jam arbëresh nga Pulja. Jam i emocionuar sepse vij për herë të parë në Shqipëri. Kruja më duket shumë e bukur dhe shumë e civilizuar. Emocionet e mia janë të mëdha, sepse kam prekur për herë të parë tokën e origjinës. Kam shumë emocione që jemi bashkë me vëllezërit shqiptare”, u shpreh arbëreshi Francesco Vaschi.
Aktiviteti u mundësua nga shoqata “Foleja kombëtare” e drejtuar nga Elida Jorgoni, e cila ka shprehur dëshirën që vallja arbëreshe e fitores të kthehet në një traditë të përvitshme edhe në Shqipëri. Grupi i arbëreshëve sot kthehet në Itali, pas tre ditësh festime, në simbolikën e ditëve që zgjatën edhe festimet në kohën e Skënderbeut, pas fitores.