Zbulimi dhe botimi i Fjalëtore shqip-gërqisht, gërqisht-shqip dhe ndihmesa të tjera leksikografike pavarësisht se u kalua në heshtje në vitin 2014, Akademia Shkencave e mori në konsideratë duke e nominuar në garën për çmimin e botimeve shkencore “Çabej”; sot puna rindërtuese e Dhori Qiriazit për fjalorin e Thimi Mitkos është në fokusin e Forumit Shkencor Publik për promovimin e veprave dhe autorëve që u nominuan në garën e shkencës kombëtare
Zbulimi dhe botimi Fjalëtore shqip-gërqisht, gërqisht-shqip dhe ndihmesa të tjera leksikografike pavarësisht se u kalua në heshtje në vitin 2014, Akademia e Shkencave e mori në konsideratë duke e nominuar në garën për çmimin e botimeve shkencore “Çabej”. Sot puna rindërtuese e studiuesit Dhori Qiriazi mbi këtë vepër historike është në fokusin e Forumit Shkencor Publik për promovimin e veprave dhe autorëve që u nominuan në garën e shkencës kombëtare. Kjo vepër vlerësohet si një prej studimeve më të rëndësishme në fushën e filologjisë së tekstit. Për këtë vepër Qiriazi ka shfrytëzuar mbi 5 mijë skeda dorëshkrim të këtij autori historik, me emrin e të cilit lidhen fillimet e Rilindjes shqiptare. Përveç fjalëtores dygjuhëshe, studiuesi ka bashkuar mijëra njësi frazeologjike të shqipes dhe kalkimet e tyre në greqisht. Me botimin e kësaj vepre është thënë se ndryshon rrënjësisht historia e leksikografisë dhe leksikologjisë shqiptare dhe po ashtu edhe përfytyrimi për fillimet e romantizmit.
Përpara botimit fjalori kishte tridhjetë vjet e depozituar në fondin e AQSH-së, duke e sjellë të plotë këtë lëndë të transkriptuar. Sipas prof. Jorgo Bulos në parathënien e vëllimit, puna në fushën e fjalorëve i ka marrë shumë kohë e energji krijuese Mitkos; ajo ka qenë një fushë interesash shkencore ndoshta po aq e rëndësishme për të sa edhe folkloristika.
Prof. Thoma Dhima, pedagog në universitetin “E. Çabej” në Gjirokastër, thotë se për nga vëllimi vepra është e krahasueshme me fjalorin e Kristoforidhit, që hodhi themelet e leksikografisë shqiptare. “Qiriazit i rezulton se Mitkoja është marrë me fjalorin qysh në kohën që merrej me “Bletën” dhe mblidhte lëndë nga goja e popullit për të hartuar këtë thesar të gjuhës shqipe. Duke mbledhur lëndën folklorike, nga të gjitha trevat e shqiptare, nga veriu dhe jugu i Shqipërisë dhe nga arbëreshët e Italisë ai regjistronte çdo fjalë edhe me synimin që një ditë këto t’i përfshinte në një fjalor që t’i krahasonte me greqishten. Përveç punës në terren, një burim tjetër i fjalorit të Mitkos janë shkrimet e ndryshme shqipe. Nga çdo libër e autor i kohës apo i mëparshëm që ai lexonte, nxirrte fjalë dhe i regjistronte. Si burime ai ka përdorur veprat e arbëreshëve të Italisë, autorët tanë të vjetër, botimet e Dhiatës së Re e të Ungjijve etj.”, ka shkruar Dhima për këtë vepër. Nëpërmjet CD-së që shoqëron vëllimin lexuesi mund të shohë dorëshkrimin origjinal të Mitkos dhe ta krahasojë me interpretimin që ka bërë botuesi i sotëm i fjalorit.