Një kolazh me librat memuaristikë që vazhdojnë të dalin me të njëjtin intensitet prej 27 vitesh, pas rënies së komunizmit duke mosshteruar lënda historike dhe kujtimet personale, duke shërbyer edhe si kontekst letrar; në harkun kohor të një viti një seri botimesh që ndahen mes kujtimeve të panjohura nga vitet ’30-të e deri në histori të mbetura peng si ajo për çiftin e famshëm italian Terruzzi, apo rrëfimet e grave ruse në burgjet shqiptare
Nga Violeta Murati
At Zef Pllumi është vlerësuar si kulm në letrat shqipe, një nga emrat më të rëndësishëm të shkrimtaërëve që ka mbijetuar dhe ka arritur të dëshmojë e të shkruajë historinë me trilogjinë “Rrno vetëm për me tregu”, – si një vepër epokale si dokument, si dëshmi, e si letërsi njëherësh, me vlera të pallogaritshme njohëse, edukative, estetike e meditative.
Ndër vite, shkrimtari Agron Tufa në një prej teksteve të tij na jep një listë librash në këtë hulli të prozës memuaristike që sipas tij janë shkruar me art e nerv edhe rrëfimet e mrekullueshme autobiografike të Petro Markos (“Retë dhe gurët”), Sami Repishtit (“Nën hijen e Rozafës”), Atë Konrad Gjolajt (“Çinarët”), Luan Myftiut (“Nën terrorin komunist”), Amik Kasoruhos (“Një ankth gjymëshekullor”), Agim Mustës (“Gjenerali i zi, Nevzat Haznedari” dhe “Poligonet e vdekjes”), Fatbardha Saraçit (“Kalvari i grave në golgotën komuniste”), Fatos Lubonjës (“Ridënimi”), Uran Kalakulës (“21 vjet burg komunist”), Maks Velos (“Koha antishenjë”), Sokrat Shytit (“Mbijetesa në kasollen e lopës”), Visar Zhitit (“Rrugët e ferrit”, “Ferri i çarë”), Ejëll Çobës (“Jetë e humbun), Beqir Ajazit (“Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”), sikundërse dhe librat memuaristikë e reflektivë të Ahmet Bushatit, Tomorr Alikos, Pjetër Arbnorit, Bedri Çokut, Dom Simon Jubanit. “Të gjithë këta emra shkrimtarësh e veprash kanë mundësuar ndër vite që në letërsinë shqipe të rritet një ndër narrativat më realiste e njëherësh më tronditëse në repertorin e prozës autobiografike dhe romanit autobiografik. Në dijeninë time, është përvijuar ndoshta letërsia memuaristike më cilësore e shkruar në krejt kampin ish-komunist të Europës Qendrore e Lindore”, shkruan Tufa. Por shkrimi i memuaristikës vazhdon me të njëjtin intensitet dhe ritëm letrar duke nxjerrë në këto dy vite një produkt letrar po aq tronditës e rrëfimtar për jetën në diktaturë, por edhe pengje ende të pazgjidhura, siç është rasti i librit të italianit Aldo Terruzzi me rrëfimin familjar; apo tregimi i Mustafa Greblleshit që na rikthen në kohët e lulëzimit të traditës letrare, por dhe të një evidentimit të lëvizjes mendore shqiptare me memorien e tij të viteve ’30-44 të botuar nga “Çabej”. Një tjetër rast, vjen nga UETPress me librin e Ilinden Spasse, “Im atë Sterjo”, ku lënda letrare dhe ajo historike bashkëjetojnë me të kaluarën duke kujtuar personazhë, jetë e dokumente që deri më sot nuk njiheshin. Në këtë kolazh të botimeve memuaristike për vitin 2016-2017 kemi realizuar një përzgjedhje subjektive në morinë e botimeve të tilla.
-Dëshmitë rrëqethëse: “Në Shqipërinë burg” të Kurt Kolës
Një rrëfim për vuajtjen, për lirinë dhe forcën njerëzore. Libri “Në Shqipërinë burg –Çfarë pashë! Çfarë hoqëm!”, botim i UET-Press, me autor Kurt Kolën, një nga njerëzit që u kthye në simbol të vuajtjeve nën diktaturën komuniste. Ish-i përndjekuri politik Kurt Kola dhe historia e familjes së tij është kthyer në një simbol të krimeve të komunizmit. Babai i tij, Bilal Kola, një prej përfaqësuesve të lartë të partisë Lëvizja e Legalitetit, i cili kishte strehuar dhe bashkëpunuar me misionarët ushtarakë britanikë, në Shqipëri, gjatë Luftës së II Botërore, u vra, ndërsa familja e tij u internua, u burgos që kur Kurti ishte akoma fëmijë, dhe përjetoi një kalvar vuajtjesh deri në vitin 1991, kur regjimi totalitar ra. “Libri me kujtime i zotit Kurt Kola, titulluar “Në Shqipërinë Burg”, është një rrëfim i gjatë, i detajuar i kalvarit të dhimbshëm, të mundimshëm dhe tragjik, të familjes së Bilal Kolës Senior dhe i të gjithë parësisë intelektuale, patriotike të Shqipërisë Tradicionale. Bilal Kola, bajraktari krenar i Macukullit në Mat, u vra pabesisht nga dora e komunistëve jugosllavë, dha jetën për të mbrojtur krenarinë e njeriut të lirë, duke qëndruar deri në fund me dinjitetin e shqiptarit të ndershëm dhe të papërkulur. Ndërkohë, familja e tij, bashkëshortja Vasha, fëmijët, mes të cilëve Kurti i vogël 9-vjeçar, përcollën një jetë të tërë epope, nëpër kampet e shfarosjes në masë të Shqipërisë Komuniste dhe u përfshinë në grupin e familjeve që nuk do të duhej ta shihnin kurrë lirinë, as në Burgun e Madh të Hapur të “Shqipërisë së Lumtur Socialiste”, ka shkruar ndër të tjera Romeo Gurakuqi në parathënien e këtij libri.
“Kjo është një punë gjysmë shekulli se aty unë kam dhënë, një nga mijëra e mijëra histori të të burgosurve të komunizmit. Çdo i burgosur ka një dramë dhe një histori më vete, pastaj gjithë ata intelektualë të ekzekutuar që nga 44 dhe deri ne rënien e diktaturës. Pra edhe sikur ne të bëhemi shkrimtarë në rangjet e Shekspirit, nuk mundemi t’i themi ose t’i pasqyrojmë ashtu siç ne i kemi parë, ashtu siç i kemi hequr”. Në fakt botimi i librit me kujtime të Kurt Kolës vjen si pjesë e disa botimeve, e një projekti më të gjerë të UET dhe UET-Press, për të dëshmuar kujtesën e krimeve të komunizmit.
-Rrëfimi tronditës i çiftit francez për studentët shqiptarë të ’80-ës
Elisabeth dhe Jean Paul Champseix lidhjen me Shqipërinë e kishin vendosur përmes librave, dhe rasti për të jetuar në vitet ’80 nisi si emocion, por pësoi një shok me çfarë panë e gjetën në realitetin komunist. Ankthi, frika, terrori, heshtja i shoqëruan në ditën e parë që zbritën në Tiranë, në Bulevardin Stalin, ku jetuan dhe panë nga jashtë shqiptarët e përshkruan kronikat e zymta të jetës në Universitetin e Tiranës. Për herë të parë në Universitetin shqiptar po vinin dy pedagogë të huaj për të dhënë mësim, ndonëse në fakultetin e gjuhëve të huaja, për mësime frëngjishteje.
“Përshtypja e parë për Shqipërinë është ajo e një vendi të rrënuar nga lufta. Doganierët më kishin thënë se mund të gjeja karburant në Shkodër. Qyteti është i madh dhe përfaqëson karikaturën më dramatike të urbanizmit socialist. Pallate të mjera betoni, ngjeshur në rresht përgjatë një rruge të rrahur nga era. Në katet e para, dyqanet e varfra, ndriçuar ligsht me llamba të zbehta janë pothuajse bosh. Më duhet të shkoj në një hotel për të blerë “tollona”…”, shkruan çifti francez gjatë udhëtimit të mbërritjes. Rrëfimi i rrallë mbi shqiptarët e viteve ’80, ndonëse me doza ironie e humori, ndihet thellë çfarë përjetuan çifti francez, tragjizmi e fataliteti për njerëzit që përkoi me vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe vdekjen e Enver Hoxhës, e sidomos impresionuese janë rrëfimet për përvojën e tyre si pedagogë, si i shihnin studentët shqiptarë të atyre viteve, – kuptuan një jetë krejt të izoluar nga bota, të zhytur në varfëri ekonomike e varfëri intelektuale të imponuar nga regjimi – këto mbresa u hodhën menjëherë në librin me kujtime, nga qëndrimi në vitet ’82-’88, që vjen në shqip me përkthimin e Irena Rambit, botimet “Papirus”. Ky libër ka qarkulluar në fakt qysh më ’91. Rambi është edhe një nga studentet e dy francezëve që është marrë me përkthimin e librit, e cila kujton se ky rrëfim ka mbërritur si libër, mbështjellë me gazetën “Zëri i Popullit” në vitin 1991. Ndërkohë që më ’89 çifti francez kishte lënë Shqipërinë. “Duke qenë se raportet private me shqiptarët ishin të pamundura, shpresonim se qytetarët e huaj do të organizoheshin për të mbijetuar dhe për të ndërtuar marrëdhënie pak a shumë normale, por jo, aspak, dhe kjo megjithëse të huajt janë fort të pakët në numër, sepse ka vetëm rreth pesëmbëdhjetë ambasada. Rast i vetëm në botë, as Bashkimi Sovjetik dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfaqësuara”, shkruan çifti francez.
-Taisa Pisha, rrëfimet e panjohura të ruseve në burgjet shqiptare
Një tjetër libër që dëshmon diktaturën dhe si e kanë përjetuar gratë e huaja kur vendosën të ndanin jetën me shqiptarët. “Shpresuam dhe mbijetuam” shkruajtur nga Taisa Pisha është një libër autobiografik i bazuar në ngjarjet e jetuara nga autorja në vitet e kaluara në Shqipëri gjatë periudhës 1957-1990. Nga këto kujtime, më të spikaturat janë ato që u përkasin viteve 1976-1986 gjatë të cilave autorja u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti dënimin në burgjet dhe kampet e punës në Shqipëri. Ashtu si dhe libra të tjerë të këtij zhanri (p.sh., “Rrno për me tregue”nga At Zef Pllumi dhe “Grabjani rrëzë kodrave” nga Lekë Tasi) “Shpresuam dhe mbijetuam” hedh dritë në një nga periudhat më të errëta në historinë e kombit shqiptar, atë të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe lakenjve të tij. Një nga këta të persekutuar ishte dhe Taisja. Ajo erdhi në Shqipëri e shtyrë nga dashuria për të shoqin të cilin e njohu gjatë studimeve universitare në Moskë. Por, si një e huaj, Taisja gjendet jashtë dëshirës së vet në një grackë pa rrugëdalje. ”Shpresuam dhe mbijetuam” u botua për herë të parë në gjuhën ruse. Botimi i librit “Shpresuam dhe mbijetuam” në gjuhën shqipe kurorëzon dëshirën dhe amanetin e autores, e cia është ndarë nga jeta në gusht të 2015.Taisja Pisha (Batkina) ka lindur në Tula të Rusisë më 1932 në një familje nëpunësish të thjeshtë me origjinë hebreje. Në fillimin e viteve ’50 njihet në Moskë, ku ishte për studime në Fakultetin e Kimisë, me studentin shqiptar Gaqo Pisha me të cilin martohen dhe u lind një djalë. Mbas përfundimit të studimeve së bashku me familjen vendoset në Shqipëri ku jetoi për 33 vjet nga 1957 deri më 1990. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ka punuar si pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në Kombinatin e Tekstilit në Berat, dhe në Kombinatin e Drurit në Tiranë. Gjatë viteve 1976-1986 akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë dënohet me 16 vjet heqje lirie, nga të cilat vuan 10 vjet. Lirohet me amnistinë e janarit 1986. Mbas përpjekjesh të pareshtura, në vitin 1990 i lejohet riatdhesimi në Bashkimin Sovjetik. Në tetor të 1990-s largohet nga Shqipëria së bashku me dy djemtë dhe familjet e tyre. Në 1992 riatdhesohet në vendin e origjinës në Izrael ku bën një jetë të qetë për më se 23 vjet e rrethuar me dashuri nga njerëzit e saj, motra, vëllai, dy djemtë dhe familjet e tyre. Në gusht të 2015 ndahet nga kjo jetë. “Në fillim zhdukën ose futën nëpër burgje ata që luftuan kundër partizanëve dhe ata që i quajtën borgjezë, shfrytëzues. Në Shqipërinë e vogël dhe të varfër, ku nuk kishte industri, të tillë konsideroheshin tregtarët dhe pronarët e ndërmarrjeve të vogla. Përndjekjeve u nënshtroheshin edhe intelektualët apo përfaqësuesit e klerit. Pas prishjes së marrëdhë-nieve me Jugosllavinë në vitin 1948, fluturuan kokët e atyre që kishin punuar ose studiuar në këtë vend, ose që kishin njerëz të afërm atje. Njerëzit, që dikur brohoritnin “Tito-Enver-Stalin!”, tani duhej ta mallkonin Jugosllavinë, të lëvdonin Bashkimin Sovjetik, të brohoritnin “Enver-Stalin”, kurse pas vdekjes së Stalinit të thërrisnin “Enver-Hrushov!” Kjo punë vazhdoi deri në fillim të viteve ’60, deri para prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Më pas ishte me rrezik të flisje mirë për Bashkimin Sovjetik, apo të përmendje emrin e Hrushovit…”.
-Aldo Terrusi, brenga shqiptare; në kërkim të eshtrave të babait në Burrel
Para disa vjetësh, një libër i dorëzuar në Arkiv pa ndonjë farë rëndësie, për arkivisten Nevila Nikën flet shumë, është një histori: ishte libër me dedikim për italianen e bukur, Aurelia Terrusi dhuruar nga diktatori, Enver Hoxha, ku nënshkruante, duke mashtruar, se ishte student mjekësie…. Por, për diktatorin kjo nuk ishte histori e re. Aurelia Terrusi është njëra që e pësoi me pushkatimin e bashkëshortit të saj në burgun e Burrelit, me eshtra të pagjetura deri sot.
Prej vitit 1991, i biri i çiftit Terrusi, Aldo rikthehet për herë të dytë në Tiranë, tani edhe me një libër në shqip për historinë e familjes së tij. Ardhja e tij lidhet edhe me kërkimet e patërhequra për të gjetur eshtrat e të atit, duke deklaruar se mosgjetja e tyre, është përgjegjësi e shtetit shqiptar. Është pothuaj i rrënuar nga kjo aventurë e gjatë kërkimi, gati pa shpresë dhe i zhgënjyer nga pritjet e përcjelljet insitucionale deri te zyrtarë të lartë në Shqipëri. Në italisht dhe shqip, brenga e tij shqiptare këtë herë ka plotësuar vakumin historik me dokumente të reja autentike mbi procesin e krimit në diktaturë. “Brenga ime shqiptare” e sjellë nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës dhe Institutit të Krimeve të Komunizmit, një libër që i përket një historie të vërtetë për një familje emigrante italiane që pak është studiuar duke identifikuar një anë të errët në diktaturë mbi krimet e pazbardhura. Por, si duket konsiderohen angazhime anësore të këtyre institucioneve për politikën, në jo pak raste në tentativë për të krijuar një atmosferë debati mbi të shkuarën, për të mos harruar. Terrusi ka thënë: “Mendoj se institucionet duhet ta dijnë dhe të gjejnë ku janë eshtrat e babait tim. Aty në Burrel është një strukturë militare. Ndaj përgjigjen për këtë duhet ta japin vetëm institucionet. Janë ato që mund të japin leje për të hyrë në këtë terren për të verifikuar ato që më janë thënë. Të gjithë më kanë thënë gjëra të ndryshme dhe s’është arritur asgjë. Unë mbaj mend se kur në 2012 kam vuajtur në burg, ata u zunë para meje për çështje teknike e administrative. Burgu i Burrelit është terreni ku unë duhet të kërkoj, ky është terreni im. Duhet të kërkoj sepse unë duhet të kem besim sepse më janë dhënë dëshmi të sakta, jo alternative; që të burgosurit e Burrelit janë varrosur aty deri më vitin 1955. Unë u besoj atyre dëshmive dhe jo njerëzve që më thonë gjëra të tjera. Mendoj se eshtrat duhet të jenë aty dhe s’mund të themi të kërkojmë, por dua vetëm të verifikohet në atë kamp…”. Terrusi shkruan në këtë libër se shkak i dënimit të babait të tij ka qenë fakti se Enver Hoxha ka kërkuar të ketë lidhje dashurie me nënën e tij dhe ajo e refuzoi. Kjo histori tragjike e ish drejtorit të bankës tregtare në Vlorë në vitin ’45 dhe familjes Terrusi, kalvarit me një tufë dokumente të reja zbardhen të plota në librin e ri “Brenga ime shqiptare”
-Greblleshi në Mémoirs, ’39-’44
Greblleshi ende djalosh, plot energji e me një njohje letrare të madhe, e ka kuptuar, me sa dukej, se ishte pikërisht letërsia që po e merrte më qafë. Si rrjedhim, ai jo vetëm u detyrua të heqë dorë nga punët që lidheshin me kulturën, për t’u bërë vite me radhë thjesht bojaxhi, por e shpalli këtë më 1963, duke botuar librin me tregime Albumi i një bojaxhiu. Është një nga shembujt më tronditës për atë që është quajtur “taksë për të qenë shkrimtar”…Në këtë kujtesë që shoqëron “Kujtimet, ’39-‘44” të Mustafa Greblleshit, shkrimtari Ismail Kadare e ndan këtë autor në një parathënie të gjatë, duke i shërbyer mendimit letrar shqiptar, për të nxjerrë nga harresa shkrimtarë të shekullit që kaloi. “A është ai atje autori i një romani të ndaluar, që lexonin vajzat e gjimnazit duke e kaluar fshehtazi dorë më dorë ? Gremina e dashurisë, në mos gaboj?” Është sot pikërisht ai, Mustafa Greblleshi, që po del nga mjegulla me këtë libër të bukur dhe të fismë. Nxjerrja nga mjegulla e letërsisë së lënë në harresë, përveç anës emocionale, në rastin shqiptar është pjesë e një akti madhor të dorës së parë në krejt historinë e kombit. Në gjashtëqind vitet e fundit të jetës shqiptare, çështja e gjuhës shqipe s’ka qenë e ndarë asnjëherë nga drama e Shqipërisë”, shkruan Kadare. Ndërsa Mustafa Greblleshi nuk është përmendur asnjëherë si shkrimtar gjersa vdiq i harruar më 1986. Në homazh të tij, botuesja e “Çabej”, boton Kujtimet, ’39-’44, nën kujdesin e Anna Shkrelit, tridhjetë vjet pas ndarjes nga jeta. Përmes kujtimeve të Greblleshit vjen dhe atmosfera e letërsisë së viteve ’30-të, që i bëhet e qartë lexuesit pse ishte aq pasionante ajo periudhë për letërsinë shqipe, dhe u ekzekutua brenda pak viteve nga regjimi, duke u lënë për 45 vite në errësirë totale. Megjithatë siç thotë Kadare, Greblleshi nuk renditet ndër kolosët e kësaj periudhe: Poradeci, Migjeni, Noli, Pasko. Kur Mustafa Greblleshi njëzetvjeçar botoi shkrimet e para dhe fill pas tyre romanin Gremina e dashurisë, që fitoi papritur famë, në Shqipëri fashizmi ra për t’i lënë vendin diktaturës. “Shkrimtari i ri, plot pasion për letrat dhe artin, duhet ta ketë kuptuar se koha ishte e gabuar pikërisht për letërsi dhe art. Veprimtaria antifashiste që kishte patur nuk e ndihmoi të shihej me sy të mirë nga regjimi i ri, ndonëse ai nuk dha ndonjë shkas. Në të vërtetë shkaku ishte, por i fshehur: romani Gremina e dashurisë. Ndonëse ishte një roman i bukur dashurie, pikërisht ngaqë ishte i tillë, romani krijonte bezdi”, shkruan Kadare. Në ’47 si mjaft intelektualë të tjerë, Greblleshi arrestohet, pa shkak, dhe pas daljes nga burgu jeta e tij do kalonte nëpër ankthe… duke mos u përmendur asnjëherë si shkrimtar derisa vdiq i harruar më 1986.
-Alma Liço, memuaristika e rrallë e fëmijërisë në diktaturë
Një lëndë romanore e rrallë, rrëfim historik nga diktatura se si e përjetoi persekucionin një adoleshente. Alma Gjurgji, në librin “Krahë të këputur” të botuar së fundi nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave Komuniste, ka treguar në formë letrare për historitë e tmerrshme të përndjekjes në diktaturë…Në këtë libër përshkruhet kalvari i gjatë i vuajtjeve në tre breza, të një familjeje korçare. Historia e treguar përmes pinjolles së familjes, përmes zërit të një gruaje, gjyshi i së cilës, avokat i shkolluar në Harvard, ishte ekzekutuar si Ballist nga regjimi, në vitin 1945. Rasti i familjes Liço, është një ekzemplar i fatit të të gjitha familjeve të persekutuara të shoqëruar me internime, nxjerrje nga shtëpia, mohim i të drejtës për shkollim, refuzim social, diskriminim që në mosha të vogla, privim nga e drejta e përzgjedhjes së profesionit dhe punës, përveçse punës së rëndë të krahut në bujqësi, ndërtim dhe fabrika. Si mundi të organizohet një kujtesë e tillë, prej një vajze të vogël? Lico për gazetën Mapo është përgjigjur: “Mendoj se çdo qënie njerëzore ka një rrugëtim të caktuar në jetën e saj, që në mënyrë të pashmangshme është e mbushur me ngjarje të thjeshta apo mbresëlënëse. Këto episode jetike fiksohen në memorien e secilit prej nesh. Sigurisht ngjarjet e pazakonta, ato që dhëmbin shumë, ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë, është vështirë të harrohen. Të tilla kanë qenë ato që shoqëruan vitet e brishta të fëmijërisë dhe të rinisë sime, ashtu si qindra e mijëra fëmijëve të tjerë që së bashku me familjet e tyre vuajtën në kampet e internimit. Fëmijë të pafajshëm që duhej të vuanin pafundësisht, brez pas brezi për bindjet politike të gjyshërve baballarëve, apo të afërmëve të tyre. E si mund të harroj ditëlindjen time të 10-të, për të cilën kisha fantazuar një tortë me qirinj, urime dhe dhurata nga të gjithë të afërmit e mi. Pikërisht atë ditë, të hipur majë një makine përbindësh, familjarisht po internoheshim nga Tirana…E tmerrshmja ”lufte e klasave”, në një formë tjetër, po riciklohej sërish në realitetin e tranzicionit të trazuar shqiptar. Kështu, në shkelje të çdo ligji u përjashtuan nga puna me qindra dhe mijëra persona që kishin bindje politike të ndryshme nga partia në pushtet. Një luftë e pafund, një përjashtim mizor nga mundësitë e integrimit dhe mjetet e jetesës. Gjithë këtë ngarkesë negative dhe dhimbje që akumulova sërish, kisha nevojë ta shkarkoja diku…kështu u ula të shkruaj, gjë që nuk e kisha bërë kurrë më parë. M’u duk sikur me mundim zgjidha grykën e një thesi të mbyllur mirë. Kujtimet ishin aty, mjafonte vetem t’i tregoja rrugën për të dalë jashtë. Po shkruaja vetëm për vete. Ishte një konfidencë që nuk kisha menduar asnjëherë se, do ta ndaja me qindra mijëra të tjerë. Fragment pas fragmenti, episod pas episodi, dhe rezultati ishte libri im i parë “Krahë të këputur”. Familjarët dhe miqtë e mi të afërm, të mrekulluar për stilin e atij rrëfimi sa të vërtetë, po aq dhe mbresëlënës, me inkurajuan që këtyre kujtimeve dhe fakteve të tmerrshme duhej domosdoshmerisht t’i hapja rrugën e botimit. Dhe kështu ndodhi. I vlerësuar nga Instituti i Studimit dhe Botimit të Krimeve të Komunizmit, si një kontribut në hedhjen dritë dhe denoncimin e këtyre krimeve, ky libër gjeti rrugën e botimit prej tij.”
-Rrëfimi: Im atë, Sterjo Spasse, monografia e romanizuar
Një monografi e romanizuar mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit Sterjo Spasse, shkruar nga i biri, Ilinden, është e mbështetur mbi një material të gjerë arkivor të familjes Spasse. Leximi bëhet në mënyrë kronologjike që nga fëmijëria deri në ikjen nga kjo jetë, duke sjellë fakte reale, jetësore, që e formuan dhe afirmuan shkrimtarin Sterjo Spasse. Për herë të parë sillen fakte e tablo nga jeta letrare e viteve ‘30, me figura si Petro Marko, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, V. Kokona, Nexhat Hakiu etj., shkrimtarë të formuar me parimet krijuese të viteve ‘30 dhe që kaluan të detyruar në filtrin e ri krijues të imponuar nga regjimi komunist mbas vitit 1944. Libri jep dhe zhvillimet e mëpasshme të jetës krijuese në Tiranë, angazhimet dhe thellimin në kërkimet krijuese të prozatorit Sterjo Spasse. Mbajtur në fakte reale dhe në hollësitë e jetës së përditshme, këto shënime vlerësohen njëherësh letërsi, përshkrim, analizë, dialog, lëndë letrare e gjallë, që na çon drejt karaktereve njerëzore, në përpjekjet për t’u realizuar si njerëz e shkrimtarë. I biri i Sterjo Spasses, mbi idenë e këtij libri të romanizuar që shërben dhe si një memuaristikë është shprehur për gazeteën Mapo: “-Ideja për hartimin e këtij libri më lindi menjëherë pas vdekjes së Sterjos, më 1989. Ai u nderua jashtëzakonisht shumë nga lexuesit e tij dhe nga intelektualët e vendit në përgjithësi… Pra në atë kohë ndjeva respektin që ai gëzonte tek lexuesit e shumtë dhe të ish nxënësit e studentët e tij. Kjo ishte shtysa kryesore, që më nxiti t’i futesha hartimit të këtij libri”. Duke folur mbi vështirësitë e shkrimit të këtij libri si lëndë letrare, Ilinden ka thënë se “vështirësitë e të shkruarit të këtij libri kanë qenë të shumta. Kjo mbase dhe nga përvoja e pakët që kisha. Ndaj m’u desh të shfletoja shumë biografi e monografi të autorëve shqiptarë e të huaj. Por, në vetvete unë, nuk puqesha për shumë gjëra me atë çka ata kishin shkruar për heroin e tyre kryesor… Ndaj iu futa punës vetë ashtu siç më vinte në kokë. Në fillim shkrova çdo gjë që më kujtohej për jetën dhe krijimtarinë e Sterjos. Më vonë studiova arkivin e tij ku shumë dokumente i krahasova me ato që kisha shkruar vetë…Dokumentet më kujtuan shumë ngjarje dhe bëma, më nxitën të zbërtheja shumë personazhe që i kisha njohur si miq të babait, por edhe të studioja për krijimtarinë e tyre, pastaj u konsultova me mjaft miq e shokë të tij dhe të mi dhe kështu erdhi një ditë dhe monografia mbaroi…”