Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Në gjurmët e Apostull Pavlit dhe Imzot Nolit – 25 vjetori i Fronëzimit të Kryepeshkopit Anastas në krye të KOASH

$
0
0

Data 2 Gusht për Kishën tonë dhe të gjithë të Krishterët Ortodoksë të Shqipërisë është një ditë festive për shkak të Fronëzimit si Kryepeshkop të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Imzot Anastasit.

Kjo datë për ne këtë vit ka një simbolikë të vecantë për shkak të 25 vjetorit të saj.
Është e natyrshme që çdo përvjetor të jetë një rast reflektimi dhe kujtese. Edhe për ne sot, në 25-vjetorin e kësaj ngjarjeje të madhe si shenjë mirënjohjeje na takon të ndalemi dhe të kujtojmë veprën  që është bërë në këto vite nga Kryepeshkopi Anastas. Vëllezërit tanë Shqiptarë kudo ku jeni dhe jetoni; Ju të rinj që jeni e ardhmja e këtij vendi! Duam të ndajmë me ju të vërtetën. Në gjithë këto vite keni parë të flitet shumë për Kryepeshkopin dhe Kishën tonë, aq shumë saqë asnjeherë në historinë e këtij vendi asnjë Hierark i lartë fetar nuk është sulmuar kaq shumë sa Kryepeshkopi Anastas edhe pse ai ringriti Kishën Ortodokse nga gërmadhat. Ju e dini se Komuniteti ynë ka kontribuar gjerësisht përgjatë shekujve në këto troje që ne jetojmë – në art, kulturë, gjuhë, për flamur, pavarësi, harmoni fetare, vëllazërim midis njëri-tjetrit pavarësisht bindjeve fetare të secilit etj.

Krishtërimi në Shqipëri është një Krishtërim Apostolik domethënë u përhap nga goja e Apostujve, e atyre njerëzve që i qëndruan Zotit Krisht pranë gjatë gjithë shërbesës së Tij tokësore. Edhe njëri prej tyre i njohur si Vigan i Krishtërimit Apostull Pavli do të shprehej në Letrën që u dërgon Romakëve 15 :19 “Nga Jerusalemi deri në Iliri unë kam përhapur ungjillin e Krishtit.” Ambjenti që u përballën Dishepujt e Krishtit nuk ishte aspak miqësor kundrejt tyre. Ata shpeshherë, në shumë vende të Europës dhe Azisë së VogëI i paragjykuan ndoshta edhe për shkak të origjinës së tyre (për shkak se ata ishin  Hebrenj), u përndoqën, u rrahën, u burgosën por pavarësisht gjithë këtyre ata nuk u kthyen pas, por me dashurinë që i karakterizonte besimi i tyre dhe me bindjen që ata tregonin ndaj urdhërimit të Zotit të tyre: “Shkoni, pra, dhe bėni dishepuj nga tė gjithė popujt” (Mateu 28:19) vazhduan misionin që u kishte besuar Zoti.

Ky është shembulli i dishepullit të Krishtit – Të shërbejë aty ku Kisha i beson dhe e dërgon ashtu si një ushtar i bindet Mbretit të vet për të shërbyer në atë front që atdheu i tij ka nevojë. Kjo Kishë e ngritur mbi gjakun e martirëve dhe dëshmonjësve të besimit përgjatë rrjedhës së historisë ka njohur shumë personalitete dhe njerëz të shquar të cilët realisht kanë lënë gjurmë të pashlyera në memorien e saj sic janë: Shën Asti i Durrësit (98 -117 Pas Krishtit), Peshkop Lefteri i Vlorës (v 121), Shën Joan Kukuzeli (shek XIV), Shën Joan Vladimiri (shek XI), Shën Angjelina Arianiti (shek XVI), Shën Kozmai shek XVIII, Shën Nikodhimi i Beratit shek XVIII etj, por edhe i Përndritshmi Imzot Noli edhe së fundi Kryepeshkopi i Kishës sonë Imzot Anastasi. Atë që Imzot Noli dëshiroi për Kishën tonë e përmbushi Fortlumturia e Tij. Madje ky i fundit do të shprehej në 100 vjetorin e themelimit të Kishës Shqiptare në Boston se: “Nëse Peshkop Noli do të ishte gjallë do kishim qënë miq shumë të mirë  dhe do të punonim ngushtësisht së bashku për të mirën e Kishës sonë”.

Gjuhën Shqipe që Imzot Noli dëshironte ta kishte si gjuhë zyrtare të adhurimit të Kishës pikërisht këtë gjuhë Kryepeshkopi Anastas e zyrtarizoi në Statutin e ri të Kishës dhe konkretisht Neni 7 i Statutit të Kishës sonë thotë“Gjuha zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është shqipja”.  Fakti që deri më tani janë botuar rreth 140 libra në gjuhën shqipe janë një dëshmi e kësaj. Himnet e bukura të Kishës sonë të përkthyera mjeshtërisht nga Imzot Noli këndohen sot nëpër Kishat tona.  Autoqefalia që Imzot Noli ëndërronte për Kishën dhe aq shumë u përpoq ta garantonte sepse vetëm 2 vite arriti që Kisha ta siguronte (1937-1939) pasi me pushtimin fashist dhe më pas me sistemin ateist e humbi gradualisht atë deri në shpërbërjen e plotë të vitit 1967 dhe ishte pikërisht kjo Autoqefali që iu  vu si kusht nga Krypeshkopi – Patriakanës Ekumenike për të pranuar përgjegjësinë e ringritjes së Kishës në vitin 1992 pavarësisht faktit që ajo ishte inekzistente, sepse Kisha jonë në atë kohë nuk kishte asnjë Peshkop dhe të shumtë ishin ata që donin të përfitonin nga kjo situatë për ta përçarë atë për shkak edhe të realitetit multietnik që përbën Kishën tonë Ortodokse. Edhe kjo Autoqefali e garantuar sot jo vetëm në vet-administrim, por  falë përpjekjes titanike gjatë këtyre viteve e këtij “Lypësi Ndërkombëtar” për hir të  Kishës sonë, për t’i siguruar vet-financim, për të mos qënë më e varur nga ndihmat e besimtarëvë të ndryshëm jashtë vendit, i atribuohet padiskutim Kryepeshkopit Anastas.

Imzot Noli dëshironte që Kisha e Shqipërisë të kishte Priftërinjtë e saj, bij të këtij vendi dhe pikërisht ishte kjo përmbushja e ëndrrës së Imzot Nolit të realizuar nga Kryepeshkopi Anastas. E vërteta e madhe është që ditën që mbërriti në Shqipëri u interesua personalisht për të  ngritur një Seminar Teologjik për formimin dhe përgatitjen e klerikëve dhe teologëve vendas, një  iniciativë  e pashembullt dhe e guximshme për kohën, e cila rezultoi mjaft efikase, të  cilën e çeli në Durrës, në  një  ambient të  marrë  me qira, sot Akademia Teologjike “Ngjallja e Krisht” në  Shën Vlash e pozicionuar në  një  kompleks bashkohor e ringritur me fondet e siguruara nga Kryepeshkopi Anastas, ku nga bankat e saj janë dorëzuar Mitropolitë që sot janë Anëtarë të Sinodit të Shenjtë dhe garantues të Autoqefalisë së Kishës; Priftërinj  mbi 150 të gjithë me kombësi dhe nënshtetësi Shqiptare që shërbejnë nëpër qytete dhe fshatra me përulësi dhe dashuri për njerëzit. Por përpos falenderimeve të njerëzve ata dhe puna e tyre ndodh që fyen padrejtësisht nga individë, qarqe, media të caktuara apo grupime të ndryshme. Të gjithëve ne klerikëve të kësaj Kishe, Kryepeshkopi na ka udhëzuar: Të duam Zotin dhe të shërbejmë me përkushtim, të duam dijen dhe arsimimin si edhe të duam atdheun tonë.

Imzot Noli dëshironte që Kisha Ortodokse e Shqipërisë të radhitej si e barabartë me Kishat e tjera Ortodokse dhe të kishte zërin e saj që të dëgjohej njësoj si kishat e tjera edhe kjo u arrit falë këtij Ati të madh.  Pjesëmarja në Sinodin e Madh dhe të Shenjtë të Kretës në vitin 2016, ku Kisha jonë  u përfaqësua denjësisht dhe e barabartë me Kishat e tjera simotra e vërtetoi këtë gjë, madje edhe prania e Krerëve të  Kishave Ortodokse në  mbarë  botën në  ditën e Shenjtërimit të  Katedrales në  qëndër të  Tiranës në 1 Qershor 2014, e vërteton këtë  pohim.

E gjithë ëndrra e Imzot Nolit gjendet sot e realizuar në një kohë kaq të shkurtër nga një prej personaliteteve më të mëdha të botës së Krishterë, të një njeriu që jetën e tij e vuri në dispozicion të  Kishës dhe besimit. Të gjithë ne ndjehemi krenar që kemi në krye një Kryeprift të tillë, që i riktheu komunitetit Ortodoks dinjitetin e munguar.

Por në këtë ditë, 25 vite më parë disa njerëz të pushtuar nga cmira dhe urrejtja të udhëhequr nga një poltikan i kohës, që  nuk i përket Komunitetit Ortodoks, në krye të një grupi të vogël njerëzish të marrë nga rruga dhe të  paguar me disa pankarta në duar futen brenda Kishës Ortodokse. Ky ishte një rast i paprecedent në historinë e Krishtërimit dhe të Kishës. Kjo skenë ngjasonte me vitin e errët  1967 kur turmat e manipuluara nga propaganda ateiste, me kazma dhe lopata nëpër duar, u turrën me egërsi drejt objekteve të kultit që gjendeshin në vendin tonë prej shekujsh duke i shëmbur përdhe. Ndërkohë, pak vite më vonë do të  ishin pikërisht këta persona të  besimit jo-Ortodoks që me anë të njerëzve të armatosur mësynë Kishën e Kalasë së Elbasanit, duke dhunuar dhe kërcënuar priftërinjtë  kanonik të  Kishës, të  cilët i detyruan të  largoheshin nën kërcënimin e tytës së armëve duke vënë në krye të saj një aventurier dhe përdhosës të së Shenjtës, Nikolla Markun, i cili ende dhe sot e mban të pushtuar atë Kishë të Shenjtë. Pavarësisht këtyre tentativave mjerane të këtyre njerëzve dashakeq, askush nuk mundi dot t’i përcajë Ortodoksët e Shqipërisë të cilët të mahnitur nga shembulli i Kryebariut të tyre për sa i përket besimit, dashurisë, harmonisë dhe solidaritetit i qëndruan dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik Kishës së Shenjtë dhe Kryepeshkopit të tyre duke e bërë të qartë se janë vetëm ata dhe askush tjetër që kanë të drejtën të zgjedhin Barinjtë e tyre shpirtëror. Shpresojmë edhe është në nderin e këtij vendi që Kryepeshkopit tonë t’i jepet Pasaporta Shqiptare si njeriu që gjithë potencialin e vet intelektual dhe shpirtëror e vuri në dispozicion të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe këtij vendi pa bërë asnjë dallim – si një shembull i gjallë i një Apostulli të Zotit.

Hirësia e Tij Imzot Nikoni, pasardhësi i Kishës Shqiptare të “Shën Gjergjit” në Boston të Amerikës që themeloi Imzot Noli, në përurimin e Katedrales Ortodokse në Tiranë do të shprehej: Ne e dimë se të gjitha gjërat arrihen nëpërmjet Krishtit, Perëndisë sonë dhe nëpërmjet ndërhyrjes së Tij, dhe në shekuj Ai na ka dërguar e dhënë ne shumë burra dhe gra të shenjta, apostuj, mësues, predikues, episkopë, priftërinj, teologë dhe dishepuj, për të qenë duart dhe këmbët e Krishtit në botë dhe për të thënë e shpërndarë Fjalën e Tij të Lajmit të Mirë. Për Kishën e Shqipërisë, ai na dërgoi ne Fortlumturinë  e Tij, Kryepeshkopin Anastas. Ai erdhi në Shqipëri me një synim, një detyrë dhe një barrë për të mbajtur: që të ishte mjeti i ringjalljes së Kishës këtu, në këtë vend të shenjtë”.

 At Petro Halili

At Grigor Pelushi

Dhjakon Kristi Xhaferri


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708