Njëri nga poetët më të mëdhenj bashkëkohor, John Ashbery, është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare. Kritika në vitet ‘70 e shndërroi atë nga një eksperimentalist avantgard në një prej poetëve më të rëndësishëm të Amerikës. Poeti dhe botuesi Gentian Çoçoli na komunikon në homazh të këtij poeti, të ardhur edhe në shqip, hapësirën se si Ashbery ka krijuar me poezinë, njerëzit dhe kufinjtë e gjuhës
Poezia si rrugë emocionale e një populli, si art i qytetarisë, si arsye e rebelimit të poetit…Kjo është poezia më e mirë e shkruar në shekullin XX, pasi poetët kaluan tmerre psikike të jashtëzakonshme – ndërsa qytetërimi ynë ende nuk është zgjuar qysh nga koha e atëhershme…
Një poet që i thotë këto, kërkon patjetër të rigjejë rrugët e humbjes së ndjesive për ta nxitur akoma arsyen pse duhet shkruar poezi. “Edhe ti mund të jesh një fenomenologjist,” duket sikur na thotë Eliot-i, “vetëm nëse nuk e bart si detyrë, por e lë të veprojë tek ty vetvetiu, lëre lumin të të bartë atje ku do ai, sesa të përpiqesh ta drejtosh ti atë.” Pikë në të cilën lloji më i vërtetë i përshkrimit është bërë thjesht emërzim dhe klasifikimi thjesht numërim. Ndofta i pakëndshëm për të shkolluarit ndër ne, por për poetët e vetmja mënyrë e vërtetë për ta bërë punën si duhet dhe për të vazhduar përpara… – me këtë fjali mbyll esencën e diskutimit të tij, John Ashbery të cilit iu kërkua rreth dy temave, mbi “fenomenologjia poetike” dhe tjetrën “Vetë Ashbery”, që në shqip këto radhë i sjell botuesi i Aleph, Gentian Çoçoli, duke kryer misionin e tij prej poeti në një homazh dedikuar poetit amerikan. Në datën 3 shtator Ashbery ndërroi jetë në shtëpinë e vet në New York, një prej poetëve amerikanë më të rëndësishëm të ‘50 – ‘60 viteve të fundit dhe pse jo të 100 viteve. (Kjo ishte humbja e tretë e madhe për poezinë e shkruar në anglisht këto tre-katër vitet që shkuan, krahas asaj të Seamus Heaney-it (1939-2013) dhe Derek Walcott-it 1930-2017). Ashbery së bashku me Ezra Pound, T. S. Eliot-in dhe Wallace Stevens-in janë autorët më të vlerësuar në historinë e letërsisë amerikane të shekullit XX-të si një prej kontributeve më të çmuara në thesarin e letërsisë amerikane. Vepra e tij në 28 vëllime me poezi, dy vëllime me ese dhe ligjërata dhe një vëllim tjetër me kritika arti, pa llogaritur këtu përkthimet madhore nga letërsia frënge, është një prej veprave më të debatuara e që krijoi përçarjet dhe trazimet më të mëdha në botën e kritikës letrare falë sfidave kokëçarëse dhe shpesh të pakapërcyeshme që has lexuesi edhe më i stërvitur me poezinë. Sikundër e ka pohuar edhe vetë Ashbery, ‘qëllimi im i hershëm ka qenë të jem sa më i vështirë, sikundër poezia moderne ishte tepër e vështirë për mua si lexues … tashmë që ndihem i vlerësuar kam një lloj trishtimi; me sa duket nuk kam qenë dhe aq i vështirë’ Dhe pas një suksesi disi të vonuar Ashbery-surrealisti u bë poeti më i dashur dhe vlerësuar i kohës, ndonëse kjo famë u ndërtua mbi një prej keqkuptimeve më të mëdha të ngritura ndonjëherë mbi një vepër letrare, besoj në mbarë poezinë. Kjo e bënte të buzëqeshte edhe vetë Ashbery-in, që diku, në një prej intervistave të fundit, thoshte se ‘dëshira e tij e vërtetë ka qenë që ta kthente mbiemrin e vet në folje, ta Ashbery-zonte lexuesin nga tmerret, pasiguritë, ta shpinte drejt një lloj çlirimi vetjak…’ Ashbery do të mbetet gjithashtu një prej pengjeve të mëdha që rëndojnë prej dekadash në moralin e Akademisë së Nobelit, si një prej fryteve më të arrira të Surrealizmit, krahas, Breton-it, Char-it, Éluard-it etj. Por ndërkohë Paridi, Irisi, Genti dhe Aleph-i (patjetër edhe lexuesit në shqip) me leximin, përkthimin dhe botimin e ‘Poezive të Zgjedhura’ të John Ashbery-it më 2009, nuk kanë kurrfarë pengu, janë të shlyer me të – pa llogaritur këtu një bisedë kaq të dëshiruar tête-à-tête me John-in.
***
“Në të vërtetë, të qenit poet duket se të privon apo të shfuqizon nga shumë aspekte praktike dhe detyrime në jetë. Në rastin tim, e kam shumë të vështirë t’u përgjigjem letrave apo të paguaj faturat apo qoftë dhe të bëj plane për një të ardhme të afërt, jo sepse jam shumë i zënë apo i pamundur për shkak të pritjes së vazhdueshme që të më ndodhë poezia, si ai peshkatari që rri ulur me orë ndanë një bregu. Është thjesht se poezia, ndërsa dhuron një lloj fuqie të cilën asnjë poet nuk do ta lëshonte me vullnetin e vet, po ashtu edhe shfuqizon në disa mënyra të cilat të bëjnë me dhimbje koke për t’i kuptuar. Përfundimisht gjendja e poetit është përcaktuar në mënyrë brilante nga John Keats-i që e ka quajtur ‘aftësi negative.’”. Ky është kuptimi që John Ashbery, la pas “dëshirën torturuese” drejt lexuesit. Ashbery ka fituar pothuajse çdo çmim kryesor amerikan për poezinë, duke përfshirë çmimin Pulitzer, çmimin Kombëtar të Librit, çmimin e Poetëve të Rinj Të Yale-t, çmimin Bollingen, çmimin e Poezisë Ruth Lily, çmimin Ndërkombëtar Griffin, dhe një Grant MacArthur “Genius”. “Poezia e Ashbery sfidon lexuesit e saj duke lënë mënjanë të gjitha mburrjet mbi përpjekjet, tematikën, dhe strukturën stilistikore të vargut, për t’i lënë vend një letërsie që ushtron ndikim tek kufijtë e gjuhës dhe luhatjes së ndërgjegjes”, ndalet botuesi i Aleph. Tek New Criterion, William Logan theksoi: “Pak poetë e kanë manipuluar me kaq zgjuarsi, ose e thënë më thjesht, e kanë torturuar dëshirën tonë të brumosur për kuptimin. [Ashbery] na kujton se shumica e poetëve që na e japin kuptimin nuk e kanë idenë se për çfarë po flasin.”
“Kur ai filloi të shkruante në 1950, poezia amerikane ishte e kufizuar dhe formale ndërkohë që arti abstrakt – ekspresionist amerikan po zëvendësonte fuqishëm përgjegjësitë heroike të avant-gardës europiane.” Në përputhje me këtë ndikim, poezitë e Ashbery-it, sipas Fred Moramarco-s në Journal of Modern Literature, janë një “telajo verbale” mbi të cilën poeti zbaton lirshëm teknikat e ekspresionizmit. Përvoja e Ashbery-t si një kritik arti në Francë gjatë viteve ‘50 dhe ‘60, dhe në New York për revistat si New York dhe Partisan Review përforcoi lidhjet e tij me ekpresionizmin abstrakt. Por poezia e Ashbery-t, siç e kanë vënë re kritikët, është zhvilluar nën ndikime të shumëllojshme përveç artit modern, duke u bërë më në fund në mënyrë të pagabueshme shprehja e zërit të tij. Ndikimet e Ashbery-t përfshijnë traditën romantike në poezinë amerikane që u zhvillua nga Whitman-i tek Wallace Stevens, shkolla e ashtuquajtur “New York School of Poets” duke paraqitur bashkëkohorët si Frank O’Hara dhe Kenneth Koch, dhe shkrimtarët francezë surrealistë me të cilët Ashbery ka punuar në punën e tij si kritik dhe si përkthyes. Edhe pse përkrahësit e tij më të fuqishëm e pranojnë se poezia e tij është shpesh e vështirë për t’u lexuar dhe si rrjedhojë edhe e vështirë për t’u kuptuar, shumë kritikë kanë komentuar për mënyrën me të cilën stili i lirë i Ashbery-t tregon një shqetësim të madh në poezinë e tij: refuzimin për të vendosur një rregull arbitrar në botën e fluksit dhe kaosit.
Poezia e Ashbery-t dhe ndikimi i saj tek poetët e rinj, mbetet e debatueshme për shkakun e asaj mospërputhjeje në opinionin kritik: disa kritikë e vlerësojnë atë çfarë Paul Auster e përshkroi në Harper’s si “aftësia e Ashbery-it për të minuar siguritë tona, për të artikuluar kaq plotësisht zonat e paqarta të ndërgjegjes sonë,” ndërkohë që të tjerët godasin ashpër obskurantizmin e tij dhe këmbëngulin që poezitë e tij, të përbëra nga gjithçka dhe asgjë, mund të nënkuptojnë gjithçka dhe asgjë. Duke reflektuar ndaj reagimit kritik mbi poezinë e tij “Litany,” Ashbery u shpreh njëherë tek Contemporary Authors, “Jam disi i habitur edhe nga puna ime, ashtu si edhe shumë njerëz të tjerë. Gjithmonë ajo më ka intriguar, por në të njëjtën kohë kam qenë disi i shqetësuar dhe paksa i zënë ngushtë se do të mërzisja të njëjtët kritikë që gjithmonë i bezdis puna ime. Më vjen pak keq që kam shkaktuar kaq shumë kokëçarje.” W.S. Di Piero e përshkroi reagimin e kritikëve të stilit të Ashbery-t si “zbavitës. Nga njëra anë janë ata që e qortojnë për mungesën e ‘censurimit’ Audenesque (atë makineri të vogël redaktuese në kokën e një poeti që fshin të gjitha materialet e panevojshme) apo ata që e akuzojnë atë se tregohet pervers me dashje dhe pa ndonjë arsye. Nga ana tjetër janë ata kritikë që, mjaft çuditshëm, e vlerësojnë vështirësinë e vargut të Ashbery-it sikur vështirësia të ishte në vetvete një vlerë pozitive letrare, duke anashkaluar atë që poeti shpreh”. Mjaft produktiv, Ashbery ka botuar mbi tetëmbëdhjetë libra me poezi që prej Autoportet në pasqyrë të mysët. Koleksioni i tij që kaloi përmes kritikës A Wave (1984) fitoi si çmimin e poezisë Lenore Marshall ashtu edhe çmimin Bollingen. Poezia me titull të gjatë ishte konsideruar si më e mira e tij që prej “Autoportretit…” Poema e dytë epike e Ashbery-t, Flow Chart, u botua më 1991. Lawrence Joseph deklaroi në Nation se poezia, “më shumë se çdonjëri prej librave të tij, portretizon thelbin e procesit të Ashbery-t…Flow Chart është një katalog, të cilin Ashbery e paraqet si pambarimisht të gjerë dhe të hapur ndaj interpretimit, duke përfshirë brenda tematikës së vet, shumë më tepër nga ç’mund të imagjinojë një poet.” Koleksioni tjetër i Ashbery-t, Hotel Lautréamont (1992), hasi reagime të ndryshme kritike. Nicholas Everett theksoi në Times Literary Supplement, “Ata që presin që poezia të evokojë një përvojë apo ngjarje të veçantë, reale apo imagjinare, vepra e Ashbery-t do t’u duket mbytëse apo thjesht e zymtë.” Në veprat më të fundit të Ashbery-t, si Girls on the Run (1999), Chinese Whispers (2002), Where Shall I Wander? (2005) dhe A Worldly Country (2007), kritikët kanë vënë re një përzierje të elegjisë meqë poeti mendon për plakjen dhe vdekjen. Në Nation, Calvin Bedient theksoi: “Për të gjithë eksperimentimin e tij, Ashbery shkruan (siç kanë bërë gjithmonë shkrimtarët e rëndësishëm) për lumturinë dhe vuajtjen. Nëse vuajtja që ai njeh trajtohet në mënyrë komike, mbetet ende vuajtje” Më 2008, enti i famshëm botues ‘Biblioteka e Amerikës’ botoi përmbledhjen me poezi John Ashbery: Collected Poems, 1956-1987, duke bërë për John Ashbery-in të parin devijim prej politikave të saj botuese që boton vetëm shkrimtarë të mëdhenj të vdekur – dhe numërohen mbi njëqind e pesëdhjetë autorë të përfshirë në këtë seri.
Intervistë me John Ashbery
Arti i poezisë
Kjo intervistë u krye në apartamentin e John Ashbery-it, në zonën e Manhattan-it e quajtur Chelsea. Kur arrita atje Ashbery ishte duke ardhur, ndaj dhe portieri më tha ta prisja jashtë. Shpejt poeti mbërriti dhe u ngjitëm me ashensor në një apartament plot dritë dhe hapësirë, ku një sekretare dukej që qe e zënë deri në grykë me punë. Ne u ulëm në dhomën e ndenjies, Ashbery me shpinë nga dritaret dhe unë në karigen e rehatshme. Dekori mbizotërues ishte bluja dhe e bardha, edhe librat që zinin një faqe të plotë muri. Folëm rreth tre orë me ndonjë ndalesë të shkurtër për të pirë diçka – soda, ujë, çaj, asgjë tjetër. Përgjigjet e Ashbery-it nuk kishin pothuajse fare nevojë për redaktim. Përgjatë përgjigjeve Ashbery të jepte përshtypjen se ai ndihej vërtet i lodhur dhe krejt i pasigurt në ato që thoshte dhe në atë që po ndodhte. Unë bërë disa ndërhyrje me humor për të çliruar atmosferën, por sikundër u ndodh vetë lexuesve të poezive të tij, edhe Ashbery të linte mëdyshas nëse e kishte kapur apo jo batutën.
Do desha t’iu pyes për fillimet tuaja më të hershme. Kur dhe përse vendosët t’i kushtoheshit karrierës prej poeti?
Ashbery: Nuk është se vendosa t’i përkushtohem karrierës si poet. E fillova me disa vargje, por kurrë nuk mendova se këto do të botoheshin ndonjëherë apo që unë do të botoja madje libra. Isha në shkollë të mesme në atë kohë dhe nuk është se kisha lexuar poezi moderne. Pastaj në një konkurs fitova një çmim ku si honorar mund të zgjidhje disa libra; ajo që m’u duk më tërheqëse nga të gjitha qe një antologji e Untermeyer-it që kushtoi pesë dollarë, çmim shumë i lartë për kohën. Kështu fillova të lexoj poezi moderne e cila nuk mësohej ato kohëra nëpër shkolla, sidomos në shkollat rurale në një prej të cilave mësoja edhe unë. Në fillim fareë nuk kuptova gati asgjë. Kishte poetë që më tërhoqën, si p.sh. Elinor Wylie – një mjeshtre e mrekullueshme – por me poetë të tillë si Eliot, Stevens apo Auden nuk eca shumë. Më vonë u ktheva sërish tek këta poetë dhe ua bleva librat në librari. Them se ishte dëshira e madhe për të imituar këta autorë që më bëri të shkruaja edhe unë poezi. Nuk mendoj se ka ndonjë arsye tjetër. Shpesh më pyesin përse shkruaj dhe unë vërtet nuk e di – thjesht dëshiroj të shkruaj.
Mos ndoshta ka disa veçori fëmijëria juaj e cila ka ndikuar në fatin si poet?
Ashbery:Unë nuk di dhe aq shumë për këtë poetin që jam. Si fëmijë isha njëfarsoj i mbyllur – nuk kisha shumë shokë. Ne jetonim në një fermë. Kisha një vëlla më të vogël me të cilin nuk shkoja dhe aq mirë – ne gjithmonë ziheshim në mënyrën që bëjnë fëmijët – dhe ai ndërroi jetë kur qe nëntë vjeç. U ndjeva fajtor pasi shumë herë isha treguar shumë i keq me të dhe kjo më tronditi thellë. Këto kanë qenë përvoja të rëndësishme për mua. Nuk e di saktë sa kanë ndikuar në formimin tim si poet. Ambicia ime qe të bëhesha piktor, ndaj dhe fillova një kurs javor në muzeumin e artit në Rochester nga mosha njëmbëdhjetë vjeç deri kur mbusha gjashtëmbëdhjetë. Ndihesha thellësisht i dashuruar me një vajzë e cila qe në kurs me mua, por që nuk kishim asnjë relatë. Ndaj dhe unë shkoja në këtë kurs për të parë këtë vajzë dhe si të thuash, kjo përfshirje në art mund të ketë të bëjë me qenien time si poet. Gjithashtu kisha një gjysh pedagog në Universitetin e Rochester-it dhe unë rroja me ta kur isha i vogël dhe shkoja në këndin e lodrave dhe pastaj shkova në klasën e parë fillore. Përherë e kam dashur shtëpinë e gjyshit; kishte shumë fëmijë rrotull dhe mua më mungonte kaq shumë kjo botë kur më duhej të kthehesha e të jetoja me prindërit. Duke shkuar çdo javë atje për kursin e artit, m’u krijua një kombinim i çuditshëm shijimi dhe dis-shijimi.
Ju pëlqen ta provokoni apo të luani me lexuesin?
Ashbery:Sa për të qeshur me pyetjen tuaj – nuk kam shumë kur iu përgjigja një kritikeje që më zuri frymën me një listë pyetjesh për një libër që po përmblidhte lidhur me mendimet e poetëve për këtë temë. Them se varet çfarë kuptojmë ne me ‘provokim.’ Është shumë mirë kur përfundon me sukses, ndonëse si mund të ndodhë kështu me dikë që nuk e njeh. Do të desha ta kënaqja lexuesin, dhe mendoj se surpriza është element i kësaj dhe kjo kërkon një sasi të domosdoshme provokimi. Por ta shokosh lexuesin është gjë tjetër. Kjo duhet të bëhet me kujdes të madh në qoftë se do që të mos e largosh dhe lëndosh lexuesin tënd, prandaj dhe unë jam krejtësisht kundër, sikurse nuk jam dakord me njerëzit që e mbajnë në mendje këtë gjë – i ngjyejnë me blu flokët dhe shpojnë hundët me ca pineska sigurie e të tjera si këto. Ky mesazh në këtë rast duket se është thjesht agresion i tipit, “Ej, ti nuk mund ta kuptosh thellësinë time.” Në të njëjtën kohë unë përpiqem të vishem disi shkujdesur, kështu që spektatori, nëse e kupton, do të ndihet paksa i habitur, por jo i përjashtuar, ndërsa kujtohet që edhe veshja e vet nuk është perfekte.
Kur shkruani, a merr rëndësi kapitale mesazhi apo domethënia?
Ashbery: Domethënia po, kurse mesazhi jo. Mendoj se poezitë e mia kuptojnë atë që thonë, dhe çfarëdo gjë tjetër që përfshihet brenda një pasazhi të veçantë, por nuk ka mesazh, as nuk kam ndonjë gjë të veçantë për t’i thënë botës përveç asaj që po mendoj ndërsa shkruaj. Shumë kritikë priren të gjejnë një kuptim alegorik në çdo pohim timin poetik, dhe po të veçonim rastësisht ndonjë varg, them se do të zbulonim që nuk funksionon në këtë mënyrë . . . Nuk po gjej ndonjë gjë që ta pohojë këtë që sapo thashë (po shfleton nga një libër i tij). Epo, le të marrim këtë . . . jo, jo. Çdo varg që po shoh më duket se kupton tjetër gjë nga ajo që është thënë aty, krejt papritur. Ah, ja – fillimi i poezisë “Daffy Duck in Hollywood,” për shembull, ku gjithë këto objekte të çuditshme precipitojnë në poezi. Unë mendoja t’i vija bashkë për veten e tyre, dhe jo për ndonjë kuptim të fshehtë. Rumford’s Baking Poëder (mëqe ra fjala, është Rumford dhe jo Rumford’s Baking Poëder. E dija këtë, por pëlqeva tingëllimin e variantit tim – në përgjithësi nuk bëj kështu), një palë vathë celuloidi, Speedy Gonzales – këto janë gjëra që i zgjodha t’i shfaq në poezi me atë synim. Në fakt këtu ka një varg, “Alegoria afroi e çlirët tepër shpejt,” që mund të jetë vëzhgimi i poezisë dhe sidomos i poezisë sime. Alegoria që afron e çlirët tepër shpejt, lë të kuptohet që gjëra të ndryshme që e përbëjnë atë janë shkrirë në një situatë poetike dhe kjo është situatë që njëherësh dua të ndodhë dhe nuk dua të ndodhë. Dhe si ndodh shpesh, dy forca që veprojnë kundër njera tjetrës synojnë ta asgjësojnë njera tjetrën. Afroi e çlirët ndofta është mirë, por tepër shpejt nuk është.
Them se nga një poet që ka interesa të forta në artet pamore, duhet të presim shumë gjëra. Shumë kritikë mendojnë se ju jeni manierist në fjalë, apo ekspresionist abstrakt. Jeni i ndërgjegjshëm për këtë – apo ndoshta performoni eksperimentin kubist me fjalët?
Ashbery: Them se poema “Autoportret në pasqyrë të mysët” është vepër manieriste në sensin e mirë të kësaj fjale. Me kohë Manierizmi u bë shtampë, por në fillesa ishte vërtet risi – Parmigianino qe manierist i hershëm që po shkelte pikërisht mbi thembrat e Michelangelo-s, Ndofta jam ndikuar në mënyrë pak a shumë të pandërgjegjshme, them, nga arti modern që kam parë. Plotësia e Kubizmit më pushtoi të gjithin, po ashtu ideja e Ekspresionizmit Abstrakt se vepra është një lloj regjistri i ardhjes në ekzistencë të vetë asaj; ka një “sensuozitet kundër-referues”, por nuk është aspak një hedhje buqete fjalësh mbi letër si bëri Pollock-u me pikturën. Është më indirekte se ajo. Kur sapo kisha mbaruar kolegjin, Ekspresionizmi Abstrakt ishte gjëja me joshëse ndër arte. Kishte poashtu muzikë dhe filma eksperimentalë, por poezia dukej se qe më përfaqësuese për nga krahasimi. Them se akoma është në njëfarë mënyre. Mund ta pranosh një grua me dy hundë tek Picasso, por e njëjta përpjekje në poezi e mërzit auditorin.
(Intervistë dhënë revistës së njohur letrare amerikane The Paris Review, nga Peter A. Stitt)
John Ashbery
Vetiveria*
Breznitë rrokullisen ngadalë si dengje bari,
kurse lulet kallëzojnë degëzimet e veta
dhe pestrova shtriqet në fund të pellgut.
Pena qe kaq e ftohur për prekjen.
Shkallarja zgjatej për lart
përmes kurora të shprishura lulesh, duke ruajtur melankolinë
tashmë të distiluar nëpër germat e alfabetit.
Tashmë duhej të kish ardhur koha e dimrit, pallatet
e tij ngjizur me sheqer, por edhe rrudha vëmendjeje
rreth gojës, blana të trëndafilta mbi ballë e faqe,
ngjyrë dikur e njohur si ‘hi trëndafilash’.
Sa e sa bullarë e hardhuca zhvoshkën lëkurët e tyre
nëpër kohë për të vazhduar kësisoj,
duke u kredhur edhe më thellë rërës, sikur ajo
të spërdridhej drejt një përfundimi. E gjitha ka vepruar mrekullisht
e tani, pra, ajo si të thuash, është shtënë veç e veç në dorë,
si një ndryshim i shqiptuar, i mprehtë
si grep në qiellzë, dhe lotë dekorativë rrodhën
e na kthyen te një basen i quajtur pafundësi.
Asgjë nuk mund të bëj me faj, portat
qenë lënë qëllimisht hapur.
Mos shko andej, ti mund ta kesh gjithë çfarë do.
Dhe në ndonjë dhomë dikush përgjon rininë e vet,
tek e gjen atë të shterë e të zbrazët, kaq poroze për t’u prekur.
Oh, mbamë pas vetes edhe sikur jashtësia të na përqafë të dyve, të na bashkojë të dyve
edhe sikur kapësit e zogjve t’i nderin degët e tyre tej,
peshkatarët tërheqin ato rrjeta mes shndërritjeve të zbrazëta
edhe të tjerët bëhen pjesë e turmës së paanë
qark kësaj vatre oxhaku, rrethanë
që vjen drejt nesh e nënkuptuar për ne dhe ngashërimi
ndër gjethishta u ruajt, pikëla të mbrame argjendi.
Përktheu Gentian Çoçoli
*lloj aromatik bari tropikal