UET Press dhe Mapo Edition, me një sërë titujsh të rinj në Panairin e 20-të të Librit/ Nga kolana e re letrare te librat që kërkojnë të sjellin një qasje të re të historisë e mendimit politik. Intervistë me Alda Bardhylin, drejtore e botimeve UET Press, MAPO Edition
Sot hapet Panairi i Librit 2017, cilat janë risitë që sjell këtë vit “UET Press” dhe Mapo Edition?
Panairi i Librit i cili këtë vit përkon dhe me 20-vjetorin e krijimit të tij, padyshim është një ngjarje në jetën e botuesve në vend. Eshtë një moment jo vetëm komunikimi më i afërt me lexuesin, por dhe një ballafaqim i punës që kemi bërë për gati një vit në shërbim të përsosjes së cilësisë dhe objektivave tona. UET Press dhe Mapo Edition janë dy ente të rëndësishme botuese të cilat kanë sjellë një kontribut të vazhdueshëm jo vetëm në botime, por dhe nxitjen e debateve kulturore sidomos në fushën e librit, apo politikave kulturore. Duke patur në filozofinë tonë progresin në shërbim të rritjes së niveleve të debateve publike, ne kemi pasuruar bibliotekën tonë me tituj e autorë që i shërbejnë kauzave ku operojmë. Duke e parë letërsinë e re shqipe si një nga kauzat më emergjente, duke pasur parasysh mosvëmëndjen që ka pasur letërsia jonë për më shumë se dy dekada, Mapo Edition ka vetëm pak kohë që ka bërë publike kolanën e saj letrare. Kjo kolanë letrare, kërkon t’iu japë më shumë hapësirë shkrimtarëve dhe letërsisë shqipe. Pjesë e kësaj kolane janë deri tani emra të njohur të letrave, si: Preç Zogaj, Ben Blushi, Mimoza Ahmeti, Blendi Fevziu, Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani, Vera Bekteshi, Maks Velo, Artan Mullai, Alfred Peza etj. Pasurimi i kësaj kolane me emra e autor të rinj, jo vetëm do të pasurojë bibliotekën e madhe të Mapo Edition, por do të na japë neve dhe një pasqyrë të situatës në të cilën ndodhen letrat shqipe. Një pjesë e rëndësishme e strukturës së re të kësaj kolane është dhe nxitja e mendimit të ri kritik. Ngritja e niveleve por dhe e modeleve të reja të kritikës letrare do të krijonte jo vetëm një këndvështrim të ri estetik, por dhe do të krijonte skaletat e një strukure të munguar të kritikës shqipe sot, pas një tradite të mirë që ka pasur në atë të socrealizmit. Nëse këto vite vëmendja e botimeve shqipe ka qenë më shumë në fushën e përkthimit, ne duam të krijojmë një qasje të re dhe shumë të domosdoshme të kthimit të vëmendjes ndaj autorëve shqiptarë. Gjatë ditëve të panairit ne do të zhvillojmë një tryezë-debat me këtë temë, duke përfshirë gjithë faktorin letrar në vend.
Shtëpia Botuese “UET Press” ka disa vite që po tërheq vëmendjen e publikut me botime autorësh, të cilët janë njerëz publikë dhe me tituj që tërheqin vëmendjen e medias, me çfarë do ta tërhiqni vëmendjen ketë vit?
Ndryshe nga Mapo Edition e cila është e fokuar te letërsia, UET Press është një tjetër hapësirë e rëndësishme e cila përgjatë më shumë se një dekade ka patur një rol të dyfishtë, jo vetëm të një enti botues, por dhe të një strukture që ka gjeneruar ide e debate. Kjo, pasi pjesa më e madhe e librave që kanë dalë nga UET Press kanë qenë pjesë e rëndësishme e debateve në vend, jo vetëm në fushën e historisë por dhe publicistikës, apo politikës.
Logos sonë i kanë besuar emrat më të njohur të mendimit elitar në hapësirat shqiptare, duke u bërë bashkë kauzat e tyre me kauzën tonë e cila vazhdon të jetë një kauzë në shërbim të gjenerimit të ideve dhe debateve që përmirësojnë kulturën në vend. Këtë vit UET Press-it i është bashkuar një autor i rëndësishëm në fushën e mendimit shqip, një personazh i cili prej vitesh vazhdon të japë një kontribut në mendimin e pavarur në vend. Ai është publicisti Mustafa Nano me librin “Sandwich”, një botim i cili ringjall debatin mbi çështjen e identitetit, që nga nëntitulli që ka zgjedhur “A është mirë me qenë shqiptar”? Libri është një studim, i cili përmes rrëfimeve të të huajve trajton sandwich-in historik greko-shqiptaro-serb. Nano sjell me këtë libër një këndvështrim të guximshëm, që e çon nivelin e diskutimeve mbi historinë në një tjetër standard.
Preç Zogaj është një tjetër autor i rëndësishëm i UET Press, i cili në këtë panair vjen jo vetëm me librin e parë që një autor shqiptar në historinë tonë të letrave ia kushton dashurisë “Love”, (Njëqind e një poezi dashurie”, por dhe me kolanën e plotë në dy volume të rrugëtimit të tij prej tre dekadash në mendimin e lirë shqiptar. “Nga fillimi në fund”, është një histori politike e shkruar gati-gati si një roman, ku shpaloset historia e gjatë e tranzicionit politik shqiptar pas viteve ‘90, ku shfaqen personazhet e kësaj historie me të gjithë të vërtetat dhe të fshehtat e tyre, parë nga këndvështrimi i një personazhi që ka qenë një vëzhgues i hollë i këtyre ndryshimeve politike. “Vonesa shqiptare” nga Henri Çili është një tjetër thellim mbi kontekstin historiko-politik të një vonese koherente të historisë sonë jo vetëm politike, një manual për të kuptuar përmes një vëzhgimi të hollë realitetet tona. “Alfabeti i tranzicionit” i pedagogut dhe publicistit Gilman Bakalli është një tjetër refleksion i rëndësishëm tepër i nevojshëm për situatën ku ndodhemi. Libri erdhi jo vetëm si një formë kujtese në një vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, por dhe si një thellim i nevojshëm përmes kodeve të gjuhës së tranzicionit tonë të gjatë. Janë shumë autorë e libra të rinj që ne i kemi sjellë për lexuesin përgjatë këtij viti, si “Faik Konica” i Ilir Ikonomit, shënimet e Ismet Totos, Antropologjia e shqiptarëve nga prof. Aleksandër Dhima, Ludwig von Mises, Roger Scruton, studimet mbi socrealizmin të Dashnor Kalocit etj.
Sa është numri i botimeve në total (sipas kolanave) dhe sa botime keni bërë vetëm gjatë këtij viti?
UET Press dhe Mapo Edition ka një zgjerim të hapësirës së saj nga viti në vit. Mjafton të kujtojmë traditën për të sjellë çdo të premte për lexuesin një libër të ri, për të treguar punën tonë titanike për t’iu përshtatur filozofisë me të cilën operojmë. Vetëm gjatë këtij viti numri i botimeve tona e kalon 50-ën. 265 është vetëm numri i autorëve shqiptarë dhe të huaj që iu janë bashkangjitur botimeve tona ndër vite.
Këtë vit autorë shumë të kërkuar si Ben Blushi e Blendi Fevziu, të cilët kanë shënuar shitje rekord në panairet e mëparshme, nuk kanë ardhur me ndonjë libër të ri, me cilët emra do të mund të zëvendësoni famën e tyre?
Blendi Fevziu dhe Ben Blushi nuk do të jenë me një libër të ri në këtë panair. Por, nuk mendoj se fakti që ata nuk janë me një libër të ri, do t’i eklipsojë ata përpara autorëve që vijnë me botime të reja në këtë panair, pasi lexuesit e mirë e dinë që libri është pa kohë, dhe një libër të mirë ti kërkon ta blesh kudo, pavarësisht vitit kur është botuar. Në stendën e botimeve tona librat e Blushit dhe Fevziut vazhdojnë të jenë po aq të rëndësishëm krahas librave të rinj të autorëve të tjerë që ne sjellim në këtë panair.