Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Mira Meksi, kandidate për çmimin “Balkanika”

$
0
0

MIRA-MEKSI_2_dielli.al_.jpegLibri “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” i shkrimtares Mira Meksi, është përzgjedhur nga juria kombëtare për të marrë pjesë në kompeticionin për çmimin e madh letrar “Balkanika 2014”. Shkrimtarja Mira Meksi merr pjesë për herë të dytë në këtë kompeticion. Këtë vit çmimi do të shpallet më 4 tetor, në Sofje të Bullgarisë.

Vitin e kaluar, në ceremoninë “Balkanika 2013” Shqipëria u përfaqësua nga shkrimtari Ylljet Aliçka, i cili u vlerësua nga juria ndërkombëtare e çmimit letrar ballkanik me vendin e dytë, ku fituese u shpall bullgarja Zdravka Evtimova”, ndërsa këtë vit juria kombëtare e përberë nga prof. Jorgo Bulo (kryetar), prof. Ali Aliu, si dhe Piro Misha, Diana Çuli, Preç Zogaj e Sonila Kapo, ka përzgjedhur si autor konkurrues për “Balkanika 2014” shkrimtaren Mira Meksi, me romanin e saj më të ri “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, botuar nga “Toena”.

Sipas kësaj jurie kombëtare, romani i Mira Meksit u vlerësua si një rrëfim midis historisë dhe legjendës, në një sfond jo vetëm gjeografik por dhe kulturor-mitologjik iliro-helenik, pasi ka një përmasë mesdhetare ballkanike që e bën konkurrent në një ballafaqim veprash që pretendojnë çmimin “Balkanika”.

Juria Ndërkombëtare e çmimit letrar “Balkanika” do të mblidhet në Sofje të Bullgarisë për të zgjedhur veprën dhe autorin më të mirë të Ballkanit.

Punimet që do të drejtohen nga prof. amerikan Andrew Wachtel, do të zhvillohen në Sofje nga data 2-4 tetor, ndërsa në pasditen e 4 tetorit do të zhvillohet edhe ceremonia e kurorëzimit të shkrimtarit më të mirë të Ballkanit për vitin 2014.

Kjo ceremoni përkon këtë vit me 20-vjetorin e themelimit të Fondacionit “Balkanika” dhe do të kremtohet në prani të mjaft personaliteteve të fushës së letërsisë të ftuar nga e gjithë bota.

Çmimi letrar “Balkanika” ndahet sivjet për të 18-in vit radhazi.

Më parë atë e kanë fituar David Albahar nga Serbia, Anton Donchev nga Bullgaria, Nikos Bakolas nga Greqia, Vasile Andru nga Rumania, Venko Andonovski nga Maqedonia, Fatos Kongoli nga Shqipëria, Ayfer Tunç nga Turqia, Dimitar Shumnaliev nga Bullgaria, Maro Douka nga Greqia, Tahsin Yücel nga Turqia, Vladislav Bajac nga Serbia, Sema Kaygusuz nga Turqia, Ismail Kadare nga Shqipëria, Aleksandar Prokopiev nga Maqedonia, Nedim Gürsel nga Turqia dhe Zdravka Evtimova nga Bullgaria.

Çmimi letrar “Balkanika” është më i rëndësishmi çmim letrar për rajonin e Ballkanit. Fondacioni që jep këtë çmim është themeluar në vitin 1995, me iniciativën e botuesit Nikolay Stoyanov në Bullgari. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtatë shtëpi botuese nga më të rëndësishmet e vendeve ku zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe që përfaqësojnë Bullgarinë, Shqipërinë, Maqedoninë, Greqinë, Turqinë, Rumaninë dhe Serbinë. Fondacioni ‘Balkanika’ që jep këtë çmim ka një aktivitet edhe më të gjerë; ai promovon arritjet letrare nga vendet e Ballkanit, jep informacion mbi prurjet e reja në fushën e letërsisë dhe të kulturës, mbështet projektet kërkimore të letërsisë ballkanase dhe publikon veprat e këtyre autorëve në një revistë tremujore letrare, me shpresë që çdo lexues të jetë në gjendje të marrë informacionin e duhur në lidhje me autorët e përzgjedhur për këtë çmim dhe njohjen e letërsisë bashkëkohore ballkanase në përgjithësi.

Konkurruesit e “Balkanika 2014”

Mira Meksi- Shqipëria

Svetla Georgieva – Bullgaria

Christos Chryssopoulos – Greqia

Stefan Agopian – Rumania

Dimitrie Duracovski – Maqedonia

Yigit Bener – Turqia

Filip Devan – Serbia


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708