Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Ermir Abeshi: Sonte në Pianodrom … edhe një violinë

$
0
0

abeshi_photoKoncerti duo për piano dhe violinë, në kuadër të Festivalit “Pianodrom” ngjit sonte në skenën e Universitetit të Arteve pianisten e mirënjohur, Merita Rexha dhe Ermir Abeshin, violinistin finalist në konkursin Queen Elisabeth…

Ajo është një prej pianisteve të mirënjohura të skenës shqiptare, ndërsa ai, virtuoz i ri në violinë, finalist i Konkursit “Queen Elisabeth” në Belgjikë.

Merita Rexha Tërshana dhe Ermir Abeshi vijnë sonte në mbrëmje në skenën e Universitetit të Arteve me një koncert duo, në kuadër të edicionit të tretë të Festivalit “Pianodrom”, i cili ka nisur më 14 shtator e do të zgjasë deri më 25 nëntor. Nuk është hera e parë në fakt që pianistja dhe violinisti luajnë së bashku në të njëjtën skenë. Ata kanë performuar në disa aktivitete së bashku, por këtë mbrëmje do të luajnë sonatat “Beethoven nr.1” dhe “Cesar Franck për piano e violinë”, si dhe dy pjesë me motive të valleve shqiptare të Aleksandër Peçit.

Ermir Abeshi e ka nisur violinën në moshën 6-vjeçare. Ka studiuar në konservatorin e muzikës “Ghedini” në Itali e më pas në konservatorin e Bostonit “New England”. Më 2011-n mori çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga fondacioni “Rodolfo Lipizer” në Itali, fitues i çmimit “Uto Ughi” dhe i të tjerëve ndërkombëtarë. Ai është një nga bashkëthemeluesit e ansamblit të dhomës “Artur”, me të cilin ka dhënë shumë koncerte. Duket se Abeshi është në ndjekje të gjurmëve të Tedi Papavramit për karrierën e tij ndërkombëtare.

Abeshi është i vetmi violinist shqiptar që ka arritur të jetë në finalen e konkursit “Queen Elisabeth”. Ermir Abeshi ka performuar si solist me orkestrën kombëtare të Belgjikës, në prestigjiozin “Palais des Beaux-Arts” në Bruksel.

Në këtë edicion të tretë, Festivali Ndërkombëtar “Pianodrom” zbret në skenën shqiptare muzikantë me një reputacion të lartë artistik ndërkombëtar, nga ShBA, Japonia, Anglia, Gjermania, Italia dhe Shqipëria, por edhe të rinj që sapo kanë filluar karrierën e tyre artistike. Ata do të ngjyrosin me tinguj klasikë, paraklasikë dhe bashkëkohorë sallën e Universitetit të Arteve deri më 23 nëntor, kur edhe përfundon ky edicion.

Ky edicion do të sjellë 14 mbrëmje koncertale dhe do të mirëpresë 90 vepra, ndër të cilat, 32 nga trashëgimia botërore. Veprat shqiptare do të jenë 58, prej të cilave 55 janë premierë botërore, 22 vepra të kompozitorëve të rinj, 11 sonata (7 prej të cilave janë shqiptare), e shumë gjini të tjera instrumentale. Risia e këtij edicioni është revista “Pianodrom” online, e cila do të jetë mjaft e pasur me informacione mbi koncertet e festivalit, të kompozitorëve, të instrumentistëve që janë pjesë e tij, por edhe atyre që kanë qenë pjesëmarrës të dy edicioneve të para.

Ermir Abeshi do të interpretojë edhe më 20 tetor në të njëjtën skenë në një trio violinë, violonçel e piano së bashku me Dorina Laron dhe Kristina Laçon.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708