Tabloja pesimiste që Blushi ka sjellë për lexuesin një vit më parë nuk e ka ndaluar jurinë e çmimeve “Kult” ta shpallë esenë e tij si më të mirën e vitit, në një garë me emra të shquar të publicistikës shqip
Në kohën kur opinioni publik dhe mediat gëlojnë me informacione dhe hamendësime për romanin më të ri “Kandidati”, Ben Blushi fiton çmimin e akorduar nga Akademia Kult për Esenë e Vitit me librin “Hëna e Shqipërisë”, botim i “UET Press” – një parashikim mbi fatet e Shqipërisë të 100 viteve të ardhshme.
Tabloja pesimiste që Blushi ka sjellë për lexuesin një vit më parë nuk e ka ndaluar jurinë e çmimeve “Kult” ta shpallë esenë e tij si më të mirën e vitit, në një garë me emra të shquar të publicistikës shqip, si Besim Fusha me “Pietro Marubbi – Modestia që lodh përtej kohën, sprovë cvajgiane”, Besnik Mustafaj me “Bishti i kometës”, Fatos Baxhaku dhe Klodiana Kapo me “Gra të përgjithshme, histori prostitucioni shqiptar në periudhën e Zogut”.
Gjatë marrjes së çmimit, Blushi u shpreh se pikërisht për pesimizmin që përshkon qasjen e tij mbi 100 vitet e ardhshme të Shqipërisë, ai nuk e meritonte këtë çmim.
“Nuk e meritoja këtë çmim. Libri është shumë pesimist, sepse përshkruan një Shqipëri që duhej të ishte më e bukur. Nuk e meritoja, por jam i detyruar ta marr këtë çmim”, – u shpreh Blushi.
Në esenë e tij prej 140 faqesh, Blushi parasheh më shumë pabarazi ekonomike, që përkthehet në shqiptarë më të varfër, më shumë radikalizëm politik, më shumë ekstremizëm fetar, më shumë nacionalizëm dhe më pak rëndësi e peshë ndërkombëtare.
Pesimizmi – shkruan Blushi në “Hëna e Shqipërisë” – i ngjan diabetit; një sëmundjeje që e mpin nevojën për ndryshim. Prek të gjitha shqisat, duke zvogëluar shpejtësinë e reflekseve dhe kalbur ngadalë…
Ky libër, i quajtur nga shumë si një lloj profecie moderne – ku disa prej parashikimeve të tij nisën të përmbushen qysh në vitin e parë të botimit – ka ardhur si pasojë e vëzhgimeve të zhvillimeve të brendshme.
“Duke parë Shqipërinë e sotshme, Kosovën e sotshme, duke parë zhvillimet e brendshme, raportet me Europën apo raportin me religjionet, kam krijuar disa mendime të cilat kam dashur t’i ndaj me lexuesit”, – është shprehur Blushi.
Vitin e kaluar, Ben Blushi është vlerësuar me çmimin “European Union Prize for Literature” me romanin e tij fiction “Otello – Arapi i Vlorës”, duke u bërë shqiptari i parë fitues i çmimit që financohet nga Bashkimi Europian.
Pesëdhjetë e dy ishin kandidatët e nominuar për 13 kategoritë e çmimeve “Kult”.
Interpretuesi lirik i vitit u shpall sopranoja Ermonela Jaho, ndërsa statuja për Artistin pamor i shkoi Gazmend Lekës, me ekspozitën “Icarus”.
Dokumentari i Vitit u shpall “Të fala nga Ndrek Luca”, realizuar nga regjisori Mevlan Shanaj.
Shkrimtari i Vitit u shpall Ardian-Christian Kyçyku me romanin e tij “Home”, ndërsa çmimi për librin studimor i shkoi Shaban Sinanit me “Shqiptarët dhe hebrenjtë, mbrojtja dhe shpëtimi”.
Kënga “Rri me mua” e këngëtares Rosela Gjylbegu, u shpall si më e mira e këtij viti, ndërsa balerina më e mirë u shpall Ledia Sulaj për interpretimin e Swanilda-s në baletin “Coppelia” .
Driada Dervishi fitoi çmimin si regjisorja më e mirë për shfaqjen e saj “Vanja, Sonja, Masha e të tjerë”, një shfaqje e suksesshme që i dha çmimin e Aktores së vitit edhe Olta Dakut, e cila ka interpretuar në këtë shfaqje.
Pas rikuperimit shëndetësor, Robert Ndrenika është nderuar si Aktori i vitit për interpretimin e rolit të Will Klarkut në “Djemtë gazmorë”. Moikom Zeqo dhe Spartak Ngjela u nderuan nga Akademia me çmimet speciale të “Kult 2015”.