Rrëfimi i rrallë i pianistes Manjola Trebicka, e nderuar pak ditë më parë nga shteti francez me titullin “Kalorëse e Palmave Akademike”; nga koncerti i marsit ’91 me tanket pas dritares, në udhëtimin më ’92-in drejt Francës, në konkurse të njëpasnjëshme, të rëndësishme deri në cilësimin nga kancelari i Legjionit të Nderit francez me “një ekzigjencë për të mos qenë ‘më e mira në botë’, por për të dhënë ‘vetveten deri në harresë’. E bija e aktorit, të ndjerit Roland Trebicka, ndalet një çast në kujtimet e marrëdhënieve krejtësisht të veçantë me të atin
Intervistoi: Violeta Murati
-Jeni nderuar së fundi, pas një përvojë pothuaj 20-vjeçare në skenën kulturore parisiene, nga shteti francez me titullin “Kalorëse e Palmave Akademike”. Sigurisht nuk është një rastësi ky vlerësim, pasi bëhet fjalë për një urdhër të krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1808, duke iu akorduar personaliteteve të shquara në arsimin francez. Si jeni ndjerë, ç’është kjo përvojë e juaja, një shqiptare në edukimin kulturor të francezëve, konkretisht me muzikë?
Faleminderit për interesimin. Sigurisht që unë nuk e prisja një nderim të tillë, sepse në fund të fundit bëj punën dhe pasionin tim. Nuk duhet harruar që në Francë unë jam një shtetase franceze që prej vitit 2002. Për shkollën, aktivitetin tim pianistik e kulturor, jam një shtetase franceze me origjinë shqiptare. Kjo është shumë e rëndësishme për ta theksuar, sepse për pak muaj do të jetë një balancë 23 vjet në Shqipëri, 23 vjet në Francë. Ne muzikantët i përkasim botës së muzikës, artistët në përgjithësi botës së artit. Kultura jonë është ARTI, e unë shpreh nëpërmjet Muzikës. Ka artistë që e kalojnë gjithë jetën e tyre midis pesë kontinenteve. Përpara nxënësve të mi, unë jam ajo që së bashku me kolegët u hapim botën e “bukurisë së shpirtit” me një gjuhë universale.
-Jeni e vlerësuar në diplomën e Maturës me “Medalje ari” në Shqipëri, ndërsa ‘92-shi shënon ikjen tuaj të parë drejt Francës, dhe përfundimisht latë vendin në shtator të ’93-shit, ç’ishte kjo ikje e përhershme, kjo mundësi?
Medalja e Artë jepej në atë kohë nga Ministria e Arsimit për rezultate të shkëlqyera nga fillorja deri në mbarimin e Maturës. Unë e kam të firmosur nga z. Gjinushi, që ishte ministër në atë kohë. Kurse mundësia për të ikur në France m’u dha për herë të parë nga zonja Evelyne Noygues, atëherë në postin e atasheut kulturor të ambasadës së Francës në Tiranë. Mora pjesë me një pianiste tjetër shumë të mirë, Arlinda Majollarin, në konkursin internacional “Margueritte Long”, që është nga më të famshmet në botë. Lorin Mazel ishte president i konkursit. Imagjinoni shansin tonë të jashtëzakonshëm kur takuam personalitetet e jurisë. Më pas u ktheva në Paris në mars të 1993 për një konkurs tjetër, ku fitova një çmim të parë. M’u akordua një bursë nga një shoqatë bamirësie, e në 12 shtator të 1993 u vendosa përfundimisht në Paris. Zonja Evelyne Noygues është një mike e mrekullueshme për mua, dhe sigurisht që ishte e ftuar në Pallatin e Legjionit të Nderit për dekorimin tim.
-Koncertin e fundit në Tiranë e keni pasur në mars të ’91, në sallën e Universitetit të Arteve, në një kohë që luanit në piano, çfarë po ndodhte jashtë…Si e mbani mend?
Ju veçoni këtu një detaj që shumë pak e dinë dhe e mbajnë mend. Në fakt ky recital nuk ishte i fundit, por ishte i veçantë. Kur u bënë grevat e studentëve, isha në vitin e tretë të Akademisë së Arteve. Studioja sonatën e Listit dhe një repertor tjetër, që nuk më kujtohet tani. Shkoja çdo mëngjes në orën pesë në konservator, te salla numër një, e gryka e tankut ishte fare afër me dritaren e klasës së pianos. Pasi studioja 6 orë, deri në dymbëdhjetë, shkoja te Qyteti Studenti, ku rrija me shokët e shoqet deri në darkë. Kështu, me gjithë situatën tepër të ndërlikuar e shtetrrethimin në darkë, unë dhashë gjithsesi recitalin që përgatisja. Por recitali i fundit në Tiranë ishte në prill të 2003, me integralin e baladave të Shopenit në Akademinë e Arteve.
-Si arritët të hynit në rrjedhën e jetës kulturore parisiene, besojmë një botë e panjohur për ju, por që shumë shpjet erdhën recitalet, koncertet…cilat ishin skenat që prekët?
Në Paris pata fatin të banoja në një konvikt në lagjen 16, në “Foyer des Lycéennes”, që ishte nën patronazhin e bashkisë së lagjes, por edhe të Bashkisë së Parisit. U prezantova gjatë koncerteve private me persona që kishin influencë, që më dhanë mundësinë të luaja në vende prestigjioze (Palais de Chaillot, Chateau de Versailles, kisha, katedrale…) e kur loja pëlqehet, ka gjithmonë dikush që propozon diçka tjetër. Plus konkurset, juritë kanë njohje e kështu gjeta vendet e punës. Në fillim akumuloja 50-60 orë në javë për të siguruar të ardhmen në një vend ku nuk kisha asnjë njeri për të më ndihmuar, pasi isha fare vetëm.
-Parisi është vendi ku mblidhen pothuaj të gjithë të talentuarit e botës, sidomos në instrumente. Si ishin këto vite për ju, për të mbërritur deri tek ky çmim?
Parisi është një vend i mrekullueshëm i artit dhe kulturës. Është një kënaqësi e veçantë të luash, sepse publiku është shumë mirëpritës. Artisti nuk është “Zot”, ka ditë të vështira, probleme të tij, të punës, të transporteve, të familjes, por parisianët vijnë për një “partazh historie”, kërkojnë të humbin në ndjenjat dhe historinë e artistit, pa u bërë zevzekë të notës që ikën apo një problemi memorieje. Kështu që artistët gjithsesi luajnë bukur në Paris. Kjo ndjenjë e një pasioni të pafund, e një komunikimi pa interes, e një morali ku “bukuria e artit është hyjnore”, me shtyn çdo ditë drejt pianos, studimit, koncerteve, mësimdhënies. Një ekzigjencë për të mos qenë “më e mira në botë”, por për të dhënë “maksimumin e vetvetes deri në harresë”. Këto cilësoi në diskutimin e tij, Kancelari i Legjionit të Nderit, para se të me vinte dekoratën.
-Cilët autorë janë në repertorin tuaj?
Repertori im është nga të gjitha epokat. Nga ana tjetër, unë jam e sensibilizuar me zbulimin dhe luajtjen e muzikës aktuale. E kam shumë për zemër muzikën instrumentale dhe gjininë e muzikës së dhomës, por adhuroj të punoj me këngëtarët. Në Tiranë do të vij në janar me një recital të një kompozitori që ishte internacional në epokën e tij. Gottschalk, është një buqetë e temave të Shopenit, me variacione të Listit e me ritme të Scott Joplin. Është premierë shqiptare, ku do luaj dhjetë pjesë, pa pushim, që përbëjnë afërsisht njëqind e njëzet faqe literaturë pa llogaritur “biset”, nëse do të këtë.
-Gishtërinjtë i dua të gjithë njëlloj! – keni thënë në një bisedë me shkrimtarin Luan Rama, pasi është munduar në një përcaktim midis pianistit, shpirtit të tij, dhe muzikës përmes gishtërinjve. Ç’është kjo teori e “gishtëzimit” që ju thoni se nuk e kishit studiuar në Tiranë?
Historia e gishtëzimit, specifike gjatë studimit me profesorë franceze, është për të pasur një paletë tingulli, ku çdo gisht ka mundësinë e një ngjyre të veçantë. Por kjo jep rezultat vetëm, e theksoj, “vetëm” në pianot me bisht. Në Tiranë, në kohën e studimeve të mia, ishin piano muri skandaloze, pa tela e pa çekiçë, atëherë historia e “gishtëzimit” ishte e p imagjinueshme.
Çfarë është muzika që interpretoni, çfarë gjeni në të gjatë interpretimit, çfarë alkimie krijohet tek ju, cila është kjo botë?
Kur luaj, unë tregoj një histori, si një film në kokë, me skena, dialogë, personazhe, ngjyra, parfume. Mundohem të prek publikun me këtë rrëfim timin, ashtu si e mendoj unë. Prandaj ju mund të dëgjoni në Paris të njëjtën vepër, të luajtur çdoherë ndryshe nga instrumentistë të ndryshëm, dhe secili respekton mënyrën e ndërtimit dhe të emocionit të të tjerëve. Kjo është fantastike në Francë. Pluralizëm në të gjitha fushat, me kusht që të prekësh, të jesh vetvetja. Mësuesit kërkojnë nga studentet jo t’i imitojnë, por “t’i surprizojnë”, në kuptimin e mirë të fjalës. Kur fitova dy herë çmime në konkurse, nuk isha “pianistja më e mirë, por isha më e veçanta”, se në një konkurs përgjithësisht të gjithë janë të shkëlqyer.
Herë pas here, besojmë se ju keni dëshirë t’i tregoni publikut francez edhe nga muzika bashkëkohore shqiptare, kam dëgjuar të flitet për një natë në Paris kur keni interpretuar një “tokatë” nga Feim Ibrahimi…
Nuk harroj kurrë nga vij, ku i kam rrënjët. Francezët janë kuriozë për çdo gjë të re. Kur luaj tokatën e profesor Feim Ibrahimit, të gjithë ngrihen në këmbë. Koncerti “Les étoiles d’Albanie “i organizuar nga Rezart Jasa, ku luajta katër solo, plus plot duo, u prit me shumë entuziazëm. Për mua është momenti ku derdh gjithmonë një lot mallëngjimi.
Sigurisht nuk mund të rrimë indiferentë pa ju pyetur për babain tuaj, të ndjerin, aktorin Roland Trebicka. Në një intervistë të rrallë me të, ai shfaqte ndjenja dobësie ndaj jush. Vetëm ju mund ta “thyenit” atë. Çfarë ka qenë kjo marrëdhënie mes jush?
Them se fakti që kur isha e vogël, për të isha “gjithmonë e ikur “e kur u rrita “ika vërtet “, kjo e bënte atë jashtëzakonisht të ndjeshëm. Fakti që mbase nuk kishim kaluar shumë kohë bashkë. Kur telefonoja nga Parisi në fillim, i thoshte mamit: “Ky është një fëmijë i sfilitur “. Por cilësia e këmbimeve dhe e marrëdhënieve të mirëkuptimit e tejkalon mungesën e kohës së kaluar bashkë.