Pse menduam të shtrojmë, në një konferencë, çështjen e gjuhëve të tjera të letërsisë shqiptare?
Sepse, problem i shkencës letrare sot, është edhe një vizion më i gjerë në interpretimin e zhvillimit të letërsisë, nga fillimet deri në ditët e sotme; sepse vlerat e letërsisë më të mirë, si aspekt i identitetit kulturor, duhet t’i shkojnë një horizonti më të gjerë pritjeje, përtej atij të lexuesit shqiptar; sepse gjuhët e tjera i japin letërsisë sonë një qytetari tjetër. Dhe, arsyeja kryesore është se çështja e njohjes së letërsisë sonë, përmes marrëdhënies me gjuhët e tjera, nuk është trajtuar asnjëherë si çështje e historiografisë sonë letrare
Problematikat e marrëdhënieve të letërsisë me botën tjetër përfshijnë një varg aspektesh, të brendshme dhe të jashtme. Më i rëndësishëm se njohja e hartës së përkthimeve të letërsisë shqiptare, është diskutimi shkencor mbi specifikat e kësaj marrëdhënieje. Origjinalja, pra letërsia jonë, është poetika e parë, që krijon një raport të veçantë me poetikën e ligjërimit letrar tjetër. Prandaj kjo temë meriton vëmendje të posaçme, si nga studiuesit, përkthyesit më të afirmuar, por, po aq edhe nga institucionet shtetërore, përkatëse.
Diskutimi i kësaj teme, që, siç thamë, hap një dritare të re në konceptimin e historisë së letërsisë shqiptare, na ka orientuar që, në kumtimet e konferencës, specifikat e këtij zhvillimi të ndiqen në katër faza historiko-letrare. Faza e parë, ajo e përkthimit dhe e dygjuhësisë së letërsisë shqiptare, në shekujt 16-17, kur gjuha e shkrimit është latinishtja dhe italishtja. Shfaqja e kësaj letërsie shihet në kontekstin e zhvillimeve historike e kulturore që solli Rilindja Europiane, kohë në të cilën ndodh fenomeni Gjon Buzuku, i cili konfirmoi për herë të parë gjuhën shqipe si gjuhë letërsie. Gjuhët e dyta të letërsisë shqipe kanë qenë ose gjuhë liturgjie, ose gjuhë imperiale. Gjatë pushtimit otoman, tri gjuhët që sunduan ligjërimin letrar shqip qenë persishtja, arabishtja dhe osmanishtja. Studimet e filologjisë së sotme kritike janë duke e tërhequr vëmendjen pikërisht tek gjuha tjetër e letërsisë shqipe. Kjo është çështje themelore e historisë së receptimit të kësaj letërsie. Faza e dytë e lidhjes së letërsisë shqipe me lexuesin e gjuhës tjetër ndryshon në periudhën e Rilindjes, kur letërsia shqiptare nuk njohu më dygjuhësinë, në të njëjtin tekst, por u shkrua në gjuhët e perëndimit (italisht, frëngjisht, greqisht) dhe të lindjes (turqisht, persisht, arabisht…). Gjuhët e tjera të Rilindjes qenë gjuhë të vetëparaqitjes së letërsisë shqipe në gjuhën e fqinjit dhe në gjuhët e mëdha të Perëndimit, me funksionin e gjuhës ndikuese. Qëllimi ishte afirmimi kombëtar i gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Në ½ e parë të shek. XX letërsia shqipe njohu, veç këtyre, edhe gjuhë të tjera promovimi: anglishten, si gjuhë shkrimi i vetë autorëve shqiptarë (Konica, Noli), apo përkthim nga të huaj, (gjermanisht Lahuta e Gj. Fishtës) etj., të cilat hapin rrugën për njohjen ndërkombëtare të letërsisë shqiptare në një shtrirje tjetër gjeografike. Në fazën tjetër, atë të ½ dytë të shekullit XX lidhja e letërsisë sonë me lexuesin e huaj është me marrëveshje, nën kujdesin e politikave ideologjike-shtetërore dhe e orientuar kryesisht në vendet e Europës Lindore dhe Juglindore. Nëse do të shtrohej hartimi i një historie letërsie shqipe si histori receptimi, do të ishte e pamundur të shpërfillej gjuha e promovimit dhe e ndërmjetësimit të saj. Ndërsa në fazën e katërt, mbas viteve ’90 përkthimet janë të lira, nxitur nga faktorë personalë, si nga autorët shqiptarë, ashtu dhe nga botuesit e huaj. Letërsia synon të dëshmojë shkëputjen nga parimet estetike të realizmit socialist dhe hyrjen në rrjedhat e letërsisë moderniste e postmoderniste europiane. Është faza më problematike, lidhur me ndërtimin e marrëdhënies me lexuesin e huaj, i cili është i dyti në receptimin e veprës.
Sigurisht, çdo fazë ka specifikat e veta lidhur me receptuesin, i cili i jep, ose jo, status kësaj letërsie. Çështja themelore e kësaj lidhjeje është: Si ndërtohet raporti midis dy kodeve ligjërimorë? Ndërtimi jo i drejtë i kësaj marrëdhënieje prish ekuilibrin, madje edhe te lexuesi ynë, duke imponuar një hierarki jo reale të vlerave të sotme letrare. A është ky një proces i rastësishëm, a është ndërhyrje personale? A është thjesht një fakt, që nuk arrin të ketë atë horizont pritjeje që do të duhej të kishte? A duhet të krijohet ky lexues, duke iu përshtatur shijeve të tij, apo letërsia duhet t’i zbulojë gjuhës tjetër atë që është e veçanta e saj?.
Studimet letrare mund të përqendrohen edhe në dukurinë tjetër: ka autorë që, ndoshta në mënyrë intuitive, por edhe pragmatiste, dëshmojnë një koncept diferencimi midis lexuesit shqiptar dhe të huaj, duke pasur synim kryesor shijen e lexuesit të huaj dhe duke abuzuar me kureshtjen etno-psikologjike ndaj fenomeneve kanunore, apo dukurive të tjera të realiteteve të shkuara dhe të sotme (kjo shihet si garanci suksesi). Parimi i vrapimit pas tregut, që në aspektin sociologjik zëvendësoi parimin ideologjik të ½ dytë të shekullit XX, në aspektin estetik mund të duket si i njëjtë me të.
Një aspekt shumë i rëndësishëm historiko-letrar është interpretimi i letërsisë së diasporës së re, e shfaqur në dy modele: autorë dygjuhësish, si A.Kyçyku, E.Dones etj., dhe autorë që shkruajnë vetëm në gjuhën e huaj, p.sh. S.Sherifi, O.Vorpsi. Problematikat e këtij grupimi të dytë janë më komplekse, që lidhen me çështjen bazë, përfshirjen e tyre në historinë e letërsisë shqiptare, bashkëkohore. A i recepton lexuesi tjetër veprat e autorëve që shkruajnë vetëm në gjuhë të huaj, si letërsi shqiptare? A është kriteri gjuhësor i vetmi që përcakton përkatësinë e kësaj letërsie, e cila, në fakt, shfaqet atje si një tekst kompleks? A ekzistojnë në këto vepra dy kulturat letrare, të origjinës së autorit dhe të gjuhës tjetër, në të cilën ai shkruan? A mund të përfytyrojmë brenda veprës së tyre dy autorë: atë të origjinës dhe atë të pranuar në mjedisin receptues, a janë këta shkrimtarë të dy botëve? Sa është pesha e kontekstit social-kulturor në vendin e gjuhës tjetër dhe a ndikon ky faktor në transformimin e identitetit të autorit shqiptar? Gjithë këtyre çështjeve, shkenca jonë letrare nuk i ka kushtuar vëmendje, prandaj thamë që në krye që diskutimi ka të bëjë me koncepte metodologjike të historiografisë sonë letrare.
* * *
Problematikat e studimit të raportit të letërsisë sonë me gjuhët e tjera, janë sa të aspektit teorik-letrar, aq edhe të fushës së organizimit dhe ndjekjes institucionale. Në aspektin e politikave kulturore kombëtare: Sa ndihmojnë politikat shtetërore në Shqipëri, por dhe në Kosovë, për vlerësimin dhe përmirësimin e kësaj çështjeje të rëndësishme? A ekziston vemendje e shtetit ndaj përkthyesve të njohur të letërsisë sonë, si Elsie, Zoto etj…? A mund të kontrollohet sot roli i përkthyesit të letërsisë sonë në gjuhët e tjera? Sa vlerësohet përgatitja e përkthyesve tanë, për përcjelljen e letërsisë sonë në gjuhë të tjera, për të mos ja lënë këtë detyrë rastësisë, apo individëve, që nuk kanë nivelin e duhur për realizimin e këtij procesi? Përqendrimi i politikave vetëm në përkthimin e letërsisë së huaj në gjuhën tonë, duke lënë mënjanë nxitjen e marrëdhënieve të letërsisë shqiptare me gjuhët e tjera, është kyçi i gjithë problematikave dhe, madje, i pafalshëm në sfondin e politikave kulturore kombëtare.
Në shekullin e globalizimit, në shekullin e ndërkombëtarizimit të dijes dhe kulturës, letërsia shqiptare mund të thyejë më tej kufijtë e vetes dhe të mundësojë receptimin në gjuhët e tjera. Kjo kërkon një përgjegjësi sa shtetërore, aq edhe shkencore. Sepse tema ‘gjuhët e tjera të letërsisë shqiptare’ nuk është thjesht çështje përkthimi, por mbi të gjitha, çështje identiteti dhe vetënjohjeje.