Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Tri Motrat: Teatri Kombëtar e nis me Rusinë e 1900

$
0
0

tre motratKryevepra e dramaturgut rus, Anton Çehov, ngjitet për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar, nën regjinë e Hervin Çulit, i cili bashkë me këtë vepër që vihet për herë të parë pas më shumë se një shekulli nga shfaqja e saj në vendin e origjinës, sjell edhe disa risi si dublantët, afërsia fizike e publikut me aktorët në skenë dhe …një sallë më në fund me ngrohje

Tri sjestri apo Tri motrat, një prej kryeveprave të shkrimtarit dhe dramaturgut rus, Anton Çehov, u shkrua më 1900 –ën dhe një vit më pas, për herë të parë u vu në skenë në Teatrin e Arteve të Moskës…

U deshën 115 vjet për të ardhur në skenën e Teatrit Kombëtar shqiptar. Me regji nga Hervin Çuli, shfaqja vjen premierë për publikun kryeqytetas më 16 janar.

Regjisori Çuli, me zgjedhjen e kësaj vepre, pas “Xhaxha Vanja” të të njëjtit dramaturg jo vetëm shfaq hapur admirimin e tij për krijimtarinë e Çehovit – një vepër që ka rreth 20 vjet që e mendonte ta sillte në skenën e teatrit, siç edhe është shprehur –por mëton të sjellë përditshmërinë e jetës me trishtimet, drama, dashuritë, pasi sipas tij Çehovi në këtë vepër i ngjan shumë shoqërisë sonë në tranzicion.

Fara e Tri Motra është koha. Koha shfaqet herët në dramë dhe është e pranishme deri në fund. Gjithçka nis me 11 majin, dita e emrit të Irinës apo shpesh e përkthyer thjesht si ditëlindja.

Koha në sfondin e dramës nuk jepet në udhëzimet e skenës, por në dialog. Megjithëse është e qartë që koha kalon, ajo është e vështirë të matet,

“Çehovi është i vërtetë si jeta” –është i bindur Çuli, ndaj edhe për ta sjellë esencën e veprës ashtu siç është ajo, intime, ka vendosur të sjellë edhe një skenografi ndryshe, ku publiku do të ndahet nga aktori nga fare pak centimetra. Një formë e re kjo e të bërit teatër, për ta sjellë ndoshta më bashkëkohore Realizmin e fundshekullit 19 e fillimshekullit 20 të autorit rus.

Sipas Çulit për aktorin është e rëndësishme të ndihet nga publiku deri edhe në frymëmarrjen e tij.

Komedia, apo drama e trishtuar me elementë komedie siç e ka quajtur regjisori Çuli rrëfen jetët e tri motrave Prozorov. Olga, Masha dhe Irina digjen nga dëshira për t’i ikur qytetit të vogël rus dhe të kthehen në Moskën ku janë rritur. Ata që hyjnë në orbitën melankolike të tri grave janë ushtarakët si Dr. Çebutikin dhe kolonel Vershinin, të cilët janë aty më shumë për t’ia vështirësuar jetët motrave, veçanërisht kur masha dhe Vershinin nisin një lidhje të palogjikshme.

Gjatë shfaqjes është menduar të ketë edhe një pushim në mes.

Në fund asnjë nuk shkon në Moskë dhe vepra mbyllet me një rreth vicioz nga ku personazhet nuk dalin dot, bashkë me tragjeditë, trishtimet dhe dashuritë.

Në skenë me këtë vepër që hap edhe siparin e sezonit të teatror në Teatrin Kombëtar janë ngjiten emra të njohur si Bujar Asqeriu, Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Gert Ferra, Helidon Fino, Gladiola Harizaj, etj.

Edhe këtu regjisori ka menduar të sjellë një risi. Në skenë janë katërmbëdhjetë aktorë, pro shfaqjes do i bashkohen edhe dublantët, duke e bërë numrin e aktorëve njëzet. Sipas Çulit, ky është një eksperimentim me dublimet në rolet kryesore.

Skenografia e shfaqjes i është besuar Kristo Çalës, ndërsa kostumet nga Berina Kokona.

Ashtu siç edhe kishte parashikuar drejtori Çuli, se ngrohja do të kthehej më 15 janar, kjo shfaqje e parë për këtë vit do të nisë me një sallë të ngrohtë e me aktorët që kësaj herë do të jenë shumë pranë publikut, në kuptimin e parë të fjalës.

S.Balliu

 

Komedi: Premierë edhe tek Eksperimentali më 16 janar

Edhe Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” e nis sezonin e ri mbrëmjen e 16 janarit, me premierën e komedisë “ Gënjeshtër pas gënjeshtre”, me regjisor Qëndrim Rijanin, e cila do të vijë në skenë çdo të enjte, të premte, të shtunë e të diel deri më 28 shkurt.

‘Gënjeshtër pas gënjeshtre’ e shkruar nga Anthony Neilson është një vepër që mes vargjesh përpiqet të zbërthejë ato të vërteta tronditëse të cilat na thuhen përmes gënjeshtrave që vijnë njëra pas tjetrës, e që në tërësi formojnë një gënjeshtër të madhe që transmetohet nga dy policë, të udhëhequr nga paaftësia për të thënë një të “vërtetë” të dhimbshme. Të gjithë ‘përrallën’ e transformojnë në një ngatërresë të madhe situatash, sa komike po aq intriguese për lojë me ndjenjat e shikuesit, publikut. Ata vijnë për të dhënë lajmin e vdekjes së vajzës së tyre një çifti pleqsh dhe karakteret e tyre “luftarakë” mes së mirës dhe së keqes ku në vetvete i ngatërron keqkuptimi i çiftit, të cilët mendojnë se u ka vdekur qeni. E gjithë kjo përkthehet në një lojë ndjenjash ‘Mes jetës së njeriut si qen dhe jetës së një qeni si njeri’. Një linjë tjetër vjen përmes personazhit të Gronias, e cila përfaqëson revolucionarët tipik që marrin mbi supe luftën ndaj të keqes shoqërore dhe të keqes që kanë marrë përsipër ta luftojnë duke e idealizuar vetveten duke pasur po atë të keqe brenda vetes. Aty paraqitet edhe një prift si përfaqësues i moralit të pastër dhe mban mbi supe të gjithë imoralitetin shoqëror. Mes ngatërresash të mëdha që prodhojnë pa fund situata komike si një grusht ballit vijnë të “fshehtat” apo të “vërtetat” e asaj që quhet apo nuk quhet dashuri e vërtetë, e një çifti që ka një jetë që jetojnë si burrë e grua.

Kjo komedi sjell në skenë aktorët Mehmet Xhelili, Genc Fuga, Sotiraq Bratko, Ermira Gjata, Adriana Tolka, Andi Begolli e Dasara Xhangolli.

A vret më shumë një e vërtetë apo një gënjeshtër? A është më e dhimbshme një e vërtetë apo një gënjeshtër e sajuar për të mbuluar një të vërtetë? A duhet qëndruar besnik gjithmonë së vërtetës, apo ia vlen që të zbusim dhembjen e së vërtetës, me sajime gënjeshtrash të bardha? A vlen më shumë racionaliteti mbi detyrën e dhënë? Apo vullneti për të qenë gjithmonë i mirë na tjetërson detyrën? Këto janë vetëm disa nga pikëpyetjet që kjo komedi situate ngre, të cilën jo pak e shoqëron e zeza nga brenda.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708