Një foto e rrallë dhe historike udhëton pas 45 vjetësh në itinerarin Beograd-Prishtinë dhe së fundi në Tiranë. Katër kineastët më të famshëm në diktaturë: Sandër Prosi, Viktor Gjika, Endri Keko dhe aktorja Edi Luarasi shënojnë sinorin e hapjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, në të parën veprimtari kinematografike me Kosovën, duke u ruajtur në memorien e të dyja anëve si ngjarja më e bujshme e kohës. Autori që ka shkrepur këtë imazh ishte fotoreporteri serb, që punonte për gazetën “Rilindja”
Nga Violeta Murati
Një foto e rrallë dhe historike udhëton pas 45 vjetësh në itinerarin Beograd-Prishtinë dhe së fundi në Tiranë. Ka një histori brenda saj: katër kineastët më të famshëm në diktaturë: Sandër Prosi, Viktor Gjika, Endri Keko dhe aktorja Edi Luarasi shënojnë sinorin e hapjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, në të parën veprimtari kinematografike me Kosovën, duke u ruajtur në memorie të të dy anëve si ngjarja me e bujshme e kohës. Ishte delegacioni i parë i kineastëve më të famshëm të Tiranës zyrtare, të nëndiktaturës që hapi siparin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ka pak ditë që ka mbërritur në shtëpinë e Edi Luarasit, një prej protagonistëve në celuloid, në krah të së cilës janë aktori i famshëm, Sandër Prosi, regjisorët Viktor Gjikën e Endri Keko.
Fotoja i takon vitit 1971, dhe autori i saj është një fotoreporter serb, e “maratonomaku” i saj është gazetari nga Prishtina, Ibrahim Kadriu, i cili shihet në foto në krah të Edi Luarasit. Me gazetarin e vjetër të Prishtinës takohemi në fundvitin e shkuar, duke na lënë “amanet” dorëzimin e zarfit me foton historike. Sigurisht, ky imazh kishte domosdoshmërinë e interpretimit, memories historike të kësaj marrëdhënieje të shkurtër kaq të hapur, që u shfaq papritur me Kosovën, por që u ndërpre mjaft shpejt.
Takimi me aktoren Edi Luarasi, së cilës i kemi dorëzuar foton ishte i pamundur. Bashkëshorti i saj, regjisori Mihallaq Luarasi, për habi na tha se Edit nuk i kujtohej asgjë nga fotoja, asnjë lloj informacioni nuk kishte mundur të merrte nga impresioni i fotos. Pra takimi me aktoren nuk u realizua. Ndërsa tre kineastët S. Prosi, V. Gjika dhe E. Keko nuk jetojnë më. Në Tiranë, të vetmin informacion mbi foton na e jep ish drejtorja e Arkivit, Natasha Lako, e cila thotë se ky ishte delegacioni i parë që shkonte nga Tirana në Prishtinë duke shënuar një rast historik, hapjen e siparit të marrëdhënieve mes dy vendeve, Kosovën e ndodhur nën federatën ish-jugosllave. Lako thotë se bëhej fjalë për një veprimtari njëjavore, ku u shfaqën disa filma dhe ka mundësi të jetë shfaqur edhe filmi ku luante Edi Luarasi.
“Unë e kam të qartë, dhe kujtoj se është shfaqur me shumë bujë filmi ‘I teti në Bronz’, duhet të ketë qenë pas vitit 1971, pasi në vitin 1973 kam qenë vetë me delegacionin që mori pjesë në mitingun e poezisë që u mbajt në Gjakovë dhe jehona e atyre aktiviteteve ndihej akoma, më vonë nisën lidhjet me universitetet”, – na sjell këtë dëshmi Lako.
Ndërsa protagonisti që na solli foton historike nga Kosova është gazetari i vjetër i Prishtinës, Ibrahim Kodra. Ai na tregon me të njëjtën saktësi se bëhet fjalë për të njëjtin aktivitet, pra për “Javën e filmit shqiptar”, që u mbajt në Prishtinë në vitin 1971. Kadriu tregon se ishte takuar me këta artistë për të përcjellë ngjarjen në cilësinë e gazetarit. Ai na tregon se fotografia është bërë nga fotoreporteri serb, që quhej Milovan Vitkoviç, i cili punonte për gazetën “Rilindja” në atëkohë. Pse tani kjo foto? Ibrahimi nuk di ta shpjegojë vonesën e kësaj fotoje, duke ngritur supet me një fjalë: kushedi pse?!
Këtë ngjarje në fakt, gazetari i Prishtinës e ka zbardhur në një ese, të përfshirë në një libër të tij, “Buzëqeshje miqsh”. Shkrimi mban takimin që bëri Kadriu me regjisorin Viktor Gjika më ’71, dhe bisedën mes tyre pikërisht në këto ditë. “Viteve të shtatëdhjeta, kur ekzistonte një lidhshmëri më e madhe mes Shqipërisë dhe Kosovës, kur arrinin aq grupe muzikantësh dhe aktorësh nga Shqipëria, por gjithashtu edhe shkonin nga Kosova për të mbajtur koncerte e ndonjë shfaqje, nuk u arrit ndonjë afri e krijuesve të filmit të Shqipërisë me të Kosovës”, – kujton Kadriu.
Takimi i ’71, pse Viktor Gjika kishte frikë të fliste
Nga Ibrahim Kadriu
E kisha gjetur edhe unë këtë krijues, me rastin e ardhjes së parë në Kosovë të një ekipi të filmit (më 1972): Sandër Prosi, Endri Keko, Edi Luarasi dhe Viktor Gjika.
Kishin ardhur në saje të një marrëveshje bashkëpunimi që do të duhej të ndodhte mes Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe ndërmarrjes filmike “Kosova-film”, në krye të së cilës ishte shumë i çmuari Abdurrahman Shala. Të gjithë emra të njohur të filmit dhe të teatrit. Viktor Gjika kishte një bagazh të filmave të suksesshëm, të realizuar gjer në atë kohë, siç ishin: “Njeriu kurrë nuk vdes”(1961), “Takimet ne Helsinki” (1962) “Kur vjen nëntori” (1964), “Bistrice ’63’” (1964), “Përse mendojnë këto male” (1965), “Fitimtarët”, “Komisari i dritës”, në bashkëpunim me Dhimitër Anagnostin (19660, (1966), “Horizonte të hapura” (1968), “I teti në bronz” (1970), “1 Maj 1970” (1970), “10 ditë sulmi” (1970), “Yjet e netëve te gjata” (1972).Ardhja në Prishtinë për grupin e kineastëve shqiptarë ishte “një dhuratë e mirë”, siç thoshte Viktori në atë takim të parë ku, për të gjetur mënyrë bisede, mbështetem te “I teti në bronz”, që e kisha parë dhe kisha lexuar vlerësimet për të, ku çmohej filmi si një lloj metafore për luftën; një rrëfim aq sublim, i rrallë si shtjellim dhe me domethënie universale. Ishte një film akuzë për luftën, pavarësisht se ngjarja zhvillohet në Shqipëri, mund të ishte e çdo ambienti luftarak, prandaj (siç ma merrte mendja) filmi do të ketë sukses edhe në shtete të tjera…Bisedonim në restorant të hotelit “Bozhur”, siç thuhet, në katër sy, prandaj edhe kishte liri shprehjeje, se si kineast përpiqej që, në rrëfimet e tij, të mos merrej vetëm me paraqitjen bardh e zi…Më flet për bashkëpunimin e shkëlqyer me Dritëro Agollin, që e kishte ndihmesë të madhe në shkrimin e skenarit të filmi, ndërkaq ia përmend Sandër Prosin, Yllka Mujon që i kishin rolet e tyre në film, role të realizuara për mrekulli. Qeshet. Sandër Prosin e kam krah të djathtë.
***
Viktor Gjika e përshkroi natën e përparshme kur kishin kaluar rrugën prej Shkupit drejt Prishtinës. U vonuam rrugës nëpër Maqedoni, prandaj arritja në Kosovë ishte e vonshme. Diku, kah gjysma e natës, kapërcyem Grykën e Kaçanikut. Kur arritëm më tutje, -pamë shumë drita: një hapësirë e gjerë e mbuluar me drita dhe që shtonte bindjen se kishim të bënim me një qytet të madh. Fillimisht menduam se arritëm në Prishtinë. Te një pompë benzine u ndalem. E pyetëm se a kishim arritur në Prishtinë, kurse ai shitësi në pikën e karburanteve tha se për të arritur në Prishtinë duhej kaluar edhe nja gjashtëdhjetë kilometra. Pas një rrugëtimi të shkurtër, arritëm përballë dritave të tjera. Prej kodre, prej nga kapërcenim rrugën, shkëlqente qyteti, por nuk e dinim se cili qytet ishte. Ai na kishte thënë se për të arritur në Prishtinë duhej kaluar edhe nja gjashtëdhjetë kilometra, kurse ne, nuk di a i kishim kaluar tridhjetë. Kur zbritem nga ajo rrugë dhe hymë në bulevardin e qytetit, atëherë u bindëm se ishim në Prishtinë.
Ky rrëfim i Viktor Gjikës, që u tha sikur me qëllim që të mos fliste për tema të tjera “të nxehta”, qofshin ato tema politike, por qofshin edhe për artin, atë të “dekadencës” sonë dhe “socrealizmit” shqiptar, nuk bëri punë përballë Rexhep Ismajlit i cili, me atë rast, iu qas krijimit të atjeshëm, duke thënë se bota e përvojës (e jashtme) letrare dhe filmike punon ndryshe, kurse krijimet në Shqipëri, te një dorë krijuesish, janë shumë larg realitetit artistik…
Nga heshtja kuptohej se Viktor Gjika nuk ishte interesuar të fliste, e aq më tepër të jepte vlerësime për të krijuarat në Shqipëri…
Në takimin tjetër (të nesërmen) Viktori ishte shumë më i rezervuar. Në shoqëri ishin edhe të tjerët, edhe Sandri, Endriu dhe Edi. Nga Viktori më interesonte të tregonte se si kishte kaluar në Helsinki, meqë e dija se kishte bërë film dokumentar dhe se, në atë takim të atjeshëm, kishte qenë edhe Ismail Kadare.“Ishim në Finlandë për të marrë pjesë në Festivalin Botëror të Rinisë. Në atë grup prej mbi pesëdhjetë vetash, unë e kisha kamerën të bëja film. Për ne rrugëtimi ishte surprizë. Në atë rrugë ishte edhe Ismail Kadare. Nga xhirimet që i bëra atje, përfundova një film dokumentar me të cilin u ndava i kënaqur. Është një dokument interesant i asaj kohe…”