Këngëtari i njohur, Bashkim Alibali, në një intervistë për gazetën Panorama, thotë se për herë të parë ka marrë pjesë në Festivalin e 10-të në RTSH.
“Por që në fillim e nisa me peripeci. Gjatë provave, më hoqën këngën që më ishte caktuar, “Stacioni i dashur”, për interpretim ekstravagant. Përgatita rrobat për t’u kthyer në Shkodër. Me shumë dhimbje. Pak para nisjes, erdhi dhe më gjeti i madhi Alfons Balliçi, i cili pas shumë ndërhyrjesh, arriti të më kthente në skenë, por me një tjetër këngë, “Qyteti i punëtorëve”.”
I pyetur nëse u vesh sërish ekstravagant, Alibali thotë: “Jo, jo, u vesha brenda kornizave dhe nuk lëviza në skenë. Standard komplet”.
Në Festivalin e 11-të, Alibali këndoi një këngë të kompozitorit Enver Shëngjergji, të titulluar “Mbrëmja e fundit”.
Kënga fliste për studentët, që organizonin një mbrëmje lamtumire pas përfundimit të shkollës.
“Kënga pati shumë, shumë sukses, pavarësisht se nuk mori asnjë çmim. Por ndodhi diçka me këngën, që nuk kishte ndodhur më parë. Ajo u këndua dy herë rresht në festival. Publiku duartrokiste kaq shumë, sa nuk lejonin të vijonte kënga e radhës në konkurrim. Kështu që më thirrën të këndoja sërish”.
Por kjo performancë e tij la pasoja, pasi atij iu hoq e drejta për të kënduar në festival për pesë vite rresht.
“Fill pas Festivalit të 11-të, u zhvillua Festivali i Ushtarit në Shkodër. Aty janë bërë 4 orë mbledhje për ‘manierat e huaja’ që kisha demonstruar në festival dhe më hoqën të drejtën për të kënduar muzikën e lehtë”.
Por edhe pse u rikthye në festival, Alibali tregon për një incident në festivalin e 23-të.
“Në Festivalin e 23-të, unë isha këngëtar i parë i këngës ‘Çel si gonxhe dashuria’, ndërsa Nertila Koka dhe Gëzim Çela ishin dublantë. Kur kënga u shpall si fituese e çmimit të parë, organizatorët thirrën për ta prezantuar këngën Nertilën dhe Gëzimin, kurse mua nuk më llogaritën, sepse nuk kisha miqtë që kishin ata dhe sepse unë vija nga Festivali i 11-të i rehabilituar”.
Alibali thotë se nuk bëri asgjë, por doli në dhomat e zhveshjes dhe po dëgjonte këngën.
I pyetur nëse e ka diskutuar këtë çështje me Nertila Kokën dhe Gëzim Çelën, ai thotë: “Jo, sepse prisja që ata të më thoshin diçka. Asnjëherë, as Nertila dhe as Gëzimi nuk më kërkuan ndjesë dhe të paktën moralisht të justifikonin zhvendosjen e çmimit. E kam pritur në fakt një ndjesë të tillë gjithnjë, por nuk ndodhi”.
“Tani kam vendosur që këtë këngë ta incizoj dhe t’i bëj një orkestracion të ri”.