Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Sezoni i ri i TKOB: Rivënie në skenë dhe pritje për nisjen e rikonstruksionit

$
0
0

tkobTeatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka bërë publik kalendarin e sezonit të ri artistik, ku spikatin opera e Verdit  dhe Bellinit. “Rigoletto” me regji të Nikolin Gurakuqit ngre perden e skenës për t’u ndjekur nga “I Capuleti e Montechi”, e cila vjen për publikun në muajin mars. Ende nuk është bërë e ditur se kur do të nisin punimet për rikonstruksionin e godinës

Ajo që pat thënë disa muaj të shkuar drejtori Ilir Kerni se pas janarit në skenën e TKOB –it shfaqjet do të jenë rivënie – kjo për shkak se në godinën aktuale priten të nisë rikonstruksioni –është përforcuar edhe me publikimin e kalendarit artistik të sezonit të ri prej janarit deri në prill të këtij viti, ku vihen re rikthimi i baletit “Noces dhe Stravaganza” të koreografit me famë botërorë Angjelin Prelocaj , “La Syphide” dhe “Ballo e Diplomës” me koreografi të Ilir Kernit etj. Përsa i përket operas, rikthehet “Rigoletto” me regji të Nikolin Gurakuqit, i cili e ka vënë kryeveprën e kompozitorit Giuseppe Verdi dy herë në skenën e TKOB, më  1994–ën  dhe më 2005–ën. Megjithatë siç zbulon Gurakuqi,  kësaj here  opera vjen krejt në një koncept dhe produksion të ri. Subjekti zhvendoset në ditët tona dhe trajton perversionet e Dukës dhe oborrtarëve që viktimizojnë të pafajshmit si Xhilda. Opera do të ketë dy trupa artistike me solistë shqiptarë dhe të huaj.   ‘Rigoletto’, do të vijë për publikun në datat 21, 23, 24 dhe 25 Janar 2016 – thuhet në njoftimin për shtyp, ndërsa provat kanë nisur në ambientet e TKOB –it, edhe pse ishte parashikuar që trupa e artistëve dhe stafi administrativ të lëvizte prej godinës qysh prej 1 janarit, kur do të nisnin edhe punimet. Por në njoftim nuk bëhet e ditur nëse publiku do e shijojë këtë shfaqje ku interpretojnë solistë si Linda Kazani,Vikena Kamenica, Gocha Abuladze , Ylber Gjini, Ramona Tullumani etj., ndërsa vihet re edhe rikthimi i tenorit Armaldo Kllogjeri, i cili u largua nga TKOB dy vjet më parë. Kjo opera vjen nën dirigjimin e J.Manuel Busto–s.

Verdi ia lë vendin një tjetër italiani si Vincenzo Bellini, me operan “ i Capuleti e i Monteçhi” . Dashuria më e famshme dhe më fatkeqe në historinë e artit si ajo e Romeos dhe Zhuljetës vjen për publikun në muajin mars – përkatësisht në datat 20, 24, 26, 27 mars – nën regjinë e turko-zviceranes Ailyn Bozok dhe dirigjimin e Elda Laros. Gjatë këtij sezoni vihet re se pjesën më të rëndësishme të tij e zë baleti. Rikthehet “Arrëthyesi” i kompozitorit Çajkovski me koreografi të Ilir Kernit, i vënë në skenë më 2009–ën , i cili do të interpretohet nga trupa e baletit të këtij teatri. Po ashtu do të rikthehen shfaqjet e baletit që tashmë janë pjesë e repertorit të TKOB –it, si “Ballo e Diplomës” dhe “La Sylphide”. Po ashtu vihet re rikthimi i koreografit me famë botërore Angjelin Prelocaj me “La Stravaganza & Noces”, vetë Prelocaj ishte i pranishëm në Tiranë dhjetorin e kaluar kur ky balet u vu në skenë. Po ashtu edhe koreografi bashkëkohor  Daniel Cardoson vjen sërish me dy shfaqjet e tij “4 Pieces” dhe “Impact & Table”. Nuk do të mungojnë turnetë jashtë vendit edhe këtë sezon, ku trupa e baletit pas turneve të fundit në Itali e Gjermani – ku edhe u vlerësuan nga kritika e media e këtyre vendeve – do të udhëtojnë drejt Serbisë me “La Stravaganza & Noces”.Në fushën koncertore do të vazhdojë cikli, i cili ka si synim të ringrejë Orkestrën e Dhomës së TKOB, si dhe të sjellë për publikun muzikën e dhomës. Cikli që u hap në dhjetor të 2015–ës , do të vazhdojë në janar dhe në prill duke iu përmbajtur konceptit të angazhimit të instrumentisteve të TKOB, solistëve por edhe këngëtareve lirikë që kanë qenë pjesë e masterklasit të mbajtur në TKOB. Nëntë koncerte janë parashikuar për këta tre muaj në skenën e TKOB –it, e po ashtu nuk do të mungojnë shfaqjet e Ansamblit Popullor . Një tjetër masterklas si ai i zhvilluar gjatë muajit tetor të vitit të kaluar , e nisur nga sopranoja Ermonela Jaho për këngëtarët lirikë do të mbahet edhe këtë sezon nën drejtimin e Angelo Gabriellit, ku nuk do të mungojë koncerti përmbyllës.

Në pritje të rikonstruksionit

Pasi u bë e ditur nga Ministria e Kulturës se Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do i nënshtrohej rikonstruksionit aq të domosdoshëm dhe të munguar në thuajse 60 vjet jetë të kësaj godine, drejtori Ilir Kerni entuziast për këtë vendim që do e shihte skenën të shndërruar me një fytyrë e kushte europiane u shpreh se në TKOB kishte një plan sesi do të lëvizej që prej 1 janarit të këtij viti. Ishte menduar që trupa e artistëve të operas, baletit dhe ansamblit popullor të mos vendosej vetëm në një godinë alternative por të lëvizte në skena të ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Por njoftimi për shtyp nuk lajmëron zhvendosjen e trupës e as të shfaqjeve artistike të këtij sezoni. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në një intervistë për të përditshmen ‘Shekulli’ është shprehur se projekti për rikonstruksionin e godinës së TKOB–it aktualisht është duke u punuar nga një konsorcium studiosh projektuese vendëse dhe të huaja. Projekt të cilin ministrja e ka cilësuar të vështirë, pasi mungojnë përvojat në ndërtimin e skenave të tilla në Shqipëri. Studioja e angazhuar për realizimin e projektit në fjalë është “Kahle Acoustics” e njëjta studio që ka projektuar disa nga teatrot më modernë në botë, përfshirë edhe Sallën e Koncerteve të Filarmonisë së Parisit . Ministrja ka bërë me dije se projekti do të dorëzohet në javët e para të këtij viti, ndërsa puna për zbatim do të nisë menjëherë. Pritet të shihet se kur do të nisë rikonstruksioni dhe sesi do të lëvizë trupa artistike e TKOB-it dhe ku do të vendosen ata për shfaqjet artistike të këtij sezoni të ri.

Suadela Balliu


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708