“Nëse vendi ynë do të kishte patur Shkollë Mendimi, Spaçi dhe probleme të tjera të së shkuarës apo aktualitet do ishin sqaruar prej kohësh”, – thotë Julian Bejko, një prej ideatorëve që sjell sot në mbrëmje në Muzeun Historik, filmin dokumentar “Republika e Spaçit”, së bashku me Dritan Karadakun
Dy pedagogë të fakultetit të Shkencave Sociale phD Julian Bejko dhe phD Dritan Karadaku së bashku me studentët e tyre kanë projektuar një film-dokumentar në kampin famëkeq të Spaçit. Filmi është quajtur “Republika e Spaçit” dhe shfaqet sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Një afri kontekstuale me veprën e njohur të Platonit, ku preken çështje të ndryshme të shoqërisë: njeriu, arti, shpirti, politika, ligji, shteti për dy pedagogët edhe Spaçi si fenomen e kanë vendosur në një kornizë, siç thonë më të gjerë dhe shtrirje historike, ku debati themelor është mbi republikën, drejtësinë, edukimin, të drejtat e njeriut, shkelja dhe abuzimi i të cilave mund të prodhojë një Spaç si vend pune të detyruar, burgosjeje, përjashtimi, skllavërimi, poshtërimi, vdekjeje – ngjarje të cilat nuk ishin të izoluara aspak aty por në mbarë vendin, pra në gjithë republikën e ashtuquajtur popullore, komuniste, socialiste, “demokratike”.Vështruar në katedra e universitete,dhe sidomos nëse trajtimi bëhet si shkollë sociologjike, Bejko thotë se ende mbeten në fillesat për këtë disiplinë krahasuar me vendet perëndimore. “Nëse vendi ynë do të kishte patur Shkolla Mendimi, Spaçi dhe probleme të tjera të së shkuarës apo aktualitetit do të ishin sqaruar prej kohësh”, – thotë Bejko në intervistën e mëposhtme.
Pse republika e Spaçit, dhe pse vjen kjo nga shkolla e sociologjisë?
Termi Shkollë e Sociologjisë është njëfarë peshe e madhe për disiplinën e sociologjisë në Shqipëri e cila është ende në fillesat e saj, krahasuar me shkollat, përvojat dhe rrymat e sociologjisë në vendet perëndimore. Nëse vendi ynë do të kishte patur Shkolla Mendimi, Spaçi dhe probleme të tjera të së shkuarës apo aktualitetit do të ishin sqaruar prej kohësh. Dua të them që ky film-dokumentar nuk vjen si shtytje e një Shkolle por si detyrë dhe aktivitet i punës sonë personale kërkimore dhe akademike por dhe si qytetarë të kësaj shoqërie.
E kemi titulluar Republika e Spaçit nisur nga vepra e mirënjohur e Platonit “Republika”, në të cilën preken çështje të ndryshme të shoqërisë, njeriut, artit, shpirtit, politikës, ligjeve, shtetit etj. Spaçin si fenomen e kemi vendosur në një kornizë më të gjerë dhe të shtrirë historike, ku debati themelor është mbi republikën, drejtësinë, edukimin, të drejtat e njeriut, shkelja dhe abuzimi i të cilave mund të prodhojë një Spaç si vend pune të detyruar, burgosjeje, përjashtimi, skllavërimi, poshtërimi, vdekjeje – ngjarje të cilat nuk ishin të izoluara aspak aty por në mbarë vendin, pra në gjithë republikën e ashtuquajtur popullore, komuniste, socialiste, “demokratike”.
Çfarë konteksti mban dokumentari si ngjarje, fakte apo si fenomen social?
Ajo çka kemi realizuar është një gjenealogji zërash, tingujsh, pamjesh, kuptimesh, mbishkrimesh. Kemi ngjizur disa dimensione në një bosht që në fokus kanë rrugën dhe produktin e një marrëzie të tmerrshme, e analizuar me tonalitete dhe ritme tejet variabël të ndërthurura me anën e filozofisë, poezisë, muzikës dhe shumëllojshmërisë së zërave narrativë. Është një gërmim apo gjurmim i ngjarjeve dhe fenomeneve të ndryshme të historisë sonë.
Falë imazheve video dhe fotografike kemi përmbledhur pak a shumë pjesën më të madhe të asaj që Spaçi është sot, për t’i treguar shoqërisë atë që ndodhet fare pranë nesh dhe që për shumë kohë e kemi menduar Spaçin si një vend që ndodhet në ndonjë galaktikë tjetër.
A mendoni se këto ngjarje që lidhen me të shkuarën diktatoriale mbajnë interes, sidomos në njohjen e historisë në një aspekt sociologjik, se ç’ishin këto vuajtje, pra a mundet këto ngjarje të tërheqin të rinjtë, brezat?
Spaçi është ende aktual si shqetësim dhe çështje që duhet diskutuar. Historia e tij është pjesë e një historie më të madhe, shtetërore dhe shoqërore, studimi i së cilës kërkon kujdes të veçantë, metodologji dhe bashkëpunim mes shumë fushave dhe studiuesve.
Mbase është detyra e të tjerëve të flasin konkretisht për vuajtjet e atjeshme, të flasin për kalvarin e “jetës së përditshme” dhe për këto është shkruar e botuar.
Si erdhi ideja e këtij dokumentari, pse me studentët?
Idetë e mira ndonjëherë janë si fiqtë e ditëve të fundit të verës, që kërkojnë kohë dhe diell të piqen më tej, t’iu plasaritet lëkura dhe të të ftojnë t’i shijosh. Prej kohësh në fakt, fill pas kthimit tonë nga studimet në Paris, hapëm një traditë të re në Fakultetin e Shkencave Sociale, UT dhe përgjithësisht për disiplinat shoqërore duke projektuar filma të integruar në kuadrin e mësimdhënies. Më pas vendosëm të krijonim lëndë të analizës dhe kritikës së imazhit në nivelin master, krahas studimit dhe botimit të dy vëllimeve mbi shoqërinë shqiptare të shek. XX, nisur nga kinemaja e regjimit diktatorial (Julian Bejko, Shoqëria e Kinemasë, I, II, 2012, 2013). Vetvetiu erdhi dëshira për të shkuar në krijimin e një ligjërimi filozofik, sociologjik, antropologjik dhe historik me anën e imazheve dhe jo librave. Kinemaja është një pasion i vjetër i yni ndaj menduam të gërshetonim në formë eksperimentale, një zhanër disiplinash dhe artesh. Dëshirojmë të theksojmë se kjo përvojë ishte unike si për Dritanin dhe mua, pasi e kemi realizuar vetë që nga idetë, skenari, skicimet, interpretimet, xhirimet, zërat narrativë, montazhi, përzgjedhjen e tingujve dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me bërjen e një filmi-dokumentar i cili do të shfaqet si premierë në ambientet e një institucioni kaq të veçantë siç është Muzeu Historik Kombëtar.
Studentët e sotëm janë lindur në fillimet e viteve 1990 dhe kontakti i tyre me diktaturën nuk është i drejtpërdrejtë, prandaj është e nevojshme që ata të njohin të shkuarën e vendit dhe shoqërisë së tyre. Është një ndër kushtet e një edukimi të mirë dhe të drejtë. Sa për studentët tanë me të cilët kemi vizituar Spaçin, janë përfshirë në dokumentar dhe kanë vetëfinancuar udhëtimin ashtu si dhe ne; pa pjesëmarrjen e tyre, dokumentari humb atë që humb shoqëria pa të ardhmen. Jemi befasuar nga reagimet dhe reflektimet e studentëve, por mbi të gjitha recitimi i tyre i vargjeve të “Fjalëve të Qiririt”, në Spaç, i jep shpresë dhe forcë të ardhmes.
Intervistoi: V. Murati