Dramaturgu Jeton Neziraj ka përzgjedhur tre autorë shqiptarë për “Finnegan’s list” për t’u përkthyer nga botuesit evropianë, për të thyer kështu barrierat gjuhësore për veprat që nuk janë përkthyer sa duhet apo që “janë harruar”. Tre autorët e propozuar janë: Visar Zhiti, Ramadan Musliu dhe Xhevdet Bajraj
Intervistoi: Violeta Murati
Shtëpive botuese nga e gjithë Evropa, përveç veprave të tjera të autorëve të huaj, do t’u propozohet edhe përkthimi i tre shqiptarëve. “The European Society of Authors” (Shoqata e Shkrimtarëve Evropianë) ka përpiluar listën e 30 veprave letrare që do t’ua shpërndajë botuesve me rekomandimin dhe arsyetimet se përse ato meritojnë të përkthehen. Juria propozuese përbëhet nga dhjetë autorë. Listës së dhjetë autorëve që kanë zgjedhur nga tri vepra që vlerësojnë se ato duhet t’i thyejnë barrierat gjuhësore, i takon edhe dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj. Drejtori i Qendrës kulturore “Multimedia” ka propozuar që nga shqipja në gjuhë të tjera evropiane të përkthehen veprat “Rrugët e ferrit”, me autor Visar Zhitin, “Antiprocesioni”, me autor Musa Ramadanin, dhe “Copa ime e qiellit”, e poetit Xhevdet Bajraj.
Si keni rënë në kontakt me “The European Society of Authors”, si funksionon kjo “lista e librave” të përzgjedhur”?
The European Society of Authors fton çdo vit nga dhjetë shkrimtar të vendeve të ndryshme të botës, të cilët bëjnë përzgjedhjen e librave për “Finnegan’s list”. Këta më pas, secili sugjeron nga tre tituj librash, që mund të jenë të autorëve të gjallë apo të vdekur. Megjithatë, parimi i “Finnegan’s List” është se përpiqet t’i nxjerrë në dritë veprat që nuk janë përkthyer sa duhet apo që “janë harruar”. Ideja pra është e thjeshtë: secili nga këta dhjetë autorë zgjedh tre tituj nga ‘libraria e tij/saj private – fikision apo jo-fiksion, prozë apo poezi. Dhe bashkë me këtë përzgjedhje, jep edhe një shpjegim të shkurtër se përse këto tre tituj ia vlejnë të “shtyhen përpara” dhe t’u ofrohen për botim në gjuhë të tjera, botuesve dhe institucioneve të ndryshme kulturore gjithandej botës. Autorët që kanë bërë propozimet pastaj ftohen të flasin për titujt e përzgjedhur në panaire dhe ngjarje të ndryshme që organizohen gjatë vitit në qytete të ndryshme të Europës. Ata nga Shoqata e Shkrimtarëve Europian vjet më kontaktuan dhe më ftuan t’i bashkëngjitem këtij komiteti përzgjedhës. Detyra ishte e qartë. Unë natyrisht pranova me kënaqësi.
Sfida e këtij selektimi është thyerja e barrierave gjuhësore. Ju jeni nga një njerëzit aktivë të kulturës në skenën evropiane, në të dyja anët e kufirit. Pse mendoni se botuesit evropianë po kërkojnë letërsi nga “vendet e vogla”, që deri dje s’para janë përfillur?
Që disa vepra letrare të vlefshme ngelen në harresë ose nuk përkthehen sa duhet ndodh edhe në vendet e “vogla” e edhe në ato “të mëdha”. Por para së gjithash, ndodh në vendet e “vogla” e të varfra. Ka shumë faktorë për këtë “harresë”, por disa prej atyre faktorëve janë: mungesa e përkthyesve, mungesa e fondeve të përkthimit, mungesa e promovimit e kështu me radhë. Që t’i kthehem pyetjes; botuesit europianë nuk mendoj se ekskluzivisht po kërkojnë letërsi nga “vendet e vogla”. Ata thjesht kërkojnë letërsi të mirë. Por në vendet e varfra, si këto tonat në regjion, është e pritshme të ndodhë që autorë cilësorë të mos marrin vëmendjen e duhur dhe titujt e librave të tyre të mos i kalojnë kufijtë gjuhësorë të gjuhës në të cilën janë shkruar. Dhe prandaj, iniciativa si kjo e Shoqatës Europiane të Autorëve, ose puna që bënë TRADUKI, janë të vlefshme dhe me interes, veçanërisht për hapësirat tona, ku letërsia nuk e ka mbështetjen dhe vëmendjen e duhur.
Mbi ç’kritere e keni bërë përzgjedhjen e tri botimeve?
Nuk ka qenë process i kollajshëm. Dhe, që të jemi të qartë, për përzgjedhjen nuk kam qenë i kufizuar vetëm në letërsinë shqipe. Por duke qenë se letërsia shqipe edhe ashtu lëngon shumë nga promovimi ndërkombëtar, jam fokusuar vetëm te librat e autorëve shqiptarë. Përndryshe, njëherë kam dashur ta propozoj edhe librin e autorit serb, Dimitrije Tucoviç, “Serbia dhe Shqipëria”. Në fund, megjithatë, u përcaktova për librat e autorëve Visar Zhiti, Ramadan Musliu dhe Xhevdet Bajraj.
Musa Ramadani në Kosovë konsiderohet si avangardist. Ka shkruar poezi, tregime, romane e drama. Është përkthyer fare pak në gjuhë të tjera, kryesisht në gjuhët e ish Jugosllavisë. Romani i tij “Antiprocesioni” i botuar në vitin 1997 nga “Buzuku”, është një vepër postmoderne, e veçantë, që merret kryesisht me çështje filozofike e teologjike. Autori të tërheq me dijen e tij për fusha të ndryshme dhe aq më tepër me mënyrën sesi e artikulon atë dije në këtë roman. Hermetik për nga natyra, i shkurtër dhe plot erudicion, romani është i shkruar me shumë mjeshtëri. Romani nuk është përkthyer në ndonjë gjuhë tjetër, por ekziston një përkthim i pabotuar anglisht. E kam rekomanduar për adhuruesit kokëfortë të letërsisë. Kurse Xhevdet Bajraj është poet dhe përkthyes nga Kosova, por që, nga viti 1999 jeton në Meksikë. Bajraj është padyshim prej poetëve më të mirë kosovar të brezit të mesëm. Shkruan në shqip dhe në spanjisht. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë, por unë besoj jo mjaftueshëm. Unë kam rekomanduar librin e tij, të fundit me poezi “Copa ime e qiellit” që është botuar tash së voni në Kosovë nga “Koha”, si libër dygjuhësh; shqip dhe spanjisht. Bajraj shkruan poezi brilante. Kur e lexon, ke ndjesinë që ai i ka shkruar ato poezi vetëm për ty. Kjo lloj afërsie që lexuesi krijon me poezitë e tij vjen ngaqë Bajraj shkruan me sinqeritet të madh. Poezitë e tij janë si ninulla për të rritur, që na bëjnë të mendojmë dhe të ëndërrojmë për mallin, për lulet, për atdheun, për ëndrrat, për luftën, për vetminë. Dhe pastaj mund të biem në gjumë të lumtur që kemi jetuar edhe një ditë në këtë botë armiqësore.
Nga Shqipëria keni zgjedhur vetëm Visar Zhitin, ishte kjo një shije personale, apo keni konsultuar me botime të tjera?
Natyrisht, është shije personale por, kuptohet, i kam pasur parasysh kriteret e “Finnegan’s List”. Kadare (përndryshe, prej autorëve të mi të preferuar) njihet dhe përkthehet rregullisht. Po ashtu edhe Kongoli. Por unë kam konsideruar se edhe librat e Zhitit meritojnë të njihen dhe lexohen jashtë gjeografisë shqiptare. E di, se Zhiti është përkthyer në disa gjuhë, por besoj jo mjaftueshëm dhe jo aq sa e meriton. Nga ai, unë kam rekomanduar për përkthim librin “Rrugët e ferrit”, që është libri i parë me kujtimet e tij nga burgu. “Rrugët e ferrit” është botuar në Tiranë në vitin 2001 nga OMSCA-1. Më vonë Zhiti ka botuar edhe pjesën e dytë të kujtimeve nga burgu në librin “Ferri i çarë”.
“Rrugët e ferrit” është një rrëfim tronditës që shpalosë ngjarje të frikshme nga diktatura komuniste, flet për personazhe e momente rrënqethëse gjatë kohës sa autori ka qëndruar në burg. Libri mrekullisht e përzien elementin faktografik, dokumentar, me elemente artistike. Ky libër, është një peizazh i zymtë i një epoke të egër dhune, që si armik kishte njeriun, intelektualin, para së gjithash. Por më bukur e thotë autori vetë Zhiti, në fillim të librit: “roman, me personazhe reale e ngjarje që s’do të doja të ishin të vërteta, ndërkaq nuk shpika asgjë, vetëm përzgjodha nga përjetimet. Por, të shkruarit e tyre ngjante me një tjetër burg…”. Ky libër nuk është përkthyer akoma në asnjë gjuhë tjetër, por do të duhej, patjetër.
Është folur shumë për “bashkimin” tonë natyror, kultura është marrë si modeli që mund ta mbërrijë këtë definicion më parë se çdo fushë tjetër. Mendoni se ka vend për entuziazëm, kur ende nuk bashkërendojnë librat, teatri, gazetat, muzika, trashëgimia…ne vazhdojmë të transmetojmë lajme që lidhen vetëm me personazhe të njohur, pa guxuar me tej. Po kështu dhe anasjelltas?!
Nuk mendoj se ka vend për entuziazëm. Megjithatë, në anën tjetër po ashtu nuk më duket se ka mungesë vullneti. Në këtë aspekt mendoj se, gjërat qëndrojnë shumë më mirë sesa kanë qenë para disa vitesh, ta zëmë. Nga dy Ministritë e Kulturës është hartuar një kalendar i aktiviteteve të përbashkëta kulturore që pasurohet dhe harmonizohet çdo vit. Artistët dhe grupet artistike edhe jashtë këtij kalendari shkëmbejnë krijimet e tyre. Ta zëmë, unë çdo vit sjell në Tiranë shfaqjet e mia që i realizojmë në Prishtinë dhe deri më tani për këto prezantime asnjëherë nuk kam pasur ndonjë mbështetje financiare nga fondet publike në Kosovë apo Shqipëri. Por, kjo nuk më ka ndaluar të komunikoj me publikun në Tiranë. Pra, këtu nuk qëndron krejt problemi. Problemi kryesor është: a kemi çka të shkëmbejmë? Hiq ndoshta letërsinë, produksioni kulturor si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë është tepër i varfër. Në Kosovë, ta zëmë, gjatë një viti, mezi prodhohen 20 shfaqje teatrore. Besoj se kaq, jo më shumë, prodhohen edhe në Shqipëri. Shfaqjet që prodhohen në Prishtinë nuk prezantohen as në qytete tjera të Kosovës, ose prezantohen fare rrallë. E njëjta situatë besoj është edhe në Shqipëri. Dhe mos të flasim pastaj për kualitetin e këtyre shfaqjeve teatrore që lë shumë për të dëshiruar. Në Tiranë, plot artistë të teatrit besojnë që, për sa i përket teatrit, Tirana është “qendra e botës”. E fatkeqësisht, nëse do të më pyesni mua, unë do të thosha që teatri në Tiranë është “gati fundi i botës”. Por nejse, kjo është temë tjetër.