Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Blloshmi: Pompeiada, një rrënojë kohe nën lëkurë

$
0
0

lumturi blloshmiArtistja, Lume Blloshmi, kjo Shivë – hyjni shndërruese – na paraqet, përmes cikleve “natyrale” të artit dhe aksionit performer të saj, edhe vetë procesin e transformimit.

Nga Krenar Zejno

Një rrënojë mund të na sjellë ndërmend edhe një tjetër rrënojë, ashtu si tek e shkuara e një jete gjenden paralele të një tjetër jete. Sepse rrënoja përfaqëson gjallmimin, në dallim nga gërmadha, e cila është e mbyllur në vetvete, si çdo vdekje. Rrënoja është ajo që i mbijeton zhdukjes, asaj që gërmadha nuk i bëri dot ballë. Trupat njerëzor të Pompeit, ngrirë prej shekujsh nën llavë, nuk janë kadavra. Për një mrekulli të natyrës, njëherit edhe vrasësja e tyre, ata dëshmohen ashtu siç janë fiksuar në çastin e beftë të mortjes, në vendet dhe gjestet e fundit të veprimtarisë së gjallë. Moment i rrallë! E ky momentum i historisë së njerëzimit, ku ata mbetën edhe jetë edhe vdekje, është tashmë monumenti i tyre i përjetshëm. E një rrënojë e cila i mbijeton zhbërjes së artit që mban në gji, shndërrohet edhe vetë ajo në vepër arti. Qysh me Beniamin e Simmel e Pasolin është zbritur gjer në thellësi të kësaj dikotomie: rrënoja nga pikëpamja estetike është një formë e paqtimit, apo armëpushimit le tё themi, të konfliktit mes fuqive shkatërruese të natyrës dhe atyre ndërtuese të kulturës dhe artit. Dhe ja ku mbërritëm një moment të rrallë arti të sotëm: Artistja, Lume Blloshmi, kjo Shivë – hyjni shndërruese – na paraqet, përmes cikleve “natyrale” të artit dhe aksionit performer të saj, edhe vetë procesin e transformimit. Objekti: lëkura (edhe apel i empatisë) e portokalles (edhe idiomë ironike e botës që rrotullohet e rikthehet). Më tej, cikli i miniaturave me figurat politike, riparaqitur në “Pompeiadë”, pra ku na ndërmend edhe për August e Kaligula, bën të theksohet edhe më tepër sarkazma karikatureske ndaj tyre. Dhe diku mё tej, pamje nga rrёnoja e ekspozitës “Okazion- Likuidim total” qё pat mveshur krejt muret e galerisё Zenit me Informacion – Propagandë – Publicitet! Njё trekëndësh deborian, edhe i blerjes edhe i bjerrjes, ndёr tё cilin postmodernizmi, si përdorim ironik i imazhit në kontekst të ri kuptimor, qe thirrur tё shpёrfaqё imazhe që kontestojnë pikёrisht kёtë botë imazhi. Ku triumfi imperial i mallrave, nëpërmjet armёs sё joshjes e reklamёs dhe mercenarёve prej letre, rrezikon tё pёrbashkojё gjithё gërmadhat e konsumit dhe mbetjeve nёn njё destin fatal nё rang global. E më përtej, këto lëvore fruti me formën e qenieve njerëzore prej zjarrmit ku vendoseshin për t’u marrë esencën dhe aromën, pas shumë kohërash çlirohen nga izolimi dhe bëhen objekti i artistes për një paralelizim ngjashmërie të habitshme me elementë biblikë të tablosë së mjeshtrave të Rilindjes. Duke na paraqitur, kësisoj, edhe një rrënojë. Por nuk mbaron këtu! Fill pasi i hapen dritës, ajrit dhe pranisë së kondensimit, ndodh që natyra të bëjë të vetën duke i kthyer në një rrënojë të re edhe vetë ato. (Sa për kujtesë dhe orientim: në rastin e nevojёs sё njё përshkrimi të rrënojës dhe mbetjeve, alegoria ka ca shanse t’ia dalë më mirë se simboli e metafora.) E bashkë me të, duke na kondensuar, praktikisht, një rezultat për të cilin teorizimi mbi rrënojën është tashmë: akti i riformësimit të shkatërrimit si atribut i saj; nëpërmjet një procesi të dyfishtë, natyral dhe historik. Me rrjedhojë, edhe të kuptuarit më mirë të historisë. E në lidhje me këtë dhe kontekstin tonë historik, vjen i pashmangshëm konotacioni prej pamjes sё lëkurave të regjura me kufomat nё gropat masive, dhe me regjime e shpërngulje masive gjithashtu. Aq më mirë për ruajtjen e kujtesës kolektive prej rrënimit! Tekefundit, ky është misioni i artistit: të mos lejojë që rrënoja të kthehet në gërmadhë. Dhe Moxarti vijon t’i fryjë flautit magjik, duke i dhënë frymë edhe Pompeit, vendit ku e kompozoi dhe rrënojës që e frymëzoi.

 

Krijimtaria e Blloshmit

Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973 – 1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve. Përveçse si një retrospektivë e 25 viteve të fundit të artit të saj, kjo ekspozitë vjen si një dëshmi e përforcuar se Lumturi Blloshmi është një nga artistet e para që solli mediumin e instalacionit dhe performancës në Shqipëri.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708