Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Koleksioni brilant i fotove: Ja Shqipëria që lëviz

$
0
0

“Moving Albania” është libri i realizuar nga një fotograf i ri belg, i cili sipas tij pasqyron evolucionin shqiptar drejt modernitetit, një evolucion që në shkrepjet e përjetësimet e tij të lustruara duket se lëviz ngadalë, për të mos thënë që diku edhe ka ndalur. Një lloj ambasadori i vendit – siç preferon ta quajë ai veten apo një njeri që nga ata shqiptarë mundohen ta fshehin atë anën e paveshur me bukuri shihet me dyshim?!Ndoshta asnjëra. Fredercik Buyckx rrëfen kronikat e udhëtimeve dhe fotografive në vendin që e ka vizituar bash çdo pëllëmbë

Nga Suadela Balliu

 

Shtëpi gjysmë të rrënuara, oda e konakë veriu ku tipike është vetëm oxhaku që nuk kryen më funksionin e kahershëm, ngjyra të shpëlara muresh që duken edhe më të zhveshur nga feksja e pazakontë e banderave gjithfarëshe të varura në po ato mure ku suvaja mezi mbahet që i jepnin arredimit të brendshëm një hije prej faltoresh a teqesh, pasuruar deri në marrafrymë me lule artificiale e faqe kalendarësh të shkëputur me portrete vajzash, që i bëjnë konkurrencë portretit të ish diktatorit, i cili i ka shpëtuar inkuizicionit popullor…

E gjithë tabloja, si një mozaik i formuar keqas të çon drejt e në ato vitet e hutueshëm të kapërcyellit bashkë me dhjetëvjeçarin e ri, drejt të ëndërrueshmes demokraci. Shqiptarët e jetuan si mundën atë fillimvitesh ’90. Për ata që nuk mundën të kapërcenin kufijtë, u rrekën të fusnin brenda shtëpive atë vrull moderniteti që sillte importi, duke e përzier me çka kishte mbetur prej veshjeve të ftohta e pa joshje të regjimit komunist. Varfëria që i mbante lidhur pas kyçesh, atyre që rrekeshin për t’iu arratisur dhe uri, uri për t’u bërë si bashkëqytetarët e kontinentit ku bënin pjesë… “Kudo gjen mbeturina të regjimit komunist, regjim ky i cili ngufati Shqipërinë deri në vitin 1991, shpeshherë në kontrast me modernizimin në të cilin po kalon vendi” – kështu shkruan Frederick Buyck në parathënien e librit me fotografi për belgët si ai, të cilët nëse nuk kishin dëgjuar e ditur ku binte gjeografikisht, dinin se duhet t’i druheshin mafies së këtij vendi që i kishte shtrirë tentakulat edhe në atdheun e tyre. Por nuk ishin vitet ’90. Jo! Buyckx erdhi për herë të parë në Shqipëri më 2007-ën, ndërsa të 120 fotografitë për albumin do i realizonte më vonë, andej nga 2009-2010. “Moving Albania” jep një pasqyrë të shoqërisë së sotme shqiptare dhe të evolucionit, të cilit i nënshtrohet. Një evolucion, i cili në disa vise ende duhet të fillojë, ndërsa në vise të tjera nuk e arrin dot hapin me vetveten”. Nuk është analist i shoqërive në tranzicion e as specialist i zhvillimeve ekonomiko-sociale, por për diçka është i bindur Buyckx – mbiemri i të cilit tingëllon me një markë të njohur automobilash e që shqiptarët (ai vetë do e ketë vënë re ndërsa i ka shëtitur rrugët tona) ato luksozet i kanë vërtet pasion –me apo pa tranzicion– që Shqipërinë e ka shëtitur cep më cep, nga jugu në veri, nga qytetet e mëdha që e ndryshojnë pamjen nga dita në ditë prej zhvillimeve e deri te fshatrat e vegjël lart në male, ku koha duket se ka ndalur në epoka të pacaktuara… “Rritja ekonomike dhe numri i turistëve që shtohet në formën eksponenciale e bëjnë të qartë se Shqipëria ka shumë për të të ofruar. Përkundër faktit se Shqipëria duhet të luftojë kundër një morie paragjykimesh që lidhen me të. Nuk do të vonojë dhe ajo do të bëhet njëra nga destinacionet e preferuara turistike të Evropës” – e përfundon ai prezantimin e Shqipërisë. Por destinacione turistike apo ndërtesa moderne duket se nuk sheh gjëkundi në fotografitë e tij. Për sedërlinjtë vendas fytyra me të cilën e ka fotografuar ai Shqipërinë, duket dashakeqe. Por a nuk është edhe ky profil i Shqipërisë – për të cilën jemi fort krenarë- të cilën mundohemi ta mbajmë të mbuluar nga sytë e botës, por edhe nga tanët që dhembin prej çiltërsisë së varfërisë?!Në fund të fundit, fokusi i aparatit fotografik ka gjithë të drejtën të jetë subjektiv – për aq kohë sa ky subjekt bërtet ekzistencë….

Kur e ke vizituar për herë të parë Shqipërinë?

E kam vizituar Shqipërinë për herë të parë në shkurt të vitit 2007. Që atëherë kam ardhur çdo gjashtë muaj dhe e kam parë në të gjitha stinët. Nuk dija shumë rreth Shqipërisë. Në Belgjikë, shumicën e njerëzve që pyet, të thonë se dinë vetëm që ka pasur shumë trazira në këtë rajon në Ballkanit dhe se kanë frikë nga mafia shqiptare. Për shembull , në Antwerp, qyteti ku unë jam rritur, pjesa më e madhe as që e dinë se ku ndodhet gjeografikisht Shqipëria. As unë vetë nuk e dija.

Cilat zona ke vizituar?

Në të gjitha udhëtimet, i kam vizituar të gjitha cepat e vendit, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Duke nisur nga qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça, Elbasani, Gjirokastra e deri te ata më të vegjlit në male si; Gramsh, Kukës, Bajram Curri, Leskovik. Kam vizituar edhe fshatrat e vegjël, lart në male.

A je tërhequr edhe ti nga bunkerët e diktaturës ashtu si shumë kolegë të tu? Çfarë ndjesi japin kur i fotografon?

Gjashtë vjet më parë erdha në Shqipëri për të fotografuar vërtet bunkerët. Kisha lexuar një artikull rreth tyre dhe të them të drejtën më intrigoi shumë. Nuk mund të imagjinoja aq shumë bunkerë në një vend kaq të vogël dhe ajo që më goditi më shumë ishte fakti se nuk ishin përdorur kurrë. Është histori e çuditshme nëse e mendon. Për mua, si belg, më interesonte të shihja një vend që kishte jetuar, deri kohëve të fundit, nën një regjim komunist. Nëse e sheh Shqipërinë në hartën e botës, është shumë pranë Belgjikës, por aq shumë e ndryshme.

Përpara se të vijë këtu për herë të parë, a e kishe një ide të qartë se çfarë do të fotografoje apo gjithçka doli rrugës?

Po! Herën e parë që erdha fotografova bunkerët. Vetëm pasi e vizitova dy herë Shqipërinë, nisa të punoja për projektin “Moving Albania”. Për këtë projekt thjesht udhëtova përqark vendit dhe fotografova çfarë më doli rrugës.

Sa kohë t’u desh për realizimin e librit?

Librin tim “Moving Albania” e kam realizuar më 2010-ën. Për të realizuar projektin kam ardhur tri herë dhe kam qëndruar nga tri javë në çdo vizitë. Për shkak se e kisha vizituar dy herë më parë Shqipërinë, ishte më e lehtë realizimi i librit. E njihja vendin, njihja disa njerëz dhe kisha mësuar pakëz edhe gjuhën shqipe.

Pjesa më e madhe e njerëzve apo familjeve që ke fotografuar duket se i përkasin shtresave të varfra. Çfarë simbolike ka puna jote?

I dëgjoj këto komente shpesh. Nuk i kam zgjedhur unë, njerëzit që më merrnin në shtëpitë e tyre dhe më ofronin ushqim dhe strehim. Njerëzit nisnin të flisnin me mua dhe unë fotografoja ata që më ftonin në shtëpitë e tyre. Ndoshta kjo flet më shumë rreth Shqipërisë sesa rreth meje. Kur dola një shëtitje në kryeqytet, askush nuk më foli apo më ftoi në shtëpinë e tyre. Kur shkon në fshatrat e vegjël në male, njerëzit janë shumë mikpritës dhe miqësorë. Kështu që në këtë kontekst, ishin vetë shqiptarët që vendosën se kë të fotografoja, jo unë. Është e trishtueshme, por e vërtetë, njerëzit e varfër janë më të ngrohtë dhe mendjehapur kundrejt të huajve.

Sa e vështirë është për një fotograf të huaj të mirëpritet brenda shtëpive?

Pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipëri ishin shumë miqësorë kur u shprehja dëshirën për t’i fotografuar. Ata nuk e kishin bezdi. Kur kthehesha në Shqipëri, i merrja gjithnjë fotografitë me vete dhe ua jepja njerëzve që kishin dalë në ato fotografi. Kjo ishte mënyra ime për t’u thënë “Faleminderit!”.

Për shumë shqiptarë që është pak e vështirë të besohet se janë foto të vërteta. Nga komentet në blogë të ndryshëm në internet thuhet se me kast ke paraqitur këtë anë të shëmtuar të vendit. Cila është përgjigja jote ?

Po, jam në dijeni. Çdo fotografi apo seri fotografish është një kënd vështrimi subjektiv për çdo fotograf, e kështu nuk është kurrë e mundur të japësh një pamje të plotë objektive të diçkaje. E di se shumë shqiptarë nuk e vlerësojnë punën time. Por, jam i bindur se ata nuk e kuptojnë sesa pranë “botës së tyre” janë fotografitë e mia. Ata mund të banojnë në shtëpi të këndshme në Tiranë, por në ndonjë qoshe dikush jeton në varfëri. Për shembull, romët që jetonin pranë stacionit të trenit në Tiranë. E meqë ra fjala, fotot për librin, të cilat janë mëse 120 të tilla, janë realizuar në të gjithë vendin. Nuk kam bërë fotografi vetëm në fshatrat e veriut, kam fotografi nga Tirana, Durrësi, Elbasani, gjithashtu. Kam frikë se shqiptarët që nuk e pëlqejnë mënyrën sesi e kam treguar vendin e tyre, nuk e kanë vizituar kurrë të gjithë vendin. Pyesni njëherë në Tiranë sesa njerëz kanë mjelë një lopë! Nuk besoj se kanë mbetur të tillë në Tiranë, por njëherë me të dalë nga qytetet e mëdha, thuajse çdo familje ka një lopë, e cila u jep qumësht çdo ditë.

Po si janë pritur këto fotografi nga opinioni jashtë Shqipërisë aty ku edhe i ke ekspozuar?

Ashtu siç thashë, shumë shqiptarë nuk e pëlqejnë punën time, sepse mendojnë se nuk shfaq Shqipërinë e vërtetë. Është e drejta e tyre të thonë apo të mendojnë në këtë mënyrë. Unë besoj se jap një imazh të mirë të asaj çka është Shqipëria, sërish sipas këndvështrimit tim si fotograf. Kurrë nuk kam pasur qëllim të përçoj imazh të keq të vendit apo njerëzve. Unë vërtet e dua Shqipërinë. Kështu që, pse duhet ta bëja këtë?! Por, jashtë Shqipërisë kam marrë plot komente të mira rreth punës sime. Kam fituar disa çmime dhe kam realizuar disa ekspozita. Kështu që në nivel fotografik, puna ime është pritur mjaft mirë.

Ngjyra dhe kontraste, arredime të çuditshme shtëpish, portrete të trishtueshëm e të çiltër… Të pëlqen theksi te kontrastet e forta?

Po, më pëlqejnë ngjyrat dhe kontrastet. Dhe më pëlqen arredimi i brendshëm, i cili tregon shumë rreth personave që jetojnë aty. Ndonjëherë flet më shumë sesa vetë personi.

Ke fituar një çmim për fotografinë e vitit më 2010-ën, e cila çoi më pas në botimin e këtij libri. A ishte shpërblyese për punën?

Ishte çmimi im i parë dhe sigurisht fitimi i tij ishte më ë mira që mund të më ndodhte si fotograf i ri që isha. Botimi i librit është vërtet një ëndërr që realizohet. Kjo më dha zemër të vazhdoja të bëja dokumentarë dhe ishte reklamë e mirë për mua si fotograf.

Përtej syrit artistik, çfarë të ka bërë më shumë përshtypje te njerëzit që ke fotografuar?

“Moving Albania: janë fotografitë që kam bërë gjatë udhëtimeve të mia përqark vendit, që tregojnë njerëz dhe vende të cilat mendojnë se janë të shquara, interesante apo tipike shqiptare.

Të gjithë njerëzit që kam fotografuar në Shqipëri, kanë gjëra të përbashkëta. E para është mikpritja, diçka që vërtet më preku. Kaq njerëz të ngrohtë dhe miqësorë, të cilët nuk i kam njohur në asnjë vend tjetër. Megjithëse nuk mund të komunikonim shumë mirë, të gjitha dyert hapeshin për mua, ata më dhanë ushqim dhe shtrat për të fjetur. Më bënin të ndjehesha në çdo kohë si në shtëpi. Të gjithë përpiqeshin të më ndihmonin mesa mundnin, njëherë një shofer furgoni, një herë një pronar restoranti apo një fermer që punonte tokën.

Je shprehur se Shqipëria mund të shndërrohet në një nga tërheqjet turistike më të preferuara të Evropës, pasi të fitojë betejën me keqkuptimet dhe paragjykimet. Pse mendon kështu? Do të ndodhë për shkak të progresit që po bën apo për shkak se njerëzit do të njohin bukuritë e saj natyrore?

Para së gjithash, njerëzit jashtë Shqipërisë kanë nevojë të kenë një imazh të saktë të asaj çka është Shqipëria. Ashtu si thashë më lart, shumë nuk e njohin këtë vend ose nuk kanë opinion të mirë rreth tij. Por, po ndryshon. Edhe operatorët turistikë belgë ofrojnë udhëtime drejt Shqipërisë këto kohë. Nuk ishte kështu para dy vitesh. Njoh katër miq të mi që erdhën në Shqipëri, për shkak se kishin parë librin tim. Unë vetë kam marrë një mik dhe të dashurën time në një prej udhëtimeve. Të gjithë thonë të njëjtën gjë më pas: nuk e prisnin të ishte vend kaq i këndshëm për të shkuar me pushime. Shqipëria ka nevojë për më shumë ‘ambasadorë’ jashtë vendit, të cilët do të rriten në vitet e ardhshëm. Përherë e më shumë ka turistë që eksplorojnë Shqipërinë dhe reklama gojëtare është ende rruga më e mirë për të promovuar diçka. Jam i sigurt se në pak vite, Shqipëria do të tërheqë më shumë turistë sesa Greqia apo Kroacia.

Më trego rreth punëve të tjera! Si i përkufizon ato ?

Puna ime është gjithmonë një lloj dokumentari rreth vendeve, njerëzve, kulturave të tjera. Jam shumë kureshtar për mënyrat sesi të tjerët jetojnë, cilat janë zakonet dhe traditat. Fotografia për mua është një rrugë për t’i zbuluar këto.

A ke projekte të tjera që lidhen me Shqipërinë?

Për momentin nuk kam më projekte që lidhen me Shqipërinë. Por, vazhdoj ta vizitoj vendin të paktën një herë në vit, për të takuar miqtë dhe për të shijuar bukuritë.

(Botuar në Revista MAPO)

imageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimageimage


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708