Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Ekspozita në Krujë: Skënderbeu në artet pamore shqiptare

$
0
0

skenderbeu (1)Galeria Kombëtare e Arteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, çelin ekspozitën “Skënderbeu në artet pamore shqiptare”. Ekspozita do të inaugurohet në qytetin e Krujës, në sallën e Pinakotekës të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti, është vazhdim i projektit që filloi në Paris (Francë), në janar 2016, i cili erdhi si një bashkëpunim mes GKA dhe “Maison de l’Albanie”, kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në Krujë, ekspozita me 30 vepra arti dhe dokumente historike do të prezantojë punë të rëndësishme nga fondi i GKA, nga studiot e artistëve dhe vepra të koleksionistëve. Përmes saj, do të shfaqet një panoramë më e zgjeruar e figurës së Skënderbeut, në artet pamore shqiptare dhe dokumentet historike.

Në të janë paraqitur vepra nga më të hershmet e unikalet, të realizuara nga piktorë patriotë shqiptarë si Anastas Ballamaçi e Theohar Gjini, e më vonë Spiro Xega. Përmes rendit kronologjik, publiku do të njihet me një koleksion po aq të veçantë veprash origjinale.

Nëpërmjet qëndrimeve stilistike personale ku pasqyrohen konceptime dhe ndikime të kohës kur ato u krijuan, mjeshtra të pikturës shqiptare, si: Andrea Kushi, Zef Kolombi, Simon Rrota, Kel Kodheli, Ibrahim Kodra, Guri Madhi, Vilson Kilica, Zef Shoshi, Nexhmedin Zajmi, Pandi Mele, Ibrahim Çezma, Arben Golemi, Dhimitër Theodhori, Anastas Kostandini, Genti Proko dhe Sokol Gidaj, kanë dhënë secili interpretimin e tyre për këtë figurë komplekse historike.

Veprat janë në teknikën e vajit, akuarelit, grafikës, vizatimit, si dhe dy postera të vitit 1968. Ekspozita do të shoqërohet edhe me katalogun përkatës. Hapja e saj do të paraprihet nga një konferencë për shtyp në mjediset e Muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, më 20 Maj, ora 11:00.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708